Tradita, Mendimi shqiptar dhe Shkolla e sotme shqipe


    Krist Maloki

    Tradita, Mendimi shqiptar dhe Shkolla e sotme shqipe


    Dr Fatmir Terziu


    Etërit e mendimit shqiptar të traditës në vitet 20’- 40’ të shekullit të kaluar, si Branko Merxhani, Gjergj Fishta, At Zef Valentini, Tajar Zavalani, Krist Maloki, Vangjel Koça, etj., figura të shquara intelektuale kombëtare që kërkonin për Shqipërinë e asaj kohe një zhvillim të përparuar europian, nuk njihen mjaftueshëm. Edhe pse veprat e personaliteteve të tillë kanë dalluar aso kohe për orientimin e mendimit të shquar shqiptar, njohja e veprave të tyre ka qenë e ndaluar gjatë regjimit komunist.

    Çuditërisht, pikëpamjet e këtyre intelektualëve në shërbim të shoqërisë shqiptare dhe në funksion të zgjidhjes me sukses të problemeve të kohës, janë aktuale edhe sot për Shqipërinë, pasi këta etër të mendimit shqiptar të traditës kërkonin qysh atëhere t’a shihnin Shqipërinë një vend të lirë, demokrat dhe të integruar në Evropë. Nisur nga aktualiteti mbi vlerat e këtij grupimi intelektual, studiuesit e albanologjisë me kohë kërkuan forcimin e mendimit shqiptar si të domosdoshëm, kërkesë që e ofruan edhe gjatë koferencës mbarëkombëtare shkencore “Mendimi shqiptar dhe shkolla shqipe”, ku merrnin pjesë studiues nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

    Të gjithë e kosideruan konferencën dhe idetë e saj si një rrugë drejt krijimit të simbiozës të lakmuar të shkollës sonë me mendimin shqiptar të traditës. 

    Ministri i Arsimit dhe Shkencës, i asaj kohe do të deklaronte se, “falë etërve tanë të mendimit, ne shëndoshim gjykimin tonë sot për atë që duhet të realizojmë për edukimin e brezave, ndonëse sot në shek. XXI koha është krejt tjetër, zhvillimi njerëzor ka bërë shumë para, shqiptarët kanë arritur një stad tjetër krahasuar me një shekull më parë”.

    Kjo, do të ishte shumë e dobishme për brezat e sotëm dhe për të vendosur barazpeshën e munguar për gjysëmshekulli në mendimin shqiptar për shoqërinë, formimin e njeriut, por edhe integrimin e të rinjve. Pjesa më e madhe e intelektualëve të viteve 20’-40’ kishin studiuar në universitet më në zë të Europës dhe kërkonin atë që shqiptarët e sotëm kërkojnë: t'a shohin Shqipërinë drejt Europës.

    Përqajsa e vështrimeve të sotme dhe të djeshme do të mund të ndihmonte në maturinë e mendimit dhe veprimit të sotëm, por dhe të nesërm. Duke studiuar sot mendimin e tyre, ne u mësojmë të rinjve të sotëm që nesër kur të jenë vendimmarrësit e vendit, të mund të projektojnë të ardhmen e tyre më mirë se sot. Mendimi i traditës shqiptare e viteve 20'- 40 solli në shumë fusha të kulturës ndihmesë të çmuar në forcimin dhe formimin patriotik, historik, kulturor shoqëror, filozofik dhe institucional të shqiptarëve, hapi udhë të reja në formimin gjuhësor, gazetaro-politikë, të cilat ofrohen sot si modele të admirueshme për shtypin dhe publikun. Ajo periudhë pasqyronte botën shqiptare me studime të veçanta albanologjike dhe etnografike, të cilat edhe sot vazhdojnë t'i qëndrojnë kohës, ndërsa patën ndikim në shumë çështje shoqërore, ekonomike, psikologjike, etj.

    Përkimi, përthithja dhe pasurimi i të gjitha niveleve të shkollës sonë me mendimin shqiptar të traditës, veçanërisht të mendimit kulmor të viteve 30' dhe dijeve që reflektohen në aktualitetin e sotëm shqiptar, duhet të shndërrohet në një prej prioriteteve më të rëndësishme të strategjisë tonë kombëtare, aq më tepër që bazimi i shkollës te kultura kombëtare përbën edhe njërën nga shtyllat kryesore të Kartës së Bolonjës. Kjo qendër e re, që ka nisur të funksionojë kohë më parë dhe ka si qëllim, njohjen e autorëve të mendimit shqiptar, ka botuar edhe një manual tematik dhe bibliografik. Panorama e shkurtër përshkruese e ideve, teorive dhe fushave të lëvruara nga mendimi i traditës shqiptare i viteve 30', dëfton rëndësinë e madhe që ka studimi i tyre në shkollën tonë dhe urgjencën e ndërfutjes së tij në strukturat kurrikulare. Përshkrimi i jetës dhe veprës të disa prej autorëve më të mëdhenj të kulturës shqiptare, por që janë krejt të panjohur për shkollën tonë, tregon boshllëkun që krijon mosnjohja e këtij mendimi. Duhet vënë në dukje edhe për nevojën e domosdoshme të pasurimit të bibliotekave të shkollës tonë me veprat e etërve të mendimit të traditës shqiptare.


    #terziu #fatmir #krist #maloki

    8 views

    Shkrimet e fundit