top of page

Mevlud Buci: PESHA E FJALËS DHE FJALA E PESHUAR NË OPTIKËN E KOHËS

  • 2 days ago
  • 5 min read

 


 

Për fjalën “punë” janë shkruar libra,  janë dhënë plot mendime me vlerë. Fjala sikurse shpirti edhe zemra e zbukurojnë njeriun, bëjnë që të rrëzatojë e vërteta, drejtësia edhe mirësia. Një burrë i urtë në Lekan të Dibres, që i kish kaluar të 90-tat,  në bisedë e sipër, pyeste:- O bir, a ma bleve fjalën?! Ky është Dali Kurt Tolraku. Ndjesë pastë! Retorika e tij të thoshte vlerëso fjalën, peshoje atë. A ka peshë fjala? Po. Pesha e saj është e rëndë, e madhe sa rëndon shumë atë që e thotë, por dhe do peshuar, do matur, do thënë hapur. Populli thotë: “Fjala e papeshuaruar të lë të turpëruar”. “Fjala për mat është si uji pa shtrat”. “Kush ta dredh fjalën është vlla me ngjalën”. “Fjala është më e rëndë se plumbi”. “Fjalë shumë, punë llumë”.

Muza popullore, kararet e odave nëpër kohëra e kanë vlerësuar shumë fjalën. Njerëzit e urtë me pak shkollë, por mendjehollë, kanë bërë emër ndër vite, sepse kanë peshuar fjalën, kanë ditur të ndezin dritë në zemra, të edukojnë të tjerët nëpërmjet fjalës. Sigurisht kolosët e fjalës në radhët e shkrimtarëve të shquar kanë gdhendur fjalën. Fjala i ka dritësuar ata si dhe rrezaton tek librat. Mund të kujtojmë vargjet himn të të madhit Dritëro: “ Kujdes me fjalën”. Apo shkrimin e Kadaresë së Dibres, Xhaferr Martini në librin mjeshtëror “Fjala priu”, sa e sa libra e shkrime dhe cilido sot mëson se sa peshon dhe do peshuar fjala. Është fakt se fjala shpërdorohet, ndryshket në gojën e mjaft politikanëve karrieristë të pasedër, të pamatur, ku nën maskën se mbrojmë kombin, mbrojmë fëmijët e popullit, mbrojmë ligjet etj., derdhin lumenj fjalësh, të cilat i ç’edukojnë brezat, fëmijët si dhe dalin laskuriq me banalitetin a fjalomonisë së shthurur, hiqen të larë e “besnikë”, ndërkohë që demonstrojnë antinjerëzi, antikulturë. Dihet se Dibra ka ato male, ku secili ka karakteristikat e zotësitë e veta.

Mali i mençurisë thonë për Çidhnen, sepse peshojnë fjalën, e thonë me urtësi e maturi, po ashtu dhe për Lura- barak, e cila ka kararet e dheut, ligjet popullore, të cilat janë për t’u patur zili, që janë e mbeten testament kulturor për brezat, për kohën.

Kur hiqesh parimor e të izolojnë, thonë çidhnakët e mençurisë, atëherë të rrethojnë si kokashin në kotare. Fjala tipizon, saktëson, nxit, vlerëson ose mobilizon tek ata që e shpërdorojnë, që nuk e mbajnë fjalën, ajo nxin, mohon dhe e vret të tjerët që e ndjekin, ai që trumbeton duke sharë me fjalë bëhët qesharak, i pavlerë. Anton Çehov thoshte: “Sikur çdonjeri të bëjë sa mundësi ka, vallë sa e lumtur do ishte bota?!”.

Në sytë e secilit, veçanërisht tek fëmijët e njerëzit e thjeshtë, disa politikanë përmbajnë me fjalën demaskim, sherrin, etjen për poste, zilinë, përgjegjësinë, antivlerat. Fjala është institucion, është e shenjtë dhe e shtrenjtë, fjala e dhënë mat karakterin, gradat, pozitat e pasuritë. Fjala e dhënë është e barabartë me jetën, me dritën, me virtytet njerëzore. Çfarë i detyron disa pushtetarë e, pse jo, deputet që e thonë fjalën lehtë, pa e ditur se moszbatimi të baltos, të lë fytyrënxirë, të shkërmoq besimin që ta kanë dhënë, të bën manjak e pa kurrfarë vlere. Populli thotë: “Burri lidhet për fjale, kau lidhet për brirësh”.

Të çudit fakti sesi shumë njerëz çdo mëngjes në disa televizione thonë fjalët, pra, qajnë hallet. Por sa nga shtetarët i dëgjojnë apo i zgjidhin problemet? Sigurisht fare pak ose hiç. Përse? Ata nuk e çmojnë peshën e fjalës, që është sinonim i peshës së detyrës, dritësim i karakterit. Mbetet tepër aktuale kjo që buron nga populli: “Fjala të ndrit, fjala të korit”. Mbetet për t’u studiuar e vlerësuar tragjedia e Shënavlashit në Durrës. E ëma, me fjalët e saj helm,  edukoi fëmijët me sherr e zili e brumosi me inat kundër babait, kundër kushërinjve. Pra, gra të tilla të shthurura, apo dhe disa gra…..a provokatore me fjalën vrasin, ngjallin urrejtje në familje a mjedisin e punës e atë shoqeror. Fjala të çburrëron, fjala të le borxh, fjala të lartëson kur atë e zbaton. Atë që nuk peshojnë apo nuk mbajnë fjalën e barazojmë me dhelprën, me ngjalën. Nëse shtetarët e çdo rangu do të mbanin fjalët që thonë, do të dritësonin punët do të zgjidheshin hallet. Përse vallë çdo ditë shumë politikanë dërdellisin me fjalë duke shpifur, duke menduar se kështu luftojnë për popullin, për drejtësinë, ndërkohë që i shmangen detyrës?

Fjalët e papeshuara e vyshkin peshën e fjalës. Të paaftët, karrieristët, tiparet kryesore  kanë dyzinat e fjalës. Drejtuesit e kujtdo zyre nuk duhet ta zërë zhurma për fjalët e thëna. Një filozof gjerman thoshte: -Shumë dijetarë e kanë shpjeguar botën, pakkush e ndryshon atë.

Ndryshimi në një shoqëri, krahas përparimit ekonomik e ligjor, vjen edhe kur gjithsecili zotëron kulturën e fjalës. Fjala sa hyjnore dhe dritëdhënëse kjo të jep edhe krenarinë, mirësinë e mbi të gjitha lartësimin e virtyteve e të vlerave. Kur secili mban kandarin, metrin dhe gërshërën, fjala peshon rëndë, fjala e peshuar të bën të bekuar, të lumturuar, të çon në botën e amshuar e të pranuar. Fjala e mirë buron nga një zemër e mirë, nga një shpirt i dlirë. Çdo njeri, çdo intelektual e shtetar a i vetëbesuar në kohën tonë ka vend për ta peshuar e lartësuar fjalën.

Fjala peshon kur e thotë njeriu dhe mbart urtësinë e drejtësinë larg sherrnajës, larg zilisë e mbi të gjitha larg shprehjeve e denigrimeve ku sot janë sheshit, janë moto njerëzore, deputetëve a intelektualëve pa botë, pa shpirtbardhë e dredharakëve e atyre që i shtirën popullit si “guximtarë”, si “opozitarë” e si “besnikë të përbetuar” për popullin se duan fëmijët e popullit. Fjala që denigron, që shpif nën petkun e lirisë pa fre të demokracisë, çon në masakrim, këtu duhet të veprojë zbatimi konkret i ligjit.

Fjala e sherrnajës, e demaskimit publik, fjala provokatore e me synime për të fituar kredibilitet fallco e nxin dhe e damkos atë që harron, turbullon, dërdëllis e mbi te gjitha vdes për se gjalli, të korit për karrierë e cilindo qoftë. Koha na thërret që të maturohet fjala, të matet e të peshohet ajo, të thuhet me vend, me maturi, larg synimeve denigruese, duke bërë që të blerojë fjala kurdoherë në dobi të edukimit e lartësimit të vlerave. Pesha e fjalës dhe fjala e peshuar janë dy shina të kohës, dritësim që rrezatojnë kulturën, mirësinë e drejtësinë në familje, në punë e në mjedisin shoqëror.

Mallkimi më i madh popullor është: “Të vdektë fjala!” Fjala vdes kur nuk peshohet, kur nuk mbahet, kur akuzon e nuk vlerëson, por siç i thonë, vjell vrerë. Në Çidhen të Dibres, administratori Dik Spata në shkollën e Fatbardh Cena flasin aq sa bëjnë dhe bëjnë realitet atë që thonë. Intelektual të tillë, si: Z. Spata dhe Cena janë të rrallë në Diber e më gjërë.

Vlerësimi i peshës së fjalës dhe fjala e peshuar i ka bërë që të dritësojnë në komunitet. Lum kush peshon e mat fjalën! Lum kush mban fjalën! Fjala është mençuri, i prin punës, mat punën dhe demonstron shpirtin, zemrën, punën. Fjala të monitoron, të vlerëson kur zbatohet, të zhgënjen kur dredhohet. E di koha për sot e për nesër, të peshohet, të matet e të zbatohet fjala. Matu, o njeri i Zotit në fjalë, se fjala është pasqyra e mirësisë njerëzore.  

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page