Berat Batiu: “FILXHANI ME BUZË TË KAFSHUAR”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 7 hours ago
- 3 min read

Vështrim për librin e autorit Kadri Tarelli
Me rastin e përurimit në Prizren, të shtunën 17, 05, 2025.
Të nderuar të pranishëm, të dashur miq të librit dhe fjalës së bukur, sot, këtu në qytetin e bukur të Prizrenit, kemi nderin dhe kënaqësinë të mirëpresim një vepër që mbart brenda saj aromën e tokës shqiptare, mallin për jetën, dhimbjen e heshtur dhe shpresën që gjithmonë mbin në shpirtin tonë: librin “Filxhani me buzë të kafshuar” të autorit Kadri Tarelli.
Shtëpia botuese Fidani, që nga viti 2020, ka krijuar një urë të rëndësishme bashkëpunimi me krijuesit e letrarë nga Durrësi, duke sjellë në jetë një sërë veprash që pasurojnë letërsinë shqipe dhe që e lidhin ngushtë Durrësin dhe Prizrenin përmes kulturës dhe fjalës së shkruar.
Kadri Tarelli, me përvojën e tij prej shkrimtari, na dhuron tregime që janë si fotografi të gjalla të jetës sonë. Janë copëza kujtimesh të mbushura me dashuri, humor të hollë, dhembje të ëmbël dhe një urtësi popullore që të pushton pa zhurmë. Në këtë libër, gjithçka merr kuptim nëpërmjet detajeve të vogla, të cilat autori i sjell me një mjeshtëri të rrallë. Ashtu siç filxhani i kafshuar bart në vetvete historinë e heshtur të një çasti, edhe tregimet e këtij libri bartin historinë e një populli të tërë – historinë e një njeriu që ecën mes dhimbjeve dhe shpresës.
Dua të ndaj me ju një fragment të vogël, që shpreh më së miri ndjeshmërinë që përshkon gjithë veprën. Në tregimin “Kambana e dashurisë”, autori na tregon: “Kjo kambanë nuk mund të zhduket! Është e bekuar nga Zoti, sepse përjetësoi një dashuri hyjnore. S’besoj se ka në botë një kambanë të tillë, si kjo e jona, që këndon për dashuri!”
Ky mendim i ngrohtë na kujton se dashuria, kujtesa dhe shpresa janë të pathyeshme, pavarësisht furtunave të historisë. Po ashtu, në tregimin “Nga loti i nënave, deti u bë i kripur”, autori, përmes një bisede të thjeshtë mes një nëne dhe bijës së saj, arrin të përmbledhë një epokë të tërë vuajtjesh: “Mami! Pse deti është i kripur?” “Deti u bë i kripur nga lotët e nënave.” Sa pak fjalë dhe sa shumë dhembje që mbartin këto fjalë!
Kadri Tarelli, me këtë libër, nuk shkruan thjesht tregime – ai ndërton një urë zemrash mes brezave. Ai na rikthen tek rrënjët tona, tek besimi ynë i palëkundur në jetën, në njerëzit tanë të zakonshëm që, përmes dashurisë, sakrificës dhe buzëqeshjeve të vogla, mbajnë gjallë identitetin tonë. Stili i tij është i thjeshtë, i rrjedhshëm dhe plot ngjyra, ku ndërthuren figura si metafora, ironia, sarkazma e lehtë dhe epitetet që zbukurojnë çdo tregim.
Autori shpesh na shfaqet njëkohësisht si kronikan, si historian i jetës së përditshme, si poet i dashurisë së vogël e të madhe. Në të gjithë këto tregime, lexuesi herë ndalon për të menduar, herë buzëqesh lehtë, e herë tjetër ndjen një therje mallëngjimi, sepse gjen aty veten, njerëzit e tij, kujtimet dhe ëndrrat që s’janë shuar. Libri "Filxhani me buzë të kafshuar" është një “arkë e kujtesës” – siç e quan vetë autori – ku çdo tregim ruan një pjesë të çmuar të shpirtit shqiptar. Prandaj, sot, në këtë ditë të veçantë për Prizrenin dhe për gjithë ata që e duan librin dhe fjalën shqipe, i shprehim autorit Kadri Tarelli mirënjohjen tonë për këtë dhuratë të çmuar.
E urojmë që pena e tij të vazhdojë të na sjellë dritë, emocion dhe dashuri për jetën dhe për njëri-tjetrin. Le të mbajmë në duar këtë libër, siç mbajmë një filxhan të vogël kafeje me buzë të kafshuar – me gjithë aromën, ngrohtësinë dhe kujtimet që ai na dhuron.
Urime dhe suksese të mëtejshme autorit!
Berat Batiu
Prizren. 17, të majit 2025.
Përsgëndetije dhe falënderim Berat Batiut, autorit të këtij shkrimi, kushtuar librit tim "Filxhani me buzë të kafshuar", njëkohësisht organizatori i veprimtarië përuruese në Prizren. Meriton një mirënjohje të thellë për veprimin fisnik,
Miqësisht!
Kadri Tarelli
Durrës.