Teuta Sadiku: Leximi formal i poezisë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 14 hours ago
- 4 min read

Leximi formal i poezisë “Magjia e koncertit mbi liqen”e Rozina Sterkaj.
“Magjia e koncertit mbi liqen”. Kur poezia nuk tenton të analizojë, por të ndriçojë.
Në poezinë “Magjia e koncertit mbi liqen” autorja ndërton një përjetim liriko-figurativ të një mbrëmjeje muzikore, ku tingulli dhe peizazhi bashkohen në një hapësirë shpirtërore. Vargjet janë të lira, por ruajnë balancën metrike dhe ritmike që përshtatet me tonalitetin melodik të temës.
Tema qendrore është bashkimi i artit me natyrën: muzika si urë midis shpirtit njerëzor dhe elementeve të botës (uji, drita, qielli).Motivi i dritës, i hënës dhe i ujit shfaqet në mënyrë ciklike, duke krijuar një simbolikë të pastërt frymëzimi.
Poezia zhvillohet në katër njësi poetike:
Strofa e parë dhe e dytë: përshkruajnë atmosferën e koncertit, nëpërmjet metaforave të dritës dhe zërit.
Strofa e tretë dhe e katërt:
shndërrojnë peizazhin në figurë emocionale, ku Shkodra dhe Shiroka personifikohen si dashnorë poetikë.
Strofat përmbyllëse: shkojnë drejt reflektimit metafizik ,dashuria dhe muzika si forma të hyjnores.
Autorja përdor një leksik të butë e lirik, të mbështetur te metafora vizuale e auditive.Vargje si:
“tingujt bien mbi mua si yje që zbresin butësisht”apo“harqe të padukshme ngrihen urë mbi shpirt”janë shembuj të metaforës poetike që synon sintezën , bashkimin e shqisave (tingull, dritë, ndjesi).
Ka një përdorim të dukshëm të personifikimit: qyteti “përshëndet”, liqeni “vallëzon”, tingujt “dridhen mbi valë”.Këto krijojnë një atmosferë euforike dhe një lloj solemniteti poetik.
Stili është klasik në ndjesi, por bashkëkohor në formë.Autorja shmang rimën e ngurtë, por ruan muzikën e brendshme të vargut.Toni është adhurues, ndonjëherë elegjiak, me një prirje drejt sakralitetit të artit (“këngë që s’mbaron”, “fishekzjarret që kurorëzuan çdo dashni”).Kjo poezi i përket frymës së lirizmit tradicional shqiptar, por me ndjeshmëri bashkëkohore.
Poezia përcjell idenë e unitetit midis njeriut, artit dhe natyrës.Në një botë të fragmentuar, poetja gjen në peizazhin e Shkodrës një harmoni të humbur , një shpresë se muzika dhe dashuria mund të rikthejnë bashkimin shpirtëror.
Në aspektin artistik, poezia ka ndjeshmëri të hollë, figuracion të pasur dhe një strukturë të qartë.Në disa raste, megjithatë, ndjenja mbizotëron ndaj përpunimit të vargut: disa imazhe janë përsëritur në mënyrë konvencionale (dritë, yje, fishekzjarre), çka mund të ulë intensitetin emocional.Një ekonomi më e përmbajtur e figurës do ta bënte poezinë më të ngjeshur dhe moderne.
Kjo analizë formale është e nevojshëm, por jo mjaftueshme sepse nuk depërton në nëntekste, filozofi, simbolikë kolektive e individuale.
Lexim dhe analizë e thelluar e poezisë “Magjia e koncertit mbi liqen”
Në horizontin e poezisë bashkëkohore, kjo poezi nuk është thjesht një përshkrim i një mbrëmjeje muzikore; është një liturgji e dritës, një metafizikë e përjetimit që i jep formë ndjesisë kolektive të Shkodrës , qytetit që gjithmonë ka jetuar midis ujit, kujtesës dhe këngës.
Në këtë leximi, poezia nuk trajtohet si objekt estetik, por si akt komunikimi shpirtëror, energji që lëviz midis autorit dhe lexuesit përmes dritës dhe tingullit.
Në traditën poetike shkodrane, uji është gjithmonë kujtesë.Migjeni e kishte si simbol të përplasjes midis heshtjes dhe revoltës,Rreshpja si pasqyrë të shpirtit të vetmitar,dhe Rozafa Shpuza si element pastrues, femëror, jetësor.
Në këtë poezi, liqeni nuk është vetëm skenë, por qenie:
“aureole e bardhë liqenin e përshkon”
Ky varg e ngre ujin në lartësi shpirtërore, në një dimension të dritës që flet, që përjeton.Në terminologjinëe metamodernizmit, ky është momenti i ndërmjetësimit: poezia e sotme kërkon të pajtojë tokësoren dhe hyjnoren, duke i përjetuar njëkohësisht.
“Tingujt bien mbi mua si yje që zbresin butësisht”krijon një sintezë të përsosur: tingulli bëhet dritë, drita bëhet ndjenjë.Ky varg e tejkalon përshkrimin dhe hyn në atë që teoricienët e rinj e quajnë “epifani poetike” , çastet ku arti e tejkalon realen dhe bëhet përvojë mistike.
Në këtë kuptim, poezia përfaqëson etikën e re të ndjesisë: një poezi që nuk kërkon të shpjegojë, por të bashkojë shqisat, natyrën, kujtesën dhe dashurinë në një të vetme përvojë estetike.
Shkodra në poezi jepet si mit dhe kujtesë .
Në vargjet:
“Shkodra me kalanë mbi suppërshëndet Shirokën si dashnoren që pret”
poetja rikrijon mitin vendas me një ton të butë metaforik.Ky është një akt arkeologjik poetik: ajo i jep qytetit vetëdije ndjesore, e shndërron në personazh që ndjen, dashuron dhe frymon.Në këtë mënyrë, autorja e rreshton veten në vazhdën e poetëve të qytetit, por me një gjuhë të re poetike, më të qetë, më meditative, më dixhimoderne.
Në vend të revoltës (Migjeni) apo tragjikes (Rreshpja), këtu kemi përqafim të botës, një qetësi që buron nga vetëdija se arti mund të shërojë.
Poezia bashkëkohore nuk kërkon më të sfidojë traditën, por të rrjedhë përmes saj.Në këtë poezi, ndjeshmëria është fluide: as klasike, as avangardë; është një përzierje e tonit elegjiak me dritën e përjetimit estetik.
Fjalët “dritë”, “fishekzjarre”, “yje”, “beso” përbëjnë një fjalor që shkon drejt semiotikës së besimit estetik, një ndjesi se arti mund të shërrojë shpirtin.
Në termat e poetikës dixhimoderne, kjo është poezi e rezonancës ,e cila nuk kërkon të befasojë, por të drithërojë në heshtje.
Në planin estetik, disa figura përsëriten në mënyrë konvencionale (dritë, fishekzjarre, yje).Në këtë kuptim, poetes i duhet të rishikojë fjalorin poetik, ta pastrojë nga shenjat e përbashkëta ,të njohura dhe ta çojë drejt një metaforike origjinale, më të brendshme.
Në një poezi që aspiron hyjnoren, sasia e figurave duhet të zëvendësohet me thellësinë e përjetimit.
Një linjë që autorja mund të eksplorojë më tej është dimensioni i heshtjes: çfarë ndodh pas tingujve, në çastin kur drita shuhet dhe mbetet vetëm fryma?Aty fillon poezia e vërtetë bashkëkohore.
“Magjia e koncertit mbi liqen” nuk është thjesht poezi për një koncert; është poezi për bashkimin e njeriut me botën, për një estetikë të dritës dhe besimit në kohë fragmentimi.
Në një epokë ku arti shpesh humbet kuptimin përmes teknologjisë, poetja shkodrane e rikthen poezinë në mjedis të përjetimit kolektiv, ku tingulli, drita dhe dashuria bëhen gjuhë e përbashkët.
Në këtë kuptim, Rozina Sterkaj është zë femëror i poetikës dixhimoderne shqiptare: një poezi që nuk flet për të përmbysur, por për të bashkuar; jo për të analizuar botën, por për ta ndriçuar.









Comments