top of page

Tahir Bezhani: Disa poezi



 

  PËRFYTYRIM  NË DHOMËN E BURGUT

 

   E paharruar  ajo  kohë zezonash

   Vitet e shkuara birucave të nxira

   Ato dhoma të trishta, dy herë dy

   Një krevat  përforcuar  mureve të ftohta

   Një tavolinë, një karrige për “pushim”

   Kur mërzia merrte valë e koka mërdhinte

   Djersët lagnin fytyrës si bulëza gjethesh n ‘mars

   Dyshemeja  plot lagështi, myk mizorie

   Një kovë pas dere kundërmonte përherë

   Në dritaren e këndit të dhomës me pak dritë

   Një këngë bylbyli hynte n ‘fluturim

   Frymonte shpresën në zemër

   Etshëm shpirtin e mbyllur n ‘qeli

   Pas asaj gijotine  të vjetër e të ndyrë

   Të cilës i  vinte era liri!....

 

    KOLLITJET E NATËS

 

   Natën eci rrugëve të qytetit tim

   Sodis  përmallshëm   kalldrëmat e vjetër  

   Me duar varur mbaj ashtin e  shpinës

   Nuhas gjurmët  e hapave të hershme

  Si lehje qensh  piskamave  n’ ikje

  Vagëllimave të natës së fjetur

  Drita të neonit shkëlqenin n ‘errësirë

  Si në vegim  dëgjoj  vaje

  Herë të qeshura fëmijësh

  Shikoj pemë të zhdavaritura, gjëmonin

  Nga përplasje ere kur moti çartej

  Sa  kollitje të ashpra nga ftohja e gjatë

  E dhimbjet ia lexoja shtatit plot plagë

  Qytetit tim të lashtë...

 

  Me sy të ngrirë dhimbjeve lotoja

  Me imazhe fatamorganash

  Të gjitha rrugëve të qytetit një emër lexoja: Liri!

  Kollitjet e natës si tinguj lyrash të shpirtit

  Jeta harxhohet përqafimeve të nxehta

  Si gurët stinëve të shkrifta....

 

       NUMËRIM I GABUAR...

 

   Dje numëroja ditët si muaj,  si vite

   Sot numëratorja e jetës ka ndryshuar

   Numëroj vitet si ditët, si javë  e muaj

   Nuk dij se në cilën kohë paskam gabuar

   Apo, koha edhe numëratoren e ka ndryshuar

   Sa dëshiroj të harroj  plotësisht

   Aritmetikën e dështuar...

 

   ISHA DJE ATY

   Dje isha aty

  Te dera e vjetër më solli malli

   Putha gurët e lëmashkun , të nxirë

   Dhe plot  tjegulla te djegura

   Shkrumb moti  gulshoi në heshtje

   Plasaritjeve nuk ua fala kohën

   Idhshëm binin qepallave të lodhura

   Ehe!...

   Si kallet ofshama buzëve  të zverdhura

   Moshatarët kanë ndërruar vendbanimet

  Atje, nën hijen e blirëve  pushojnë

  Pranë gurëve të kullës së djegur

  Kujtimet sikur bëjnë nusërim

  Hijet bëjnë valle, këndojnë ninulla

  Shpirti shprish esencën valëvitëse

  Puçërrohet plazma  n ‘gjakun  e dehur

 I mungon fjala ditës për etjen e djeshme

 Kanë shkuar edhe lotët e përgjakur

 Te blirët takimi i moteve......

5 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page