Ate Stavri Çipi: RRËFIM PËR DY “HATËRMBETJE”
- Mar 6
- 7 min read

RRËFIM PËR DY “HATËRMBETJE” NDAJ SHKRIMTARIT, REDAKTORIT E PROFESORIT TË LETËRSISË PËR FËMIJË, TË NDJERIT ASTRIT BISHQEMI (NDJESË PASTË)!
Me Astrit Bishqemin, si shkrimtar u njoha nga larg nëpërmjet leximit të librave të tij në bibliotekën e shkollës së mesme bujqësore “Mihal Shahini” në Cërrik, ku vazhdova mësimet për katër vjet (1972-1976). Dy mësuesit e mi të letërsisë (ndjesë patshin Hyjni Ceka e Bardhyl Dakli), më nxitën të lexoja, krahas atyre që duheshin për programin e për mësimit, edhe librat e Astrit Bishqemit, shkrimtar i letërsisë për fëmijë.
Biblioteka e shkollës bujqësore të Cërrikut, falë këtyre dy mësuesve të apasionuar, punëtorë, të palodhur e të vullnetshëm, kishte një numër të madh librash me poezi, romane, novela e tregime të shkrimtarëve të mëdhenj botërorë e vendës. Thuhej ndërmjet nxënësve në shkollë atë kohë se edhe qumësht dallëndysheje, po të kërkoje në bibliotekë, do ta gjeje. Duke qenë se u shërbeja pasditeve, të dielave e ditëve të pushimeve shtetërore nxënësve aty, rrëmova e lexova çdo libër të regjistruar e lejuar për lexim jashtë klase në atë kohë.
Më pas Astritin e njoha në mbledhjet e letrarëve të rinj të Elbasanit, duke ma prezantuar mësuesi im i letërsisë, Hyjniu:
• Ky është Astriti, shkrimtari që shkruan aq bukur e ëmbël, sidomos për fëmijët, por edhe për të rritur.
Ndërsa për mua i thotë shkrimtarit, i cili buzëqeshte paqësisht:
• Ky është Stavri Çipi, nxënësi im letrar, që vjen nga Shpati. Shkruan bukur e them se do të na bëhet një vjershëtor i mirë.
Nuk vonoi dhe shkrimtari Astrit u caktua redaktor i gazetës lokale “Shkumbini”. U bëmë të njohur, të dashur dhe filluam bashkëpunimin rregullisht. Unë i dërgoja shkrime për shkollën, apo gjatë pushimeve të verës për kooperativistët, punëtorët e Rruga-Urës, sharrtarët e pyjeve të Bukonikut e vjersha të ndryshme lirike për natyrën e jetën në vendlindje dhe ai i botonte.
Hatërmbetja e parë më ndodhi pas disa vitesh. Duhet të ketë qenë tetori ose nëntori i vitit 1977. I dërgova një vjershë dhe, kur e lexova të botuar, pashë se ishte ndryshuar mendimi në një strofë. Të them të vërtetën, nuk më erdhi mirë. Kur shkova në redaksi pas kësaj i them:
• Më fal, shoku Astrit, po vjersha që të solla ishte ndryshe prej asaj që u botua në filan numër.
Redaktori heshti e nuk më shpjegoi aty në zyrën e redaksisë. Duke dalë për të më përcjellë në korridor, siç vepronte gjithnjë edhe me bashkëpunëtorët e tjerë vullnetarë të gazetës, që ishin të shumtë e të profesioneve të ndryshme, si: mësues, nxënës, studentë, oficerë, metalurgë, inxhinierë, agronomë etj., më vuri dorën mbi supe miqësisht e më tha:
• Ashtu duhej thënë, shoku Stavri, prandaj e botuam në atë formë.
Nuk e kuptova mirë, por as shpjegim nuk kërkova më tej. Heshtja, ndonjëherë, është tepër dobiprurëse, pata dëgjuar prej më të moshuarve të ditur. Dhe e pata vënë vath në vesh këtë fjalë urtësie.
Ndodhi që, pas një viti, gazeta “Zëri i Rinisë” botoi një analizë të një cikli me vjersha të mia nga një kritik i ri, student i fakultetit të Gjuhë-Letërsisë në Tiranë. Kritikën e kishte lexuar mësues Hyjniu e, pasi kishte ndjerë shijen “jo të mirë” të saj, “vrapon” menjëherë për në Tiranë. Mëson në redaksinë e gazetës, ku trokiti si fillim, se autori i shkrimit ishte student. Nxiton e futet në oborrin e Fakultetit Histori-Filologji dhe aty, me gazetën në dorë, takon mikun e tij, të njohurin e para disa viteve, kur Hyjniu vetë punonte mësues në Lunxhëri të Gjirokastrës e fshatrave të Rrogozhinës. Se edhe ai vetë ishte në vazhdën e përndjekjeve nga regjimi komunist. Ardhjen familjarisht në qytetin e Cërrikut e priti me gëzim, por shijen e hidhur të luftës së klasave e kishte ende në mendje e përpara syve çdo ditë.
Takon shkrimtarin e madh, Jakov Xoxa, pedagog aty dhe i thotë për shkrimin kritik të studentit në gazetën “Zëri i Rinisë”. Shkrimtari e pedagogu, pasi dëgjon me qetësi mikun e tij dhe që e njihte mirë studentin, e thërret në zyrë e i thotë në prani edhe të mësuesit nga Elbasani:
• Për shkrimin që ke bërë për letrarin nga Shpati i Elbasanit, të kanë urdhëruar apo e ke bërë vetë me dëshirën tënde?
• E bëra vetë, pasi ma rekomanduan ata të redaksisë, që ta shikoj e vlerësoj si cikël, - sqaron pedagogun studenti.
• Mirë, - i thotë pedagogu qetë.
Teksa bëhej gati për t’i thënë “shko e vazhdo programin tënd, shoku student”, e pyet përsëri:
• Po sikur të shkruante dikush për vjershat e tua ashtu në atë formë si e keni thënë, si do të ndiheshit ju, i dashur student? - i thotë më pas disi i mërzitur profesori.
• Nuk e di si të them, profesor! - i përgjigjet studenti si i zënë në faj.
• Shko e mos ua bëj të tjerëve atë që nuk do të ta bëjnë të tjerët ty! - e mbyll plotësisht bisedën shkrimtari e pedagogu i mençur, burrëror e tepër i mirë si ai vetë, i madhi Jakov Xoxa.
Në takimin e parë këtë bisedë të zhvilluar ma tregoi mësues Hyjniu, që ndjehej i merakosur. Nuk shkrova e as dërgova më për botim vjersha. Nuk di sa kohë vazhdoi kjo gjendje. Po atë vit u mor vesh gojë më gojë se u pushkatuan në korrik dy poetët e Librazhdit, Vilson Blloshmi e Genc Leka për vjershat që shkruanin, si armiq e sabotatorë të popullit.
Diktatura komuniste ishte në kulmin e vlimit të saj. Unë rrija e flija në krahun tim, pa ditur asgjë e pa menduar çfarë bëhej jashtë fshatit e vendlindjes sime, se informatat ishin të rezervuara. Njerëzia merrte vesh vetëm çfarë thuhej nëpër gazeta. Përmbi to kishte gërshërë e brisqe që të qethnin e rruanin plotësisht. Ndaj çfarë ato përcillnin ishte ujë i tepër filtruar e pasuruar në ideologji, formë e përmbajtje. Ndoshta ndonjë letër anonime mund të ishte shkruar për mua dhe diçka po gatuhej.
Vazhdova e kreva shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Më pas fillova punë në ndërmarrjen e ndërtimit Rruga-Ura, në kantierë të largët, si: në Gjerbës të Skraparit, Dardhë e Rrajcë të Librazhdit.
Në Prrenjas e Librazhd zura miqësi me shkrimtarë e poetë të asaj treve, si: Sherif Hoxha, Koçi Petriti, Çelik Petriti e të tjerë krijues e dashamirës të letërsisë. Në qytetin e Librazhdit zhvilloheshin disa herë në vit aktivitete letraro-artistike, si: promovim librash të rinj etj. Por nga lidhja e shkrimtarëve në Elbasan nuk u largova aspak.

Kaluan vite e vite. Unë vazhdoja të shkruaja, por me kujdes, pa e kaluar vijën e lejuar e pa i shkelur askujt në kallo. Ama, e drejta për të vazhduar fakultetin e gjuhë e letërsisë shqipe nuk m’u dha, edhe pse dega e lidhjes së shkrimtarëve të Elbasanit dhe Lidhja e Shkrimtarëve në Tiranë me kryetar poetin Dritëro Agollin e miratonte thuajse çdo vit. Në Lidhjen e Shkrimtarëve në Tiranë, në sekretarinë e saj, më thoshnin se është miratuar, por në Elbasan humbiste nëpër sirtarë, pa u mësuar ende edhe sot se çfarë vije e boje i patën vënë përsipër.
Jeta vazhdoi rrjedhën e saj. Kohët shkuan e diktatura ishte në frymëmarrjet e saj të fundit. U vendosa me banim në Elbasan. Mbasditeve, pas pune, dilja e bënim shëtitje në bulevard herë me mësuesit e letërsisë e herë me shkrimtar Astritin, i cili u emërua pedagog në Universitetin e Elbasanit dhe me të tjerë letrarë. Biseda ishte po e njëjtë për lexim librash të rinj e komente vjershash.
Në vitin 1992 vazhdova Seminarin Teologjik të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Durrës në vitet 1992-1995, por vjershat e dëshirën për të vazhduar studimet për gjuhë-letërsi nuk munda t’i braktisja dot.
Në vitin 2004 u lejua vazhdimi i studimeve me kohë të pjesshme dhe unë e fillova me shumë gëzim e dëshirë, edhe pse disa vetë i pata kundër. Vazhdova të ndjek dhe ndoqa me guxim ëndrrën time flatrashkruar. Ndiqja me vëmendje leksionet në të gjitha lëndët. Atë të letërsisë për fëmijë ma bëri më të dashur e të ëmbël profesor Astrit Bishqemi, me analizat e detajuara imtësisht për shumicën e autorëve e veprave të letërsisë për fëmijë në Shqipëri e jashtë saj, ca të njohura e shumë të panjohura.
Këtu zuri fill e u vulos hatërmbetja e dytë ndaj profesor Astritit. Në përfundim, në mbrojtje të diplomës e shtjellimit të pyetjeve të tezës, prof. Astriti, i cili ishte anëtar i atij komisioni, më dëgjoi sa dëgjoi, mori librezën e notave dhe, pasi pa nga dy kolegët e tjerë anash tij, regjistroi notën 10 dhe firmosi. Unë, i habitur nga ky veprim i tij i nxituar, siç m’u duk, i them:
• Të lutem, profesor, nuk kam përfunduar ende tezën e kërkuar.
• Edhe nëse nuk e ke shkruar mirë gjer në fund, jam i sigurt se ju, student Stavri, do të vazhdoni të lexoni e mësoni edhe pas mbarimit të studimeve. Librat e letërsisë e sidomos Antologjitë e studimeve të mia do t’i mbani në bibliotekën e shtëpisë dhe do t’i shfletoni sa herë të doni.
“Hatërmbetjen” time të dytë ndaj prof. Astritit e miratuan pa një pa dy edhe dy anëtarët e tjerë, dy profesoresha të nderuara, që më njihnin si krijues, duke firmosur edhe ato OK e notës 10.
U vërtetua, jo shumë vonë, fjala e profesorit se unë jo vetëm që do ta hap e lexoj herëpashere teorinë e letërsisë për fëmijë e të rinj, por u bëra edhe krijues, poet i kësaj letërsie me vëllimet e njëpasnjëshme të botuara. Në çdo libër të botuar konsulent, recensues apo redaktor mbeti përherë pedagogu i kësaj letërsie, krijimtari i palodhur Astrit Bishqemi.
Nga nota e marrë përpara kohe nuk e zhgënjeva profesorin. Për të dyja “hatërmbetjet” që përmenda, i mbeta e i jam mirënjohës përjetë shkrimtarit, pedagogut e qytetarit shembullor, gjer në largimin e tij prej jetës tokësore, Astrit Bishqemit në fillim të këtij viti.
Njeriu i mirë, redaktori, dashamirësi e përkrahësi i talenteve të reja, si dhe krijuesi e profesori Astriti ndriçoi e u tret si qiri për të tjerët, nxënës, studentë e studiues të letërsisë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, ku fjala e tij ishte perlë e xhevahir i ndritur. Por drita e atij qiriri vazhdon ende të jetë në flakë dhe do të ndriçojë brezat e mëpastajmë, që kanë për të lindur e edukuar me nektarin e luleve të shpirtit të tij.
Vepra Bishqemiane do të rrezatojë edhe për shumë kohë në brezat e rinj që do të vijnë, me dritën e saj shpirtërore. Po kështu edhe studimet e tij të veprave të autorëve për fëmijë në trevat shqiptare e botë nuk do ta humbasin kurrë shkëlqimin e dhënë prej tij si studiues dashamirës e kompetent në vite e shekuj.
Prof. Astriti rrinte gjithmonë kokulur. Ai nuk kishte dëshirë të rrinte nëpër podiume e ta lavdëronin, por si “kalli me bukë” që ishte mbeti punëtor dhe studiues i palodhur. Mbeti deri në ditët e fundit i shoqëruar me miq e kolegë të mirë.








Comments