Teuta Sadiku: Variacione krahasuese të motivit të dashurisë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 7
- 7 min read

Parathënie
Variacione krahasuese të motivit të dashurisë
në vëllimin ``Duet Poetik`` Anita Tafa dhe Isa Ponari
Me vetëdije të plotë nga njera anë por edhe natyrshëm poezia e dy poetëve karakterizohet nga jokonformizmi ,nga konflikti me realitetin,me tendencat e vjetra morale të shoqërisë.Të mbledhura të gjitha së bashku këto ndikojnë edhe në qasjet e tyre ndaj dashurisë sa të veçanta aq edhe të ngjashme .
Por deri këtu, asnjë hap para që nga poezia ``Vrima`` e Rita Petro edhe pse trendi i ri i kohës në letërsinë e huaj është të fokusuarit veçanërisht te trupi si marrës i përvojave sepse trupi është jo vetëm marrësi por dhe ai që përjeton dhe interpreton përvojën erotike si kënaqësi.
``Duet poetik`` është një himn për dashurinë shpirtërore, emocionale ,ku dashuria trajtohet si frymë, një dashuri platonike madje, gati të flijohet në ferr,edhe pse akti erotik paralelizohet me parajsën.
Dashuria në këtë duet poetik trajtohet si frymë [Ali Aliu] dhe jo si një përvojë seksuale edhe pse quhet lirikë erotike .
Anita Tafa pas vëllimeve me poezi ``Vargje të rrugëve pa mbarim``,dhe vëllimit ``Të gjitha dashuritë kanë emrin tënd`` vjen me vëllimin e tretë me poezi në një duet poetik me poetin Isa Ponari,nga i cili më vinë nder mend vargjet nga vëllimi i parë poetik ``Zotit i pëlqen``; .
``Me njërën u plakën dhe u deshën si askush,
si pemët në një rrënjë të dy u thanë
e dyta zemrën ia mbajti ndezur prush
dhe shpirtin ia mbajti të ri si një djalë.``
[ Isa Ponari Poezia Baladë]
Pas shumë leximesh e rileximesh vihet re se krijimtaria e tyre është provokuar shpesh nga i njëjti motiv, ndjenja e dashurisë. Si tek poezia e Anita Tafa ashtu edhe tek poezia e Isa Ponari ,struktura e brendshme e përjetimit, dhe atmosfera në tërësi është e përafërt, deri diku e ngjashme,pasi poezitë janë vërtet një dialog poetik, një letërkëmbim poetik.
Diferencimi i individualitetit poetik mes tyre konsiston në përzgjedhjen e elementeve dhe detajeve të brendshme e të jashtme,në figurshmërinë e shprehjes poetike dhe
mjetet artistike që ka përdorur secili për të fiksuar artistikisht motivin e dashurisë.
Anita Tafa ``Mes syve të kërkoj ``
Mes syve të kërkoj!
Mes syve tu, do të kërkoj
Dashurinë, që humbi ngadalë,
Buzët që kërkova të puth,
Puthjet, që më pate falë.
Dhe nëse vdesim bashkë të dy
Të jemi heronj, të një romani tragjik,
Dhe një poet të thur' vargje elegji,
Bashkë të digjem, mes ferrit më prit.
Më prit te digjem me ty
Një poezi sublime,një flijim që i ka rrënjët thellë në patriarkal do të shprehej me siguri Annie Finch,analistja feministe e poezisë,edhe pse krijohen kushte për narrativën me fund tragjik.Kjo poezi interpretohet edhe si një sfidë ndaj roleve pasivë që shpesh i janë caktuar femrës në narrativën tradicionale.Edhe pse është një zgjidhje ekstreme ,zgjidhja nuk është e imponuar.Kjo sfidon idenë se gratë janë thjesht viktima të rrethanave.
Isa Ponari, ``Unë jam aty``
``Unë jam aty,
Një milimetër larg teje .
Unë jam brenda syve të tu.
...
Ne kemi qenë gjithmonë kështu
në të njëjtin iris të syrit,
një milimetër larg
dhe një galaktikë pranë.``
Poezia lirike daton që nga antikiteti me poeten greke Safo nga Lesbos i Greqisë,ku vetë Platoni i referohej si Muza e dymbëdhjetë.Veprat e saj që kanë ardhur deri në ditët e sotme janë reflektime personale mbi dashurinë,dëshirën dhe humbjen e dashurisë.Dashuria ,reflektimet për dashurinë,apo humbjen e saj kanë qenë dhe mbeten temat më të lëvruara ndërkohore në letërsi,sepse dashuria mbi të gjitha është ndjenjë,përjetim shpirtëror .
Përurimi i një vizioni të ri i përvojës seksuale ende mungon në poetikën e sotme shqiptare edhe pse shoqëria e sotme po lufton për të zgjeruar kufijt e lirisë seksuale.Kush mund të ketë një rol avangard në këtë drejtim , nëse jo arti përgjigjet Rita Petro.
Edhe pse nuk mungojnë situatat romantike në Duet poetik,vetëm përkëdhelen emocionet dhe gjendja shpirtërore, por nuk ka evolucion të erosit,nuk përmbushet , justifikohet termi lirikë erotike.
Studjuesi, kritiku,Prof.dr Ali ALIU në librin KËRKIME,STUDIME KRITIKA ESE 1970 shkruan ;
Ndër arsyet e shumta duhet përmendur fakti se ndjenja e dashurisë ndërmjet mashkullit dhe femrës ,burrit dhe gruas është manifestuar si refleks kolektiv vital edhe në çaste vendimtare gjatë përpjekjeve për të rezistuar dhe qëndruar.
Për mendimin tim arsyeja është se kjo ndrydhje, ky frenim dhe abstenim i ndjenjës erotike në poezi i ka rrënjët më thellë.
Modeli i femrës ende në poetikën e sotme shqiptare është i njëjtë,një femër me komplekse, jo një femër e lirë,por një femër që nuk guxon,që nuk hedh asnjë hap para në përpjekjet dhe luftën e çlirimit seksual.në poezi.
Ende feminiteti në poezi është modeli i femrës që përgjërohet, vuan, flijohet pa shpërthyer plotësisht thua se do ta ruajë lirikën të pastërt , të virgjër, hyjnore pa e përzjerë me gjakun, kafshimet , dhunën, vrasjet gjoja ``në emër të dashurisë``.Maji i 1968 ,revolucioni në muzikë,çlirimi seksual ,konsolidimi i lëvizjes feministe i gjeti portat hermetikisht të mbyllura në Shqipëri.
Një poezi nga poeti grek Nasos Vagenas me titull ``Banja`` 1974
``Të mbaja lakuriq në krahët e mi
Shumë netë.
Dy të çjerra të thella në shpinën tënde.
Lyejtën në të kuq muret.
Herë herë i hapje sytë.
Buzët e tua dridheshin.
Në dhëmbët e tu zhveshur nën llambë
Pasqyrohej gjoksi im në copa.
Vdekja vetë
Mes
dy frymëmarrjesh.``
[Përkthim nga greqishtja Teuta Sadiku]
``..edhe poetët që kanë thurur oar-monument lidhur me ndjenjën e dashurisë mes mashkullit dhe femrës ,e kanë shqiptuar atë si frymë, ..nëse ky emocion po nuk lindi përherë i ri dhe i ngrohur nga një tjetër diell, në një tjetër klimë dhe përmes një tjetër afshi dhe densiteti dramatik,atëherë vështirë se mund të sjellë diç të re.[Ali Aliu.KËRKIME STUDIME KRITIKA ESE SHTËPIA BOTUESE NAIM FRASHËRI ]
Vështrimi krahasues në këtë parathënie të librit arin në konkluzionin se poezia e Isa Ponarit është platonike, kurse ajo e Anita Tafa është më realiste dhe më e thellë,është më e drejtpërdrejtë e thënë kjo nga fakti se emocioni tek poezia e Anita Tafa përjetohet si shqetësim, madje tension maksimal aq sa është gati të digjet në ferr për dashurinë por dhe të digjet nga dashuria./ Të digjemi të dy nga dashuria/ aty mes ferrit më prit/ përfundon ajo duke rritur e dendësuar dramacitetin e poezisë/Anita Tafa ``Mes syve të kërkoj``
Raporti me vdekjen për hir të dashurisë është një kod i cili zbërthehet në shumë mënyra në kohë e popuj të ndryshëm
Në këtë poezi Vdekja shihet si një përmasë e formës dhe e kuptimit,ajo pranohet pa ndonjë ngarkesë,pa frikë ,si matëse e forcës së dashurisë,/dhe nëse vdesim bashkë të dy/ duke e vërtetuar dhe përmbledhur atë çka Hajdeger pohon në veprën e tij ‘’Qenia dhe Koha’’;’’Njeriu është një qenie e bërë për vdekje’’
Vëllimi ``Duet poetik`` ka dhe poezi ku trajtohen tema të egzistencës, të absurdit,të lirisë,të mallit, të atdhedashurisë.
Poezia vjen në këtë duet si bartëse e sekretit të Qenies brenda saj dhe është poezia ajo që na mëson si të mendojmë.[Hajdeger ,Martin Leksione dhe konferenca Plejad,Tiranë2003]
Në ``Duet Poetik`` nuk mungojnë lidhjet e tërthorta, por edhe të drejtpërdrejta të artit poetik me reflektimin filozofik .
Në poezinë e mëposhtme poeti heton edhe subjektin e vet;
``Thërrimet`` Isa Ponari
``I kënaqur..
Për çfarë bëra në jetë
Po çfarë bëra
Thërrime që nuk ushqejnë askënd.
Thërrime që edhe vet vdesin nga uria.``……
Në këtë poezi kemi të mishëruar raportin Qenie – Gjuhë-, Mendim .Egzistencën e qenies së vet Isa Ponari e jep jo vetëm në dimesionin individual por edhe në dimesionin ndërnjerëzor.
``Nëse vërtet duhet të ushqehem
shpirtin edhe me thërrime e ushqej për dikë
për atë që të dhuron një qiell me dashuri.``
Anita Tafa ,përmes intuitës së saj të hollë dhe ndjeshmërisë së instiktit femër,e kupton se sa më e vjetër dhe primordiale të jetë gjuha aq më i madh është aftësia për të shprehur thelbin e mendimit.
``Të dua.``
``Për besë, si një Ajkunë
Pas Omerit do tretem,
Pa u trembur ,
Dhe sikur bota me gurë
Si mëkatare të më godasë`` [ Anita Tafa ]
Anita Tafa është e vetëdijshme për çfarë shkruan,ripërdor traditën,mitet,për të shprehur përvojën e saj unike,zërin e saj autentik,edhe me mjete të tjera si ritmi [ritmi I të folurit të përditshëm ,në rastin konkret ]
./Për besë si një Ajkunë
/pas Omerit do tretem
/pa u trembur.
Në vëllimin `` Duet Poetik`` lexuesi ftohet të shijojë jo vetëm një duet ,por ftohet të jetojë e përjetojë një udhëtim emocionues,artistik ,të dy shpirtrave poetikë,ku poezia e njerit është përgjigje për tjetrin, thellim apo vazhdim I mendimit të tjetrit. Kur stuhia e brendshme shpirtërore e njerit shpërthen ,vjen poezia e tjetrit për ta qetësuar.Këtu qëndron bukuria dhe madhështia e fuqisë së poetit , për të qetësuar stuhinë më të tërbuar,ndaj vjen poezia sidomos në çaste të caktuara për të çliruar dhe shëruar shpirtin, në funksion katarstik.
Duke marrë parasysh këndvështrimin e Annie Finch poetes teoricienes së njohur veçanërisht për rolin e formës, ritmit në poetikën feminist le të analizojmë disa në vëllimin Duet Poetik;
-Poezitë nuk kanë një metër të qartë
-Ritmi herë krijohet nga pauzat, nga përsëritjet e fjalëve apo mbahet nga gjatësia e vargut
‘’hesht sonte ,
hesht
mos më prek sonte’’
-është përdorur asonanca dhe aliteracioni në shërbim të krijimit të atmosferës.
-Si shumë poezi bashkëkohore nuk ka skemë të rregullt rime,as metri,vargu është I lirë,here në dialog , herë në monolog.
-Toni I poezisë është intim dhe shpesh I drejtpërdrejtë
-poezitë kanë herë dimesione mistike dhe egzistenciale;
-hija në mur,fantazëm, akujt e botës krijojnë atmosferën mistike
-krahasimi me Ajkunën dhe Omerin , referenca mitologjike I jep dashurisë një thellësi dhe universalitet.
- përdorimi I rimave nuk është I përsosur ,janë rima të pjesme apo asonance,por vargjet lidhen këndshëm me njeri tjetrin duke krijuar një ndjenjë muzikaliteti.
-vlen për t`u përmendur , përpjekja për të përdorur rimën në organizimin e mendimeve dhe emocineve .plot-mot./ parë – tharë/ shtruar - mbaruar
-përdorimi I imazheve konkretë dhe një ton introspektiv.
Dashuria mbetet një etje e pashuar një fanitje ,një përgjërim, një flijim që kurrë s`bëhet një .
Nga erotismi lasgushian më e arrira janë katër vargjet
E si kurrë nuku mund
Ylli yllin që ta kapë
Rrotull qiejve pa fund
Venë e vine –e – venë prapë.
Comments