top of page

Shefqet DIBRANI: SIVËLLAI

10 minutes ago
2 min read

(Sipas poezisë ‘MOTRA’ nga Izet Duraku)

 

Në rranzë të dy maleve, Izet, mu në Morin’,

Gjallica dhe Pikëllima - ato simbole të Lumës,

tash mbi ty hedhin hije të rëndë e të ngrirë.

Dhembja e papranuar zë vend në kujtesë,

ti që zbrite shpatit me frymën e fikur,

në një natë të sëmurë, pa diell e pa hënë.

 

“Po vdekja, a ekziston vdekja?“ -

më pyet nga ana tjetër e udhës,

ku zifti i kësaj jete më s'të djeg në gji.

Mbi shpirtin tënd u rrëzua ajo rrufe e vjetër

dhe rruga për Tiranë tash më rëndon,

kurse nata pjell mistere dhe na lë në vetmi.

 

Shqiponjat e Lumës nuk u bënë më korba,

i mori me vete ajo Ora që të la pa frymë.

Tash Mali i Pikëllimës të shtrëngon me korda,

dhe Gjallica e dhimbjes mbi mua ka rënë, o Vëlla.

 

Ti pushon atje, në shpatin e varrezave

në fshatin Morin krejt pa shenja,

në ëndrrën e magmës ku edhe vullkani fle.

Por mua më mbyti e rëndë kjo rrena:

se ti je thjesht kockë e bërë harresë mbi dhé.

 

“Fëmijët e tu, a thua, do ta shkruajn poezinë e re nesër?“

Në rikrijimin e botës që ti e kishe zili,

kur shqiponjat dhe pëllumbat shpërndajnë të bardhën dashuri,

dhe Drita e Shpirtit tënd kthehet në Liri,

janë si buçetë me “Lule Kosove” që të rëndojnë përmbi.

 

Sivëllai im, mal i premtuar heshtjesh,

ku shpirti yt bisedon tash veç me mua.

Ti ike mëtanë, mes mjegullash e rreshtash, e nuk më flet më,

dhe na dhemb zgjimi, tek fshijmë sot lotin.

 

Në udhën e Kombit, sa herë kthej për në Dardani,

Përherë shikimin kthej andej tek ti.

Misteri që të mori, të ktheu në breshër,

por vargu yt mbeti, vullkan i pashuar.

Ti je zgjimi im i vonshëm, o i vdekur i gjallë,

në botën e heshtur, ku fjalën e ke bekuar.

 

I bekuar je, sivëllai im,

që vdekja misterioze të mori me agim.

 

Më 01.11.2026

Shefqet DIBRANI

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page