top of page

Fatmir Terziu: 5 MAJI – DATË LARG POLITIKËS, RESPEKT GJAKUT

  • 2 days ago
  • 2 min read

 

Sot, më 5 Maj, në Ditën e Dëshmorëve, përpara monumentit “Nëna Shqipëri”, janë mbledhur përfaqësuesit më të lartë të shtetit: Bajram Begaj, Edi Rama dhe të tjerë zyrtarë, për të vendosur kurora me lule në nder të atyre që dhanë jetën për atdheun. Një ceremoni që, në dukje, mbart solemnitetin e kujtesës. Por pyetja që lind natyrshëm është: a i përket kjo ditë politikës, apo ndërgjegjes kombëtare?

5 Maji nuk është një datë e zakonshme kalendarike. Ajo buron nga një akt i dhimbshëm dhe njëkohësisht i madhërishëm: rënia e Qemal Stafa më 5 maj 1942. Në atë moment, historia shqiptare nuk humbi thjesht një të ri idealist, por fitoi një simbol të përhershëm të rezistencës, një thirrje që vazhdon të jehonë përtej kohës. Që nga ajo ditë, kjo datë nuk është vetëm kujtim, por përgjegjësi. Është përgjegjësi për të mos e përdorur gjakun si dekor ceremonial. Për të mos e kthyer sakrificën në protokoll. Për të mos e reduktuar kujtesën në një akt formal, që fillon dhe mbaron me vendosjen e një kurore.

Historia e kësaj dite është më e thellë se çdo ceremoni. Nga shpallja e Pavarësisë në 1912 e deri pas Luftës së Dytë Botërore, shteti shqiptar u përpoq të ndërtojë një raport institucional me ata që ranë për lirinë. Ligji i vitit 1945 ishte përpjekja e parë serioze për ta bërë këtë kujtesë pjesë të shtetit, për t’i dhënë dinjitet familjeve dhe për ta vendosur sakrificën në themelet e identitetit kombëtar. Më pas, në dekadat që pasuan, statusi i dëshmorit u zgjerua, u institucionalizua dhe u përfshi në një narrativë më të gjerë historike. Edhe pas ndryshimeve të sistemit në vitet ’90, kjo kujtesë nuk u zhduk. Përkundrazi, u riformulua. Ligji i vitit 2000 për “Statusin e Dëshmorit të Atdheut” përfshiu të gjitha periudhat historike, duke dëshmuar se gjaku nuk ka ideologji, nuk ka krah, nuk ka parti. Ai ka vetëm një emër: Shqipëri. Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i këtij editoriali.

5 Maji nuk duhet të jetë një skenë ku politika shfaqet. Nuk duhet të jetë një moment ku përfaqësuesit institucionalë përpiqen të marrin legjitimitet moral nga ata që nuk janë më. Sepse dëshmorët nuk kanë nevojë për fjalime. Ata kanë nevojë për respekt. Dhe respekti nuk matet me kurora, por me sjellje, me përgjegjësi, me drejtësi në jetën e përditshme të shtetit. Të nderosh dëshmorët nuk do të thotë të qëndrosh për disa minuta në heshtje përpara një monumenti. Do të thotë të ndërtosh një shoqëri ku sakrifica e tyre nuk është e kotë. Ku drejtësia nuk është selektive. Ku liria nuk është retorikë. Ku shteti nuk është pronë e askujt, por amanet i atyre që dhanë jetën për të. Në këtë kuptim, 5 Maji duhet të jetë një ditë reflektimi, jo demonstrimi. Një ditë për të heshtur më shumë se sa për të folur. Një ditë për t’u përkulur përpara historisë, jo për ta përdorur atë. Gjaku nuk kërkon spektakël. Kërkon dinjitet.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page