top of page

Teuta Sadiku: Ajo dhe Princi

  • Aug 18, 2025
  • 9 min read

Fragment nga romani: “Doruntiadha”

Teuta Sadiku

Ajo e donte familjen , fëmijët dhe Princin.E vetmja gjë që nuk mund të duronte ishin punët: laj fshi , gatuaj. O sa të rëndomta i dukeshin.Për ditë e njëjta gjë.Kush i kishte çpikur vallë?!Po mirë që i kishte shpikur po pse nuk i ndryshonin të paktën të kalonin herë në duart e burrit e herë në duart e gruas Pse të ishin vetëm pronë e femrës.Me tapi i kishte marrë?!Ajo s’ndjehej shumë femër  kur mbetej gjithë kohën , laj,fshi,gatuaj. Pse të tjerat që punonin jashtë , që kishin bizneset e tyre nuk ishin” femra” për të qenë.E urrente veten tani, ashtu me atë përparësen përpara ,të kalonte orë të tëra në kuzhinë, banjë oborr. Laj, kruaj,fërko, gërryej,enë, rroba, pllaka, banja, lavamanë.Ooooo, mos o zot. Që këtej e tutje do vinte kufi. Nuk do mbetej vetem me punët e shtëpisë.I ikte gjithë koha me shtëpinë.Uauu, imagjinoni sikur kuzhina të ishte Parlamenti. Do shkëlqente jo vetëm nga pastërtia por edhe nga shumëllojshmëria e pjatave që do të servirnin, nga mënyra e shtrimit të tyre nga gatimi plot fantazi dhe pjekja e tyre në kohën dhe temperaturën e duhur.Më kujdes i kushtonte banjës dhe kuzhinës,pasi ishte dhe më e vështirë pastrimi i tyre se sa puna në to.Të gjithë mund të tregohen të devotshëm për të kaluar pak kohë në kuzhinë, por kur vjen puna e pastrimim, rregullimit dhe venien e gjithshkaje në vendin e duhur të gjithë i bënin bisht punës.Më e keqja e të gjithave  asaj i dukej fakti që të gjithë pa parjashtim edhe pse e duan të pastër banjën dhe kuzhinën pjesa më e madhe e laturepsin dhe lerosin si me duar , me buzë me këmbë. Një pakice nuk i bënte përshtypje ,pasi s’kishin idenë  se si pastrohej dhe sa kohë duhej për pastrimin e tyre.

Dhe na pirgu i pjatave ,ashtu si problemet e hallet e njerëzve që presin mbi tavolinë, në bangon e punës, mbi ose nën ndonjë sirtar në ministri . Pa le kur harrohet ndonjëra prej tyre brenda dollapit . Myk zë dhe asnjë se prek me dorë, deri sa e flakin e hedhin në plehra.Do të shikosh mbarëvajtjen e punës në një parlament hap kazanin e plehrave të shohësh se çfarë bëhet.Edhe në kuzhinë po e njëjta gjë. Do të shohësh si venë punët në një familje kontrollo mbeturinat dhe do ta mësosh menjëherë se ,çfarë flaket, çfarë hidhet , çfarë prishet,çfarë thyhet ,çfarë gatuhet, çfarë piqet e çfarë digjet Atje dalin të gjitha në shesh ,edhe pse më kot mundohemi t’i mbulojmë e t’u vëmë kapakun gjërave.Pa le kur mundohemi t’i heqim qafe larg shtëpisë atëhere molepset e qelbet dynjaja.

Ja këto mendonte ajo mbyllur atje në kuzhinën e saj gjithë ditën e perëndisë.I dukej vetja si në Parlament dhe kënaqej më shumë kur Parlamenti ishte plot me deputetë.Nuk para i pëlqenin pjata e  gatshme , preferonte t’i përgatiste vetë.Në fillim bënte parapërgatitjen : Do shkruante në një letër se çfarë do të shtronte në tryezë,cilat qenë pjatat e nxehta, cilat ishin ato të ftohtat,çfarë do të servirte si orektiko, po për në fund cilën ëmbëlsirë.Pastaj duhet të vendoste se çfarë i duhej për të gjitha këto.Për këtë do dilte vetë përjashta do t’i shihte me sytë e saj ku ishin , si ishin, kush i prodhonte , ku dhe kur prodhoheshin.Eeee sa gjëra ndodhnin,të ligjshme e të paligjshme.Tani nuk i zinte më besë Princit. Ai jo vetëm që shpenzonte por edhe i sillte kalbësirat brënda  në shtëpi.Eeeee s’ishte dhe aq e lehtë të ishe në Parlament, në kuzhinë doja të thoja , pa le t’i thoshin , se çbën atje gjithë ditën e perëndisë.Materialet do t’i fuste në shtëpi , pasi do të kishte pastruar gjithë kuzhinën , që nga xhamet, dyshemeja, pllakat, frigoriferi, dollapet, furrën , mjetin e gatimit Do ta pastronte ambjentin një më një, duke mbajtur shënim, çfarë kishte gjendje që i hynte akoma në punë, çfarë s’i hynte më në punë , çfarë i duhej,çfarë si duhej.Të gjitha këto i bënte pa dalë nga llogaria të cilën nuk e hiqte prej mendjes, as syrit.Vërtet do i fuste në kuzhinë, por do ti sistemonte  me dorën e saj pasi ti kishte larë, pastruar e qëruar me kujdes një më një.Pse ku jemi këtu, merr nga jashtë e futi brënda rrëmujë.Parapërgatitja ishte shumë e rëndësishme, po aq sa edhe përmbledhja në fund  e çdo trapezi.Jo pa qëllim kërkoj dhe ndihmë prej fëmijëve, në mënyrë që të mësojnë edhe ata nga qeverisja e shtëpisë. Nesër do të hapin dhe  ata nikoqirjo ,do të shtrojnë dhe ata trapeze si për vete edhe për shoqërinë.

-Lere djalin, mos ma ngatërro me punë femrash -m’i ngre nervat ndonjëherë Princi,për të justifikuar më tepër pazotësinë e tij në këto punë.

- Më ke gjetur mua zotrote, se mos të ra në pjesë ndonjë tjetër që të të hanin krimbat, pale të të binte llotaria e të merrje një nga ato që për gjënë më të vogël ,ti vënë brekët majë koke.Të të nxjerrin fishek nga shtëpia e të të lënë me gisht në gojë.Mirë tua bëjnë , me këto mend që keni.Kështu e doni ju të vini në terezi për së mbari.


- Mua më vjen anës ti e ndonjë tjetër si puna jote. Pse ç’jam unë si ca e ca që ua lënë në dorë portofolin grave.Unë jam burrë zakoni.Ti do dhe bën e lodhesh , e në fund të fundit për fëmijët e tu i bën , se po të jetë për mua , kam paranë në dorë e bëj si të dua, marr kë femër të dua , të më lëpijë me gjuhë mua dhe gjithë shtëpinë.


- Po ajo sdo të vijë xhaba si unë morr qyq, do të të rrjepë të gjallë në fillim e pastaj do të të bëjë glasën në çaçkë të kokës  e të thotë ku të kam parë ty e të sat ëme bashkë.


Në të tilla momente kritike ia befte pa pritur e pa kujtuar Mbretëresha plakë , thua se ishte pas dere e na përgjonte.I shkelte herë syrin e herë buzën Princit, për ta qepur buçen.Unë i shihja të gjitha këto me bisht të syrit e bëja sikur nuk vija re asgjë por nga brenda zieja e tëra.Ikja e mbyllesha në banjë për të mos plasur sherri.Ime më ma kishte mësuar këtë  ves që sa herë  më vinte inat, të futesha në banjë , të merrja gurrin që kruanim thundrat e këmbëve e tu bija dhëmbëve të mi sa  të më nxirrnin gjak.Pse e kruaja kot së koti.Hë se mu kujtua  me që ra fjala tek banja.


Ah banjat tona, si hale gërmadhat.I mbani mend dikur sa larg i bënin njerzit .Jashtë fare shtëpisë, në fund të oborrit ose pas shtëpie .Bëje çbëje , si e bëje, me çfarë ngyre e kishe , me çfarë ere apo pa erë, me zhurmë apo pa zhurmë, pak e mernin vesh të tjerët. Ishin  ndërtuar në një mënyrë të tillë që i shikoje edhe me sytë e tua se çfarë bëje , e pastaj i hidhje një kanoçe me ujë dhe ishe në rregull.Kurse tani i bëjnë banjat mu në mes të shtëpisë e ndonjëherë edhe pa dritare me një ventilator të vogël .Hajde o i varfër të ajroset ,qelbet shtëpia. Të gjithë e marrin vesh se çke ngrënë , kur e nxorre e si e nxorre.Pak po dëgjojmë se çbëhet. U qelb peshku nga koka.


Edhe pse tani i bëjnë pak më moderne por prapë ato nuk janë funksionale, njësoj si ministritë dhe ato.Kur shkon njeriu në banjë është njësoj sikur shkon në ministrinë e financave dhe e deklaron para të tjerëve në mënyrë që të mos ta shqetësojë njeri deri sa të mbarojë punë.Dhe tjetri për të zënë rradhë pas teje të porosit: Bëji të fala shefit edhe prej meje.Këto ndodhin kur Pallati Mbretëror ka vetëm një banjë.Kohët e fundit njerzit po praktikojnë ndërtimin e banjave në çdo dhomë për çdo person Po prap së prapi problemi ndërlikohet sepse ato bashkohen në një kanal të përbashkët  të ujrave të zeza me gjithë njerzit e tjerë. Lëmsh bëhen e hajde  gjeje fillin, kush është tëndja e kush është timja.Një herë e një kohë shtëpia kishte Ministrinë e saj të financave ,gropën e ujrave të zeza, ku e hapte e pastronte e zhbllokonte vet , sidomos kur vulosej,kërkoje me këmbëngulje ,pse u vulos, çfarë ishte hedhur dhe e gjeje kush ishte fajtori.Tani s’ka më , iku ajo kohë, po u bllokua kanali e zhbllokojnë dhe e mbyllin prapë .Vetëm paguaj , edhe ti që s’hedh gjë edhe ai tjetri në një kanal të ujrave të zeza jemi të gjithë.Këtu në lagjen time para pak kohësh u vulosën të gjitha pusetat e mori muti rrugët.U qelb vendi e s’po gjejnë derman akoma.Dolën të gjitha të palarat në shesh. Eeee mbaji e mbaji kaq kohë të mbyllura çdo bëjnë dhe ato , bam një ia dhanë, shpërthyen dhe ato

Edhe pse vinte era askush nuk e vinte ujtë në zjarr.Të gjithë e hiqnin prapanicën e tyre mënjanë.Moj flaka nuk i ka rënë ,shkrumb të bëhen,kur spo marr unë tokën që më takon, thoshin nëpër dhëmbë.

Mbretëresha plakë ishte maestro në kësi punësh, që në erë e kuptonte se çfarë ndodhte në Pallatin Mbretëror edhe pse banjën e kishim 100 metra larg .

-Uuuu kush shkoi në banjë, e na erdhi kjo erë. Era gjalpë i vjen , thoshte menjëherë që në nuhatjen e parë. Kushedi ku do ketë qenë i ftuar në ndonjë zjarrfet e ja kanë shtruar me kecrra e qengja të pjekur,ose mos i ka falur ndonjë sheleg ndonjë qyqar që ka dashur të hedhë hallin mavriu.Po ku e gjente menjëherë qenia dhe nuk ta hidhte në sy menjëherë, po anash e anash e me takt mësonte çdo të re ,ku ishe , me kë ishe , çfarë hëngre e çfarë pive.Krenohej për djemtë e saj,nuk i hidhte poshtë për qamet edhe pse mund ta shkelnin e të gabonin.Po edhe tani që gjoja jemi në pluralizëm, njera palë që të jesh në shërbimin e saj nuk të le të thuash gjysëm fjale pakënaqësie për të .Demokraci i thënçin.Ku e lamë?.Po tek banjat.

- Nuseeee , puna e parë që bëjmë, është banja, më thosh me qesëndi, e lajmë e pastrojmë xix e bëjmë, pastaj bëjmë punët e tjera.Pastaj puna e dytë është gatimi.Po qe se nuk ke gatuar , sikur gjithë punët ti kesh mbaruar , është njësoj sikur ske bërë asgjë.

Sa herë më vjen në mendje vizita e motrës së Mretëreshës plakë nga larg.U ngrita që me natë e pastrova banjën e bëra xham për ta gjetur mysafirja akoma më të pastër ambjentin .Banjën e kishim dhe vend gatimi,pasi aneksin e kishim kthyer në odë të çiftit kur na u martua vëllai i madh Kishim sallonin dhe dy dhoma ku flinin fëmijët në njërën dhe Mretëresha plakë në tjetrën.Mysafires së largët atë natë i shtruam në sallon.Sapo u ngrit në mëngjes shkoi në banjë të lante sytë tha , por në të vërtetë shkoi të bënte nevojat e saj personale .Kur u kthye i tha Mbretëreshës plakë gjithë qesëndi:

-Po në banjë gatuani akoma? Mirë që s’të bien thelat e mishit në vrimë të halesë me kallogre, mu drejtua mua.Që atë moment nuk vuri gjë prej gjëje në gojë. Edhe ujë me zor piu  një gllënjkë. Nuk ma dheks shpirti , tha duke përmbledhur buzët e holla si lëpjetë dhe u ngrit e iku. Po hë me ‘stë ka faj .Kurse mua më ra bretku gjithë ditën e ditës

Ajo akoma e vret mëndjen a është mirë apo keq të jenë dy ministri të shkrira në një, për të zvogëluar shpenzimet apo të jenë veç e veç e secila për hesap të vet.Psh pse banja gjithmonë ka dhe dushin ose banjierën pranë vendit ku kryhen nevojat personale që ndahen vetëm me një perde .Është më mirë çdo person të ketë banjën ,brenda në dhomën e vet apo të jetë një banjë e përbashkët për të gjithë.

Banjën e kishte zët edhe pse pjesën më të madhe të kohës atje e kalonte aq sa i dukej se punonte në Ministri, ajo financiare sa për sqarim , sepse sa herë hynte e kuptonte menjëherë sa shumë dhe çfarë ishte shpenzuar,, çfarë ishte blerë e çfarë ishte ngrënë e ishte pirë.Atje dilnin në shesh të gjitha, edhe pse vizitorët kujtonin se me një të tërhequr të kazanit i fshehën të gjitha prapësitë.

Po asaj aq i bënte edhe kur Princi i thoshte se ajo sqe femër kur e shihte të lodhur, të shqyer e të robtuar të ngrinte ujët në voze e në bidona nga kati i parë në katin e pestë të Pallatit Mbretëror.

Përkundrazi ajo ndjehej Femër, biles më seksi.Në ngjitjet lart e poshtë të shkallëve kishte kohë të mendonte skena dashurie,ti vinin në mend fjalë dashurije, duke imagjinuar veten me sytë hapur lakuriq para dollapit me pasqyrë,biles edhe çaste nga më maramendëse dy duar të nxehta mbi trupin e saj, mbi qafë ,rreth gjinjve të saj , në belin e hollë, që do ti fryhej për pak muaj ….


-Nusja e filanit në kat të parë po që është femër për të qenë ,-hodhi një të pabërë fjalë Princi një darkë siç ishim ulur në tryezë duke ngrënë bukë.

Nuk mu durua, ia përplasa dhe unë.

-Ai është burrë për të qenë , edhe pse në katin e parë, që ska nevojë të ngjisë e të zbresë shkallë, ja vuri motopompën e ujit nuses që mos të lodhet.Kurse unë që jam në katin e pestë as që nuk e vini ujin në zjarr.

Mbretëresha shqeu sytë.Nuk e priste reagimin tim.

Princi ishte një mësues i rreptë për të , jo me mënyra e metoda pedagogjike të reja e shkencore,(ato ishin të rrezikshme e fatale për burrat)por me metodat e vjetra,të egra,çka kishte mësuar brenda e jashtë mbretërisë së tij.Sa inat i vinte kur lart e poshtë mureve të pallatit mbretëror përflitej se nga mësuesi i rreptë i egër ,i rregjur me vaj e me uthull,mëson më tepër se sa nga mësuesi i butë,qengj i urtë.(ata nuk quheshin burra).Në biseda të tilla ajo s’duhej të fliste,gjërave u vihej kapaku nga brenda por jashtë ziente dynjanja.

Teuta Sadiku

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page