TRIPTIK-LIRIK (gjyshja,nëna dhe ime shoqe)
POEMTH PËR GJYSHEN Pëllëmbët e tua, të vogla, Shenjtërojnë çdo gjë që prek. Shenjtërohen fustankat belholla, Edhe arnet e kopsat, kur qep.
Gishtat e tua shenjtërojnë, Lakrorin përqark me tegel. Me hatër, tinëz, mashtrojnë, Kulaçit, me lek, i vë shenjë...
Dimrave me erë të ftohtë, Fishkëllimat unë ia përqesh. Kam çorape e bluzë të ngrohtë Nga gishtat e shenjta, peshqesh.
1970
NËNA
Ende më pret tek pragu i portës. Duart, nën përparëse, sikur fsheh diçka. Njëlloj si nënat e Mëhallëve të Botës, E mira, e bukura, e dashura.
Ndodh që kthehem vonë nga puna, Pret dyshimzemërdredhur. "Ah, im bir, pi raki me çunat, dhe nget biçikletën, i dehur!"
Në ditët me erë, dëborë e shi, Ajo del e pret tek kthesa e madhe. Bën kryq kur gjëmon e shkreptin, Kërrusur, si nënat, e ngarkuara me halle.
Njëmijë këshilla mban në gjuhë, Pret të kaloj pragun e portës. Por, oh, sa shpejt, i ikën ai duf, Njëlloj, si nënave, në Mëhallët e Botës...
1980
TI
Ti, po të duash, bën mrekullira. Për shembull: të hirnuarën xhaketë e qep sërish, nuk zemërohesh kur shkruaj marrëzira, m’i beson gënjeshtrat me bisht.
Ti, po të duash, i shumon bukët, ç’magji i bën miellit Perëndia s’e di. Për shembull: sa u njohëm, u shumuan lugët, u shumuan pjatat, karrige e tepsi.
Ti, po të duash, bën të tjera mrekullira, mrekullitë e tua dallohen që larg. Për shembull: kur unë harboj nëpër poezira, ti bën sikur s’sheh e s’mer inat…
2011
Comments