TREGIME MJAFT INTERESANTE TË MUSTAFA TROPLINIT
(Rreth librit “Rrugë të shkelura”)
Kur lexova librin e inxhinierit Mustafa Troplini, titulluar “Rrugë të shkelura” (botim i 2M Printing), m`u kujtua një shprehje e rusëve: “Udhëtar! rrugë nuk ka. Ato janë bërë duke ecur”. Si gjithkush ka përshkuar rrugët e jetës së tij, shpesh krejt të ndryshme nga të tjerët, edhe Mustafai në këto tregime na shfaqet i ndryshëm nga të tjerët. I ndryshëm, jo vetëm nga fakti se me çfarë ndodhish i ka qëlluar të takohet, por edhe nga mënyra se si i percepton ato, e ca më shumë, sesi i përshkruan me tonalite letrare, si ndodhitë vetë ashtu dhe njerëzit me të cilët e lidhi puna apo rasti. Është libri i nëntë i tij, por ai kur ma dhuroi, modestisht më tha se unë nuk jam shkrimtar. Isha njohur me poezitë e tij, të cilat jo se kishin ndonjë gjë të veçantë, por ishin shumë të sinqerta, të dala nga një zemër e bukur që i donte njerëzit. Vrejtjes time se mund të kishte zgjedhur ndonjë redaktor për to, ju përgjigj se ishte më mirë t`i linte ashtu siç i kishin dalë nga shpirti. Se poezia, në radhë të parë, duke qenë ndjenjë, është edhe pasqyrë e vetë shpirtit. Pra, le të mbetej vetvetja. Por, në prozë, ai nuk kishte arsye përse të mos e quante veten shkrimtar të vërtetë. U kënaqa pa masë me tregimet e tij. Jo vetëm nga temat që ka zgjedhur të shtjellojë dhe që janë krejt njerëzore dhe të vërteta, por edhe nga kompozimi pa lajle - lule, pa poza e pa fjalë të mëdha, ato janë shembull i letërsisë që unë do ta quaja moralizuese. Një moral i dhënë aq këndshëm, me një ironi të hollë dhe shpesh të fshehur pas një naiviteti që aq mirë e përdor Hasheku, sa të bën të qeshësh dhe të nxit dëshirën që t`ua rrëfesh edhe të tjerëve. Kritiku Fatmir Minguli që në këtë rast ka qenë redaktor i këtij libri, në fjalën e tij hyrëse ka theksuar se: “Merita e realizimit artistik të subjekteve të tregimeve është se kujtimet nga jeta e vetë autorit janë ndërthurur me një fantazi që i shkon shumë për shtat ngjarjeve reale”. Dhe fantazia e këtij autori është mjaft e shëndetëshme dhe pa asnjë teprim; ajo i jep vlerë narracionit dhe lexuesit i duket se ka qenë edhe vetë dëshmitar i atyre historive. Por le të shpjegohemi: Mustafa Troplini, njeriu i shkencës është edhe një besimtar i mirë. Ashtu si në bisedat e tij të përditshme, ku ai gjen mënyrën për të predikuar nderimin për Krijuesin, edhe në tregimet e tij, bije në sy referimi te “I madhi Zot!” Kjo, atij që e njeh historinë e islamizmit të mirëfilltë, patjetër që i kujton fjalët e fundit që poeti i madh persian Sadiu (Mysharif al - Din Saadi, 1184 - 1291), i tha Naziades, vajzës së bukur, emrin e të cilës e kishte vendosur në një nga perlat e tij, kur ishte në fundin e jetës: “Mbi të gjitha, vogëlushe, përsëritja vëllezërve të mi ato që unë shpesh ua kam thënë, thuaju se dashuria është një pasqyrë ku zdrit fytyra e Perëndisë”. Dhe kjo dashuri për të tjerët i dallon fund e krye përshkrimet e Mustafait. Ai, për më tepër, deklaron se askujt nuk do t`ja përmendë emrin, sido që i ka gdhendur ata si pamje, sjellje e karaktere, lehtësisht të identifikueshëm. Ai është i prirur të besojë se njerëzit më së shumti janë të mirë. Rrethanat, shpesh i fusin në rrugë të gabuar, por ai nuk i godet si mëkatarë, por me humor plot finesë dhe të zgjuar. Ata, dhe qëndrimet që mbajnë në raport me të tjerë, janë produkt i kohës kur jetuan, i kohës kur u dol nga rruga e Zotit. Dhe koha nuk u dha atyre mundësinë që të zgjidhnin. Koha ishte për t`i nxjerrë gjuhën, por ai ka zgjedhur të ndahet me të butësisht dhe pa nxitur ndonjë urrejtje. Se tek e fundit, ajo që ngjau nuk mund të zhbëhet më. Disa prej tregimeve të tij ai i ka ndërtuar si biseda mes dy a tre miqve. Ashtu ka bërë dikur vetë Xh. Bokaçio e të tjerë. Ata sikur ja dinë këtë dhunti Mustafait dhe e ngacmojë që t`u tregojë diçka. Dhe ai qetë, nis e tregon si ndonjë përrallë me mbret, ashtu dhe me papagaj e gardelina, por me domethënie të dukshme. Kur dikush i lëvdon këta për këngën e tyre magjepsëse, ai ia kthen: “Ajo që ti dëgjon nga bilbili në kafaz, nuk është këngë, por është vajtim, sepse ai bilbil është i burgosur”. Jep shembuj të zgjuar nga jeta e sundimtarëve, nga burrëria e ndershmëria, aq sa Veziri i dënuar me vdekje nga Sulltani për një gabim, arrin të zbusë qentë duke i ushqyer, dhe ata ditën e ekzekutimit jo që nuk e shqyejnë, por shkojnë dhe e lëpjnë me përkëdhelje. Kur Sulltani e pyet si ndodhi, ai i përgjigjet se i kishte ushqyer disa ditë dhe ata ja kthyen me mirënjohje, duke më kursyer jetën, ndërsa ty që të shërbeva gjithë jetën, për vetëm një mos zbatim urdhëri, ma hoqe të drejtën e jetës. Natyrisht që mua si njeri që kisha shërbyer për mbi tre dakada në ushtri, përshtypje të veçantë më ka lënë tregimi i tij i gjatë “Sazani”, ku realisht bashkohen disa të tilla. Është koha e viteve kur Mustafai u thirr ushtar në marinë. Me një kujtesë të freskët, ai sjell ndërmend “qyfyret” nga ajo kohë. I bije të takojë lloj - lloj tipash, nga çdo krahinë e vendit. Gjen mes tyre histori nga ato alla Shvejk. Vënie vize të kuqe në kartelë edhe pse ishte bir luftëtari antifashist, vetëm pse një kushëri edhe ai veteran lufte, kishte shkelur në kallo eprorin e Degës Ushtarake. Kaptera pedant që të çmendnin me ato tranazhet e tyre idiote, duke të dhënë komandën “Pushim!” e pas pak “Çohu!” rreth dhjetë herë në natë. Pra, vishu - zhvishu kot së koti. Hedhje në det të njërit prej tyre, kur nuk dinte not, vetëm e vetëm për t`u dukur. Ngatërrimi i marinarëve me kostume blu, me ata të shkollës së Riedukimit. Paraqitja e fletë - lejes babait, përpara se ai ta takonte kur shkoi në familje për herë të parë. Pëllitja e gomarit që sillte qumështin, pikërisht në kohën që komisari përshëndeste “Në luftë për çështjen e Partisë të jeni gati!” Vajtja e oficerit te kablli i braktisur i telefonit të vitit 1920, kur vartësit nuk i bindeshin të merrnin shërbimin të shtunë për të diel, pasi kishte ndeshje futbolli në Vlorë dhe thirrja e tij “Alo! Alo! Italia! Ju lutem më bini një nga oficerët tuaj të bëjë shërbimin në Sazan…” Sevastopol ka Rusia / Sevaster ka Shqipëria, po, oi, oi…” Thirrja e oficerit të marinës në zbor, nga ana e trumykurve të Degës Ushtarake dhe paraqitja e tij me mushama mbuluar e pa kapele, duke i lënë të shtangur, teksa e heq atë dhe tregon gradat e kapitenit. Kapja “rob” e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, një strateg i ushtrisë tonë nga Kolonja, por që kish zakon të kontrollonte edhe rojet natën. Por edhe plot histori solidariteti e ndihme reciproke shokësh e miqsh, as sa autori pohon” “Kur shkova për herë të parë në marinë dhe mendoja se si do t`i kaloja ato katër vjet në atë vend, më kujtohet se kur isha vetëm te varri i Pashait, në kodër aty mbi kapanon i thashë vetes: “O Zot, çfarë kam bërë unë që pata këtë fat! Por sot që unë kam pesëdhjetë vjet që e kam kryer ushtrinë, i drejtohem të Madhit Zot: “O Zot sa i Madh je! Ti më mësove që unë të flija kur nuk më flihesh, Ti më mësove që unë të haja kur nuk më hahesh, Ti më mësove që unë të duroja… Ti nëpërmjet ushtrisë më mësove që me kë të shoqërohesha dhe prej kujt të ruhesha… Ti më njohe me shumë miq e që shumë prej tyre i kam miq edhe sot e kësaj dite. Ti, nëpërmjet asaj ushtrie më bëre që jetën civile ta përballoja shumë lehtë!” Dhe gjithmonë në këtë linjë, Mustafai vazhdon me ecurinë në këtë fazë të jetës te tregimet e tij aq mjeshtërisht të shkruara “Fronti”, “Shtëpia e re”, për forcën demaskuese të të cilave nuk po zgjatem për të mos humbur kureshtjen e lexuesve, dhe për të mbërritur te “Tregime nga babai”. Mustafai, jo vetëm u ka rrëfyer shokëve përjetimet e tij, por edhe ka ditur të vjelë shumë prej tyre, duke i bërë edhe ata në një farë mënyre, bashkëautorë të këtij libri kaq tërheqës. Ndaj, ai ka ditur të zgjojë edhe kujtimet e babait të tij, zhgënjimi i të cilit ndihet qartazi dhe arrin deri te komikja kur duke shtyrë karrocën me miell, ndalohet nga polici, por qëllon të takohet me ish shokun e tij të luftës, një njeri i nderuar, tani Sekretar i Parë i Rrethit, i cili kishte mbetur tokësor dhe gëzohet kur sheh sesa i ndershëm kishte mbetur shoku i tij. E gjithë kjo, shërben edhe si një paralajmërim se mund të shkollohesh dhe përsëri të korruptohesh, sikurse edhe ka ngjarë pas shndërrimit të sistemeve, që ka sjellë shpesh edhe ndryshimin e vëmendjes dhe dashurisë nga njerëzit e afërm te qentë që i lajnë, i lyejnë, i veshin, i pafumosin dhe i shëtisin me kënaqësi të madhe, gjë që e detyron këtë autor t`i kthehet edhe një herë poezisë: “Njerëz dhe kafshë / gjithmonë, o Zot solle, / por njerëzit në shtëpi / e kafshët në kasolle”. S`më mbetet tjetër, veçse do ndihesha i lumtur, sikur të isha i pari që ta pagëzoja Mustafa Troplinin një shkrimtar të vërtetë, nga i cili, duke ecur sërish në rrugë të pashkelura, kemi të drejtë të presim vepra të tjera.
Comments