
Dërgoi Sulltani taborë
Mallakastrën ta nënshtrojë.
- Kush s’ më bindet e rrafshoj,
Hi e pluhur nën patkonj,
Kodrat shkrumbi t’i mbulojë.
Pashallarët përmbi kuaj,
Gjokset fryrë, gradarënduar:
- Do ua shkulim dhëmballë, dhëmbë,
Do ta rrjepim gjallë çdokënd,
Mish e kocka ushqejmë qentë.
Do bëjmë malet që të ngjethen,
Lumenjtë vetëm gjak të rrjedhin,
Kodrat me korba do veshim,
Përrenjtë zalltharë le të mbesin,
Në brinja thyejnë kokën breshkat.
Në Greshicë taborët rënë,
Re të zezë, dielli zënë,
Mbetur gjinkallat pa këngë,
Zogjtë pa çerdhe drurët lënë,
Tym e mjegull nëpër këmbë.
- Do t’ju grijmë, bluajmë në mokra
S’ratë në gjunjë, fluturon koka,
Thatë një fjalë, flakë ndizet toka,
Shkëmbinjtë i thërrmojmë në copa
Rrafshojmë kodrat, kthejmë në gropa.
Të uritur, ujq, kope:
- Sulltani është diell mbi dhe,
Hija e tij jemi ne.
Nesër dita pa zbardh mirë
Xhelepet te jenë bërë stivë.
Kur të ketë dy hosten diell,
Nga çdo derë duam dash në hell,
Kush s’ka dash vashën të sjellë,
Pashallarëve t’u bëjë nder
O, sinisë, koka e prerë!
***
Luajti legjenda nga varri
Gjergj Elez Alia ngjallet.
Gjergj Elez, Sulo Greshica:
- Prisni,- tha, - të bjerë drita!
Prisni, prisni të lind dita,
Të mësoni se ç’është pritja!