Tatjana Misiri Mani: „Kojrillat“ një perlë narrative!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 15, 2024
- 6 min read

Gjithmonë kam qenë e rrethuar nga librat. Vija nga një botë mjaft e çuditshme librash në gjuhë të ndryshme, ku mbizotëronte gjuha e nënës, por nuk mbeteshin pas, as anglishtja, as frëngjishtja, gjermanishtja etj. Kur babin e transferuan nga Durrësi, të gjithë prisnin me padurim, se vinte një makinë e dytë me plaçkat, pasi e para kishte vetëm libra (po në fakt një ishte). Më vonë mbanim rradhë në librari. Mbanin rradhë me orë të tëra. Ishte koha kur filluan të ribotoheshin klasikët vendas e botërorë, por dhe botime të reja. Unë e kisha fatin që im shoq, Berti, punonte pranë librarisë tek Kristoforidhi. Dhë kështu jetova me librat dhe vitet, me kërshëritë e tyre, me dashuritë dhe enigmat që të japin librat e shkruar bukur.
Duke ardhur nga kjo botë, çudia ime më e madhe me veten ishte sfida e leximit të romanit "Kojrillat" të shkrimtarit Fatmir Terziu. Ishte në fakt një libër që e mora pas një leksioni të Fatmir Terziut në shkollën që unë drejtoj prej vitesh. Atë ditë, së pari u mrekullova nga leksioni, dhe së dyti e ndjeja se pritshmëritë e mija ishin të mëdha. Por sa ishte masa? Për këtë vendosa të mos nxitohem duke i vënë vetes disa qëllime:
Së pari, nuk do ta prek librin deri në momentin kur koha ime do të ishte tërësisht e përkushtuara e leximit, pra për të lexuar romanin „Kojrillat“;
Së dyti, do të lexoja me laps në dorë;
Së treti, dhe kryesorja, nuk do të lexoja asgjë çfarë shkruajnë të tjerët për të. Librin e mbarova per një ditë e gjysëm, po recensat jo, se nuk desha që të ndikohem. I thashë vetes se atë pjesë do e lexoj kur të mbaroj këtë shkrim!
***

Jam ulur në mesin e galerisë time të artit e jo vetëm sodis, por, dhe vëzhgoj, vëzhgoj tablonë që më goditi që në titull: KOJRILLAT. Kam kohë që i vij përqark me padurim dhe kërshëri dhe e vendos përsëri në vend. Jo, nuk është koha, nuk doja të ishte rutina ime, nuk doja të qëndronte e hapur, diku që në rimarjen e saj, do të duhej ta lexoje nga e para. Nuk ishte nga ai lloj libri. Fanatike e dhuratës time e ruaja mbi komodinë, pa guxuar ti afrohej kush.
Simbolika nis këtu. Këtu nis të përzihen jetët, fatet, botët. Një paralelizëm i çuditshëm jetësh. Dikujt në festën e ditëlindjes së gjashtë i morën babain në luftë se ushtria gjermane pushtoi rusinë e nuk u kthye më, dikujt ia morën edhe pse ishim në paqe. Nëna, që i humbin fëmijët gjatë bombardimit të trenit, rrugës drejt zonave të lira e nëna që i lenë diku, kudo për ti shpëtuar. Dhimbje e madhe, por jeta vazhdon...
Ngjarjet ndërthuren bukur mes Shqipërisë, Anglisë, Francës e Italisë. Bashkim e ndarje fatesh, kohësh, vendesh e ngjarjesh. Në të lidhen natyrshëm e mjaft bukur emrat e njerëzve shpendët dhe vendet. Një autor pa kufinj, qytetar i botës dhe që ndërkombëtarizon e jep mesazhe.
E Ujta, njerëzorja dhe mistikja e në të njëjtën kohë bashkëudhëtarja në këtë roman. Herë shfaqet e ujtë e herë si kojrillë. Përshkrim mjaft i detajuar, natyror i elementëve të femrës duke nxjerrë kështu një figurë të brishtë.
Gjatë pushimeve gjithmonë lexoj autoren time të preferuar Agatha Christie. Nis me objektin, ndërthur subjektin deri në zgjidhje të çështjes. Këtë herë u përballa me një roman që ka në qendër një ngjarje, por nuk ka qëllim zbardhjen e saj.Tablloja ime më çon në përpjekjet për të vërtetën. Kaloj natyrshëm nga mistikja në realen dhe anasjelltas, nga objektivja në subjektiven. Ështe një roman shumë dimensional, ku gjej veten brenda vorbullës thriller, historik, filozofik ku burimet janë shfrytëzuar deri në fund për të qartësuar idetë e mesazhet që do të përcjellë. Kthehem e rikthehem tek e Ujta. Personazhin tonë imagjinar koshienca e subkoshienca që flet dhe jo vetëm, nxehet bërtet kundërshton për të përballur dilemat se çfarë ka ndodhur, çfarë ndodh e si përsëritet historia.
Të njëjtat dilema. Jemi njësoj, këtë përcjell kjo tablo tek unë. Qytetarë të botës me histori që nga antikiteti me skena e prapaskena politike e diplomatike të ngjajshme, e që jemi njësoj të trajtuar. Ky roman më çon larg në kohë. Në kohën e Rilindjes, para shpalljes së Pavarësisë, por dhe më pas e ndalem në analizën e veprës së Naim Frashërit dhe jo vetëm, ku nxitja e ndjenjës së atdhedashurisë përçohej nëpërmjet të shkuarës së ndritur, Skërderbeut, por jo, sot jemi në kushtet e të sotmes, çfarë bota sot sheh nga ne e shqiptarët e larguar janë ata që kanë detyrën të tregojnë të vërtetën e madhe e kjo tablo ma përçon fare qartë. Ka përzierje ndjenjash në të përgjatë gjithë rrugëtimit, shpjegime filozofike, përngjitje fjalësh që nxitin lexuesin e shkojnë drejt neologjizmave duke e bërë gjuhën e shkrimit më të pasur. Shpesh herë në tablo ka pika takimi mes brezash, vitesh, ngjarjesh ku dallueshëm shfaqen përpjekjet për mbijetesë "Bota e ngordhjes". Me një "tik" perceptimi ndryshon. Nisemi nga realiteti në mitike, e kthim në realitet. Çështjet diplomatike të kohës e çdo kohe më lenë pa kohë, çdo gjë më rrotullohet rreth viktimës një Mata Harri? Apo thjesht një e divorcuar pa busull që pret të shfrytëzojë sa më shumë të mundet në këtë luftën për mbijetesë? Për të gjitha gjej përgjigje, sepse ka një analizë situtash të ngjajshme për çdo kohë. Edhe pse vitet kalojnë marrëdhëniet pushet- politikë-popull mbeten të njëjta "politika i stërvret".
Element tjetër që dalloj në tablonë time tashmë është monlogu i brendshëm. Është pika e fortë që godet duke sjellë me detaje e mjaft natyrshëm atë që autori do të përcjellë. Në shumë raste ky monolog kthehet në dialog si një përpjekje për të qartësuar idetë e mija si lexuese.
Përdorimi i emrave dialektore si piavica - shushunjave bën gjuhën e shkruar interesante e më fut në labirinthet e mendimit kritik. Shpjegimi shkencor i fenomeneve, apo cilësive të një qenie, induksion nga fizika, më çon nga e veçanta tek e përgjithmja nëpërmjet metaforës këtu bën pjesë dhe simboli i shushunjës. Gjatë vëzhgimit ndjej thirrjen për të qëndruar e rregulluar gjërat e jo ikje pa sens duke mos nxjerrë nga bataku Shqipërinë. E në paralelizëm me të Kojrilla si simbol.
Hidhen dy ide të qarkulluara në fakt ku përfshihen dy grupe njerëzish, të parët, që fatin e shkruan Zoti, e të dytët, se shkruhet nga vetë njeriu. Këtu u vura në dilemën e madhe, se cilat janë arsyet për një grupim të tretë? Konjukturat politike brenda e jashtë lanë të pa zbardhur ngjarjen. Dëshira apo mos dëshira e zbardhjes së të vërtetës nuk varet nga fati, por nga të tjerët. Po, i pranoj arsyet me kthjelltësinë më të madhe, sepse familja ime e ka vuajtur në kurriz, jam plotësisht dakort që fatin na e shkruajtën të tjerët sipas konjukturave. Edhe unë i përkas këtij grupimi. Fatin kombëtar na e shkruajti BOTA. Prandaj dhe them që kjo vepër arti më ka sjellë ndjesi pa fund, më bëri nostalgjike, qesha, qava, por pranova të vërtetat e mëdhaja. Përdorimi i shkronjës së madhe si përcaktuese e fjalës së përdorur nënkupton diçka, nënkupton kohën, regjimin, izolimin historik. Në kundërshti me ideologjinë e kohës - mollë e ndaluar, më solli përjetime reale, po aq reale si dhe ndarja në dy grupe shoqërore.
Gjuha e pasur e përdorur në shkrim të mahnit, të paktën mua që e dashuroj gjuhën dhe i them dhe nxënësve të mi, se është një matematikë fjalësh. Hasa mjaft fjalë te reja me përngjitje (neologjizma për mua) të cilat janë përdorur në kuptimin pozitiv, po ashtu dhe negativ gjatë përdorimit. Nuk bëj gabim nëse kthehem e rikthehem në idenë e kthimit, rikthimit në kohë, sepse gjatë gjithë rrugëtimit tim e pash në këndvështrime të ndryshme, u ndodha në udhëkryqe. E Ujta, sikurse thashë më lart, është personazh i krijuar për të nxitur dialogun e brendshëm, përpjekje e koshiencës dhe subkoshiencës së gjithkujt për të analizuar dhe arritur në induksione e deduksione. Vepra e artit ka në themel identitetin kombëtar, ka karakter tradicional në veçoritë që cilëson e të bie në sy e mundura dhe e pamundura. E Ujta është shtegu që lidh faktet, drejton idetë. Në metamorfozën e saj.
Paraqitet në dy forma, si e Ujta dhe si Kojrilla, duke dhënë kështu një personazh imagjinar të spikatur përsosmërisht dhe dominues.Përdorimi i sinonimeve nuk lejon përsëritje duke lënë mjaft të bukur gjuhën e shkruar. Janë të qarta përpjekjet për ngritjen e figurës së shqiptarëve në sy të botës. Nisur nga krenaria kombëtare për figurat e shquara historike, duke larguar paragjykimet dhe lartësimi i tyre në sy të botës.
Vërtet autori nuk merr përsipër zbardhjen e vrasjes, por sjell fakte dhe le të hapur fantazinë e gjithkujt duke përfshirë mjaft personazhe reale.
"A janë hasëm të vetvetes, apo?!" pyetje që çon përsëri në analizë e konkluzione për natyrën e shqiptarëve. Vërtetë dhe unë u ndjeva mes tre botëve gjatë rrugëtimit tim. Duke u ngritur nga ulësja përballë tablosë në galerinë time të artit fola me zë të lartë.
Autobiografi, këndvështrim ndryshe i fakteve të njohura e të pa njohura. Studim shkencor i mirëfilltë. Neologjizma që pasurojnë gjuhën e shkruar e të folur. Simbolika nëpërmjet induksionit. Ah se harrova, shumë e pasur dhe me inversione. Faleminderit për perlën që më dhurove!
Comments