top of page

Timo Mërkuri: Pse vajtimi në Veri dhe në Kosovë nuk mori trajtën e këngës iso-polifonike?

4 hours ago
7 min read


Nga Timo Mërkuri

Në kuadrin e debateve mbi prejardhjen e këngës iso-polifonike nga ligjërimet mortore, një kundërshtar i kësaj teze më shtroi një pyetje: nëse kënga iso-polifonike buron nga vajtimet e grave, përse edhe vajtimet e nënave kosovare apo të grave të krahinave veriore nuk u shndërruan në këngë iso-polifonike? Edhe ato kanë vajtuar të vdekurit dhe e kanë aplikuar vajtimin në grup. Pyetja meriton vëmendje, por përgjigjja nuk mund të kërkohet vetëm te fakti se gratë mblidheshin dhe vajtonin së bashku. Duhet parë se çfarë ndodhte brenda këtij grupi, si ndërtohej marrëdhënia midis zërave dhe, sidomos, çfarë jete shoqërore e mbante gjallë atë mënyrë të të vajtuarit.

Kur flas për vajtimet e grave të Shqipërisë së Jugut, kam parasysh një dukuri që lidhet ngushtë me vetë organizimin e jetës në këto treva. Fshatrat, në pjesën më të madhe, janë të grumbulluara, të ndara në lagje, me shtëpi pranë njëra-tjetrës. Njerëzit jetojnë në një afërsi që nuk është vetëm largësi e shkurtër mes dy portave. Është një marrëdhënie e përditshme, ku ndahen punët, gëzimet, hallet dhe, kur vjen ora e rëndë, edhe dhimbja. Në këto rrethana, vdekja e një njeriu nuk mbetet vetëm brenda mureve të familjes. Ajo del në prag, mbledh gratë, zgjon kujtesën e bashkësisë. Vajtimi bëhet një ngjarje ku marrin pjesë shumë zëra.

Por ajo që më intereson këtu nuk është thjesht numri i grave që mblidhen rreth të vdekurit. Është mënyra si ato vajtojnë. Njëra e nis ligjërimin, të tjerat e ndjekin, i përgjigjen, e mbështesin. Ka një rend, një ndarje rolesh, një njohje të mënyrës si duhet të vijojë vajtimi. Zëri individual nuk humbet, por gjen vendin e vet mes zërave të tjerë. Kështu, dhimbja e njërës bëhet e dëgjueshme për të gjitha dhe, në njëfarë mënyre, merr frymën e bashkësisë. Pikërisht këtu shoh një nga afritë që mund të na ndihmojnë të kuptojmë lidhjen e vajtimit me këngën iso-polifonike. Jo sepse të dyja janë e njëjta dukuri, por sepse në këtë traditë vajtimi gjenden marrëdhënie zërash, përgjigjesh e mbështetjesh që krijojnë një terren të veçantë për zhvillimin e këndimit shumëzërësh.

Sigurisht, kalimi nga ligjërimi vajtimor në këngë nuk duhet përfytyruar si një kapërcim i drejtpërdrejtë. Midis tyre qëndron logatja, së cilës i kushtoj rëndësi të veçantë në këtë proces. E kam parë atë si një urë të ngritur mbi një lumë: në njërin breg niset vajtimi, në tjetrin mbërrin kënga. Por kjo urë nuk kalohet brenda një çasti. Pas saj qëndron një ecje e gjatë, disa shekullore, gjatë së cilës ligjërimi vajtimor ka ndryshuar pak nga pak, duke marrë tipare të këndimit, pa e humbur krejt atë që mbartte prej burimit të vet.

Rëndësia e logatjes bëhet edhe më e qartë kur shohim mënyrën si ajo organizon zërat. Logatja interpretohet nga një person i vetëm, i cili me zërin e vet rikrijon të gjithë zërat e grupit, si në vajtim, ashtu edhe në këngë. Në fillim ai ndjek organizimin e zërave të grupit vajtimor; më pas, gjatë interpretimit, zëri merr organizimin e grupit të këngës. Kështu, brenda një interpretimi të vetëm, bëhet i dëgjueshëm procesi i kalimit nga organizimi vajtimor i zërave te organizimi i tyre në këngë. Nuk kemi thjesht një njeri që kujton ose imiton vajtimin. Kemi një interpretim ku vajtimi merr gradualisht trajtën e këngës. Logatja, në këtë kuptim, nuk është vetëm kujtim i një mënyre të vjetër të të shprehurit, por vetë procesi i shndërrimit të saj.

E kundërta ka ndodhur në zonat veriore. Edhe aty nuk ka munguar vajtimi kolektiv. Gratë kanë vajtuar së bashku, kanë ndarë dhimbjen dhe kanë ruajtur forma të trashëguara të këtij riti. Por kolektiviteti nuk merr kudo të njëjtën trajtë. Organizimi i vendbanimeve, largësia mes shtëpive dhe marrëdhëniet e përditshme kanë veçoritë e tyre. Në disa prej këtyre krahinave, banimi më i shpërndarë mund të ketë ndikuar në mënyrën si mblidhej bashkësia dhe si merrte pjesë në jetën e përbashkët. Kjo nuk do të thotë se njerëzit jetonin pa lidhje me njëri-tjetrin. Do të thotë se afërsia dhe bashkësia shpreheshin edhe në forma të tjera.

Një dëshmi e veçantë e mënyrës së shprehjes të dhimbjes në zonat veriore është “Gjama e burrave” të Malësisë. Aty vajtimi merr një pamje të fuqishme dhe të organizuar. Një grup prej dhjetë deri në pesëmbëdhjetë burrash rreshtohet përpara të ndjerit, të shtrirë pranë rrëzës së një peme. Ata shqiptojnë me zë të përvajshëm formula të njohura vajtimore, si «I mjeri unë për ty», të trashëguara në traditën zakonore dhe të pasqyruara edhe në Kanun. Pastaj afrohen drejt trupit dhe tërhiqen sërish. Rrahin gjoksin, përkulen, ulen dhe godasin dheun me pëllëmbë. Çdo gjest ka vendin e vet. Fjala, zëri dhe lëvizja bëhen pjesë e një shprehjeje të përbashkët të dhimbjes.

E parë nga larg “Gjama e burrave” ka formën e një Teatri muzikor. Veçse se nuk është teatër në kuptimin artistik të fjalës. Nuk kemi të bëjmë me një skenë të përgatitur, as me njerëz që interpretojnë një dhimbje të sajuar. Është vetë dhimbja që shfaqet përmes një rendi të trashëguar fjalësh e gjestesh. Por mënyra si organizohet, rreshtimi i burrave, lëvizjet e tyre dhe prania e njerëzve që e ndjekin, të kujtojnë një skenë të hapur në natyrë. Në këtë kuptim figurativ, mund ta quajmë  teatër muzikor vajtimor. Jo sepse është teatër, por sepse dhimbja merr një formë të dukshme dhe të dëgjueshme, ku fjala, zëri dhe gjesti bashkohen në një shfaqje kolektive.

Gjama e burrave dhe kënga iso-polifonike janë dy forma më vete të trashëgimisë sonë kulturore. Ato nuk zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe as nuk duhen parë si dy trajta të së njëjtës dukuri. Secila ka lindur dhe është zhvilluar në mjedise e kushte të caktuara, duke ruajtur strukturën dhe mënyrën e vet të shprehjes. Në njërën, dhimbja merr formën e një riti të përbashkët, ku fjala, zëri dhe gjesti bashkohen në një shprehje të fuqishme mortore. Në tjetrën, zërat ndërthuren në një organizim të veçantë këndimi. Të dyja dëshmojnë pasurinë e mënyrave përmes të cilave populli ynë ka shprehur përvojat e veta më të thella.

Nëse në pjesën jugore të Shqipërisë talenti shprehës i popullit u zhvillua edhe përmes këngës iso-polifonike, në Malësi ai gjeti një trajtë të veçantë në gjamën e burrave. Kjo është një nga ato veçori që duhen parë brenda mjedisit ku kanë marrë formë. Nuk kemi të bëjmë me mungesë të aftësisë për të krijuar forma të tjera këndimi, por me rrugë të ndryshme të shprehjes dhe të ruajtjes së trashëgimisë.

Në Veri dhe në Kosovë, edhe logatja nuk duket se ndoqi të njëjtën rrugë përdorimi dhe zhvillimi që njohu në Shqipërinë e Jugut. Traditat zakonore dhe kushtet e jetës në këto treva mund të kenë ndikuar në këtë ndryshim. Kjo është një nga rrethanat që mund të merret në konsideratë kur përpiqemi të kuptojmë dallimet ndërmjet trajtave të këngës. Por kjo nuk do të thotë se në Veri e në Kosovë vajtimi nuk u shndërrua në këngë. Përkundrazi, një pjesë e tij u ruajt në ligjërimin këngor. Këtë e dëshmon Vajtimi i Ajkunës, i përcjellë në traditën epike, por edhe vajtime të tjera reale të shekullit të kaluar, që kanë kaluar nga dhimbja e drejtpërdrejtë në kujtesën e bashkësisë.

Një faktor tjetër lidhet me drejtimin që ndoqën traditat e këngës në Veri dhe në Jug. Në Veri dhe në Kosovë, një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë muzikore u zhvillua përmes këngëve epike. Aty zëri i rapsodit mbante rrëfimin, ndërsa lahuta e shoqëronte. Kënga mbështetej te një zë prijës, solo, që përcillte historinë dhe bëmat e heronjve. Në Jug u zhvillua një organizim tjetër i zërave. Marrësi, kthyesi dhe isoja krijuan një marrëdhënie të veçantë bashkëkëndimi. Këto dy rrugë dëshmojnë mënyra të ndryshme të organizimit dhe të përcjelljes së trashëgimisë muzikore. Mund të mendohet se edhe zhvillimi i këngës epike me zë prijës dhe shoqërim instrumental ka qenë një ndër faktorët që ndikuan në formësimin e kësaj veçantie.

Në Shqipërinë e Jugut, kjo trashëgimi u zhvillua në këngën iso-polifonike, pa shoqërim instrumental. Në Veri dhe në Kosovë, vajtimi ka lënë gjurmë në forma të tjera të shprehjes: në gjamën e burrave, në këngët majekrahu dhe në ato të shoqëruara me lahutë. Kjo nuk është një kundërshti, por një larmi formash përmes të cilave është shprehur përvoja jonë e përbashkët kulturore. Këngët janë organizma të gjalla. Ato marrin trajtë sipas mjedisit ku lindin, rriten dhe përcillen.

Edhe në këngët e këtyre trevave, kolektiviteti nuk mungon. Ai dëgjohet në thirrje si «heeej» apo «o heeej» që e kanë këngët aktualisht. Dëgjohet edhe në zgjatjen muzikore të zanoreve fundore, te fjalë si «maleeeet». Këto tinguj e nxjerrin zërin përtej vetes dhe sikur kërkojnë praninë e të tjerëve. Nuk do t’i barazoja me ison, sepse janë dukuri të ndryshme. Por ato dëshmojnë se kënga shqiptare e ka ruajtur ndjenjën e bashkësisë edhe përmes mënyrave të tjera të shprehjes. Një thirrje e tillë nuk është vetëm tingull; është edhe një ftesë për t’u bërë pjesë e këngës.

Këtu duhet të ndalemi edhe te mënyra si kjo traditë është përcjellë në kohë. Vajtimi nuk mësohej nga ndonjë udhëzim i shkruar. Vajza rritej mes zërave të nënës, gjyshes dhe grave të tjera të familjes e të lagjes. I dëgjonte kur vajtonin. Mësonte si thirrej i vdekuri, si ndërtohej ligjërimi, si mbahej zëri dhe si i përgjigjeshin njëra-tjetrës gratë. Shumë gjëra përvetësoheshin pa u shpjeguar, vetëm duke qenë aty, duke dëgjuar e duke marrë pjesë. Kur vinte koha, vajza bëhej vetë pjesë e këtij riti. Kështu, nga nëna te bija, nga një brez te tjetri, përcillej jo vetëm fjala, por edhe mënyra e të vajtuarit. Një kujtesë zanore që nuk ruhej në letër, por në jetën e njerëzve.

Edhe kënga ka jetuar përmes kësaj përcjelljeje. Ajo është dëgjuar në familje, në dasma, në gëzime e në mbledhje të ndryshme të bashkësisë. Është mësuar duke kënduar me të tjerët dhe është ruajtur në kujtesën e brezave. Në këtë kuptim, vajtimi dhe kënga kanë një pikë takimi: të dyja mbështeten te një traditë që nuk i përket vetëm individit, por një bashkësie që e ruan dhe e përcjell. Kjo nuk provon vetvetiu se kënga iso-polifonike lindi drejtpërdrejt nga vajtimi. As nuk na tregon çastin kur ndodhi ky kalim. Por na ndihmon të kuptojmë se një traditë e tillë nuk mund të shkëputet nga jeta që e ka ushqyer.

Pyetja pse vajtimet e Veriut dhe të Kosovës nuk morën trajtën e shumëzërrëshitë nuk e rrëzon tezën mbi prejardhjen e këngës sonë iso-polifonike. Ajo na çon te një çështje tjetër: çfarë e favorizoi zhvillimin e një forme të veçantë të organizimit të zërave në disa treva të Jugut? Vajtimi është i përbashkët, por kolektiviteti nuk ka një fytyrë të vetme. Ai mund të marrë trajtën e një grupi grash që vajtojnë, të një thirrjeje që kërkon përgjigje, apo të gjamës së burrave, ku dhimbja shprehet përmes fjalës, zërit dhe gjestit.

Për mua, këtu qëndron thelbi i çështjes. Nuk është e nevojshme të kërkojmë pse të gjitha vajtimet shqiptare nuk u bënë iso-polifoni. Duhet të shohim se çfarë e favorizoi këtë zhvillim në Shqipërinë e Jugut: një jetë e mbështetur te bashkësia, një traditë vajtimi me marrëdhënie të dallueshme midis zërave dhe një përcjellje e vazhdueshme nga brezi në brez. Në këto rrethana mund të kërkojmë disa nga gjurmët e hershme të këngës iso-polifonike. Sepse zëri që vajton nuk është kurrë vetëm zëri i një njeriu. Pas tij qëndrojnë të tjerët, kujtesa e tyre dhe një mënyrë e të jetuarit së bashku. Ndoshta pikërisht aty, në atë afërsi njerëzore, duhet të kërkojmë një pjesë të historisë së kësaj kënge.


Sarandë, tetor 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page