Tjetër është profecia, tjetër realiteti


Roland Gjoza

Tjetër është profecia, tjetër realiteti

Roland Gjoza


I dashur Fatmir.


Zoti të ka falur si dhunti tjetër dashamirësinë. Na ke hapur një portë. Ti vetë rri në natën e çuditshme të letrave me një fener që bën dritë për të gjithë. Ti i dashur u thua hyr të gjithëve dhe me një fjalë të ngrohtë, qoftë kushdo në dukje e në karat, u jep zemër. Kjo është vërtet zemër. Sepse sot për fat të keq s'ka zemër, po fjalë që vret më fort se plumbi. Letërsia është me dobësinë më pranë se me forcën. Ajo prodhon forcë, po nga dobësia. Të dobëtit kërkojnë strehë, ata kanë pallate, po nuk e dinë. Shumë vonë kuptohet kjo gjë. Tjetër është profecia, tjetër realiteti. Gjon Pagëzori u shfaq në shkretëtirë dhe lëshoi profecinë. Tek ai zbriste fryma. Ai nuk u harrua.Po kjo është vlerë për idealin,se në jetë bëjnë pallë mbretërit. Ata s'kanë frymë,po gëzojnë instinktin. Sot është koha e instinktit. Gjon Pagëzori i ri ndoshta është një homles, që se dëgjon njeri. Poetët janë prej racës së tij katandisur më keq se e keqja. Është bërë për të thirrur;ndihmoni Homerin! Ti mendon se ke përmendur emrin më të madh, zotëria i pallatit do të mëshirojë si homles dhe do të zgjasë një dollar. Kaq kushton Homeri! Kjo kohë ka ardhur dhe ne vijmë për dreq drejt kësaj kohe, sepse kryqëzimi s'qe trillim.

I dashur Fatmir, nuk e di pse më erdhën në kokë këto persiatje të çuditshme sapak të frikshme. Mos duhet të heqim dorë sa më parë nga ky mallkim? Dhe të biem në qetësi. Po e keqja është se ne nuk e mbajmë fjalën. Prandaj s'na duan në jetën reale, se ne seriozisht nuk e mbajmë fjalën. Të tjerët nuk e mbajnë kurrsesi, po nuk e shpallin. Sepse ata janë në lojë.Ne gjithmonë jemi jashtë lojës. Na marrin për pak tuafë e budallenj. Ngaqë ne i themi gjërat siç janë. Ç'naivitet! Dhe na lënë pa strehë. Shkretëtirave të letrave. I mbjellim me profeci të vogla,po ato s'mbijnë. Përpiqemi sërish e sërish, gjithë jetën në këto shkretëtira. Ka kohë që s'na e vënë veshin ne. Dhe mirë e kanë. Kush ua vë veshin letrave të shkretëtirta, kur në qarkullim kërcasin letrat e florinjta? Karati me kallpin. Kështu e mendojnë. Ndoshta kanë të drejtë,ndoshta s'kanë. Jep një letër me poezi,merr një ngërdheshje, në qoftë se këmbëngul, shtypet numri i policisë. S'ecën, zotëri, nuk e pranojnë. Të shkruash poezi dhe të vdesësh. Në qoftë se do të mbetesh i pastër. Po kush është i pastër? Marr trenin dhe shkoj në punë. Shkruaj vargje rrugës, të më falin zonjat, me brekë nëpër këmbë. Me këtë dilemë jam; të shkruaj,apo të mos shkruaj. Po ja, dalin ca Fatmirë me fener te porta dhe na bëjnë strehë ne të pastrehëve, dhe na japin tesha ne të paveshurve, dhe na japin bukë ne të uriturve. Gjon Pagëzori e kishte vendin në shkretëtirë, për të mos folur pastaj për Mesinë.Që andej nga vuajtja e vuajtjeve nxorrën dritën e përjetshme, që bota e di, bën sikur e ndjek, bën sikur e trashëgon,ia kremton dhe festën, po atje e lë sërish, të lindurin me damkën e qielltë, të vuajturin e vuajtjeve. Ajme!

Me dashuri Rolandi.


#terziu #fatmir #roland #gjoza

17 views

Shkrimet e fundit