top of page

Thani Naqo: Cikël me 4 poezi lirike.

22 minutes ago
2 min read

Thani Naqo

 

AJO VJEN NGA THELLËSIA E SHEKUJVE

 

Ajo vjen nga thellësia e shekujve,

erotizmi ka qenë epiqendra e botës.

Lumturia femërore në sytë e meshkujve,

plagon me shkëlqim gjatë gjithë kohës.

 

Prania e saj i skllavëron romantikët,

ua kurdis zemrat; ata ja marin këngës.

Le të zhduken kodet e digjen kodikët,

kodin e saj, (e unë), e di përmëndësh.

 

Sa duam të jemi gjithnjë pranë saj,

ç'ë se vret ngadalë e me delikatesë.

S' na përfill ndjenjat, por dukjen, prandaj,

mospërfillja shekullore na bën të pashpresë.

 

SI VJESHTË TË KAM NDËRMEND

 

Ja, gjethet filluan të bien të trishta,

ngjyhen sytë e mi me ngjyra të flakta.

Era shtyn velat e ditëve të hirta,

ndërsa të nesërmet bëhen më të pakta.

 

Sa s'dua t'i kujtoj vjeshtat e zymta,

gjithësinë veshur me zhgun të mjegullt.

Skeletet e gjetheve, livadhet e brymta,

shirrat e egra e veten time të heshtur.

 

Jo. S'ish e tillë dita kur të pashë ty,

lodronte era me fustanin tënd.

Ngjyrat e vjeshtës ishin derdhur aty,

domethënë, kështu të kam ndërmend.

 

BUKURIA JOTE RI BRENDA TEJE

 

Bukuria jote ri fshehur brenda teje,

ajo lulëzon kur ti ndjen sinqerisht;

hijeshia e jashme fillon të zbehet,

kur bie në grackën e marrëzisë.

 

Le të mbetet karakteri yt i sinqertë,

zemra e butë e mban të pastër;

në je ajo, që shfaqesh vërtet,

ti s'ke nevojë të të mbajnë me hatër.

 

E ndjej mirësinë dhe hijeshinë tënde,

e falur qofsh për çdo keqkuptim,

tjetër femër nuk kam në mendje,

simpatia shembet me një mashtrim.

 

EDHE SE MËSOVA TËRË KËTO

 

Gjersa mësova të dhuroj mirësi,

të fal e të jem më i duruar,

provova hidhësinë ç' të bën një ligësi,

kur ta plagos shpresën për të jetuar.

 

Të jem i ashpër e i butë, mësova,

të deshifroj heshtjen e dikujt tjetër,

të çmoj dhuntitë e gjërat e vogla,

të qesh, me lot, me një barsoletë.

 

E di pse pabesia e tkur zemrën,

pse dyshoj sa herë e kqyr hënën,

pse kur përmend ndonjë emër të shpifur,

mëmëris gërmat e pista: i q... t...m...n.

 

2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page