Syri i Artistit
(Një poezi e shkruar herët për Artmbjellësin Fitim Haxhiraj)
Fatmir Terziu
Ende Pylli i Sodës ka partiturën e qiellit të vet
dielli bën xhirron e kohës nën shoqërinë e stërkalave të Detit
u stacionua edhe pikla e fundit e djersës në sytë e Artistit
mbi maja pishash
retë e Vjeshtës shkruajnë pa nota
skenari zbret në të bardhë
ritmikisht
një ëndërr e gjallë,
gjyshi, djali, nipi … e plot një sallë*
kaloi duartrokitja për të gjetur një Kryefjalë
sesi bën urtia jote metromoni në kujtesën e tik-takut
ishte e sotmja,
e djeshmja anoreksike me menu grykësie,
shtronte sallatra në gjuhë të lodhura,
gjallëri
renditje
qashtër
duartrokitje
e paharruara e mbetur mes mureve
jashtë pemëve
ku gjethet bëhen kurban për gjeneratat…
…syri i Artistit
bën artin e radhës nga rëra e harresës…
Shënim: *Në sallën e Universitetit të Vlorës, gjatë një promovimi të librave të shkrimtares, Vilhelme Vrana Haxhiraj “Mjeshtër i Madh”.
Pajtim Xhelo
Poezi shumë e bukur Fatmir!