
Takimi me Vargun e Detit
Nga Fatmir Terziu
Në fakt ai u ndje nga vargu. Dhe vargu ishte ai që mblodhi poetët, dhe jo vetëm ata, edhe Gratë e Poetëve. E quajti dialektike. E quajti filozofike. E quajti të natyrshme. E quajti lidhje të pazgjidhshme. Dhe ndaj shkruajti dhe e bluajti poetikisht në një dimër, derisa pastaj i dha një buzëqeshje të vërtetë në një libër. Kështu ai mblodhi dhimbjet e stërkalave të Detit dhe i përpunoi të mbeten në jetën e tyre mes vargut.
E takova atje në Skelë, pikërisht aty ku përmallej largimthi nga fëmijëria, rinia, mosha e pjekur dhe përkushtimi, duke veshur me rrobën e bukur prej dheu gjithë atë bukuri përrallore që të jep Adriatiku. E aty ai ishte me poezinë e tij. Poezisë i fliste me një gjuhë tipike. Me gjuhën që i flet një poet i vërtetë. Poezia e ndjeu afrimin e hapave të mi. Dhe poezia ashtu e veshur me rroben e tokës që e lindi, e shpëlarë me stërkalat e detit Adriatik, nisi të flasë…
Ajo foli për rastësitë, dhimbjet e saj, nevojën për të mbledhur vazhdimisht stërkala malli, të mirat dhe të këqijat e jetës në një buzëdet të mirë e të ndjeshëm, por dhe në sinqeritetin që karakterizon vetë poezinë, duke përjashtuar ... vetminë mes kapakëve.
Dhe kjo poezi ishte e dashuruar. E pinte duhanin poetik. E respektonte atë që shkruhej për ndjesitë, miqësitë, dashuritë, respektin. Të tjerë skelarë u afruan dhe u shëndetën mbarë. Kur e nxitën, me një dhuratë duhan të mirë, ajo më tregoi për dashurinë e saj më të mirë. Një rini me një bukuri kaq të butë, me shprehje kaq delikate...dhe pasion të hollë...dhe një takim kaq të shkurtër, vetëm katër ditë të humbura nga ndjesia më intensive. Intensive që mbesin në një varg të bukur e tërheqës, në një varg të realizuar. E aty ishte vetë Realizimi i dashurisë.
Me mjegullën e mëngjesit që ngrihej deri mbi Kaninë, ngritja e përdredhur e shqisave që rrotullohet brenda vërtetësisë, përtej sensit të kapjes me sy të kaltërsisë, përtej gërvillimit të ekstazës së dallgës, përtej kufijve të vdekshëm, mpirë dhe e mërdhirë në mendjen e pritjeve të zakonshme... Dhe pastaj ai vegim poetik ishte zhdukur. Është lënë në heshtjen e tij të pandreqshme gjithë ai vrull. Gjithë ai grumbullim energjish rinore në një moshë relativisht madhore.
Këtë e kishte poezia e tij. E ajo vazhdonte të fliste…
„Duke më lënë ashtu siç më gjen tani“, tha ajo, „e ndjeshme, e përkulur dhe e lavdëruar...por pa dyshim, e gjej veten të ngopur... sepse kam prekur vetë fytyrën e Zotit dhe kam puthur dorën e Djallit“.
Ajo piu llullën e saj, duke u ulur në heshtje me mua pranë stërkalave dhe nga brenda Librit poetik „Gratë e Poetëve“ kërkoi vetveten, dhe më falënderoi butësisht për duhanin dhe shoqërinë, ndaj më tha, emërmirë me sytë e hapur me një qill të kaltër brenda të rrudhosur dhe me një shenjëz të humorit të mirë ....
Dhe me këtë, dhe duke ditur se kisha takuar dikë me arsyen e ndjeshme poetike, u afrova më shumë tek leximi i librit. Aty pashë nga afër poezitë. Dhe thashë me sinqeritet, Arqile Vasil Gjata është poet. Është poet…
Ja dhe ata vijnë, vijnë nga larg në këtë varg, vetë gratë, Gratë e Poetëve:
Vijnë gratë e poetëve
palë-palë,
mbushur shpirtin me këngë.
Këto gra me luk të ndryshuar,
ditë e natë përtypin ëndrra
për burat trullosur nga frymëzimet.
Gratë e poetëve idilike,
”Natyrë e qetë” në kopshtin me ajër të poezisë,
feksin si mollë e ndalueme,
shembur mbi shtrat, të joshura
nga dashuria e burrave poetë.
Nuk u del shpirti pa u botuar libri
me fjalor muzikor
“Gratë janë fajtore”!
Comments