Timo Mërkuri
I-Leximi i poezisë “Pejsazh në dashuri”i Natasha Lakos më solli në kujtesë një ndodhi të Frederiko Garcia Lorkës në një klub të Madridit pak kohë pasi kishte botuar një vëllim poetike, i cili ishte shitur rrufeshëm. Rasti e pruri që poeti të hynte te ky klub, diku larg qendrës së qytetit. Ishte vetëm dhe shpresomte të mos tërhiqte vëmëndjen pasi në atë lagje nuk kishte shkuar ndonjëherë, ndaj u habit kur pa që ju afrua një nga kamarierët, i cili, në vend që ta drejtonte te ndonjë tavolinë, nisi ti lëvdonte librin poetik me superlative si: “Një libër i mbrekullueshëm, mahnitës, të cilin e lexova me një frymë, madje e rilexova disa herë” etj. Lorka po bezdisej nga ky lumë superlativash të vrullëshme, madje në një skaj të mendimit hamendësoi se kamarieri po i mburrte librin për efekte bakshishi, ndaj për ti prerë hovin, pa e fyer, e pyeti: Faleminderit djalosh, por a s’më thua: çfarë kuptove te poezitë e mia? Sigurisht që Lorka duke i bërë këtë pyetje mendonte se kamarieri, duke mos qenë njohës i poezisë moderne (kamarier, pra) do hutohej dhe do heshtëte dhe më së fundi ai do pinte qetësisht kafen. Mirëpo kamarieri ishte një lexues pasionant i poezive të tij dhe ju përgjigj poetit, në një mënyrë që e habiti e gëzoi njëkohësisht: Sinqerisht zotëri ju them që nga poezitë tuaja asgjë nuk kuptova, por ato më mahnitën dhe mrekulluan me imazhet poetike, që më vërtiteshin si drita boreale, madje akoma nuk më hiqen nga mendja. Po zotëri, vërtet që asgjë nuk kuptova, por prej tyre jam i mrekulluar.
II-Kamarieri i lokalit në Madrid kishte të drejtë, në poezinë moderne nuk duhet kërkuar subjekti poetik, pasi ajo (poezia) shprehet me metafora e shfaqet me imazhe, madje këto imazhe janë si dritat boreale (aurora), të ndritëshme në ngjyrën e tyre dhe të lëvizëshme në formë e në pozicion. Për të kuptuar këtë që shpreha ju ftoj të rikthehemi në fëmini, pikërisht atëherë kur ngrinim kokën në qiell dhe te forma e reve dallonim ku një zog e ku një qingj, një kal që vraponte apo një plak me shkop në dorë, ulur diku i zhytur në mendime. Vetëm ne ishim në gjendje ti shikonim këto pamje, madje i shihnim vetëm për një kohë të shkurtër, diçka reth një sekonde, për ti përjetuar vite me rradhë. Kërkoni sot në qiell ata zogj, qingja, kuaj apo pleq, aty janë, por ju nuk do ti gjeni dot kurrësesi. Për ti rigjetur duhet të mirni përdore nipin apo mbesën e asaj moshe, tu kërkoni ti gjejnë ku janë dhe ata menjëherë do tua tregojnë, bile do tju tregojnë dhe ca pata e ca dele, që ju sado të përqëndroheni nuk do ti shihni dot. Mos u mërzitni, nuk jini të sëmurë nga sytë, por duhet të dini që për ti parë ato duhen sytë e fëminisë, duhet çiltërsia e saj, pafajësia dhe dlirësia fëminore. Ne të rriturit jemi “infektuar” nga një virus i rrezikshëm, duam të shohim me mëndjen tonë, por ja që janë disa gjëra fine, si poezitë e Natasha Lakos që shihen vetëm me zemër. Për ta parë e për ta ndjerë poezinë moderne, le të bëhemi pak si ai kamarieri i Madridit që i shihte vargjet e Lorkës me dashuri, të cilat edhe pse nuk i kuptonte dot, ai i ndjente me shpirt dhe zemër, madje me sytë e shpirtit ai shihte edhe format e imazhit të tyre. Shpirt flet me sy thotë një fjalë e urtë, por Natasha Lako flet me ngjyra dhe, në poezinë e dashurisë ajo është ende ajo çupka korçare që kërkonte vetëm “njëzet qindarka për të folur me ty, tridhjetë qindarka për të ardhur te ty” dhe kur nuk i ka as këto, vrapon bulevardit për të arritur te ty. Elementët shpirtërorë në poezi, shprehja metaforike e simbolike dhe dukja imazhiste është jo vetëm një një tipar i modernitetit të poezië së Natasha Lakos, por vetë organizmi poetik i saj. Poezia e Lakos mbështetet te një trini artistike: nis me konceptimin simbolik, shprehet me metafora dhe shfaqet me dritën e imazhit poetik. Sigurisht që ajo përdor edhe figura të tjera artistike të cilat ne i kemi vënë në dukje, por ashtu si Ati, Biri dhe Shpirti i shenjtë kanë pranë shumë engjëj edhe poezzia e saj ka shumë mjete artistike, të cilat u shërbejnë këtyre elementëve poetikë për dritësimin e tiparit poetik metaforik, simbolik apo imazhist. Duhet të themi se kaqë shumë janë të lidhura me njera tjetrën sa që shumica e poezisë së saj nuk shfaqet vetëm me një tipar, psh simbolik ose metaforik por shfaqet me dy ose me tiparet metaforike, simbolike dhe imazhiste së bashku, si te poezia“Pejsazh në dashuri”madje edhe me tiparin psikologjik ose filozofik . Kjo është arsyeja që imazhet, metaforat e simbolet e saj nuk zbërthehen me synimin e shfaqjes së një kuptimshmërie lineare, pse duke qënë imazhe drite nuk mund të kërkosh te ato persona apo objekte. Ajo është bota e emocioneve dhe ndjenjave njerëzore (siç është parajsa bota e shpirtrave) me ngjyrat që u jep poeti, madje këto ngjyra shpesh herë jane reflekse të shpirtit të saj.
Që tju them se Natasha Lako është një poete e madhe, më duket tepër prozaike kjo frazë, rëndësi ka që të gjithë ta dimë që është Poete me gjithë qenien e saj. Ajo shkruan me dashuri ndaj duhet lexuar me dashuri, Është pikërisht dashuria (njerëzore)e saj e derdhur në vargje metaforike që shndrohet e ndrin në imazhe, janë lotët e saj që ja huazon vjeshtës kur shkruan për përlotjen e saj.
III-Thamë që poezia duhet lexuar e duhet kuptuar poetikisht dhe jo linearisht, në kuptimin e një fjalie të drejtpërdrejtë, por të kuptosh poezinë duhet të dish të lexosh së pari metaforën me të cilën flet poeti dhe imazhin që ai afron. Natasha Lako shfaq në poezinë "Pejsazh në dashuri" një pejsazh natyror në kontekst romantik, duke përdorur imazhe të natyrës për të shfaqur një moment takimi të dy dashnorëve, të ccilët shprehin ndjenjat e dashurisë dhe emocionet e fshehta në një mënyrë të poetizuar. Si rastësisht poetja shfaq pamjet e natyrës: “Humbasin pamjet /e ndodhive të rrethuara nga retë dhe oqeanet/ku fusha lëpin qiejt” që tregojnë një peisazh të largët: “ku pamjet dhe ngjarjet janë të humbura në thellësi”, madje janë izoluar nga: ”Retë dhe oqeanet” dhe ku e vetmja kordinatë është imazhi i vijës së horizontit: “ku fusha lëpin qiejt”. Një hapësirë e pamatë, si e shkretë. Ç’farë ka këtu, e ç’mund të ndodhë vallë në një vend të humbur si ky, diku në një skaj të “askundit”? Vetëm përdorimi i fjalës "lëpin" na vjen si një imazh i bukur e poetik që shfaqet për të shprehur një lidhje midis tokës dhe qiellit, si një lule që çel në humbëtirë.
Si për ta shtuar misterin poetik autorja na shfaq imazhin tjetër: "E hedhur ka mbetur një kosë", imazh që shfaq një ndjesi braktisjeje, jo vetëm të një “kose” si mjet pune, por të një ambienti ku dikur punohej, imazh që të krijon një ndjesi trishtimi vetëvetiu. Ajo, kosa: "që rri edhe pret vjeshtën e përlotur", shfaq një imazh të vjeshtës, si një periudhë ku ka ndryshime cilësore, duke nisur nga mbarimi (ose mos fillimi) i sezonit të punës, ndryshimi i ngjyrës së gjetheve e gjer te bari që paloset në pritje të kosës.
Në një vijueshmëri, ajo kosa pret që: "Të kositin barin shirat" varg që përcjell një imazh të ndryshimit dhe transformimit të ambientit. "Kositja e barit" përfshin një proces të ndryshimit të ambientit, një lloj zhvillimi të dukshëm të kohës e të ndryshimit, gjë që të sjell ndërmend mbarimin e një periudhe (kohe, jete, pune) dhe fillimin e një periudhe të re, ku gjithçka riformatohet dhe rinegjenerohet.
Vargu,"Të kositin barin shirat", përmban një imazh metaforik të procesit të kositjes, që sjell një shpjegim emocional dhe simbolik më tepër se një përshkrim literal i një procesi pune. Në kontekstin e kësaj poezie, "të kositin barin shirat" interpretohet si një metaforë që përfaqëson një fazë të trishtueshme( pamja e barit të kositur) ose një ndryshim të papritur në jetë, ku ndodh një prishje, zhvendosje, ose ndërprerje e një gjendjeje të vjetër për të lënë hapësirë për diçka të re që po vjen. Për shembull, në natyrë, kur bari kositet, kjo mund të jetë shenjë e fundit të një periudhe të bukur, gjithashtu e përlotur dhe e përfunduar, por në poezi, kjo kositje e barit mund të simbolizojë një moment ndryshimi të gjëndjes, apo transformimi të thellë emocional, ndoshta një ndarje nga nja stad jete (vajzëria) dhe pritjen për diçka të panjohur (fejesa psh). Edhe pse "kositja e barit" në kontekstin praktik është një veprim pune, në këtë poezi, ajo shfaqet si një imazh simbolik që sjell një dimension emocional të proceseve natyrore për të shprehur momentin e ndryshimit në jetë. Pra, në kontekstin e poezisë, "kositja e barit nga shirat" nuk ka asnjë lidhje direkte me veprimin e kositjes së barit në një kontekst praktik. Përdorimi i kësaj fraze është për të krijuar një imazh simbolik që shpreh një gjendje të thellë emocionale apo një ndryshim të papritur në një mënyrë metaforike. Ky imazh interpretohet si një lloj zhvillimi i situatave ose ndryshime të papritura që shkaktojnë përlotje. Kjo frazë është mënyrë poetike për të shprehur ndryshimin e një gjendjeje, apo mënyre jetese.
Le të ndalemi pak te strofa e fundit, ku ajo kosa pret, të kositin barin shirat : “Fshihen dy të dashuruar më mirë se në makinë/në barin e harlisur që po pret kosën e një vjeshtë të përlotur/që gjerat i ve në tjetër vend”. Kjo strofë e poezisë shfaq në tërësinë e saj një imazh emocional dhe vizual të dy personave të dashuruar që fshihen në një kontekst që shpreh një ndjenjë të thellë intimiteti dhe një perspektivë pozitive dashurie.
Vargu imazhist: "Fshihen dy të dashuruar më mirë se në makinë"tregon një lloj fshehjeje nga shikimi i opinionit publik, në një qetësi dhe intimitet më të thellë sesa ato që mund të gjenden në një mjedis, si makina. Në këtë varg, imazhi është fshehja e dy personave të dashuruar, por, pyetje që lind është pse bëhet krahasimi “më mirë se në makinë” nga poetja. Ky kontrast midis modernitetit (makinës) dhe tradicionalizmit, (një hapësire me bar të harlisur) shkakton dëshirën për të kërkuar një intimitet të sinqertë, që shpesh nuk gjen në ambientet e mëdha urbane (hotele, motele) .
Dëshira për të patur mes të rinjve një marrëdhënie më të sinqertë i shpie ata në pëlqimin e një vendi më tradicional për të përjetuar intimitetin e tyre, për eksplorime dashurore dhe për të ruajtur lidhjen me emocionet dhe natyrën.
Sigurisht që fshehja e tyre në "barin e harlisur" u siguron intimitet dhe është më komod nga një ambient i zakonshëm si makina dhe poetja duke përdorur një term si "bari i harlisur" sugjeron një peizazh metaforik. Ky ambienti natyre përfaqësojë vendin ku dy të dashuruarit ndiejnë një lloj lirësie, ngazëllimi, përlotjeje apo trishtimi, një atmosferë më e rehatëshme dhe e përzemërt, ku ata mund të flasin pa frikën se i dëgjojnë, pa drojën se mund ti shikojnë. Ajo fusha me bar që pret kosën e shiut është krevati më komod për dy të rinjtë në lojën dhe eksplorimet e tyre të dashurisë.Për këtë arsye poetja përdor imazhin e barit të harlisur, si një ambient më i rehatshëm dhe më i sigurtë se makina e djalit.
Ka dhe një aspekt tjetër: te ai "bar i harlisur" dy të dashuruarit mund të përjetojnë më thellë lidhjen me natyrën, e cila mund të përforcojë lidhjen e tyre në një nivel emocional. A nuk ju kujton kjo situatë serenadën korçare : “Vemi as vemi/ Në mes të pyllit do vemi/ Aty ku bota dhe dielli nuk na sheh” të cilat përcjellin ndjenjën e fshehjes, intimitetit dhe ndarjes nga realiteti i jashtëm, e cila përputhet me imazhin e të rinjve në poezinë e Lakos, të cilët fshihen në një ‘bar të harlisur”, duke shfaqur njëkohësisht dhe shndrimin në modernitet poetik të një sfondi tradicional. Qasje me serenadën korçare është dhe një spirancë që poezia hedh te identiteti kombëtar, ndërsa makina është një tregues kohor, dëshmi që kjo poezi është e pas viteve 90.
Shohim gjithashtu se,ndërkohë që vargu "Në barin e harlisur që po pret kosën e një vjeshtë të përlotur" shfaq një peizazh natyror të vjeshtës ku gjërat duket se janë duke u zhdukur ose duke u larguar në një mënyrë melankolike, ku "Bari i harlisur" është metaforë që shfaq një peizazh ku gjithçka ecën drejt një destinacioni të ri, ( jo më kot cilësori “i harlisur” sjellë një qasje me djaloshin shtathedhur duke e bërë më njerëzor imazhin),për vargun "Që gjerat i ve në tjetër vend" dëshiroj të mendoj se lidhet me ndryshimin e statusit të tyre social, duke u ngritur në një shkallë më lart (në fejesë).
IV- Poezia "Pejsazh në Dashuri" e Natasha Lakos ka një lirizëm të veçantë në shfaqjen e peisazhit të një historie dashurie dhe shfaq një imazh të thellë e misterioz të ndjenjave me ndihmën e metaforave dhe simboleve që përdoren. Kështu te vargu"Humbasin pamjet, e ndodhive të rrethuara nga retë dhe oqeanet, ku fusha lëpin qiejt", metafora "retë" dhe "oqeanet" shprehin pengesat, kufizimet dhe sfidat (rrethuara nga retë dhe oqeanet) që dy dashnorëve dashurisë u duhet të përballojnë. Fusha që lëpin qiejt simbolizon një lloj lirie dhe hapësire të gjerënë jetën e tyre, por ndërkohë krijon imazhin fin, ndërsa është dhe një metaforë e fuqishme.
Te vargu:"E hedhur ka mbetur një kosë/ që rri edhe pret vjeshtën e përlotur / të kositin barin shirat, “kosa e hedhur” është simbol i një kohe apo pune të kaluar periudhe të kaluar, “vjeshta e përlotur” është një metaforë e bukur, të cilat i japin ngjyra imazhit që shfaq strofa e dytë e poezisë.
Të strofa e tretë: "Fshihen dy të dashuruar më mirë se në makinë/ në barin e harlisur që po pret kosën e një vjeshtë të përlotur/ që gjerat i ve në tjetër vend." ka elemente simbolike që lidhen me fshehjen e ndjenjave të dy të rinjve, krahasimi "më mirë se në makinë", metafora "Bari i harlisur" dhe metafora “ vjeshtën e përlotur” që "po pret kosën" shton ngjyrat e imazhit me një të verdhë të kuqeremtë vjeshte.
Pra këtu lehtësisht shohim lidhjen organike dhe kuptojmë se simbolet e metaforat janë instrumente thelbësore për krijimin e imazheve poetike në poezi, pasi përdorimi mjeshtëror i tyre i sjell një dimension më të thellë, më të pasur dhe më të ylbertë poezisë, duke e bërë atë më tërheqëse dhe më të përjetueshme për lexuesin, pasi:
Simbolet dhe metaforat ndihmojnë në shprehjen e emocioneve e ndjenjave në një mënyrë që fjalët e thjeshta nuk mund të bëjnë. Ato forcojnë ndjenjat e gëzimit, trishtimit, nostalgjisë, dashurisë etj., duke i bërë më të thella, më të perceptueshme për lexuesin dhe u afrojnë imazheve ngjyrën e duhur të shprehjes së gjëndjes shpirtërore.
Simbolet dhe metaforat krijojnë imazhe të forta dhe të shndritshme ose përforcojnë dritësimin dhe ngjyrat e imazheve, të cilat e bëjnë poezinë më të gjallë, më të bukur dhe më të pasur në detaje, duke ndikuar në imagjinatën e lexuesit dhe forcojnë lidhet e tij me poezinë. Të kemi parasysh se ato janë si gishtat e pianistit mbi tastiera që diktojnë melodinë, apo peneli në dorën e piktorit që i jep ngjyrat poezisë, por për këtë do flasim një herë tjetër.
Përdorimi i simboleve e metaforave sjell një shtresim të ri në poezi, pasi sjell kuptime dhe interpretime të ndryshme, duke e bërë atë më të pasur e më të hapur për reflektime e interpretime, sidomos të lexueshmërisë së ndjenjave dhe emocioneve të individit poetik.
Dhë së fundi, mendoj se është një vlerë e shtuar fakti që simbolet dhe metaforat ndryshojnë nga gjuha e drejtpërdrejtë dhe kanë një dukuri dhe përmbajtje më artistike dhe më poetike, gjë që i jep poezisë një thellësi mendimi e interpretimi, duke e bërë poezinë të veçantë dhe të dallueshme nga gjinitë e tjera letrare.
Dukuria që hasim te Natasha Lako që: metafora dhe simboli të jenë pjesë e imazhit poetik shfaq e shpreh talentin e saj të veçantë e të fuqishëm që arrin të realizojë kombinime të tilla artistike në poezi, të cilat e rendition atë ndër poetët e rrafshit të epërm europian.
V-Poezia "Pejsazh në Dashuri" e Natashës Lako përfaqëson një qasje të veçantë poetike me poetë të ndryshëm europianë në mënyrën e saj të shfaqjes të emocioneve, ndjenjave dhe peisazheve emocionale. Nisja e shkrimit me ndodhinë e Lorkës na solli në kujtesë poezinë e tij për ta parë në aspektin krahasues me këtë ;poezi të Lakos, pse na u kujtuan elementët që kanë qasje mes tyre, pasi Lako dhe Lorka janë dy poetë që përdorin elemente të natyrës dhe imazhe të thella për të shprehur ndjenja, emocione dhe situate apo gjendje emocionale në poezitë e tyre dhe kanë ngjashmëri në mënyrën si përdorin metaforat e simbolet për të shprehur pasurinë e ndjenjave e shumësinë e dritave të imazheve që shfaqin ato.
Garcia Lorka është i njohur për lidhjen e tij të ngushtë me natyrën dhe përdorimin e saj për të paraqitur ndjenjat dhe emocione, madje poezitë e tij janë të mbushura me imazhe të natyrës, si drita e hënës, yjet, deti, dhe elementët natyrore të tjerë, të cilat shpesh përfaqësojnë ndjenjat e tij më të thella. Në qasje me atë edhe Natasha Lako, përdor imazhe të natyrës për të shprehur emocione të thella dhe për të krijuar një peizazh emocional në poezitë e saj. Lidhja me natyrën, përdorimi i simboleve dhe metaforave të natyrës për të shprehur ndjenjat dhe emocionet dhe triniteti me imazhet e bën të ngjashme qasjen e saj me Lorka në natyrë krijimtarie. Sinqerisht gëzohem që Natasha Lako shfaqet në lartësi të tilla krahasimi të njohur botërisht
Sarandë, më dhjetor 2023-janar 2024
PEJSAZH NË DASHURI
Nga Natasha Lako
Humbasin pamjet,
e ndodhive të rrethuara nga retë dhe oqeanet,
ku fusha lëpin qiejt.
E hedhur ka mbetur një kosë,
që rri edhe pret vjeshtën e përlotur,
të kositin barin shirat.
Fshihen dy të dashuruar më mirë se në makinë
në barin e harlisur që pop ret kosën e një vjeshtë të përlotur
që gjerat i ve në tjetër vend.
Comments