Triptik


Prof Dr Resmi Osmani

Resmi Osmani

Triptik

Nga cikli”Burrat shkojnë në luftë”

DHEU I SHQIPËRISË

Kushtuar ditës së pavarësisë

1

Në shtëpinë e madhe të Konomejve në Gliqi të Çamërisë, atë ditë dhjetori kishte të hyra e të dala të shumta. Babamadhi,Niko Konomi, të djeshmen ishte kthyer nga Vlora. Të ardhurve, u binte që larg në sy në ballkonion e katit të dytë , coha e flamurit ngjyrë alle si gjaku, me shqipen e zezë dy krerëshe, si të kishte zbritur nga malet e Çamërisë dhe kishte hapur krahët në një fluturim valëvitës e të pandalshëm nga era e lirisë. Ishte flamuri që Babamadhi, e kishte sjellë nga Vlora,ku kishte shkuar për ngritjen e flamurit. Atë flamur, me shqipen e Pirro Burrit dhe Skënderbeut, që e kishte shënjtëruar Ismail Beu dhe burrat trima e të mënçur nga e gjithë Shqipëria, ai e kishte ngritur në ballkonin e kullës së tij për të lajmëruar gjithë Çamërinë se ishte shpallur mëvetësia e Shqipërisë.

Në odën e miqve, shtruar me qilima dhe velenxa mbi minderë,shilte e jastëkë mbështetur mureve, brambullinte zjarri. Në njerën qoshe ishte ulur Babamadhi, Niko Konomi,i veshur me fustanellë, kalca lidhur me dizgje të zeza, mëngore të bardhë, xhamadan të qëndisur me gajtanë dhe mesin të ngjeshur me zostër[1].Vetullat kaleshe dhe mustaqet e plota,profili si prej shqiponje, i jepnin fisnikëri dhe hijeshi pamjes së tij burrerore. Ajo drita që i buronte nga sytë,buzëqeshja e mezidukshme në cepat e buzëve dhe dlirësia e shikimit, ishin shprehje e gëzimit të brendshëm, që ai kishte jetuar dhe e kishte arritur atë ditë:mëvetësinë e Shqipërisë.

Oda ishte mbushur me burra. Burra të rëndë, që u peshonte dhe u zinte vend fjala dhe u kishte hije kuvendi. Flisnin pak,dëgjonin shumë. Por, kur kuvendonin, fjala zinte vend si gur themeli. Bashkëfshatarët dhe ata të fshatrave të afërt, e uronin, pinin kafen dhe dilnin. Në vakt dreke aty mbetën të largëtit: avokati i ri Spiro Çalluka nga Paramithia, i veshur allafranga, Lame Sharra nga Rrapeza e Agjisë, Temo Gogozotua, Petro Stillua nga çamofshatrat e Prevezës. Me ta Konomejtë kishin miqësi të vjetra dhe lidhje krushqie, kishin dhënë e marrë vajza.Nipërit dhe mbesat kishin edhe gjakun e tyre. Binte në sy Hamit Marglliçi, i veshur oficer e i ngjeshur me rripa, ai komandonte në frontin e “Mullirit të Bardhë”,në mbrojtje të Janinës, vullnetarët e Mazrekut, Margëlliçit, Paramithisë dhe fshatrave të saj. Nga të gjashtë djemtë e shtëpisë, me miqtë kishte qëndruar vetëm i madhi,Stefani.Ai nuk kish patur rast të kuvëndonte me të atin, ndaj kur biseda rreshti e pyeti:

- E bukur Vlora,baba?

- Si e gjithë shqipëria bir, që dheun e saj, Zoti e ka bekuar me tërë bukuritë e begatitë. Stolia e asaj bukurie, ishin burrat e ardhur nga Gegëria e Toskëria. Fisnikëria dhe mençuria e Ismail Beut, kurmi si lastar i trimit Isa Boletini të Kosovës,urtësia dhe përshpirtja e imzot Kaçorrit, i atyre qindra e qindra luftëtarëve që i trimëronte dhe burrëronte fryma e lirisë që kishte zbritur bashkë me flamurin nga malet e Shqipërisë.- tha dhe kërkoi t’i jepnin një kupë qelqi që ishte në buhari[2]- në palë të flamurit, mora edhe një grusht dheu nga Vlora, është dheu i shenjtëruar i Shqipërisë. Kupa kaloj dorë më dorë, e shihnin me nderim e të drithëruar atë grusht dheu,me ndjenjën e një ngazëllimi të brendshëm, si të ishte aty gjithë mëmëdheu, qielli dhe dielli, malet, brigjet e gërxhet, fushat, deti,toka e ngjizur me eshtrat dhe gjakun e të rënëve. E ndjenin, ishte pjesë e qënies së gjithsecilit, ata ishin krijuar prej saj, u kishte dhënë jetë e frymë, për të e vlente të luftohej, po të duhej edhe të vdisej!

Ndërkohë ra heshtje. Nga larg vinin ushtimat e artilierisë greke, bubullimat e shtergatës së luftës. Era e veriut shtynte në luginën e lumit tymnajën e pikërt të tymit të barutit. Luftohej në gjithë frontin.

-Hasmi s’po na le të gëzojmë mëvetësinë e mëmëdheut. Ushtria greke, me mijëra ka vërshuar si suvalat e detit. U prin princi I kurorës Kostandini. Na kanë ardhur ne porta, po shkelin në pragjet e shtëpive tona. Hordhite e evzonëve janë turrur si lukunia e ulqërve. Duan me paderman dheun e Shqipërisë, por burrat e këtij vendi nuk kanë vdekur! Apo jo?-tha avokat Çalluka, dhe i hodhi një vështrim pyetës Hamit Marglliçit, që vinte nga fronti i luftës.

-Luftojmë, vëllezër: në Gribovë, te Mulliri I Bardhë, te Pesë Puset, në Bezhan. Po mbahemi me thonj e me dhëmbë, por nuk mjafton vetëm trimëria. I kemi më të pakët njerëzit e më të pakët armatimin. Luftëtarëve tanë u lipsen shumë gjëra, që nga vaktet e ushqimit e deri te ilaçet. E paçka mangësive, luftojnë trimërisht. Në luftime ka shkuar puna deri te ndeshja trup më trup, me shpatë e syngji, kemi shumë dëshmorë. Na dhemb shpirti për ta, por është e ditur: themelet e kombeve mbruhen me gjakun e bijve të tyre më të mirë. Armiku e ka paguar në shumëfish, fusha e luftës është mbjellë me kufomat e tyre. Nderkohë njerëzit po na pakësohen.Prandaj edhe kam ardhur.

Ai heshti për një çast, të mendohej e të zgjidhte fjalaët. Iu duk vetja si lypës, por jo një lypës i mjerë dosido që zgjat dorën për lëmoshë. Ai do të kërkonte ti jepnin djemtë, që do të ndaheshin nga nënat, burrat që do të ndaheshin nga gratë dhe fëmijët, barinjtë që do të braktisnin stanet dhe bujqërit që do të çmbrehnin pëndët dhe do të linin arat djerrë dhe ullinjtë në degë të pavjelë. Nuk i shpinte në dasmë e gosti, por në luftë të egër e të përgjakshme. Ku e dinin që shkonin,por nuk e dinin në se do të ktheheshin.

-Është koha t’i përgjigjemi zërit të mëmëdheut: si zakoni i të moçmëve tanë: burrë për derë. Baba Niko,sa burra vullnetarë mund të nxjerë Gliqia?

-Më zure ngusht ,o djalë. S’mund të jem në mëndje të gjithë fshatit. Duhet pleqëruar. Sa për shtëpinë time të Konomejve, nga gjashtë djem do të jap tre, se tre të tjerë duhet të kollandrisin mallin e gjënë. Po të më mbanin gjunjët do të vija edhe vetë. Stefan, bëju zë vëllezërve të ngjiten lart.

Stefani doli dhe nuk vonoi të kthehej me të vëllezërit,që qëndruan gjith nderim në mes të odës.I vëllai u kishte thënë përse i donte Babamadhi.

Hamitit i mbetnë sytë mbi ta: “Eh ç’djelm, si lisa. Me të tillë djelm,shqipëria s’ishte e humbur!”

-Zglidh e merr. Të gjashtë janë me nuse, të gjashtë me djepe, me vashaz e djelm në duar.

Ai s’mund ta bënte atë. Kë të veçonte e kë të linte? Nuk do të ishte prozvalje kjo për ‘ta? Le t’i jepnin vetë karar.

I pari u veçua Stefani, që ishte i madhi i vëllezërve.

- Dy të tjerë, kush vjen me mua?