top of page

SHEFQET MEKO: LAMTUMIRË LAPS!

  • 7 hours ago
  • 3 min read

LAMTUMIRË LAPS!

-Kujë për diçka të harruar, por të dashur ende…

Kur e ke përdorur për herë të fundit lapsin? A ke bërë ndonjë llogari me kalem, pa përdorur “llogaritarin pa syze”?

Kështu pyeta veten javën që shkoi, kur i raportova të ardhurat për taksat qeverisë për vitin 2025. Më shkoi mendja të bëja disa mbledhje e zbritje me laps, të shumëzoja apo pjesëtoja, por u dorëzova... Në fakt, isha për “katër me bisht”. Mu dhimbs vetja, dhe për një çast mu duk sikur para syve më kaluan ish-mësuesit e Aritmetikës dhe Matematikës, duke më thënë: “Na turpërove!...” Unë kafshova buzën si fajtor… Kisha harruar, apo isha bërë tru-thartuar?

Zëri metalik i Mësues Andrea Pllahës, me sytë që i përpëliteshin duke vështruar tavanin, më qorton: “Edhe ti, more Shefqet?!” Kur zgjidhnim plot ankth ekuacionet e Algjebrës , një zë metalik ...“Shkël..Shkël… Shkëlqyeshëm” binte si buri ushtrie. Ishte Zëri i Mësuesit që nuk harrohet dhe ai timbër më sjell në kujtesë Remzie Zaganjorin, me fytyrën e ëmbël, pluhurosur nga shkumësi i bardhë duke shpjeguar magjinë e numrave...

Po tani? Ne të gjithë jemi bërë “dembelë Stambolli”. Nuk bëjmë llogari me laps. Mes numrave pa fund që na rrethojnë , llogari bankare, karta krediti, borxhet, pagesat elektronike , faturat e kamarierit etj., ne thjesht picërrojmë sytë mbi qelqet elektronike: $22.55, $172.22, plus, minus, balanca…Firmos. Ik. Vrapo për numra... Gjithçka rrëshqet në ekran dhe ne e pranojmë, pa e vënë në provë mendjen tonë. Ne, besnikë të verbër të numrave në qelqe e plastikë…

Ku qëndron siguria jonë tek “truri elektronik”? Nuk dimë ta shpjegojmë. Është magjia e “Ajnshtajnëve të panjohur”... Thjesht besojmë, bindemi, nënshkruajmë dhe presim “depozitën” në bankë. Truri ynë është dorëzuar. Njeriu tashmë ka nënshkruar “prangat e para”: numrat. Besimi absolut tek teknologjia është edhe “rrudhja e parë” trurit tonë. Sa më shumë ia “delegojmë” mendimin makinës, aq më shumë mpaket ushtrimi ynë i brendshëm.

Ne nuk bëjmë më “llogari me laps”; ne thjesht shtypim butona. Nuk gabojmë, sepse nuk provojmë. Nuk mendojmë , sepse nuk na duhet. Dhe lapsi, ai miku i heshtur i bankës së shkollës, rri diku në një sirtar, i harruar, me majën e thyer dhe me kujtimet e një kohe kur gabimi ishte pjesë e mësimit, jo një alarm në ekran.

Ndoshta lapsi nuk është thjesht një mjet shkrimi. Ai është një ushtrim durimi, një provë karakteri, një lidhje mes dorës dhe mendjes sonë. Kur shkruanim me të, mendonim dy herë, na dridhej shpirti para se të vizatonim apo hiqnim një vijë mbi fletën e bardhë... Sot fshijmë me mollëzat e gishtave pa kallo. Ah, dikur këta gishta ishin “me kallo” nga shënimet në leksione, nga konspektet, llogaritë tona të rinisë së bukur... Ku të gjej “dy gishta me kallo”?...

Dy radhë edhe për llogaritarët tanë, ata që ishin dhe ikën, ata që llogaritën pikët e dit-punës së parë, ata të urtët e të vullnetshmit, të saktët e të ndershmit që nuk u lodhën kurrë, por mbeten në kujtimet tona, me laps në dorë e në llogari pa fund. Gjithë ditën llogari. Gjithë ditën mes numrash. Imagjinoni. Kujtoni ata, prekni një laps, bëni një mbledhje-zbritje të thjeshtë dhe keni nderuar… E meritojnë!

Lamtumirë, laps-kujë pa bujë në këtë mars ku bulon pranvera. Sa lule do çelin këtë vit? Kush do t’i numërojë? Kush do t’i llogarisë? Llogaritarët e ndershëm kanë vdekur…

Lamtumirë-lapsi im! Në ekran shoh sa bomba janë hedhur, sa janë vrarë, sa janë plagosur…Numra në xham, pa dorën që dridhet, pa shpirtin që loton… Pa ndjenjën NJERI….

Ndoshta një ditë do të të kërkojmë sërish, jo për nostalgji, por për të kujtuar se mendimi nuk ka nevojë për bateri që skadojnë, por për qeliza të palodhura!

Lamtumirë laps! Të flas dhe të kujtoj Unë, i vetmi që nuk të harroj.

SHEFQET MEKO

Minneapolis, 6 Mars 2026

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page