top of page

Ta kalanta*


Leon Lekaj


Sapo ra zilja, gruaja vuri gishtin në buzë, për t’i treguar bashkëshortit të saj shënjën e heshtjes. E megjithë atë, ai u ngrit. Sytë lutës të plakës, që u shkapetën vrullshëm mbi shikimin e tij, nuk patën efekt. Plaku pa nga syri magjik, vuri dorën mbi dorezën e saj dhe tha:

-Janë sërish fëmijë! Nuk mund të bëj sikur nuk jam brenda.

Dera e hapur vrullshëm shfaqi përpara tyre një grup fëmijësh prej pesë vetash dhe bashkë me dukjen e tyre në shqisat e bashkëshortëve u përplas thirrja:

-Na ta poume? (ta themi këngën)

-Nai, na ta pite! (po ta këndoni)

Të parët tingëlluan trekëndëshat prej hekuri që mbanin në dorë. Njëri prej fëmijëve nxirte tinguj nga një fizarmonike goje dhe në çast, kënga e gëzueshme e Krishtlindjeve mbuloi krejt trishtimin e atij katin përdhes, ku prej më shumë se pesë viteve jetonte çifti i moshuar.

Plaku qe gjallëruar sërish. Pëllëmbët e duarve të tij, që dridheshin prej një parkinsoni të lehtë, filluan të rrihnin njëra-tjetrën, duke u munduar që të ndiqnin ritmin e këngës. I gjithë shpirti i atij kori të vogël, i cili ishte në unision të plotë dukej sikur e kishte ngritur katin përdhes të pallatit në një tjetër lartësi. Plaku futi dorën në xhep:

-Bravo! Ju lumtë!

Nxori prej andej një kartmonedhë prej pesë eurosh dhe ja ngjiti në dorë më të madhit prej tyre.

-Për shumë vjet, -uruan ata, duke u larguar.

Ai hyri në hapësirën e dhomës, ku e prisnin sytë e egërsuar të gruas së tij.

-Po tani, me çfarë do ta marrim bukën dhe qumështin? Ato ishin eurot e fundit.

Plaku ju afrua krejt ngjitur me fytyrën dhe i tha:

-Mos e prish gojën. Janë ditë të mëdha. Ja, kam mbledhur ca copa buke dhe i kam tharë. Do të bëj një trahana që të kënaqesh. Deri sa të marr pensionin do më huajë Vasili.

Plaka nuk foli, por dukej qartë që nervat nuk e kishin lëshuar akoma.


Ishte pasdite kur i shoqi hapi derën e shtëpisë. Ajo e dinte se ku shkonte në atë orë dhe sa herë që ai, me duart që i dridheshin, kapte dorezën e portës së jashtme të shtëpisë, asaj i fillonte t’i dridhej zemra. Por kur koha qe e vrenjtur dhe e lagësht ai nuk shkonte atje.

E ndoqi me sy pastaj, kur i shoqi u zhduk tek cepi i pallatit, hyri brenda dhe ndezi televizorin. Deri që të kthehej, pak para se të binte mbrëmja dhe të bënin së bashku xhiron e darkës, ajo nuk kishte asnjë punë tjetër, përveç se ta priste atë. Çdo pasdreke, Frosinën e kapte një trishtim përzierë me një brerje ndërgjegjeje. Nuk kishte mundur të siguronte një pension. Shitën shtëpinë që kishin në një lagje të mirë, por të hollat ikën shpejt. Nuk kishte fëmijë dhe asnjëherë s’mendoi për ta, ndryshe nga i shoqi, i cili i donte. Madje i adhuronte.

Ky refren përsëritej çdo natë, kur ajo mbeste e vetme në katin përdhes të pallatit, në një garsionierë të vogël dhe ai shkonte atje. Asaj asnjëherë nuk ju qartësua në vetëdijë emri i vendit ku shkonte i shoqi. Diçka e shtynte ta çonte mendimin më andej.

Pothuajse në këto mendime e gjeti përsëri zilja e shtëpisë. Pa orën. Dhimitri qe kthyer.

I shoqi hyri brenda, por nuk nuk bëri lëvizjet e zakonshme; hoqi kapelën e madhe republike që merrte me vete. Ajo pa që në dorë mbante një çantë:

-More bukë dhe qumësht?

Ai heshti, por ajo dinte t’i lexonte edhe heshtjen.

Dhimitri vuri çantën mbi tavolinë. Ajo ja lexonte edhe emocionet, sepse në këto raste duart e tija dridheshin më shumë se zakonisht.

-Sonte do festojmë edhe ne.

-Do festojmë the? Po me çfarë?

Plaku psherëtiu.

-Të kujtohen ata pesë fëmijët që erdhën të fundit? Ata që ju dhamë edhe atë pesë euro që na kishte mbetur?

-Më kujtohen posi, -u ngut të përgjigjej plaka.

Dhimitri u mbush me frymë.

-Ata kishin dalë për Kalanta që të mblidhnin të holla.

-Të gjithë fëmijët bëjnë të njëjtën gjë -tha plaka, gati e nervozuar që i shoqi nuk i kishte thënë ndonjë gjë të re.

-Por ata ishin pak më ndryshe se të tjerët.

-Pa hë, tha Frosina e shtyrë më shumë nga kureshja.

Gruaja pa të shoqin t’i kthente shpinën, pastaj supet e tij që dridheshin lehtë dhe nuk e pati të vështirë ta kuptonte.

-Ti po qan?

Vërtetë ai po qante. Pastaj në një çast u kthye nga ajo, futi dorën në xhepin e pasëm të pantallonave dhe i tha:

-Këtu janë dyqind e tridhjetë e dy euro. Mi sollën ata, tek qoshja ku unë kërkoj lëmoshë. Ishin të pestë bashkë. Unë nuk doja t’iu a merrja por ata nuk ma dhanë këtë mundësi. M’i vunë në grusht, dhe pasi më uruan vitin e ri, u zhdukën në mesin e turmës. Në kujtesën time tani ka mbetur vetëm shprehja e tyre e fytyrës. Ata ishin të lumtur.

Dhimitri nxori nga çanta një shishe me verë të mirë, një pulë të pjekur që e kishte marrë në supermarket, kekun e natës së vitit të ri, me “floririn” brenda, si dhe ca mollë e portokalla.

Kur e shoqja shkoi në guzhinë për të shtruar tavolinën, ai tha:

-Vër tri gota! Po shkoj të marr Jorgon, që lyp tek stacioni. Ai nuk ka as grua dhe as shtëpi. Do t’i bëhet qefi shumë.

Kur ai hapi derën, Frosina e ndjeu dridhjen e duarve të tij deri në guzhinë. Po afrohej ora e ndërrimit të viteve.


l. lekaj Athinë 2022



Kalanta* quhet në Greqi këngë, të cilën e këndojnë zakonisht fëmijë të moshave të vogla në prag të festave të Krishtlindjes, Vitit të Ri dhe festën e Ujit të Bekuar.

55 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page