Teuta Sadiku: "Gjeometria e vijave të bardha" e Evisa Haderi Mele
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 1
- 4 min read

Lëvizja, ndryshimi shpirtëror në poezinë "Gjeometria e vijave të bardha" e Evisa Haderi Mele.
Poezia "Gjeometria e vijave të bardha" e poetes Evisa Haderi Mele paraqet një pasqyrë të qartë dhe të vërtetë të përvojave dhe ndjenjave dhe duke u nisur nga marrëdhënia lexues – shkrues, dallojmë vertikalitetin e lëvizjes si një zgjidhje estetike të poetes dhe si një mënyrë receptimi të lexuesve.
Kjo poezi, përmes një rrëfimi të ndjeshëm dhe refleksiv, eksploron temën e udhëtimit dhe transformimit, duke e ndërlidhur atë me situatat e jetës, ëndrrat dhe zhgënjimet.
Ndërtimi i Vargut dhe Figurativiteti
Struktura e poezisë është e organizuar përmes vargjeve të lirë dhe të hapura, të cilat i japin një ndjesi fluturimi dhe lirësisë. Elementë të tillë si metaforat dhe personifikimet janë të pranishme në gjithë veprën. P.sh., "Qielli i thyer vijëzimesh" përshkruan atmosferën e ndërlikuar dhe të paqëndrueshme të udhëtimit ajror, ndërsa avioni si "uturima" tregon një ndjenjë urgjence dhe nxituar drejt një destinacioni të panjohur. Këto figura artistike theksojnë tensionin mes dëshires për arratim dhe pengesave që ndodhen gjatë rrugës.
Mesazhet dhe Temat
Poezia trajton disa tema thelbësore, siç janë kërkimi për identitetin, përballja me turbullirat e jetës, dhe reflektimi për të ardhmen. Ajo flet për "bilance" që udhëtarët bëjnë në qiellin e "zhgënjimeve" dhe "sukseseve", duke theksuar se udhëtimi nuk është vetëm fizik, por gjithashtu një eksplorim i brendshëm,një ndryshim shpirtëror. Kjo krijon një lidhje të thellë me lexuesin, i cili mund të ndiejë një harmoni mes eksperiencës personale dhe asaj universale; ne të gjithë jemi udhëtarë në botën tonë.
Gjuha dhe Stili Poetik
Gjuha e përdorur nga Evisa Haderi Mele është e thjeshtë, por e thellë dhe e ngarkuar me emocione. Ajo shpesh përdor ironi dhe kontraste për të theksuar mesazhet e saj. P.sh., në momentet e turbulencave është ndjenja e frikës dhe pasigurisë që udhëtarët përjetojnë, ndërsa zëri i stjuardesës sjell një ndjesi qetësie dhe kontrolli. Ky kontrast ndërmjet shqetësimit personal dhe autoritetit profesional nënvizon natyrën e papërputhshme të jetës dhe udhëtimit.
Problemet Estetike
Një aspekt estetike që ngre poezia është dhe mënyra se si ajo përballon frikën e udhëtarëve përballë lëvizshmërisë së jetës. Çdo fluturim sjell një nivel risku dhe pasigurie, por gjithashtu një mundësi për një fillim të ri.
Ky dualitet krijon një tension estetik që i jep mjaft thellësi poezisë dhe e bën atë të ndjehet dhe ppërjeohet në mënyrë më intime nga lexuesi.
Mendimi Subjektiv
Poezia eEvisa Haderi Mele është një reflektim i përvojave dhe ndjenjave që secili prej nesh mund të përjetojë në një moment të caktuar në jetë. Ajo na inkurajon të mendojmë për "veten" dhe "udhëtimin" tonë dhe për mënyrën si ne kthehemi "në Tokë" pas një periudhe fluturimi. Kjo kërkesë për vetë-reflektim është një nga mesazhet më të forta dhe universale të poezisë.
Elementet përshkrues:
Në poezinë e Evisa Mele vihen re disa elemente që shfaqen dhe përsëriten nga një poezinë tjetrën.Elemente të tilla si qielli,shiu,ëndrra , fryma ,shpirti janë karakteristike për të krijuar vertikalizime imazhezh.Këto elemente i gjejmë edhe në poezi të tjera të saj :
Poezia “Gjeometria e vijave të bardha"
– qiell i thyer
Ikim nga zhgënjimet drejt suksesit
Ëndrra udhëtarësh
Vijnë nga larg
Mall
Poezia “Fjalë qelqi”
E ledhatoj kur më vjen mall
Poezia “Më duaj kur fle”
Dysheku i ëndrrave
-ndjej frymën tënde
Shpirtin më puth
Në poezitë e lartpërmendura veçojmë elemente të cilat i vërejmë edhe në poezi të tjera që vijnë në vijë vertikale nga lart poshtë ,ose anasjelltas .Këto elemente, kozmike siç është qielli, dielli ,shpesh edhe hëna janë elemente lëvizës, elemente burues , apo frymëzimi.
Më konkretisht le të shohim poezinë:
“Forcë graviteti”
Shtëpia e fëminisë,
forcë e pamasë graviteti qofshin mure gjithë myshk të vjetëruar
Apo ferra që rriten për të çjerrë kujtimet e dikurshme.
Ka një frymë që të merr frymën kur hap dyert e kyçura.
Një nxitim për të larguar rrjetat e merimangave ,një merak për të shpluhurosur fotot bardhezi,
Se shtrënguar brenda një kornize ,ndrojtur në një moshë të malluar Fëmija i strukur je ti.
Gjithçka nis nga lart:
-Forca
-shtëpia
-muret
-myshqet e mureve
-ferrat në tokë.
Pra gjithçka nis nga lart dhe vjen duke u përshkallëzuar deri në ferrat e tokës.
Përveç elementeve që paraqiten në vijë vertikale në këtë poezi shohim dhe elemente në vijën horizontale, nga jashtë brenda:
-fryma
-dera e shtëpisë
- merimangat në korniza
-kornizat
-fotografitë
-vetja në fotografi.
Përveç elementeve të natyrës si shiu , bora, ngrica , në poezinë e Evisa Mele shohim dhe elemente të tjerë si shkëmbi, fija e barit,si në poezinë:
“Në mes të vezullimit të dritës.”
-Si copë shkëmbi diku mes jush.
...
Kam ikur
Kam shkuar në një fushë verdhoshe
-këput fije bari të thata si ju.
Kjo nuk është thjesht një poezi peisazhi, këto elemente përcjellin lëvizje , jo vetëm hapësinore e kohore por edhe shpirtërore.
Përshkrimi i natyrës dhe i ndjesive është një tjetër element i rëndësishëm i krijimtarisë së poetes.Poetja Evisa Haderi Mele, përmes metaforave dhe imazheve, jep një vizion të gjallë të procesit të fluturimit, duke e bërë mundësinë e "çmallimit" të ndjerë dhe të prekshme. Ndjesia e lëvizjes që vjen nga fluturimi simbolizon edhe lëvizjen e brendshme që ndodh në jetën e njeriut.
Poezia "Gjeometria e vijave të bardha" e Evisa Haderi Mele është një poezi e fuqishme që fton lexuesin të reflektojë mbi jetën e tij dhe përvojat e udhëtimit. Me përdorimin e figurave artistike, një stil narrativ tërheqës dhe mesazhe universale, Evisa Mele arrin të përshkruajë një realitet të ndërlikuar dhe emocionues, duke e transformuar udhëtimin në një metaforë për jetën e përditshme.
..Mes qiellit dhe tokës , është një ndjesi e rrallë .Sapo nis të ndihesh pak zot vjen e qara që të kthen në vetëdije ..Je veç një njeri që imiton zogjtë veç për pak .
Vertikaliteti i lëvizjes është një dukuri që qëndron përtej tematikës,ndaj poezia e Evisa Mele kërkon një lexues aktiv për të dalluar ndryshimin e vargut të saj, ,mundësitë e pafundme që afron poetja me teknikat , gjetjet strukturore e vizuale.
“Një poezi mund të ketë shumë më tepër nga ç’ishte pikësynimi i ndërgjegjshëm i shkrimtarit,shkruan Tomas Eliot.
Çdo fluturim (dhe jo vetëm ai me avion ) shijohet nga guximtarët dhe ëndërrimtarët.
Comments