top of page

Thani Naqo: Trip-tik poetik

  • Jul 6, 2025
  • 1 min read

 

PIKËRISHT, TANI, JAM DUKE QESHUR

 

Nostalgjia ime është një mal i heshtur,

është pyll, edhe këngë e fllad kujtimesh.

E sotmja më ofron një vend për t'u prehur,

e ardhmja dyshime e pandehma përjetimesh.

 

Por tani, (pikërisht tani!), jam duke qeshur,

kam një derë dhe muret me drite e hije .

(Jo, nuk ka shkak për hamendje e për t'u trembur!)

Në dëshiron, hyrë; jam tempull mirësie.

 

 

PAS SHIUT

 

Pas shiut gjallojnë e shfaqen butë-butë,

Hëna e yjet e rrjedha e ujshme.

Ndërsa flladi flladon kujtesën e ngurtë,

tulatet kryeneçësia ime, e bujshme.

 

Hijet e pikëlluara e imazhet e fshehura,

edhe qirinjtë e përzhitur atje janë fikur.

Plakat gazmore, flok'pakrehura,

të pushojë shiu mezi kanë pritur.

 

Varka e Hënës që vozit mbi mal,

më nxit të rindez qirinjtë e kandilet me vaj.

E imja, pret me padurim në liman,

të erërohet flladi e fryjë velat e saj.

 

OSE, ME GËRMADHAT GUROHEM

 

Çfarë tjetër gjë më nxit të shkoj atje,

përveç gërmadhave mbuluar me ferra?

Majat e aheve që përshëndetin përtej,

apo tufa e reve si dhen e shqera?

 

Fijet e barit tregojnë se po kalon flladi,

është pararoja e Erës të Perëndimit të Largët. 

E di se era më ndjek hap pas hapi,

e bëhet fllad e flladon kur gërvishten plagët.

 

Ajo do më ndjekë edhe herën e fundit,

sikur nga Perëndimi fshehurazi të largohem.

Pandeh se pritem kur mpreh kosën a plorin,

ose, mes gërmadheve, gurohem.


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page