TRI RRUGË NË TIRANË ME EMRAT E PERSONALITETEVE TË OBVL
Halil RAMA*
· E krijuar para 29 vitesh me nismën e një grupi pre 64 personalitetesh, gjeneralësh dhe luftëtarësh, figura politike të respektuara, por fatkeqësiht të dënuar nga regjimi komunist, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) do të bëhej promotore e mbrojtjes së vlerave tona kombëtare
Rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989 dhe ndryshimet demokratike në Europën Lindore u reflektuan edhe në Shqipëri me përmbysjen e diktaturës komuniste, duke sjellë ndryshimin e sistemit shoqëror dhe kalimin në demokracinë e bazuar në pluralizmin partiak dhe sigurimin e lirisë së njeriut. Por, drejtuesit e shtetit të ri mbetën politikanët me prejardhje nga diktatura komuniste, më e egra në Europën Lindore dhe rrjedhimisht qeverisja e re nuk mund të ishte plotësisht demokratike.
Në këto kushte veteranët e luftës që nuk kishin marrë pjesë në krimet e PPSH dhe Enver Hoxhës, u mblodhën para 29 viteve (korrik 1994) dhe krijuan Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës (OBVL), që kishte për qëllim të mbështeste proceset demokratike dhe shtetin ligjor dhe t’i bashkonte veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar në një organizatë të vetme, për të ruajtur më mirë traditat e luftës dhe të drejtat e tyre.
Kësisoj, e krijuar para 29 vitesh me nismën e një grupi pre 64 personalitetesh, gjeneralësh dhe luftëtarësh, figura politike të respektuara, por fatkeqësiht të dënuar nga regjimi komunist, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) do të bëhej promotore e mbrojtjes së vlerave tona kombëtare. Në këtë grup bënin pjesë figura politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane e ministra, siç ishin: Dr.Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku, Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçrami, Maqo Çomo, Sadik Bekteshi (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), Muhamet Prodani (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), gjeneral-majorët: Nexhip Vinçani, Skënder Malindi, Edip Ohri dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja(Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova,Vera Ngjela (Pojani) e disa të tjera, por fatkeqësishttë dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Me një aktivitet intensiv në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave, Dr.Dishnica dhe gjeneral Parllaku arritën ta bëjnë OBVL-në anëtare të Federatave Europiane dhe Botërore të Veteranëve. Me pjesëmarrjen në aktivitetet e këtyre Federatave, jo vetëm në Europë, por edhe në Malajzi, në Johanesburg, Marok etj, OBVL ka bërë të njohur kontributin e popullit shqiptar në Luftën e II Botërore dhe në luftrat për liri të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e deri dhe kontributin që jep sot në mbrojtje të paqes në kuadrin e NATO-s. Nisur nga ky aktivitet intensive dhe vlerat që mbron e promovon. Prof.Dr.Anna Lalaj e vlerëson OBVL për orientim e drejtë, për veprimtarinë e gjallë të saj, për përshkrime të disa jetëve njerëzore, për vetëdijen dhe besimin e veteranëve dhe pasaardhësve, anëtarë të organizatës, jo vetëm në Luftë por edhe në demokraci.
OBVL me katër personalitete “NDERI I KOMBIT”
Pikërisht për rolin që ka luajtur, si mbrojtëse dhe promovuese e vlerave më të mira kombëtare shqiptare, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftrave për Liri e Pavarësi të Popullit Shqiptar (OBVL) është ndër organizatat më të vlerësuara nga institucionet shtetërore, me katër personalitete “NDERI I KOMBIT”. Me këtë titull të lartë të akorduar nga ish-Presidentët Nishani e Meta janë vlerësuar dy kryetarët e parë të OBVL: Dr.Ymer Dishnica e gjeneral Rrahman Parllaku, si dhe gjeneralët Nexhip Vinçani e Veli Dedi. Ndërkohë me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” janë dekoruar ish-themeluesit dhe drejtuesit ndër vite të kësaj organizate: Ish-nënkryetari dhe kryetari i saj, kolonel Myfit Guxholli, ish - Sekretari i Përgjithshëm Edip Ohri dhe anëtarët e kryesisë: Liri Belishova e Hamit Keçi; ndërkohë që drejtuesit aktualë të OBVL: Sekretari i Përgjithshëm, akademik Halil Rama, nënkryetari Muharrem Gjoka dhe kryetari i Degës së OBVL Pukë, studhuesi dhe shkrimtari i mirënjohur Xhemal Meçi janë dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Po ashtu, me propozimin e OBVL ju është akorduar “Dekorata e Artë e Shqiponjës” komandanit të Çetës së parë Partizane të Gollobordës, patriotit të madh me rrezatim mbarëkombëtar Ahmet Cami si dhe ish-kuadrit të Brigadës së 18-të S Ismail Bara.
Gjerdanit të artë të vlerësimeve për personalitetet e OBVL-së iu shtua më së fundi edhe emërtimi i tri rrugëve të Tiranës me emrat e gjeneral Rrahman Parllakut, Liri Belishovës dhe Edip Ohrit.
Kështu, në konsiderim të propozimit të Kryesisë së OBVL, Këshilli i Bashkisë Tiranë, me Vendimin Nr.55, datë 01.06.2020 ka vendosur që rruga te Tregu Agroushqimor (pranë Shkollës Jopublike “Sarina” të emërtohet Rruga “Edip Ohri”, ndërsa me vdimin Nr.137, datë 05.10.2020 ka vendosur që segmenti rrugor që bashkon rrugën “Ali Demi” me rrugën “Petro Nini Luarasi” të emërtohet Rruga “Gjeneral Rrahman Parllaku”, si dhe rruga që nis nga rreth rrotullimi i Astir-it të emërtohet Rruga “Liri Belishova”.
Kësisoj përjetësohen tre personalitete të organizatës tonë, me kontribute madhore gjatë Luftës së Dytë Botërore, në krijimin dhe konsolidimin e Ushtrisë e të Shtetit Shqiptar si dhe për themelimin e drejtimin me përkushtim të rrallë të OBVL-së.
Gjeneral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit ka hyrë në histori si legjenda midis tri kohëve, i cili rrugëtimin 100-vjeçar, e ka përshkruar përmes fjalës e veprës së tij, duke mbetur një monument e pasuri kombëtare e paeksploruar plotësisht.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj e ka vlerësouar Parllakun si një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste, si simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike. Dhe në të vërtetë, ai qe kthyer në simbol të gjallë të kujtesës patriotike, qytetare dhe historike. Shqiptarët ndihen krenarë me jetën dhe veprën e “Heroit të Popullit” dhe “Nderit të Kombit”, që bëri gjithçka në shërbim të atdheut e kombit. Prandaj, edhe vlerësimet dhe nderimet ndaj veprës së gjeneralit janë plotësisht të merituara. Me gjeneral Parllakun ndihemi krenarë të gjithë.
Nga lufta dhe përkushtimi i tij atdhetar na vjen një model për t’u ndjekur. Nga ëndrra e tij dhe e brezit të tij për një shoqëri të njerëzve të barabartë, që e kërkoi atë nëpërmjet komunizmit si ideologji, vjen edhe zhgënjimi i madh prej kësaj utopie që u përpoq të imponohej nëpërmjet luftës së klasave. Nga një çerek shekulli i dënimit të tij, nga plumbi dhe vdekjet në qelitë e burgut, mund të njohim një nga pamjet më makabre të dhunës së diktaturës. Nga veprimtaria si veteran në këtë çerek shekulli të demokracisë bashkë me të tjerë ish-të dënuar politik si L.Belishova, E.Ohri, H.Ramohito etj, mund të mësojmë se kurrë nuk është vonë për njeriun që të bëhet mbështetës aktiv i proceseve demokratizuese të shoqërisë. Gjeneral Parllaku ishte dhe mbetet burim frymëzimi për brezat. Ai me përkushtim të rrallë e drejtoi organizatën tonë mbarëkombëtare për dy dekada dhe përkushtimi i tij bëri që OBVL të anëtarësohet në Federatën Botërore të Veteranëve. Kontributi i tij në organizimin e drejtimin e LANÇ e të Ushtrisë Shqiptare e rendit gjeneral Parllakun në krye të plejadës së gjeneralëve shqiptarë që bënë epokë. Ai ishte dhe mbetet përmendore e gjallë e traditës dhe e virtytit familjar të trashëguar ndër shekuj.
LIRI BELISHOVA, gruaja që sfidoi dikaturën, ishte një nga figurat më simpatike, më të mençura, më fisnike dhe një nga udhëheqëset kryesore të LANÇ-it dhe të pasluftës. Njëri nga bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, ish-Kryetari i OBVL-së, Rrahman Parllaku – “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, e konsideronte znj.Belishova si gruan stoike që i përballoi me dinjitet sfidat e jetës. Sipas z.Parllaku, L.Belishova kishte cilësi të rralla kulturore. Portreti i saj është ai i një gruaje emblematike, të edukuar, të shkolluar, të përkushtuar dhe të kulturuar në shkallën më sipërore. Si e tillë, ajo zë vendin e merituar në panteonin e nderit të kombit shqiptar.
Liri Belishova do të na befasonte përherë me dijet e saj të gjera e të thella, logjikën e saktë të të arsyetuarit, kujtesën e pagabueshme, interesin e jashtëzakonshëm për zhvillimet demokratikë të vendit dhe sfidat e ndryshme me të cilat përballeshim, si edhe me aftësinë e saj të mrekullueshme për të dëgjuar dhe respektuar mendimin e bashkëfolësit. Aftësitë intelektuale dhe dijet e saj janë ruajtur brenda një shpirti të madh që nuk e ka lejuar kurrë të shajë askënd, as përndjekësit e saj të pashpirt gjatë viteve të internimit. Liri Belishova është dëshmi e njeriut të sakrificës, krenarisë dhe dhimbjes, por mbi gjithçka ajo simbolizon vetë fatin e Shqipërisë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Pjesmërrëse në grupin themelues të OBVL që në krijimin e saj në korrik 1994, si anëtare e kryesisë së saj, ajo dha kontribut të vyer në konsolidimin organizativ e strukturor të kësaj organizate.
EDIP OHRI – legjenda e Aviacionit Shqiptar mbetet një ndër emrat e përveçëm të figurave madhore shqiptare, mbetet kolos në kujtesën e pashlyeshme të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Pa dyshim, si një nga kolosët që ka dhënë Struga, ose fushëgropa e Strugës së Ohrit, krahas emrave të shquar si Hamdi bej Ohri, Zyhdi Ohri, Dr. Myrteza Ali Struga, Dervish Hima, Mustafa Baroti, Nuri Sojliu, Dr.Ibrahim Temo, kësaj liste i duhet shtuar edhe emri i Edip Ohrit, për meritat e tij që ka për Shqipërinë, për shqiptarinë në përgjithësi e bashkë me këtë natyrisht edhe për Strugën. Ai, me personalitetin e tij, me karakterin, punën, sjelljen, përkushtimin, qëndrimin, vlerësimin e drejtë, vuajtjet, përjetimet gjatë jetës dhe karrierës së tij, kurrë nuk ka bërë asnjë veprim që do ta relativizonte Shqipërinë, shqiptarinë dhe Strugën, por gjithmonë ka qenë ballëlartë dhe krenar për Strugën. Me jetën, punën, veprimtarinë, përkushtimin, profesionalizmin, patriotizmin, nacionalizmin, vuajtjet, përjetimet e shumëllojshme, nuk e nderoi vetëm emrin dhe veten e tij, por nderoi dhe madhëroi e nderoi emrin e familjes Ohri, madhëroi e nderoi emrin e familjes së Ismail Qemal bej Vlora, madhëroi e nderoi Strugën dhe popullin strugan, madhëroi dhe nderoi Shqipërinë, madhëroi dhe nderoi shqiptarinë. Ai ka dhënë shembull të rrallë në organizimin dhe konsolidimin e strukturave të OBVL në Tiranë dhe në të gjitha rrethet e Shqipërisë.
Mbrojtëse e flaktë e vlerave të lirisë
OBVL, veteranët dhe pasardhësit e tyre, anëtarë të kësaj organizate ndjehen më krenarë se kurrë me vlerësimin që ju bëhet këtyre personaliteteve dhe angazhohen për të ecur në shembullin e tyre, që organizata jonë të vazhdojë të funksionojë si mbrojtëse e flaktë e vlerave të lirisë. Mbrojtja, propagandimi, ruajtja, mbajtja gjallë e vlerave të historisë sonë kombëtare, e veçanërisht atyre të LANÇ-it, dhe transmetimi i tyre te brezat pasardhës është dhe mbetet qëllimi themelor i OBVL-së.
Ne sot jemi krenarë që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve, fitimtarëve, dhe frontit të madh të lirisë, meritë kjo e partizanëve shqiptarë, këtyre kalorësve të çlirimit dhe të lirisë.
Ne krenohemi që në drejtimin e kësaj lufte, nga Njësitet Guerrile deri në drejtimin e Divizionit të 5-të partizan e të Ushtrisë Shqiptare, patëm Heroin e Popullit dhe Nderin e Kombit, gjeneral Rrahman Parllakun, që e drejtoi organizatën tonë me përkushtim të rrallë për 20 vjet...., ashtu siç krenohemi me kryetarin e parë të OBVL-së dr.Ymer Dishnicën – Nderi i Kombit.
Vlerësimi nga Presidenti i Republikës i katër personaliteve themeluese të organizatës tonë: Dr.Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku dhe gjeneral Nexhip Vinçani e gjeneral Veli Dedi, me titullin e lartë “NDERI I KOMBIT”; dekorimi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” i personaliteteve të tilla, themeleues dhe bashkëdrejtues të OBVL, si Myfit Guxholli, Edip Ohri, Liri Belishova, Hamit Keçi e Xhevdet Ballanca, si dhe emërtimi i tri rrugëve kryesore të Tiranës me emrat e gjeneral Rrahman Parllakut, Liri Belishovës dhe Edip Ohrit ia ka rritur prestigjin dhe krenarinë organizatës tonë.
* Mjeshtër i Madh & Sekretar i Përgjithshëm i OBVL-së
Comments