Timo Mërkuri: POEZIA E SHKRUAR BRENDA NJË PIKE LOTI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 hour ago
- 10 min read

Nga Timo Mërkuri
Në një nga vizitat e mia në Janinë, diku pas viteve '90, zbrita për një shëtitje buzë liqenit. Ishte korrik, nën hijen e rrepeve shekullorë një fllad i lehtë zbutte vapën dhe kthente shëtitjen në një kënaqsi. Rrugës pranë kështjellës, aty ku liqeni tërheq vështrimin dhe heshtjen, ishte një park skulpturor, ku skulpturat moderniste ishin vendosur në një distancë prej 40-50 metrash nga njëra-tjetra. Por sytë m'u ndalën menjëherë tek njëra: një formë loti e mermertë dhe brenda saj, gdhendur me dashuri e finesë Shën Mëria në këmbë, me duar të bashkuara në lutje, me sytë e ulur, si një nënë që mban në shpirt një dhimbje të përjetshme, dhimbjen e kryqëzimit të të birit. U ndala gjatë në soditje, pse skulptura ishte më shumë se art, ishte një ndjesi. Dhe ajo ndjesi, pas kaq vitesh, m’u rikthye kur lexova poezinë “Elisava” të Ilirian Zhupës. Jo se poezia ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me Shën Mërinë, as se gjej aty ndonjë varg përmendor, por dhimbja që rrezaton kjo poezi është e atij lloji të rrallë që nuk bërtet, por të gozhdon. Dhe në këtë lexim më erdhi ndër mend ajo pikë loti ku qe strukur në dhimbje Shën Mëria. Ashtu si skulptori kishte ditur ta strehonte dhimbjen e përbotshme në një pikë të vetme, edhe Ilirian Zhupa ka ditur ta shkruante një dhimbje të pamatë në katër vargje. Poezia më shfaqej para syve jo si tekst, por si një altar i vogël, një gur që nuk kërkon as kurorë, as lule, vetëm përkulje, para vargjeve të saj:
“Motra ime e shtrenjtë, tani fle në varr,
Mbyllur në arkën prej druri, mbuluar me pllaka e dhera...
Të ishte për mua, do e mbuloja si në fëmijëri vetëm me lule dhe bar,
Që të dëgjonte si vijnë e ikin, drita, shiu dhe era.”
Ky është ai lloj arti që nuk i imponohet lexuesit, por e merr për dore dhe e çon atje ku fjalët s’kanë më nevojë për koment. Është ajo heshtje që pason një lajm të kobshëm, kur gjithçka ngrin dhe fjala mbetet pezull, sepse është thënë tashmë në mënyrën më të saktë të mundshme. Realisht Zhupa nuk shkruan për të bërë përshtypje, por për të shprehur thelbin. Ai s’kërkon as ngushëllim, as patetikë, por thjesht e thotë siç thuhen gjërat në çastet më të hidhura të jetës; drejt, me ndjenjë, me përmbajtje. E lexon dhe ndien një lloj dhembjeje që nuk i përket vetëm poetit, por të gjithëve ne që kemi humbur, që kemi ndjerë mungesën, që kemi heshtur në kujtim.
Nëse dikur mund të flisja për orë të tëra për skulpturën e Shën Mërisë brenda pikës së lotit, sot mjafton të hesht përballë kësaj poezie. Sepse kur arti arrin të thotë gjithçka me kaq pak, ne s’na mbetet gjë tjetër veçse të përulemi me nderim. Një poezi e tillë nuk lexohet, ajo lejohet të të ndodhë dhe kur ndodh, të mbetet brenda në kujtesë, si një pikë loti që nuk rrëzohet kurrë. Në një pikë loti mund të zërë vend një botë e tërë. Nganjëherë mjafton aq pak , një drithërimë, një fjalë, një shikim, një katërvargësh që të shndërrohet në një altar ndjenjash që s’kërkon as kurorë, as buqeta, por thjesht përkulje.
I-Lind pyetja: Pse e shkroi poeti këtë poezi kaq të shkurtër për një dhimbje kaq të madhe? Poeti Ilirian Zhupa e shkroi këtë poezi të shkurtër siç buron një lot nga një sy që nuk qan me zë, por me peshën e shpirtit që s’mund të gjejë ngushëllim. Në vetëm katër vargje, ai nuk përpiqet ta shpjegojë humbjen, por ta mbajë pezull, siç mbahet në heshtje një emër i shenjtë në mendjen e një burri që nuk qan lehtë. Sepse dhimbja e madhe nuk ka nevojë për fjalë të shumta. Poeti është vëlla, dhe burrat në këtë marrëdhënie nuk janë fjalëmë-dhenj; ata nuk vajtojnë me klithma, por në heshtje, me zemrën që si një dallgë e furrishme deti në furtunë u shkallmon kraharorin. Edhe kjo poezi është një heshtje e tillë gjëmuese, madje si katër dallgë dallgë të furrishme në furtunë. Poeti thotë pak, sepse ndjen shumë, sepse vargu:“motra ime e shtrenjtë, tani fle në varr” nuk ka nevojë për stoli. Është si vetë guri i rëndë i dhembjes mbi shpirt.
Në fakt poeti nuk përpiqet ta ngrejë këtë dhembje në tragjedi të madhe publike. Përkundrazi, ai e përul para kujtimeve më të ndritura:“do e mbuloja si në fëmijëri, vetëm me lule dhe bar”. Ky varg është mall dhe dashuri, është mënyra e tij për të thënë: “Ti je ende e gjallë për mua, si atëherë kur ishim fëmijë.” Është kthim pas, aty ku dhimbja nuk kishte hyrë ende në jetën e tyre. Pra, dua tju them se poezia është e shkurtër sepse është e vërtetë, dhe dhimbja e vërtetë nuk ka nevojë të përshkruhet. Ajo lexohet edhe në një fije bari, edhe në një lot të strukur në qepalla, veçanërisht në sytë e një burri që mban brenda vetes gjithë dashurinë vllazërore për motrën që s’është më.
Por ja që mua më duket se kjo poezi është shkruar me lotë ose së paku brenda një pike loti që ende poetit nuk i ka pikuar nga sytë, pse unë ju them se jo çdo lot pikon, por çdo lot i brendshëm digjet.Disa lotë mbeten pezull në sy, si glob i heshtur që s’guxon të bjerë, ngaqë poeti, burrë labërie, e mban siç mban dhimbjen që nuk shpërthen në gjëmë, por përflak gjithçka përbrenda.
Poezia “Elisava” është pikërisht ajo hapësirë e tejdukshme brenda një loti që s’ka gjetur ende udhën për të rënë, por e ka shkruar veten nëpër vargje. Dhe këto vargje, me gjithë thjeshtësinë e tyre, mbajnë brenda një përmbajtje që rënon pa klithma, që të mbush me ndjesinë e një dhimbjeje që nuk kërkon zë, sepse është më e fortë se zëri. A e dini, në këtë poezi nuk është vetëm motra e poetit që fle në varr, por edhe një pjesë e vetë poetit që nuk zgjohet më. Dhe për dashuritë e mëdha, shqiptari nuk thotë “vdiq”, por “fle”, sepse gjumi është i shenjtë, dhe kujtimi është i përjetshëm. Unë dua t’ju them se ky lot që s’pikon, por rritet nën qepallë, është vetë poezia. Dhe ti, duke e lexuar poezinë, bëhesh përjetues i një loti që s’të lag faqen, por shpirtin.
II-Në poezinë “Elisava” ndjesia e humbjes nuk është thjesht trishtim; është shuarje e një drite të brendshme. Vdekja e motrës nuk përjetohet si një kapitull që mbyllet, por si një pezullim jete, si një zbehje dhe ftohje e vetë botës së ndjenjave njerëzore. E kemi parasysh, kur ikin prindërit, dhimbja është e thellë, por ajo ikje ndjek një rit të pranuar të jetës, një rend natyror. A e kini vënë re, për prindërit thuhet “ikën” ndërsa për motrën thuhet vetëm “shuhet”, dhe kjo e ka një llogjikë, pse kur shuhet motra, si Elisava ndjesia është se po ikën vetë e qeshura, po thahen lulet dhe ngrin e akullsohet koha.. Nuk është thjeshtë mungesa e një njeriu të dashur, është mungesa e dikujt që e bënte botën më të bukur, më të butë, më të durueshme. Më besoni, motra është kujtesa e fëmijërisë, e përkujdesjes, e butësisë dhe intimitetit që nuk kërkon fjalë, humbja e saj është si të humbasësh pranverën personale. Ndaj poeti në vargun:“do e mbuloja si në fëmijëri, vetëm me lule dhe bar” nuk e mbulon vetëm me natyrë , por së pari e mbulon me kujtimin e një kohe të ngrohtë, të sigurtë, me një përkujdesje që tanimë nuk mund të jepet më. Dhe e vetmja mënyrë për ta dhënë është përmes imagjinatës poetike, pra përmes një heshtjeje të madhe, të thellë, që rrjedh në çdo varg. Unë ju them se dhimbja për motrën, është një dritë që fiket, jo një dritare që mbyllet. Poeti mbeti në errësirë si te ajo loja “Hapa dullapa” kur në momentin që do të hapë sytë sheh se është fikur drita elektrike dhe ai nis e vjen rrotull në errësirë duke prekur me duar karrike e tavolina në kërkim të motrës. Kështu poeti vjen rrotull në mungesë dhe prek me duar kujtimet e motrës së tij dhe në çdo kujtim, një ngulç i mblidhet në grykë e loti i rritet nën qepallë. Dhe i dhemb zemra, o sa shumë që i dhemb. Besomëni mua se e kam provuar. Po të kishte mundësi dhe vetë vdekjen do ta kapte për fyti, por ja që s’mund.
III-Poezia e Zhupës është një katërvargësh i qetë në sipërfaqe, por i tejmbushur me një dhimbje që rëndon jo vetëm mbi vargjet, por mbi çdo fjalë, çdo tingull, çdo gërmë. Kjo nuk është një dhimbje që bërtet, është një dhimbje që hesht aq thellë, sa shndërrohet në gur, në tokë, në aromë bari të njomë dhe në një dridhje që të kap pa fjalë.
1.Qysh në vargun e parë:“Motra ime e shtrenjtë, tani fle në varr,” dhimbja vjen si një pranueshmëri e pa pranuar kurrë plotësisht. Fjala "fle" është një zbutje e natyrshme për t’i dhënë vdekjes një pamje paqësore, jetësore, por me peshën e fjalës “varr” në fund, gjithçka rrëzohet, pse nuk është një gjumë, por një ndarje e pakthyeshme. Vargu është një vaj i heshtur, i përmbajtur, si kur dikush shikon një të afërm në arkivol dhe vetëm ul sytë.
2.Vargu I dytë:“Mbyllur në arkën prej druri, mbuluar me pllaka e dhera...” është më i errët, më tokësor. Nga fjala “arkë” te “pllaka” e “dhera,” gjithçka është e rëndë, e ftohtë, fizike. Kjo në fakt është dhimbja që s’mund të shmanget, konkretësia e vdekjes. Nuk ka zbukurim, nuk ka metaforë, ka vetëm realitetin që të mbyt me peshën e vet, që të mbush me një ndjesi mbylljeje, si të ishe edhe vetë i mbyllur në atë arkë.
3. Ëndërron poeti te vargu:“Të ishte për mua, do e mbuloja si në fëmijëri vetëm me lule dhe bar” si kthimin në një nga lojrat ë shumta të tyre në fëmini. Poeti kërkon ta zhveshë vdekjen nga realiteti i saj i ftohtë, ta shmangë nga vendosja në qendër të poezisë dhe ta sjellë në botën e fëmijërisë, ku mbulimi bëhej me dashuri, jo me dhe. Këtu poeti na jep një nga figurat më të ndjera: një mbulim i butë (me jorgan), si për të mos e ftohur, për të mos e larguar jeta, nga lodrat. Bar dhe lule, jo për zbukurim, por si një lloj përqafimi i fundit.
4. Një lëvizje gjeniale e poetit drejt përjetësisë (poetike) shprehet te vargu: “Që të dëgjonte si vijnë e ikin, drita, shiu dhe era”. Ai dëshiron që motra të mos jetë në heshtjen e varrit, por të jetë në kontakt me botën, me ciklin e dritës, me përkëdheljen e shiut, me zërin e erës. Elementët e natyrës nuk janë të rastësishëm, ato bëhen jetë përtej jetës Kjo s’është vetëm nostalgji, është një lutje e heshtur që vdekja të mos jetë një prerje totale. Është një mënyrë e heshtur për të besuar se lidhja vëlla motër nuk është këputur, se dashuria nuk është ndalur në kufirin e vdekjes. Poeti e ndjen se kjo është mënyra e vetme që mund të mbajë lidhjen me motrën: përmes natyrës, që vjen e ikën, si fryma e motrës që tani është bërë kujtim, por që ende dëgjon. Ngjyrat e dhimbjes në këtë poezi nuk janë të errëta, port ë buta, tokësore. Janë ngjyra lulesh, drite, bari që tentojnë të zbusin të zezën e vdekjes. Në këtë poezi vëllai nuk qan me ligje, por dashuron përmes dhimbjes, pse dashuria e vëllait është më e fortë se vdekja. Vëllai nuk ka më japë veç kujtimit, barit, luleve dhe dëshirës që motra mund të ndjejë: “si vijnë e ikin drita, uji, shiu dhe era”. Dhe sigurisht edhe vetë heshtja e thellë është një shfaqje e dhimbjes së madhe. A e ndjeni në lexim se në këtë poezi, dhimbja nuk ësxhtë e drejtpërdrejtë, nuk është një vajtim, por pezullim i zërit në një botë tjetër, ary ku motra “fle”, fjalë e përdorur për të mos pranuar vdekjen.
IV- Kjo poezi mbart një arkitekturë të thjeshtë, por brenda saj fshihet një ndërthurje e fortë figurash artistike që i japin përmasë shpirtërore dhimbjes, e cila shprehet vetëm me fjalë, por formësohet përmes simbolit, metaforës, personifikimit dhe imazhit, duke krijuar një dritë të ngrohtë dhe të rëndë njëherësh, një ngjyrë toke, një dritë që fiken dhe mbetet e gjallë brenda kujtesës.
1.Simbolet: “Varr”, “arkë prej druri”, “pllaka”, “dhera” janë gurët e heshtur të një ndarjeje që nuk ka kthim. “Arka” s’është më thjesht një trup i prerë druri: ajo bëhet mbyllje, fund, mosqenie. “Dhera” bëhet kufiri i fundit mes duarve që nuk përqafojnë më.
Ndërsa “lule dhe bar” nuk janë vetëm gjelbërim: ato janë çka mbeti nga fëmijëria, butësia që s’kish kohë për të kuptuar vdekjen, por që tani përpiqet të zbusë dheun me kujtime. Simbolet nuk flasin për ndarje, por për kujdes që nuk pushon dot, edhe kur s’mund të jepet më.
2.Metaforat: “Fle në varr” tingëllon si përrallë që fëmijës i thuhet për të mos e trembur. Por këtu, poeti përdor këtë fjali për të bërë dhimbjen më të butë, për ta rrethuar me një ndjesi të përkohshme, sikur gjumi ka një zgjim pas tij.
Metafora “do e mbuloja si në fëmijëri me lule dhe bar” nuk është veç një kujtim, por një kthim në kohën ku vdekja nuk kishte hyrë mes vëllait e motrës. Akti i mbulimit nuk është varrim, por një përqafim fëmije, një lojë që ka mbetur pezull, e s’ka mbaruar kurrë.
3.Personifikimet “Që të dëgjonte si vijnë e ikin, drita, shiu dhe era.” ku natyra nuk është më peizazh, ajo është jetë, frymë, zë që vjen rrotull varrit. Drita dhe shiu nuk bien më, ato vijnë dhe ikin, si njerëz që hyjnë për pak çaste në heshtjen e varrit. Është një përpjekje për të ruajtur një lidhje, për të mos pranuar plotësisht prerjen e komunikimit.
4. Poezia ndërton një tablo kontrastesh: nga njëra anë; arkë, pllaka, dhe – elemente të rënda, të palëvizshme, të errëta. Nga ana tjetër; lule, bar, dritë, shi, erë; elemente të lehta, që s’ndalen, që sjellin jetë, edhe aty ku jeta është fshirë.
Ky kontrast nuk e prish harmoninë e poezisë, përkundrazi, e thellon. Dhimbja bëhet më njerëzore kur ngjyroset nga kujtesa. Vdekja s’është vetëm errësirë, është edhe përpjekje për t’i dhënë ngjyrë kësaj errësire, përmes kujtimeve që nuk pranojnë të thahen.
5. E parë në këtë aspekt ndjejmë se të gjitha figurat artistike veprojnë në një harmoni të thellë: Simboli jep peshën e rëndë dhe heshtjen, Metafora i jep kujtesës formë të prekshme, Personifikimi i jep ndjeshmëri natyrës, si urë mes të jetuarës dhe të shkuarës dhe Imazhi mbart kontrastin mes ftohtësisë së vdekjes dhe ngrohtësisë së dashurisë. Kjo ndërthurrje krijon një ngjyrë të errët, tokësore, ku e zeza e varrit përplaset me jeshilen e barit, me ngjyrën e larme të luleve, dhe me dritën e bardhë që s’futet dot në dhe. Kështu lind një ngjyrë e përzier dhimbjeje, e heshtur, por e thellë, një dhimbje që nuk kërkon të preket, por të dëgjohet si “shiu, drita dhe era”.
Në vijueshmëri të këtij këndvështrimi shohim se figurat artistike; simbolet, metaforat, personifikimet dhe imazhet së bashku dhe të ndërthurura në poezi krijojnë një tufë lulesh shumëngjyrëshe që vetëm që zbukuron poezinë, por edhe shpërndan në të aromat e natyrës së ndjenjës, dhimbjes dhe dashurisë. Aromat që ndihen në poezi janë metaforike: herë të ëmbla si kujtimet, herë të hidhura si ndarja, herë të freskëta si shiu apo era, dhe herë të qeta si drita që prek heshtjen e varrit. Ky imazh i kurorës shumëngjyrëshe i jep poezisë një frymë të gjallë dhe të përjetshme, si një mënyrë për të mos lejuar që dhimbja të mbyllet brenda dheut, por të lulëzojë si një dashuri që s’mbaron.
Dhe në përfundim mund të them se poezia “Elisava”është një faltore e vogël që vëllai ngre për motrën dhe kujtimet janë qirinjtë që ai ndez për atë. Dhe sa më përket mua, në qoftë se atëherë në Janinë para skulpturës së Shën Mërisë brenda lotit pafajsisht bëra kryqin, te kjo poezi tempull i dashurisë së vëllait për motrën ndeza si qiri këtë sprovë.
Sarandë, më Maj 2025
Comentarios