TRE LIBRA, KU LIND DITA DHE FRYMON GJITHÇKAJA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Aug 17, 2020
- 2 min read

Duket sikur ka një lidhje organike të habitshme, midis emrit të autores durrsake Lindita Zaka Hysa, dhe tre librave e saj të botuar njëri pas tjetrit: “Lundroj në sytë e tu”, “Simfonia e detit” dhe “Dashuri prej nëne”. Një trio poetike, ku lind dita dhe fillojnë të frymojnë dielli, era, ujërat, toka, deti, njerëzit dhe gjithçka tjetër e gjallë dhe e shpirtëzuar, në mbi 300 poezitë e saj me një tematikë të gjerë dhe tejet të larmishme.
Në tërësinë e tyre poezitë duken të thjeshta dhe të ndërtuara me mjete gjuhësore rastësore. Por secila prej tyre, ka në brendësinë e vet, një mesazh ideor të përcaktuar, ashtu si guaska detare e mbuluar me myshk, që ka brenda kapakëve të saj, perlën e ndritshme.
Duke jetuar në Durrës, në qytetin bregdetar më të madh të vendit, autorja e vendos theksin poetik, shpesh në krijime për detin e fenomenet që ndodhin në përjetimin e tij, dhe ndikojnë në jetën e saj. Si pamjet e egërsuara të dallgëve, anijet që nisen në lundrim, vajzat që zhyten mes valëve, dashurinë rinore që lidhet në brigjet detare. Ndërmjet të tjerave, autorja shkruan: “Të jetosh frymëmarrjen e detit madhështor,/ Të jetosh rropamën me gumëzhim gjëmimtar, /Ku frymojnë mushkëritë e kaltra të gjoksit ujor;/Të dëgjosh jehonën e tallazitjes së tij akustike,/Do të thotë të dëgjosh muzikë në përjetim,/ pranë një orkestre tepër të madhe simfonike.
Në disa poezi të frymëzuara prej bukurive të vendlindjes së saj të paharruar, me kujtimet e dashura të fëmijërisë, ajo ka derdhur ndjesitë e nostalgjisë së përhershme: Natyrën e vendlindjes me argëtime plot, /Mbi çdo pamje tjetër e adhuroj,/Më duket më i këndshmi vend në botë,/Vitet e jetës më të bukur, aty i kujtoj.
Por një pjesë e mirë e krijimeve, përshkruajnë gjendjet e ndërlikuara shpirtërore të njeriut, në momente dhe mjedise, ku ndodhet i piketuar nga pena poetike e zonjës Lindita. Si në tokë, në qiell dhe në ëndrra fantastike, ajo pasqyron të tashmen dhe të ardhmen e heroit lirik. Gjithashtu dashuria merr ngjyrime të veçanta, në raportet shpirtërore me partnerin: Në shtegun e shpirtit,/Të pres të hysh/Me të artat fjalë,/Në shtegun e fjalës,/Të pres të vish/Me tinguj të rrallë,/Në shtegun e buzës,/Të pres të më afrohesh/Me buzën e ëmbël,...
Duke filluar të shkruaj në moshë të rritur, me përvojë të mirë jetësore dhe me njohje të gjerë të fenomeneve, e marrëdhënieve shoqërore, poetesha Lindita Zaka Hysa shpreh kompetencën e saj të fjalës artistike në poezi të ndryshme, pa fjalë të tepërta e pa stërhollime të mendimit. Në mënyrë që të komunikojë sa më qartë e sa më bindshëm, për problemin apo mesazhet që kërkon të përcjelle tek lexuesi.
Sidomos kjo vihet re në poezitë e shumta për nënën, te libri ”Me dashuri nëne”: Më gjej një zemër,/Të më ushqej zemrën në deje brenda!/Më gjej në tokë një perëndeshë
të merrem vesh!/S’ka tjetër, përveçse NËNA...
Për t’ia lenë lexuesit të vlerësojë më tej, po e mbyllim me urimin, për këtë autore pasionante me prurje të shpeshta, të ketë mbarësi të mëtejshme në krijimtarinë poetike, për të kënaqur lexuesit e shumtë, që e ndjekin në qiell, me “online” dhe në tokë, me botime.
Vullnet Mato - Shkrimtar, “Personalitet i Shquar”
Comentarios