top of page

Trashëgimi


Trashëgimi

Astrit Lulushi


Arti bëhet vetëm, por u mbetet të gjithëve. Në këtë proces, artisti është i vetmi i racës njerëzore që harron veten - sikur ngjason me shenjtorët, si psh., Shën Tereza.

I njohur kryesisht si shqiptar i Kosovës, Bekim Fehmiu lindi jashtë Kosovës. Megjithatë, ku?

Pohimi më i zakonshëm është se lindi në Sarajevë, më 1 qershor 1936, në një familje etnike shqiptare, e cila më pas u transferua në Shkodër, qëndroi atje për disa vjet, përpara se të vendosej në Kosovë. Ky rrëfim vërtetohet nga autobiografia e tij në serbisht “Blistavo i strašno” (Verbues dhe i tmerrshëm) - 1999.

Megjithatë, data dhe vendi i lindjes së tij janë kontestuar. Një referencë në shtypin serb nga koha e xhirimeve të filmit “Aventurierët” 1981, thotë se Bekim Fehmiu lindi në Kukës, duke vënë në dyshim historinë e lindjes në Sarajevë.

Por në anën shqiptare ka më pak të dhëna. Në Enciklopedinë e Filmit Shqiptar, Tiranë-2002, autori Abaz Hoxha argumenton se Bekim Fehmiu lindi më 1932 dhe jo më 1936, por lë pa-përmendur vendin e lindjes. Ndërsa Fjalori Enciklopedik Shqiptar (FESH), Tiranë-2008, thotë se Bekim Fehmiu lindi në Prishtinë në vitin 1932.

Dhe lind pyetja - A mos ishte thelbësore që Bekim Fehmiu të lindte jugosllav për të promovuar mitin e bashkim-vëllazërimit dhe ky mit u përforcua më tej duke transportuar vendin e lindjes së aktorit nga Kukësi në Sarajevë për të minimizuar lidhjet e mëtejshme me Shqipërinë? Sepse dihet që Bekim Fehmiu nuk realizoi asnjë film me kinematografinë shqiptare, ndërsa vizita e tij më 1972 u përmblodh në një dokumentar 10 minutësh.

Gjuha është vërtetë faktor që çon në nënshkrimin e identitetit kombëtar në karrierën e Bekim Fehmiut.

Për Jugosllavinë e viteve 1960 - ‘70, rrjedhshmëria e Fehmiut në serbisht dhe përdorimi i kësaj gjuhe si mjet krijues dëshmon për mbrojtjen e unitetit dhe vullnetit të mirë midis popujve.

Për Shqipërinë, ishte zotërimi i gjuhës amtare që lejoi hyrjen e Fehmiut, megjithëse e kujdesshme dhe e pjesshme, në dialog me komunitetin artistik shqiptar - - asgjë konkrete në nivel profesional nuk u materializuar nga ky dialog.

Në Perëndim, theksi dallues i anglishtes e bëri Bekim Fehmiun të shihej si aktor prototip edhe ekzotik. Edhe kur luajti rolin e një serbi etnik në filmin hollivudian “The Deserter” (1969), theksi i anglishtes së tij ishte padyshim jo-serbisht, por shqip, dhe i panjohur për shumicën e amerikanëve të asaj kohe. Nga kritikët, aktori Bekim Fehmiu është cilësuar si një përzierje midis Zhan Pol Belmondos dhe Marlon Brandos. Ai ishte i pari aktor nga Europa Lindore të cilit iu hapën dyert e studiove filmike në Perëndim gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Më 1998, Fehmiu u largua nga skena e teatrit në Beograd në shenjë proteste ndaj politikës anti-shqiptare në Kosovë. Po atë vit, lexuesit e revistave kryesore italiane e votuan atë si një nga dhjetë burrat më tërheqës të shekullit të 20-të. Filmat serial L'Odissea (1968) kishin shënuar kthesën drejt suksesit të kinematografisë televizive italiane.

Bekim Fehmiu u shfaq në mbi 40 filma midis viteve 1953 dhe 1998. Ai ishte aktori i parë shqiptar i teatrit dhe filmit që aktroi në të gjithë Jugosllavinë, duke u shfaqur në një seri rolesh që ndryshuan historinë e kinemasë vendase dhe lanë gjurmë në zhvillimet artistike gjetkë. Në fund të karrierës së tij ai kishte luajtur në prodhime filmike në nëntë gjuhë, përfshirë gjuhët ballkanike, frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe italisht.

Bekim Fehmiu vdiq më 15 qershor 2010 në banesën e tij në Beograd. Fillimisht u tha se kishte kryer vetëvrasje. Pastaj u njoftua se u gjet i qëlluar dhe arma ishte regjistruar në emrin e tij. Trupi i aktorit u kremua dhe hiri u shpërnda në lum në Prizren, shtëpia e tij e fëmijërisë.

44 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page