Të tjerët, nëse ata do të vazhdojnë të lexojnë


Të tjerët, nëse ata do të vazhdojnë të lexojnë

Dr Fatmir Terziu


Kohë më parë, fill pasi vetvetiu në grupimet e ndryshme studentore, ato universitare, apo më pas në rrjetet sociale, shkrimtarë që përfituan nga “kaosi” i letrave shqipe filluan të shpallnin me të madhe, sigurisht vetveten si “një nga shkrimtarët më në zë të pas viteve 1990-të në Shqipëri”. Dhe jo vetëm kaq, me ndihmën e vetë “kaosit” letrar ata nisën të ankoronin një “ankesë” në publi-mediat që formëzonin blogje-letrat e veta, për “krijuesin cinik”, duke thënë se ai ishte i vështirë dhe se ai s’kishte ndjenja njerëzore. Tani ata trumbetojnë jo më në grup njëherazi, por vetmuar në strofkën e vet letrare plot “kaos”, për të respektuar cinizmin, se “ai është i butë dhe mjaft i ndjeshëm”.

Është vërtet një ndryshim kurioz. Por është mjaft real. Dhe është një nga ato shumë gjëra të këtij “kaosi” të letërsisë shqipe, që nuk është parë si duhet, as nuk është ndjerë si shkruhet. Këtu është një grup i të ashtuquajturve shkrimtarë të tillë, shkrimtarë të vetëquajtur “më në zë”, që është vetë cinik, jo sepse është mjaft “delikat”, ide-dobët me të gjitha detalet e të sfumuarit, por sepse është ide-trashë dhe me detajet e të shkruarit. Duket se ka saktësisht të njëjtën tendencë edhe për rrëqethje në çdo gjë konvencionale si një të shkruar të kohës totalitare, kur shkruhej dhe botohej mes miqve për honorare kafesh dhe shkëmbim lavdërimesh të ndërsjellta. Kjo, natyrisht me një kusht tek liria e fjalës, dhe tek përdorimi i saj lirie, që nga b….. deri tek elementët më intimë të njeriut, qoftë dhe atij cinik në të paraqitur dhe në të shkruar.

Ky cinizëm i ri është vetë-pëlqimi i shkrimit, që mori fatet e paudha në tërë këtë kaos të uzurpuar nga kjo kategori, nga tjetra me paranë e botimit dhe më e keqja nga mungesa e respektit për vetë librin e dalë pas botimit, që për fat të keq është më i sëmuri, më faqezverdhuri në tërë historinë e librave dhe shkrimve që ka njohur dhe njeh bota e letrave. Këtu është, megjithatë, në botën e tij të kulturës së njëjtë dobësia themelore që me të vërtetë ka huazuar për shkaqe të ndryshme dhe për shkak të “kaosit” pjesë nga më të këqijat e botës së vjetër dhe konventës së të shkruarit, me të cilën libri mbeti thjesht një admirim i sëmurë, një sëmundje tjetër cinike, që ende ka shtratin e vet në atë kuturisje propagandistike mendore duke festuar ende mbi ngrehina të lëkundshme të librit të shpërfillur nga lexuesit veprën më cinike të shekullit.

Këtu është një frazë e caktuar “horrori”, ndoshta më e kapshme mes të pakapshmeve të kaosit dhe vetë cinizmit, që natyrisht koklavitet tek “paraja” dhe mjaft ligjësi të tjera, që janë lënë jashtë vëmendjes, duke bërë kështu natyrshëm statukuonë e një kategorie, që për ironi të fatit kërkon të kapë me zor fatet e letrave shqipe. Bëhen, propagandohen dhe fryhen dhjetra panaire, ku vijnë kryebashkiakët “xhuxhmaxhuxha”, jo thjesht nga trupi i tyre, por dhe nga qasja me librin dhe pastaj parakalojnë para librit shqip, sikurse janë njerëzit që kanë lënë asistencën sociale mujore në gotë të rakisë, jo vetëm duke mos kapur libër me dorë, por dhe duke lënë pas stendave me vapë një zjarr inati për vetë njerëzit e sakrificës moderne me librin. Ngrihen komisione për librin, dhe në krye janë vetë “propagandistët”, apo “doktorantët” e kapluar nga cinizmi, që shpallin ende pa zbritur nga avioni fituesit në një garë ku vetëm libri mungon, dhe madje nuk është lexuar asnjë fjalë e tij. Shkërmoqen fasada librash me një arsye që ende nuk dihet, duke lënë një shije tjetër cinizmi, që duket dhe në ekranet e ftohta, ku titujt lexohen sipas orekseve cinike të ndonjë kolegu që pret të firmosë rrogën nga derti. Departamentet e Universiteteve, të mbetur në “kioskëzimin” modern të tyre, ku njëri jep titullin dhe tjetri ia mban vendin dhe orët kur del në pension, duket se janë vrasësit më cinik të librit dhe të kompletësisë semantike të fjalës Shkrimtar. Përtej dritares së Ministrisë së Kulturës, libri është një fasadë tjetër, ku forma më cinike ka miliona arsye vrastare.

Në të gjitha rastet kjo është një çështje e vetë shkrimtarëve, (ndoshta jo e atyre të vetëquajturve më në zë në rrjetet sociale) atyre pak shoqatave në Atdhe dhe atyre që ekzistojnë jashtë Atdheut dhe jo e analizës, sepse e Shtetit dhe Qeverisë, apo më saktë e ndonjë Institucioni të librit, nuk bëhet fjalë, se kjo është më e rëndësishme se çfarë fjalësh janë përdorur, se sa çfarë mendimi është paraqitur. Njerëzit e Fjalës së Bukur me të vërtetë të rafinuar nga vaji i këtij “kaosi” po shndërrohen bashkë me krijimtarinë në të verdhën e zbehtë të turarendjes së ikjes së vetë librit. Dhe pos dashurisë së një libri, mbesin seriozisht “të sëmurët e librit”, pra vetëm ata ndjehen shumë të sëmurë… Të tjerët, nëse ata do të vazhdojnë të lexojnë po me zë botën e tyre të vogël që shkruhet mes kaosit në lidhje me shkrimet pa lidhje, cinizmi do të vazhdojë të shtohet si ethet e tifos së shkrimtarëve të vetëquajtur “më në zë’.


#kaosiletrar #terziu #letratshqipe

3 views

Shkrimet e fundit