TRE POEZI NGA FATMIR TERZIU
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 22, 2023
- 2 min read

RRUDHAT
Nga Fatmir Terziu
Edhe vjeshtat rrudhen. Balli
shpërngulet si një rrëfenjë e patreguar
me vite një perëndi e kupton sa
ndodhet në dengun bardhë e zi të fotografive
në mbrolën e lustruar
një njollë e hirtë nga pakujdesitë që zbresin në fletë
qarkullon si një lojë demash të stërvitur
një rrjedhë që vesh e zhvesh mendimet
përballë meje qëndron gjithnjë im Atë
dëgjon me vëmendje zhubrimën e gishtave mbi fotografi
e pret që gishtat të bëjnë aritmetikë
po lodhja fle në sy
e sytë fluturojnë duke prodhuar flurrudha
në hapësirë
të kapin ndonjë bukël
nga ato që na kanë lënë përditë
kufinjtë imagjinarë të mallit
e fluturat e natës që vijnë për të pirë
këngën që ka lënë nëna ime në pasqyrë
bie muzgu i dendur i rudhave
rreth pemëve që vishen me gjerdanë floriri
nga vallja e dehur
se kur mbërrijnë netët e vonuara edhe këtu
në botën e madhe të fotografive
im Atë vetëm mban sytë në një pikë
s'ka asgjë për të fshehur
në boshllëkun e pafiksuar
të rrudhave
gjithnjë nëse mungon një baticë ka zbaticë
detet shtriqen si balena të fryra
rudhat nuk largohen nga sytë
në të dyja kohët
s'ka më një të dytë
vjeshta konkurron me lulet
dhe fton perënditë
aty kur nata ulet
mermeri shkruhet me të ftohtë
arbërisht
e kupton vetëm vetmia
gjuhën e fluturave të natës
këtu ku ka fiksuar sytë im Atë,
ka mbetur një mal i lartësuar në fron
s'ka më fjalë
imagjinatë
që shkruan rendin e kohërave të mbledhura
që janë bërë kode të mistershme
në këtë botë të rrudhave
ku dikush e gjithkush ngjyros vjeshtën në garë
me një vjershë
për baballarë.
2. MËNGJESET E BRAKTISUR
Nga Fatmir Terziu
mëngjesi e luan një sinfoni
pa orkestër në sfond
koha shenjohet plis i bardhë
në blunë shtrirë si cipë mëndafshi
era e tultë
bie
në lëvoren e plasur të arrës plotë bukë
sinfonia ka një arsye më shumë
të shpjegoj dirigjentin e panjohur
servil
me shtrojën e madhe të kokrrave
dhe gështenja mblidhet grusht
në panoramën shumëngjyrëshe
të stinës
të braktisur nga mizat
që ikën nga sytë këmbët
faqet e biologjisë bëjnë sehir
me gishtat e të vegjëlve që shoqërojnë
format e reja të sinfonisë
ndërsa zukasin gjethet që bien
mbi gjinjtë e dardhave të vona
që lëshojnë lëng prej fronit aromatik
tretjeve të barit në altarin e shtruar
flijojnë stile
duke praktikuar
poza të reja si nuse
kurse fletët e lodhura
bihen gjethe
dhe kapen enkas në valle
koreografia
po lë gjurmë në sytë e humnerës
ku mollnjat e lodhura nga vetmia
pikturojnë kullat e heshtura në sofrabez
poshtë një sënduku të mbushur
hëna hyn e del
në një lojë të re me të strukur
ku dëgjuesi më i shurdhët
mpihet veshngritur prej sinfonisë
së mëngjeseve të braktisur.
3. SHENJAT
Nga Fatmir Terziu
Dora dorës. Vetëm dora dorës
mund të lëvizin shenjimet e viteve
orakulli ku mblidhen dashuritë të kuptojnë
vashën që prek kohën
bukurisë së qeqtë të syrit magjik
me zerdelinë
e çelur
në një livall ku kullot mendja e blertë
duke fshehur
mirësinë e petaleve të trëndafilave erëmirë
në themelin e ëndrrave
ngrihen vëllime të palexuara poezish
shkruar nga kanarinat
me krahë të mbetura në një pyll të madh
Safo
ka mbetur e pagjumë
shtrirë
në notat e e një pentagrami
ku vallëzohet sipas porosisë
për seksin e kundërt
diçka emeton
dora dorës vetëm në këtë mënyrë
mendja rilexon
për të gjithë brezat në harresë
një kartolinë
si një severgjen mbushur plotë shpresa
një ambushti të atillë
ku dashurohen perënditë
që shenjtërisht u ngjizën
në Zanafillë
janë shenjat
bekimit
që duan ta përcjellin udhën e përjetësisë
mbi murre të padukshme
në të cilat rri ngulur një dry i madh
që hap
dyert e jetës.
Kommentare