top of page

“STUHI NË PJATË”


Vangjush Saro

“STUHI NË PJATË”

Tregim

Në të perënduar sytë për gjumë, Dauti ndjeu njëlloj sëmbimi në ije. "T’ëmën! Do të vdesëm dhe Bot' e tërë do të bjerë në dëshpërim." Tha me vete. Nuk ishte asfare dëshira e tij që të shpërndante lajme të këqia e të trishtonte mijërat dhe milionat e lexuesve; ca më pak botuesit e tij, përkthyesit, kritikët, kineastët… Dhe kur pa, tani që ishte në kulmin e suksesit. Pooo! Libri i tij më i fundit, “Stuhi në pjatë…”, i kishte thyer të gjitha parashikimet e mundshme; dhe njerëzit, në krejt Planetin, ishin bërë si të marrë pas asaj vepre brilante. Uau! Flitej se dy regjisorë, nga më të njohurit në Hollivud, kishin përfunduar në gjyq, pasi që nuk e zgjidhnin dot se kush do ta xhironte atë gjënë (stuhinë) që pillte vetëm lavdi. Në Australi, disa botues, gjithashtu ishin vënë në sherr; more, sa nuk i kishin shkulur flokët njëri-tjetrit, për shkak se gjithsecili e donte për vete të drejtën e botimit të librit “Stuhi në pjatë…” Medet! Prit! Një përplasje e paparë ishte shënuar edhe në Gjermani. Atje, dy botues të njohur kishin shkëmbyer grushte dhe batuda: -Ti të ma marrësh mua Dautin! Dale pa e shikon… -Ore, kaq ta bësh dhëmbin, nuk të fal, do ta botoj vetë! Eh! Ishte krijuar, me të vërtetë, një situatë tejet shpërthyese. Bibliotekat e disa shteteve në USA, prej kohësh kishin dërguar kërkesat e tyre për librin dhe tani i qenë drejtuar me ankesa Ministrisë së Thesarit. Në Britaninë e Madhe, siç flitej, në disa moll-e, ishte zënë radha që në pikë të mëngjesit; për ta blerë. Atë de, stuhinë… Në Kanada, thuhej, diku ishin thyer xhamat, ngaqë njerëzit shtyheshin për të siguruar kush e kush më parë një kopje të kësaj prurjeje të bekuar. Zot i madh! Në Universitetin e Sorbonës, studentët kishin kërkuar me forcë që asaj shkolle të lavdishme t’i vihej emri i Dautit. Mirëpo administrata po vonohej në vendimet e saj; dhe kështu, siç thashethemohej, studentët së shpejti do të ngriheshin në demonstrata. Slogani kryesor i tyre, pritej të ishte fjalia: “Daut, na ndriço!” Hë! Zallamahia më e madhe kishte ngjarë në Shqipëri. Netë e netë të tëra, njerëzit e kishin gdhirë në pragjet e librarive, madje duke ndezur zjarr përgjatë natës. Një biznesmen, ndër më të pasurit, që zotëronte disa gazeta, biznese, jahte e vila, kishte vendosur të hapte një librari; vetëm e vetëm për të përballuar kërkesat për librin “Stuhi në pjatë…” të Dautit. Botuesit vendas ishin ndarë sakaq në dy, madje në tre shoqata; sepse secila e donte për vete shkruesin e madh. Thuhej se në zënkë e sipër, njëri, që drejtonte shoqatën më të re, kishte deklaruar prerë: -Nuk kanë lindur as dje dhe as sot, ata burra që të na rrëmbejnë neve Dautnë… Perëndi e madhe, ç’kaos! Autori i gjorë i do të gjithë, por s’mundet t’i kënaqë dot… Dhe kështu, duke pritur e përcjellë kaq shumë bujë e ngjarje, zu të mendohej se si mund të shpëtonte nga gjithë ajo lavdi. I shkoi mendja sakaq ta ndante një pjesë të saj me miqtë dhe kolegët e vet. Më së pari, telefonoi një shkrimtar kokulur, që jetonte në Austri. Si je tek je, ç'kemi e ç'nuk kemi, ia tha copë Dauti: “Për sa lavdi ke nevojë, ti o byrazer?” Tjetri vuv. “O shoku - thoshte stuhia në pjatë, ashtu, autori i stuhisë në pjatë - që do të të dërgoj lavdi, kjo nuk diskutohet. Ta jap me gjithë zemër madje. Problemi është si të ta nis. Me avion? Me det…” -T’ëmën! Pse më duket sikur po më zë deti? Dautit i doli gjumi. Ishte në të gdhirë dhe zogjtë po këndonin. Dukej se dita do të kishte diell mirë. Dikush nga fqinjët ndezi makinën. Dhe pastaj zëri i gjithëkohshëm: -Daut! Po ngrehu, o burrë, të pish ilaçet…


27 views10 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page