
Timo Mërkuri: Melodiciteti dhe muzikaliteti i poezisë së Fatmir Terziut
Poezia “Vlorë ti kam borxh disa stërkala” nga Fatmir Terziu më imponoi një lexim të dyfishtë, jo për kuptimshmërinë tekstuale, apo artistike dhe as për ndonjë "ndjesi xhelozie", se poeti do Vlorën më shumë se Sarandën, ndonëse kjo ndjenjë është e natyrshme te poetët për krijime të tilla. Arsyeja ishte tjetër, duke e lexuar poezinë për së dyti, qysh në vargjet e para nisa t'i këngëzoj dhe ajo që është më e çuditshmja për mua është se këngëzimin e bëja sipas melodisë qytetare vlonjate dhe jo sipas këngëve pilurjote, që do ishte më e pranueshme për mua. Në fund pashë se me dy tri spostime vargjesh dilte vërtet një këngë e bukur, e denjë për Trion e famëshme Vlonjate. Atëherë kuptova se kjo poezi është frymëzim dashurie dhe jo frymëzim motivi dhe si çdo këngë me frymëzim dashurie, melodicitetin dhe muzikalitetin e ka brenda vetes, midis vargjeve. Por le të flasim pak për këtë dukuri.
I-Kjo poezi ndërthur melodicitetin dhe muzikalitetin poetik me një qasje të ngjashme me atë të këngëve tradicionale qytetare vlonjate, duke u mbështetur në disa elemente kyçe:
1. Poezia ndjek një ritëm të rregullt dhe të qetë, që krijon një ndjesi të ngjashme me valëzimin e detit. Përsëritja e elementeve të ngjashme, si “stërkala,” “lotë,” dhe “dashuri,” krijon një harmoni muzikore të brendshme, që i jep poezisë një strukturë melodike.
2. Poezia është e pasur me zanore të hapura si “a” dhe “o,” të cilat ngjasojnë me britmat apo thirrjet e gëzimit apo pikëllimit që dëgjohen në këngët tradicionale vlonjate. Për shembull, vargu “do ti vendosja të gjitha në një odeon” ka një tingëllim të pasur, që mbështetet nga zanoret melodike dhe kadenca natyrale.
3.Edhe pse nuk ndjek rima të rrepta të teksteve tradicionale, poezia ka një rrjedhshmëri që buron nga harmonia e tingujve dhe përsëritja ritmike e frazave, duke krijuar një efekt muzikor.
II- Melodiciteti dhe muzikalitetin i poezisë ka qasje me këngët tradicionale qytetare vlonjate dhe kjo duket te :
1.Tematika e dashurisë dhe detit që është struktura bazë e poezisë, e cila, si këngët tradicionale vlonjate, përqendrohet te lidhja e thellë emocionale midis poetit dhe vendit të tij, simbolizuar nga deti dhe dashuria, aq të pranishme në ato këngë. Deti Jon, stërkalat, dhe lotët përfaqësojnë dashuri të pakushtëzuar dhe të përjetshme, ndjenjë e cila është shpesh boshti kryesor i këngëve qytetare.
2.Shpirtërimi i elementeve natyrore është burim i muzikalitetin dhe finesë së tij. Në poezinë e Terziut, deti dhe elementet e tij (stërkalat, valët, lotët) marrin një shpirt dhe bëhen pjesë e ndjenjës njerëzore. Ky shpirtërim është një teknikë e zakonshme në traditën poetike dhe muzikore të Vlorës.
3.Refreni dhe ritmi i përshpirtshëm i poezisë është i përshtatshëm dhe i efektshëm në muzikalitetin dhe melodicitetin poetik. Poezia mund të krahasohet me një këngë që përsërit një motiv ose një ndjenjë, duke krijuar një refren të heshtur përmes frazave si: “do të të fal miliona lotë dashurie” dhe “në librin tim do të strehoja vetëm dashuri.”
III- Elemente moderne dhe tradicionale ndërthuren mjeshtërisht te kjo poezi duke favorizuar melodicitetin dhe muzikalitetin e saj.
Terziu me vetëdije dhe talent modernizon melodinë dhe frymën tradicionale përmes metaforave të reja si “mesazh në një shishe” apo “odeon,” duke shtuar një shtresë bashkëkohore në një traditë poetike të rrënjosur në histori.
Përshkrimi plotësues në fund i shton një dimension filozofik e introspektiv poezisë, duke e lidhur dashurinë për Vlorën me kalueshmërinë e jetës dhe pavdekësinë e artit.
Pra, si përfundim themi se: melodiciteti dhe muzikaliteti i poezisë së Fatmir Terziut rrjedhin nga ndërthurja e një lirike të natyrshme me ritmin dhe shpirtin e këngëve tradicionale vlonjate. Dashuria për Vlorën dhe detin, e përjetuar si një ndjenjë universale, tejkalon kohën dhe hapësirën, duke ruajtur në zemër ritmet dhe emocionet e trashëgimisë qytetare të këngëve vlonjate.
Duke konkluduar, pas këtyre që shkrova, çuditërisht u ndjeva mirë që poeti ka dhe shfaq një të tillë dashuri poetike të këngëzuar në vargje si në pentagram për Vlorën, dashuri e cila i frymëzohet nga shumë faktorë historikë, shoqërore, natyrorë dhe ndjenja personale. Është bukur të shohësh e të ndjesh një të tillë dashuri të madhe, të motivuar dhe të pakushtëzuar si kjo e Fatmir Terziut.
*********************************************************************************************************
Vlorë ti kam borxh disa stërkala (!)
Nga Fatmir Terziu

Ti kam borxh disa stërkala,
Vlorë do të ti kthej në yje.
Dhe nëse duhet deti të mbushet nga e para,
do të të fal miliona lotë dashurie.
Dhe të gjitha do ti mblidhja në poezi,
mbi batica të reja e mbi zbatica të vjetra,
në librin tim do të strehoja vetëm dashuri,
çkuptim do të kishin lotët e tjera?
Nëse do të ndodhte diçka ndryshe,
do ti vendosja të gjitha në një odeon,
ose të paktën si një mesazh në një shishe
që ti lexonte vetëm Deti Jon.
Vlorë, 1989-2024
Shënim plotësues: Stërkalat tona që ia kemi huazuar Jonit do të mbeten përtej bregut dhe betonit, shumë kohë e më shumë se një jetë të tërë, pasi vargjet të kenë bërë mesazhin e pavdekshëm në rërë, e kur aty të duket çdo pikë e derdhur, e çdo kristal do të duket akoma më i bukur, mos mendoni se dhimbjet do të jenë zhdukur. Dashuria e do brutalitetin e qetë të detit, e do fuqinë elektrike që ndjen me çdo frymëmarrje ajri të lagësht dhe të kripur si shenjë e sinqeritetit, si një prokurë e vendosur mbi një demion të vjetër, edhe kur e di se është thjesht një gënjeshtër.
Urime Timo Mërkuri! Një analizëe bukur, për një poezi të bukur. Vlerat artistike dhe muzikore e ngrenë lart cilësinë dhe ndjeshmërin e fjalës dhe të vargut. Mirënjohj edhe autorit Fatmir Terziu. Nuk e di ku e gjeti frymëzimin, apo ishte në Vlorë në këto dit të vjeshtës së tretë......!?