Tridhjetë vjet nga rrënia e Murit të Berlinit


Të lutem më kujto … Tridhjetë vjet nga rrënia e Murit të Berlinit

Dr Fatmir Terziu


Unë kam njohur një Usta që dinte të rrëzonte muret

Ai nuk ishte shkatërrimtar, por kishte parë rënien e Murit të Berlinit.

një ditë para “Skampa”-s më tha që të ndërtosh është një art,

por dora e Njeriut që shtron tullat

duhet të jetë gati për të shembur edhe muret

kur ato shërbejnë gjeopolitikë.


Dhe udhëtova me ditë, me muaj, me vite, plot tridhjetë vjet nga ajo ditë me thënien e tij. Dhe fola me veten, me letrën e bardhë, me gazeta, me ekrane televizive, thuajse në ditë e javë të tëra, në vite plot, ndjeva mure të reja, berlinër të rrinj, ustallarë të tjerë. Dhe dëgjoja zëra. Dhe ndjeja oshëtima. Dhe shihja se si muret ngriheshin thjesht dhe vetëm nga vrima, nga dhimbja, nga Tjetri, që shkonte në rrugë të reja, dhe pështynte tek sokaku, tek udha dhe rruga që u projektua nga më i vjetri. Dhe ai Tjetri u bë të Tjerët, dhe të tjerët si të tjerë folën e këmbëngulën… dhe unë sërrish mbeta mbi letër, mbi ekran, mbi... dhe me të vetmen mbështjellë të vjetër. Dhe e dëgjoja zëngritjen dhe zëuljen, në zhurmërime e shihja këmbënguljen… Dhe sytë atëherë folën…

Keni këmbëngulur që ta shkruajmë herozmin tuaj poshtë në pjesën bosh të një kasete mikse. Footnote, ia thoshin asaj dite. Keni përplasur një birrë të huaj, a të vendit me llogarinë tuaj dhe lëngjet kanë plasur si të ndonjë përroi, dhe ju vazhdonit të yshteshit si një lloj super heroi. E pashë veten në sytë tuaj dhe bëja tinguj në heshtjen time të trollaksur, vetëm se mendoja se mund të dëgjonit. Dhe Ju ishit ju, ishit dhe Ti. Dhe Ti do të shtypje buzët në ballin aq të ashpër dhe të lënduar, të dehur vetëm nga e huaja, duke na udhëhequr thellë në shtrembërimet tuaja.

Dhe unë dëshmova mes mosdurimit tim.

Dëshmova se po derdhje shpirtin në dhomat e zbrazëta, ku thirrja e fundit erdhi shumë e mbytur para mesnatës së rrënies së Murit të Berlinit. Nuk kishte asnjë vend atje për mua. Bëra të humbur gjithçka për të qëndruar në krahët e tu, dhe si më humbi gjithçka që doja gjeta torbën e të parëve të mi dhe u largova. Por Ty kurë nuk të lashë vetëm. Tek Ty lashë frymën dhe ëndërrat e mia. Fryma të pastronte ballin që ta ndotnin puthjet e të marëve në zyra dhe ëndërrat të jepnin muzë të re dhe buzëqeshjen e munguar tek fytyra.

Dhe unë ngrihem, zgjohem dhe flej me Ty.

Ju përplaseni ende ... Sytë tuaj janë gjithmonë të lodhur ... Të kanë ndërtuar murin e ri të Berlinit rreth zemrës tënde. Dhe ai mur është bërë një dëshmi për transplantimin e kohës, sepse e di që nuk do të kujtoj se jam i njëjtë me ditët kur lotët e mi iu bashkuan milionave të ndarë nga Muri i Berlinit, ndërsa ai po shembej dhe ne jetonim me shpresat.

Pas këtij muri tashmë të duan në mënyrë të pahijshme, por kurrë nuk do që ta besosh ...

Unë të ndjej. Unë kam mall për Ty dhe derdh lotë akoma si atëherë tridhjetë vjet më parë, kur ekrani na jepte mes mornicave dhe frikës së paikshme rrënien e madhe.

Ti më qëndron në krah dhe është si të mbetesh me mua në shtëpinë time pas kaq vitesh të madhuara jashtë. Ne kurrë nuk do ta mbajmë njëri-tjetrin përsëri në këtë mënyrë me mure të reja. Do të donim bashkërisht të rishembnim edhe këto mure.

Fryma dhe ëndërra jonë u bë mbishkrim në murin tim të dhomës së gjumit ...

Kjo ndërmarrje fjalësh është një pllakatë tridhjetë vjeçare, që gdhendet duke kujtuar se gjithnjë jam me Ty, nuk jam i humbur. Por nuk jam në shtëpi ... Të lutem më kujto … Atdheu im!

Unë e njoh ende një Usta që dinte të rrëzonte muret

Ai nuk është shkatërrimtar, por ka parë rënien e Murit të Berlinit.

një ditë para meje më tha që të ndërtosh është një art,

por dora e Njeriut që shtron tullat

duhet të jetë gati për të shembur edhe muret

kur ato shërbejnë gjeopolitikë.


#terziu #fatmir #muriiberlinit #atdheu #ikja



30 views

Shkrimet e fundit