‘Tregonjësit’ e kalibrit letrar të kohës


Dr Fatmir Terziu

Tregonjësit’ e kalibrit letrar të kohës

Dr Fatmir Terziu


Një fragment

Unë nuk them se kjo histori është e vërtetë, sepse, sikurse do ta lexoni do ta ndjeni se ajo nuk është histori, por një e vërtetë. Nuk ka ndonjë sqarim, nuk ka asnjë konkluzion. Është si mjaft gjëra që ndodhin në jetë. Është një fragment nga diçka që ndodh të jetë mjaft tërheqëse, nëse nuk ka ndodhur të jetë parë ndonjëherë, nëse ka ndodhur të mos jetë rrëfyer duke qërruar gështenja, apo nëse nuk është lexuar në ndonjë libër “çmim-marrës”. Për nga pështjellimi i jetës lind dhe kjo si një gjë interesante, që na bën ne kështu të jemi të vëmendshëm në të, në tërësinë e saj. Atë që ne e quajmë parëndësi e saj, është realisht një ushqesë e mjaft rrëfimeve, e promovimeve, certifikatave, urimeve dhe mijëra “like”-ve (Kupto: pëlqimeve). Është pikë referimi e mjaft gjërave të zakonshme, të rëndomta e atyre me një ekzistencë ndikuese dhe jo ndikuese.


Sallata perceptuese


Është si dhjetra-qindra tregime me ndodhi të panjohura, të përziera me një lloj sallate “perceptuese” të mendjes që shtyhet në kanalin e përtypjes vetëm me pirunë. Eksperienca ime ishte një fragment i kësaj natyre. Dhe ishte në këtë pikë, ju lutem më mirëkuptoni: “jo-fikshën”. Jo vetëm se unë nuk e tendos imagjinatën për të prodhuar ndonjë incident, por as nuk jam duke imagjinuar ndonjë territor me qasje romantike, apo të ndonjë shkalle tjetër, që lexohet vetëm tek ‘tregonjësit’ e kalibrit të kohës, që gjejnë medoemos “puthje”, “dashuri”, eh, kot zgjatem “seks” në mes të një treni të mbushur me njerëz nga të gjithë moshat, me njerëz normalë, jo të ndonjë “pavioni”, apo të ndonjë institucioni syresh që vëzhgohet me kamera dhe me njerëz me uniforma. Dhe aty ndodhin të gjitha gjërat e një planeti tjetër, jo nga ai i “alienëve”, as nga ndonjë që zbuluesit e kanë ende në kompjuterat e tyre. E mbaj mend atë gjallërisht, dhe është e vërtetë ashtu sikurse do t’ua shpjegoj tashmë…


Shiu si “pudër”


Rreth orës gjashtë të mëngjesit, të një dite si sot, kur qielli nakatosej si një humbës në një betejë me vrullin e grimuar të reve dhe shiut tip pudre të lehtë, unë qëndroja në stacionin e Croydonit Jugor të Londrës duke pritur të gjeja mundësinë e një treni për në London Bridge, pasi gati të gjithë trenat ishin në grevë të përgjithshme. Dhe për shumë arsye, nga përtacia apo zbrazëtia e mendjes sime, nga zbrazëtia e mjedisit përqark, apo nga e ftohta, një lloj kapriço ra mbi mua, duke përtuar të nxjerrë librin nga çanta ime dhe nisa të kërkoj diçka të lexoj nga telefoni.

Unë nuk e di, se të tjerët kanë vepruar kështu si unë ndonjëherë, por e them me bindje se kjo është vërtet reale, tamam një ndodhi që më futi realisht në planetin e pazbuluar… E çfarë të lexoje? Po u “kënaq” me një fragment. Por, po u them prerë që në fillim: Ju lutem mos ma kërkoni origjinalin!

Fragmenti ishte kështu:

“Planeti blu kishte dalë nga shinat. Ata të dy mbaheshin fort në rërë. Ashtu të zhveshur filluan të putheshin, kur fap u doli para syve një elefant. E, kodosh, ke turp, ë? – I foli ajo. Ndërsa ai u skuq i tëri dhe nisi të mbulohej me rërë… Ndërkohë yjet e tjerë planetarë kishin rënë në gjumë…”.


Faji i syzeve


Fshiva sytë dhe fajin ua vura syzeve. Por jo, e ndjeva kënaqësinë më shumë kur poshtë pashë me gërma më të vogla një shënim: “Ky tregim është real dhe bazohet në një ngjarje reale. Ka fituar çmimin e vitit në Konkursin e Suharekës.”

Nuk i fshiva sytë më, por u kujtova tu rikujtoj miqtë e mi, se kjo histori është e vërtetë, sepse, sikurse do ta mbani mend për gjithë jetën, do ta ndjeni se ajo nuk është histori, por një e vërtetë. Nuk ka ndonjë sqarim, nuk ka asnjë konkluzion.

Është krijimtari letrare për fëmijët e të gjithë moshave dhe harrova ju kërkoj ndjesë, është edhe për biznesmenët e Shtëpive Botuese.


#fatmir #terziu

7 views

Shkrimet e fundit