top of page

Timo Mërkuri: FLAMURI I NJË DASHURIE QË RRËSHQET

  • 4 hours ago
  • 4 min read


Nga Timo Mërkuri

Së pari duhet theksuar se kjo është një poezi e plotë dhe jo një fragment i lënë në mes. Te Natasha Lako, shkurtësia është një mënyrë e përqendrimit artistik. Ajo nuk e zgjat vargun për të shpjeguar, por e shkurton për të lënë hapësirë. Poezia mbaron aty ku ndjenja ajo fillon të hapet dhe të marrë frymë te lexuesi, si një dritë e butë që zgjatet pa u venë re në mbrëmje.

Kjo poezi ndërtohet mbi një krahasim, por jo për të barazuar dy pamje. Përkundrazi, për t’i vendosur këto dy pamje përballë njëra-tjetrës, në një raport të heshtur tensioni. Dy botë që nuk përputhen, por që pikërisht nga kjo mospërputhje krijojnë kuptim, si dy brigje që nuk bashkohen, por e bëjnë lumin të duket më i thellë.

1. Struktura mbi krahasimin si përplasje e dy botëve

Poezia ndahet në dy krahë të dallueshëm:

“Një patinë hëne,

tregon historinë e lojërave olimpike diku larg”

dhe

“si flokë bore, rrëshqet dhe bie edhe dashuria ime,

që kërkon flamurin tim”

Lidhja “si flokë bore” duket sikur i bashkon, por në të vërtetë ajo vetëm sa e bën më të ndjeshme ndarjen, si një ftohje dimërore, si një heshtje që bie mes dy njerëzve pa thënë asnjë fjalë. Krahu i parë është i largët, i ftohtë, historik. Krahu i dytë është i afërt, i brendshëm dhe i ndjeshëm. Poezia qëndron në këtë hapësirë mes tyre, aty ku mendimi dhe ndjuenja nuk prekin njera tjetrën, por e ndjejnë praninë.

2. “Patina e hënës”: një vel drite mbi historinë

“Një patinë hëne” është një figurë e pazakontë dhe shumë e kursyer. Ajo nuk tregon një objekt, por një gjendje. Një shtresë e hollë drite që mbulon botën dhe e bën atë të duket më e heshtur, më e ftohtë, më e largët, si një kujtim që nuk të afrohet plotësisht.

Në këtë dritë, edhe historia ndryshon natyrë:“tregon historinë e lojërave olimpike diku larg”.Lojërat Olimpike janë simbol i gjallërisë, i trupit, i garës, i flamujve. Por këtu ato nuk përjetohen. Ato vetëm “tregohen” “diku larg”. Kjo largësi i heq atyre nxehtësinë dhe i kthen në kujtim, në një imazh të zbehur që kalon mbi një sipërfaqe të ftohtë, si një film I vjetër që shfaqet pa zë në mendje.

Është si të shohësh lavdinë njerëzore jo nga brenda saj, por nga një distancë e heshtur, ku gjithçka është zbutur dhe ftohur, dhe ku edhe triumfi tingëllon I largët.

3. Rrëshqitja e dashurisë: një rënie e butë dhe e pashmangshme

Nga kjo botë e largët, poezia zbret papritur në një përjetim shumë të afërt:“si flokë bore, rrëshqet dhe bie edhe dashuria ime”

Flokët e borës nuk bien me zhurmë. Ato nuk krijojnë dramë, ato thjesht prekin tokën dhe zhduken, si diçka që ndodh për tu ndjerë, jo për tu parë. Kjo e bën krahasimin shumë të ndjerë.

Edhe dashuria këtu nuk është një shpërthim. Ajo është një rrëshqitje, një rënie e qetë, Një shuarje pa zë, një ikje pa lamtumirë.

Kjo mënyrë e të thënit e thellon ndjesinë. Sepse nuk kemi një fund të fortë, por një tretje të butë, një “shkrirje” si dëbora. Një humbje që ndodh pa u kuptuar plotësisht në çastin kur ndodh, si një ndjenjë që largohet para se ta kuptosh se ka filluar të largohet..

4. Flamuri: kërkimi i një vendi për të qëndruar

Në këtë rënie të heshtur, shfaqet kërkesa më e fortë e poezisë:“që kërkon flamurin tim”. Kjo fjalë e lidh menjëherë me botën e vargjeve të para. Flamuri është simbol i Olimpiadës , i përfaqësimit, i identitetit. Por këtu ai bëhet personal. “Flamuri im”.

Pra këtu dashuria kërkon të mos mbetet e paemër. Ajo kërkon një shenjë, një vend, një pranim. Kërkon të vendoset diku, të mos jetë kalimtare si bora, të mos shkrijë pa lënë gjurmë.

Por kjo kërkesë vjen në çastin kur ajo po bie, dhe pikërisht kjo e bën më të ndjeshme dhe më të dhimbshme, si një dorë që zgjatet kur gjithçka po largohet.

5. Ura e fshehtë: nga historia e largët te ndjenja personale

Në pamje të parë, dy pjesët e poezisë duken të ndara, por në thelb ato lidhen në një mënyrë të brendshme: nga “historia e lojërave olimpike diku larg”te “flamuri im

Kjo është një lëvizje e qetë nga kolektivja te individualja. Nga historia e madhe e njerëzimit te historia e vogël e një ndjenje. Por në të dy rastet kemi të njëjtin kërkim: dëshirën për të pasur një “flamur”,  një  shenjë, për të qenë dikush, për të mos u tretur në harresë, për të mos qenë vetëm një kalim I padukshëm në kohë..

6. Dy botë përballë: ftohtësia dhe brishtësia

Poezia vendos përballë dy gjendje: një botë të largët dhe të ftohtë: që “tregon historinë e lojërave olimpike diku larg” dhe një ndjenjë të brishtë dhe kalimtare: ku rrëshqet dhe bie edhe dashuria ime”

Këto dy botë nuk bashkohen plotësisht,  ato vetëm pasqyrojnë njëra-tjetrën, si dy sipërfaqe të qeta që mbajnë brenda thellësi të ndryshme.. Madhështia e ftohtë e historisë dhe brishtësia e dashurisë takohen për një çast dhe pastaj largohen, pa bërë zhurmë.

7. Thelbi poetik: një ndjesi që mbetet pezull

Kjo poezi nuk jep përfundime. Ajo nuk mbyllet me një mendim të prerë, ajo lë një gjendje.Një botë që shihet nga larg, si përmes një drite të zbehtë:“Një patinë hëne…”

Një ndjenjë që nuk arrin të qëndrojë:“rrëshqet dhe bie edhe dashuria ime”

Dhe një kërkesë që mbetet pezull në ajër:“që kërkon flamurin tim”

Në fund, ajo që mbetet është një ndjesi e lehtë dhe e thellë njëkohësisht. Si bora që bie pa zhurmë. Si një dritë hëne që mbulon gjithçka, por nuk e ngroh, por vetëm e prek lehtë dhe largohet. Dhe pikërisht në këtë qetësi të ftohtë, poezia bëhet e plotë si një mendim që nuk mbyllet, por vazhdon të të ndjekë edhe pasi ke mbaruar leximin.


Sarandë, prill 2026

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page