Timo Mërkuri: GRUPI I VOGËL I NJË ANTOLOGJIE TË MADHE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 55 minutes ago
- 11 min read

Nga Timo Mërkuri
Siç thuhet, kur rrugët mbyllen, poezia hap krahët. Dhe pikërisht me këta krahë, në jug , në qytetin e Sarandës, në atë hapësirë ku deti i kalon frymën qiellit, fluturon grupi poetik “Takohemi në Jug”. Pesë emra, por një shpirt i përbashkët: Dashamir Malo, Irena Gjoni dhe Vangjel Zafirati, Zhuljeta Kalemi dhe Merita Paparisto. Ata dëshmojnë se poezia nuk është vetëm varg, por një përpjekje për të kapur përjetësinë në çastin e përjetuar. Katër nga të pestët (Merita Paparisto ju bashkua më von këtij grupimi), ish-anëtarë të Klubit të Krijuesve Jonianë, por që e ndjenë veten një ditë si bilbila të lidhur me një spango të shkurtër, mund të këndonin, por jo të fluturonin. Kjo sepse qysh prej shuarjes së poetit Agim Mato, Klubi mbeti në një udhëkryq. Vektori poetik mori drejtim tjetër, dhe për ata, siç thoshte i urti, “mjegulla nuk është vend për krahët e lirë.” Prandaj ata zgjodhën lirine, atë liri që s’e jep askush, veçse duhet ta fitosh vetë me guxim e dashuri për artin.
Në mungesë të mbështetjes institucionale, ata mbështetën njëri-tjetrin. Dashuria për poezinë u bë busull, besimi i ndërsjellë - krahë fluturimi. Ky bashkëpunim tregon se shpirtërorja dhe artistikja gjejnë forcë brenda lidhjeve të sinqerta njerëzore, më shumë se sa në struktura institucionesh. Me forcat e tyre dhe me ndihmën e pak miqve, ata organizuan dy manifestime poetike, ku poezia nuk kishte kufij apo një gjuhë të vetme, por kishte vetëm frymë universale. Po ashtu, botuan dy antologji me ndihmën e shtëpisë botuese Neraida, dhe tani, me të njëjtin përkushtim, sjellin në dritë Antologjinë e tretë - një kurorë e re poetike, një testament i shpirtit krijues.

Në dy manifestimet e para, pjesëmarrja ishte një mozaik i gjerë: poetë nga Saranda e nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe miq poetë nga vendet fqinje, të gjithë të përzgjedhur për vlerën e vargut. Kriteret e artit u respektuan me një seriozitet që shpesh mungon në institucionet e kulturës. Poezia u bë tryezë e përbashkët, ku fjalët ndërtonin miqësi dhe ndjenjat - urëkalime shpirtërore.
Këtë vit, për shkak të mungesës së fondeve, manifestimi nuk u mbajt. Por atanuk e lanë poezinë të heshtë. E kthyen mungesën në mundësi dhe zgjodhën të ndërmarrin një tur promovimi të Antologjisë së re- një mënyrë fisnike për ta çuar poezinë aty ku ajo e ndjen më shumë frymën e saj: mes njerëzve, në qytete, në brigje, në zemra. Sepse poezia nuk kërkon skena- ajo vetë është skena ku njeriu përballet me dritën e vet.Dhe siç thuhet: “Atje ku nuk mbërrin dot politika, arrin një varg poezie.” Dhe kjo antologji, e lindur në heshtje e përkushtim, është dëshmi se edhe një grup i vogël, kur udhëhiqet nga dashuria dhe drita e shpirtit, mund të bëjë gjëra të mëdha. Poezia nuk ka nevojë për turma – i mjafton një zemër që beson, një dritare që hapet dhe një frymë që e ndjen.
1. Kjo antologji, që mbledh poetë nga disa shtete, është para së gjithash një akt miqësie midis popujve - një urë e ndërtuar jo me gurë e beton, por me fjalë që frymojnë si njerëzit. Ajo dëshmon se poezia, më shumë se çdo traktat apo marrëveshje, është gjuhë që flitet me zemër.
Në faqet e kësaj Antologjie, secili varg është një dorë e shtrirë miqësie, një zë që vjen nga një breg tjetër për të thënë: “Ne jemi të ndryshëm, por ëndrrat tona flasin një gjuhë” Thuhet se, zemrat që dinë të ndjejnë, nuk njohin kufij. Dhe në këtë bashkëbisedim poetik, fjalët marrin rolin e ambasadorëve të shpirtit, që shkojnë aty ku heshtin diplomatët.
Vëllimi poetik është më shumë se një liber- është një frymëmarrje e përbashkët, që udhëton nga një zemër në tjetrën. Në të, poezia është gjuha e dashurisë, e paqes dhe e mirëkuptimit; ajo qëi bashkon ata që nuk i bashkon asgjë tjetër, përveç shpirtit njerëzor.
Këtë frymë miqësie e ka ushqyer dhe përhapur me dashuri grupi “Takohemi në Jug”, që me vargje dhe zemra të hapura ka treguar se poezia është vendtakimi më i bukur i njerëzve. Në manifestimet e tyre, kufijtë treten në dritën e fjalës dhe shpirtrat afrohen pa ceremoni, si miq të vjetër, që flasin gjuhën e njëjtë të ndjenjës. Sepse aty ku takohet poezia, bota bëhet më e vogël, por njeriu më i madh.
2. Në këtë antologji, ku poetë nga shumë vende takohet në një breg të përbashkët, poezia ngjan me valët e një deti që lagin shumë brigje, dhe ku lenë të njëjtën dritë në breg. Vargu shqiptar, grek, rumun apo italian, nuk dëgjohet si i huaj ndaj tjetrit, ata bashkohen duke krijuar një hapësirë poetike, ku ndjesia njerëzore është universale dhe shpirti i poetit, kudo qoftë, ka të njëjtën etje për kuptim, për dashuri, për shpëtim.
Midis këtyre zërave, disa poetë janë ndalur më fort në kujtesë, jo për t’u ngritur mbi të tjerët, por sepse brenda vargjeve të tyre është ndjerë ajo që quhet pjekuri e ndritshme e shpirtit poetik. Ata arrijnë të shndërrojnë përjetimin në reflektim, fjalën në dritë. Këta përfaqësojnë arritjen e plotë të këtij bashkëbisedimi poetik mes kombeve. Çdo zë është një rrëfim i veçantë, një dritare që hap horizontet e shpirtit, ku secili lexues mund të gjejë një pjesë të vetvetes. Kështu:
Te Agron Tufa poezia e tij mbart dimension filozofik dhe moral; përdor gjuhe të qartë, por të ngarkuar me simbolikë e reflektime ekzistenciale. E veçanta është përplasja mes “njeriut” dhe “sistemit” si dramë universale. Tek ai bashkohen dhembja dhe shpresa, toka dhe qielli, modernizmi dhe urtësia e vjetër e shpirtit shqiptar.
Armela Hysi ndërton poezi introspektive postmoderne me ndjesi shpirtërore të thellë; shkrirje e kujtesës, fajit dhe qetësisë së brendshme; fjalë që ndriçojnë përmes heshtjes. Lexuesi te ajo gjen jo vetëm ndjenjë, por edhe dritë të brendshme – një meditim i butë që shkon përtej kufijve kombëtarë.
Andonis Dh. Skiathas, vjen me frymën helenike, e pasuron korin poetik me mitin dhe mendimin filozofik. Poezitë e tij ecin në gjurmët e perëndive të vjetra, por flasin me gjuhën e njeriut të sotëm. Ai përzien simbolin me idenë, duke e kthyer mitologjinë në një pasqyrë të ndërgjegjes moderne.
Daim Miftari, nga Maqedonia e Veriut, vjen si poeti i reflektimit të thellë ekzistencial. Ai e sheh jetën si një udhëtim midis qenies dhe mosqenies dhe poezia e tij është një kërkim i përhershëm për kuptim. Me gjuhë të përmbajtur, por të ndritshme, Miftari përfaqëson ndoshta më mirë se kushdo frymën filozofike të poetit modern ballkanik.
Poezia e Flutura Açka përfaqëson një lirizëm etik dhe human; çdo varg bart përgjegjësi shpirtërore dhe përkushtim estetik. E dallon eleganca e dhimbjes. Ajo shkruan me zë të qetë, por me peshën e një zemre që ka parë shumë. Poezia e saj është si një lutje e kthyer në dritë -e qetë, e përmbajtur, por e mbushur me forcë njerëzore. Tek Açka, modernizmi shfaqet në formën e përulësisë ndaj fjalës dhe njeriut.
Luljeta Lleshanaku është zëri më i konsoliduar ndërkombëtarisht; filozofi e qetë e përditshmërisë, ku fjalët ngjiten në simbol. E veçanta e saj është qartësia poetike që mbart mister. Në poezinë e saj, realiteti dhe metafizika ecin krah për krah. Vargu është i thjeshtë, por i mbushur me përsiatje; i qetë, por i ngarkuar me ndriçim të brendshëm. Ajo përfaqëson frymën filozofike të poezisë bashkëkohore, atë që i jep përditshmërisë dimensionin e misterit.
Sotiris Pastakas, nga Greqia sjell një poezi urbane, ironike dhe njerëzore. Ai është poet që di të qeshë me dhimbjen dhe ta shndërrojë lodhjen e përditshme në art. Poezia e tij është e lirë, e çiltër dhe për nga ndjesia – thellësisht bashkëkohore.
Traian Stef nga Rumania shfaqet si poet që e ka kthyer fjalën në përsiatje. Ai është filozof i butësisë poetike – një zë që e kërkon universalen në gjërat më të vogla, në zemrën, në heshtjen, në frymën e përbashkët njerëzore.
Të gjithë këta poetë, pavarësisht origjinës, ndajnë një bashkësi fryme. Ata nuk konku-rrojnë në tonalitet, por plotësojnë njëri-tjetrin si pjesë e një mozaiku të përbashkët modernist të poezisë së Antologjisë “Takohemi në Jug”.
3. Në mozaikun e kësaj Antologjie, ku bien dritat e shumë krijimeve moderne e postmoderne, ka drita që afrojnë nuancat e tyre duke vënë më në dukje hollësitë e mozaikut. Këta janë:
Anna Hoffmann, poete gjermane, vjen me poezi moderniste që përzien botën industriale me shpirtin njerëzor. Ajo i kundron fabrikat, makinat, qytetet – por aty kërkon njeriun, lodhjen dhe ëndrrën e tij. Poezia e saj është si një shirit filmi i montuar me kujdes, ku tingujt e metaleve dhe ritmi i punës përzihen me frymëmarrjen e shpirtit. Ajo është zëri i përjetshëm i njeriut që kërkon kuptim mes zhurmës së kohës.
Ahmet Selmani nga Maqedonia e Veriut, sjell një poezi që ngjan me detin: i qetë në sipërfaqe, por i thellë në brendësi. Ai ndërthur mitologjinë e filozofinë me ndjeshmërinë lirike, duke krijuar një gjuhë të hollë e të përpunuar. Te vargjet e tij, interesante është se ndihet një frymë mesdhetare, një qetësi që buron nga pranimi i misterit të jetës.
Brikenë (Jakup) Ceraja–Beka, nga Kosova, është zë i butë, por i përshkueshëm nga një dritë që lind prej brenda. Poezia e saj është zë ulët, njerëzore dhe e sinqertë. Ajo nuk kërkon të tronditë, por të qetësojë; vargjet e saj janë si fryma e mëngjesit mbi kujtime. Në to ndjehet gruaja, nëna, njeriu – si një bashkim i qetë me kohën.
Carlos S. Olmo Bau, nga Spanja, e sjell poezinë si reflektim mbi kujtesën dhe historinë. Ai përzien mendimin filozofik me tonet postmoderne të ndërgjegjes europiane. Poezia e tij është si një pasqyrë ku historia e njerëzimit dhe historia personale përthyhen njëra mbi tjetrën, duke na kujtuar se çdo njeri është një faqe ose kapitull në librin e përbashkët të kohës.
Donika Dabishevci, nga Kosova, sjell zjarrin e brendshëm të femrës bashkëkohore. Poezia e saj është erotike, por jo sipërfaqësore; është metafizike, por e ngarkuar me trup e gjak. Ajo shpërthen si vullkan në ndjeshmëri, në figuracion, në revoltë të heshtur. Te vargjet e saj ndjehet gruaja që kërkon të dashurojë pa frikë dhe të ekzistojë pa pengesa.
Elena Stefoi, nga Rumania, është një poete e përsiatjes dhe kthjelltësisë. Poezia e saj është si një bisedë me kohën – një përpjekje për ta kuptuar plakjen, kalimin, por edhe bukurinë e thjeshtë të të qenit gjallë. Ajo shkruan me maturi, me përmbajtje dhe me atë mençuri poetike që vjen vetëm nga vështrimi i gjatë i jetës.
Leo Luceri, nga Italia, është një udhëtar i shpirtit. Poezia e tij është udhëtim – jo përmes hapësirës, por përmes vetvetes. Aty ku të tjerët shohin kufij, ai sheh horizonte. Me një figuracion të pastër, introspektiv, ai ndërton vargje që prekin identitetin, vetminë dhe kërkimin për dritë.
Mihajlo Sviderski, nga Maqedonia e Veriut, është sa eksperimentues, aq dhe i thellë njëkohësisht. Ai ndërton poezi filozofike me strukturë konceptuale, ku ideja bëhet figurë dhe fjala merr trajtë të re. Poezia e tij nuk rrjedh, ajo ndërtohet – si një arkitekturë mendimi mbi themelet e ndjenjës.
Milica Liliç, poete nga Serbia, sjell qetësinë e mendimit metafizik. Në poezinë e saj, dashuria dhe ekzistenca nuk janë ndjenja të ndara, por një e vetme: një frymë që lidh njeriun me hyjnoren. Poezia e saj është si një uratë pa emër, e thënë ngadalë, ku fjala është dritë dhe heshtja – pranësi.
Këta poetë, secili në mënyrën e vet, përfaqësojnë përmasën meditative të antologjisë. Në poezinë e tyre të ofruar për këtë Antologji ndodh ajo që është e rëndësishme në art: gjuha nuk bëhet pengesë, por urë. Sigurisht që poetët saranditë, nuk i përmendëm, thjeshtë sepse: sipas zakonit shqiptar: i zoti i shtëpisë nuk mburret me pasurinë e tij para miqve të shtëpisë. Pasuria e tij është ajo që ata vetë ndjejnë dhe përjetojnë. Me këtë rast duam të vemë në dukje modestisht një tipar, dallimin e poezisë moderniste dhe postmoderniste të autorëve shqiptarë me atë të miqve.
4. Në këtë antologji, zërat poetikë të vendeve të ndryshme vijnë si vale drite që ndriçojnë një objekt, vetëm se këto valë janë me ngjyra të ndryshme. Në këtë bashkë-bisedim poetik, poetët shqiptarë duken sikur mbartin një frymëmarrje më të brendshme, më të ngrohtë, të lidhur fort me kujtesën dhe përvojën jetësore. Ndërsa poetët nga vende të tjera të Evropës sjellin një ton më të distancuar, më konceptual, ku poezia ndonjëherë bëhet reflektim mbi idenë e artit vetë. Të dy këta horizonte poetike nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, por përbëjnë dy mënyra të ndryshme të të ndierit dhe të të thënit të botës.
a.Poezia shqipe e kësaj antologjie vjen si një frymë e përflakur nga përvoja historike dhe shpirtërore e një populli që ka njohur mungesën, dhembjen, por edhe dritën e dashurisë dhe të fjalës. Te poetët shqiptarë ndjehet një thellësi shpirtërore e rrallë, që nuk lind nga luks i mendimit, por nga përballja e drejtpërdrejtë me jetën. Në vargjet e tyre, fjalët nuk janë zbukurime; ato janë plagë që flasin, kujtesa që ndriçojnë, frymë që ringjallin. Ky intensitet emocional e bën poezinë e tyre të ngrohtë, njerëzore, të afërt me lexuesin.
Ndërsa poetët evropianë shfaqen me një frymë më të qetë, më racionale, shpesh më të kujdesshme në ndërtim. Ata e përpunojnë fjalën me mjeshtëri, duke i dhënë poezisë një pamje të hijshme e të ndriçuar intelektualisht. Por prapa këtij rregulli ndonjëherë fshihet një ftohtësi, një përpjekje për të mbajtur ndjenjën nën kontrollin e mendimit. Poezia e tyre është elegante dhe estetike, por më shumë për t’u admiruar sesa për t’u ndier.
b.Në planin e gjuhës poetike, krijuesit shqiptarë dallohen për figuracionin e gjallë, për imazhin që lind natyrshëm nga përjetimi. Vargu i tyre nuk është i krijuar për t’u kuptuar, por për t’u ndier. Ai mbart shtresa kuptimore që zbulojnë ngadalë brendësinë e shpirtit. Ndërsa tek poetët miq, gjuha shpesh është më e përpunuar teknikisht, më konceptuale. Ajo ngjan me një strukturë të ndërtuar me mend, ku çdo fjalë qëndron në vendin e vet, por ndonjëherë mungon fryma që e bën atë të gjallë.
c.Në individualitet, poezia shqipe ka një tjetër veçanti. Çdo poet dallohet që flet me zërin e vet, me timbrin e vet shpirtëror. Agron Tufa, Armela Hysi, Flutura Açka, Luljeta Lleshanaku, Rita Petro etj. secili prej tyre mbart një univers të veçantë që s’mund të ngatërrohet me tjetrin. Ata janë si yje që ndriçojnë në të njëjtën qiell poetik, por me dritë dhe intensitet të ndryshme.
Në anën tjetër, tek poetët miq, megjithëse prania e talentit është e dukshme, ndonjëherë ndihet ndikimi i tendencave globale, i një unifikimi të stilit poetik që përpiqet të jetë modern, por që ndonjëherë humbet individualitetin e thellë.
ç.Sa për tematikën, poetët shqiptarë i mbeten besnikë kërkimit të identitetit, lirisë dhe shpirtit. Ata e shohin ekzistencën përmes përvojës së njeriut që është dashur të qëndrojë përballë humbjes dhe të mbijetojë përmes kujtesës. Ndërsa poetët e tjerë të ardhur shpesh e kërkojnë universalitetin në përmasën estetike- në lojën e formës, në reflektimin mbi artin vetë, në konceptin e bukurisë si përvojë mendore.
Por në fund të fundit, këto dy prurje nuk qëndrojnë në kundërshti. Ato takohen në atë pikë ku poezia pushon së qeni e një kombi apo e një epoke, dhe bëhet thjesht njerëzore. Poezia shqiptare sjell zjarrin e brendshëm, poezia evropiane sjell kthjelltësinë e mendimit . E parë në këtë aspekt, njëra është zemra, tjetra është mendja; dhe vetëm bashkë ato formojnë poezinë e plotë të këtij shekulli që kërkon, përmes fjalës, të kuptojë vetveten.
5. Duke u rikthyer te grupi poetik “Takohemi në Jug”, Antologjia që ata sollën në bashkë-punim me miqtë nga vende të ndryshme, mund të thuhet me bindje se përbën një ngjarje kulturore që e ka tejkaluar kufirin e Sarandës. Ky botim nuk është vetëm një përmbledhje poezish, por një manifest modernist i poezisë bashkëkohore, një tekst i gjallë që dëshmon se fjala poetike në jug të Shqipërisë ka hyrë në një fazë të re – të hapur , bashkëkohore dhe shpirtërisht universale. Antologjia “Takohemi në Jug” ka krijuar një urë midis traditës dhe modernitetit, midis poetit të rrënjës shqiptare dhe poetit evropian të sotëm. Poezitë që përfshihen këtu nuk flasin për Sarandën, për detin apo për vendin; ato flasin për njeriun – me të gjitha shtresat e tij shpirtërore, me vetminë, dashurinë, revoltën dhe kërkimin e kuptimit. Ky është thelbi i poezisë moderne: të shohësh botën përmes syve të shpirtit dhe ta kthehesh atë në fjalë të ndritshme.
Për këtë arsye, krijuesit e tjerë të Sarandës, të Delvinës dhe më gjerë duhet ta shohin këtë antologji jo thjesht si një botim letrar, por si një model estetik e shpirtëror. Në të ndodhet një mësim i qartë për rritjen e poezisë: të mos mbetemi peng të nostalgjisë apo provincializmit letrar, por të hapemi ndaj frymës së re, ndaj përjetimit të sinqertë dhe kërkimit të formës së përkryer. “Takohemi në Jug” dëshmon se poezia shqiptare është gjallë, e re dhe me horizonte që shtrihen përtej kufijve gjeografikë.
Në këtë takim poetësh, ku bashkohen zëra nga Ballkani, Evropa dhe më tej, ndjehet se poezia nuk është vetëm art, por mjet vllazërimi shpirtëror. Kjo është më së pari arsyeja pse kjo Antologji nuk i përket vetëm Sarandës – ajo i përket kohës sonë dhe një gjenerate poetësh që kërkon të rrisë kuptimin e njeriut përmes fjalës. Sepse poezia, në thelbin e saj, është një pasqyrë e njeriut dhe universi i tij – një përpjekje për të kuptuar jetën dhe vetveten, pa barriera, pa kohë, pa kufij.
Sarandë, më Nëntor 2025









Comments