top of page

Studenti harrakat


Miho Gjini

GËZUAR DITËLINDJEN SAIMIR KUMBARO!

U lind në Tiranë, më 5 maj 1945, nga prindër Libohovitë. Pati edhe fatin që fëmijërinë e adoleshencën e tij ta kalonte në Tiranë, jo vetëm brenda kryeqytetit, por edhe në oborrin e Teatrit Popullor, - sikundër quhej atëherë, bash në ato ditë të krijimit, kur ai, Saimiri, do të shihte për herë të parë dritën e diellit. I ati, një burrë i urtë, i bëshëm e shtatlartë, punonte si financier i këtij institucioni të bukur e të lakmuar, në qendër të Tiranës, ku paksa më mbrapa do të punësohej aty edhe e ëma, Mynyre Kumbaro, një grua me plot humor, e gjallë e befasuese ndër bisedat e saj. Bashkëshortët Kumbaro ishin njerëz të thjeshtë e shumë të respektuar për artistët e teatrit, komunikues me njerëzit, prej të cilëve, i biri mori një frymë liberale në konceptimin e jetës, si edhe një dozë të thekshme satirizuese e humoristike, që e ka edhe sot si veti të personalitetit të tij artistik. "Shkëndija e talentit" i errdhi natyrshëm, sidomos, kur edhe Shkolla jonë e Aktrimit ( në vitin 1959), u vendos përbrenda mureve të shenjtëruara të këtij teatri, ku sapo kishin bujtur, punuar e ndrisnin skenën, edhe ata, artistët e parë, ajka interpretuese e themeltarëve të Artit Kombëtar. Studenti harrakat Ndër ata 20 studentë që patëm në klasën tonë, i vetmi “Tironas” që na kishin dërguar aty, Saimir Kumbaro, do të ishte studenti më problematik në zbatimin e disiplinës së atëhershme. Për nga gjallëria e parakohshme e tij, nga ai sens liberal që ishte akumuluar në karakterin e tij, prej një dëshire të rrëmujshme, shakaje e lëvizjesh, kohë e pa kohë. Nganjëherë edhe të mungesës së seriozitetit në mësime, por edhe nga vonesat e mungesat që bënte e i kishte aq të shpeshta. Kjo anë e karakterit të tij, më bënte që të flisja edhe me prindërit e tij, jo pak herë. Mbaj mend se e ëma, si më dëgjoi me qesëndi, më shprehu edhe brengosjen e saj, tek më tha se: “Saimirin vijnë dhe e kërkojnë, më së shumti shoqet e veta, duke i folur nga ana e dritares së shtëpisë, me demek “me ba msimet”…. Po ku e mblidhte shtëpia Saimirin! …. Një e dy, do të dilja vetë në dritare për t’iu thanë: - “Çar e doni mi goca Saimirin!?…. Lereni rehat, se s’ka me i ba me ju msimet e shkollës! Apo e doni për gja tjetër?!”, - dhe i këpusja nji ktu, nji fjal banale, sa ato ia mbathnin vrapit, mos me u duk ma”! Mirëpo, Saimiri kishte “shpëtuar” pa u përjashtuar nga shkolla vetëm në saje të ndërhyrjes që bëri pedagogu Kujtim Spahivogli në Këshillin Artistik të Shkollës, kur pedagogia kryesore e kursit tonë, Drita Agolli, këmbënguli të “përjashtohej një vit nga shkolla”, sepse edhe në provimin e “Mjeshtërisë së Aktorit” në vitin e dytë erdhi gjysmë ore me vonesë! Kështu që, ia hodhi edhe kësaj radhe ekstreme vetëm me një “vërejtje ne biografi”, - sikundër thuhej në atë kohë për ndëshkimet e para që mund t’u jepej njerëzve! Ndoshta isha i vetmi që më kishte lëkundur besimin se, nga ky student, edhe pse shumë i shkathët, nuk mund të dilte diçka e mirë e serioze. Prandaj edhe, meqenëse më kërkohej atëherë personalisht një mendim në shpërndarjen e tyre, si mbaronin edhe vitin e katërt, e propozova Saimirin si Asistent Regjisor në Kinostudio, për të mësuar ende në profilin e ri, si një mundësi tjetër që i jepej! Si një shpresë e fundme! Dhe nuk isha gabuar. Bile, do të befasohesha në të kundërtën, kur vite më vonë, do të shihja një nga filmat më të mrekullueshëm artistik, që pata parë deri atëherë, realizuar prej “studentit tim harrakat”, që titullohej “Koncerti i vitit 1936”. Xhiruar me pjekuri profesionale, me një realizim tronditës, me kulturë e vërtetësi të jashtëzakonshme në Myzeqenë e atëhershme të qerreve e të rrugëve me baltë, kur një këngëtare me emër e një pianiste po ashtu, do të përjetonin artin e tyre. Mbeta shtangur! Tashmë do të kisha përballë figurën e një regjisori me talent, që radhitej vetiu përbri korifenjve të filmit shqiptar, që i kishte tejkaluar parashikimeve të mia! “Në Kinostudio gjeta veten”, - më thoshte tani ky njeri, tashmë me një mjekër të bardhë, që muajin e kaluar kishte thyer këmbën tek ecte me nxitim nëpër shkallët e një apartamenti të një pallati démodé të tipit të vjetër, të cilit i vinte era myk, aty ku e kishin vendosur Regjisorin e njohur “Pensionist”, Saimir Kumbaro, si Shef të të drejtave të autorit edhe të këtij sektori që quhej “film” e që shpërdorohej nga gjithëkush! Duke kërkuar heronjtë pa emër! Qe një kohë e ndërmjetme, pas daljes nga Galera, kur unë përjetova “Burgun nën qiellin e hapët” dhe përballesha, jo pak herë, me ish të njohurit e mi, duke përfshirë këtu edhe mjaft nga studentët e dikurshëm. Saimir Kumbaro ishte njëri nga ata që nuk ma kthyen kurrizin! Nuk di pse pata shkuar në Pogradec, - mesa po më kujtohet, për të takuar njërin prej këtyre “miqve” që nuk më renditnin ndër fantazmat e kësaj bote dhe po ecja buzë liqenit, duke mos parë e shijuar asgjë, kur diku rrëzë Gjolit që “flinte”, në një tryeze mejhaneje që ngjante si barangë e vjetër dhe e lënë pasdore, pashë tek pinin verë dy persona: Saimir Kumbaron me skenaristin Roland Gjoza. Saimiri më pikasi menjëherë, u ngrit në këmbë e, buzëqeshur m’u hodh në krahë, duke më ftuar të ulesha në tryezën e tyre poetike, Dionisiake, sikur të ishim parë ditën e djeshme e jo në një hapësirë kohore para 10-15 vitesh! Sepse kështu m’u duk në ato çaste, në atë tryezë të rrumbullakët prej hekuri, mbi rërën e bregut, ku u shtua edhe gota e tretë dhe ku personi i dytë, Rolandi, nuk ishte thjesht një skenarist me plot talent, por edhe një poet i frymëzuar e tregimtar i rrallë. Saimiri nisi të flasë me entuziazmin e tij, të veshur edhe me humorin e zakonshëm, se kishin marrë me Rolandin një nismë jo fort të zakonshme, duke gjurmuar për ekranin “heronjtë pa emër”, - sikundër i quajti ai, të cilët janë më së shumti midis nesh, jo nga ata të deklaruarit, të medaljeve, po nga ata që nuk e dinin as vetë se janë heronj, por njerëz nga më të thjeshtët, nga më të vërtetët, të pashpallurit si heronj, të cilët duheshin gjetur në jetën e përditshme e të fiksoheshin në ekran. Qe një ide e mrekullueshme! Dhe ndërkohë i kishim boshatisur të dy shishet e verës! Deri atëherë asgjë nuk kisha parë në ekran nga studenti im i dikurshëm, që unë vetë e pata “dërguar” të punonte pranë kineastëve në Kinostudio, pa patur shumë besim se do të bënte filma me të vërtetë ndonjë ditë! Aq më tepër se në shkollën tonë, atëherë, nuk jepej asnjë mësim për filmin, veçse disa njohuri të thjeshta! Saimiri, merrte pjesë në realizimin e filmave si figurant, apo në role të dyta a të treta, tek disa filma të parë, si tek “Ngadhnjim mbi vdekjen” (1967 ), “Njësiti gueril” (1969), “Plagë te vjetra” (1969 ) dhe tek “Kapedani” (1972). Por, pata dëgjuar se shfaqeshin tri dokumentarë që ai kishte mundur t’i realizonte, megjithatë, si: “Lashtësia e një qyteti” (1972), “Uzinë dhe Shkollë”(1973) dhe “Në Fushën e Futbollit” (1974)… Pas viteve 1995 ai do të realizonte edhe një sërë filmash dokumentarë që ngjallën interes, sikundër ishin: “Azem, ti je gjallë” (1995), “Shërbestari i Kombit” (2017), “Lira” (2004) dhe një film tjetër për Pjetër Arbnorin, ku ishte koncentruar bukur dinjiteti e personaliteti i këtij njeriu të thjeshtë, që vuajti nëpër burgje, sa edhe Mandela i Afrikës. Në çdo pasazh të këtij filmi ndjehej mizoria e një ndëshkimi ekstrem, si edhe, paralelisht, një qëndresë e heshtur e atyre njerëzve që “përcollëm për në botën tjetër”, torturat antinjerëzore të epokës që kaluam. E, duke evidentuar figurën njerëzore të Pjetër Arbnorit, krahas dhimbjes së thellë të njeriut tonë, ndjehet edhe revolta ndaj asaj epoke mizore, si një kambanë alarmi për kohërat që jetojmë. Në një kahje edhe më të avancuar qëndrese e heroizmi do të ishte për publikun shqiptar edhe dokumentari me forcë emocionale: “Azem, ti je i gjallë!”, ku fati i individit njësohet me atë të popullit të tij dhe ku regjisori Kumbaro, me mjeshtëri, e shpëton heroin nga pllakatizmi tradicional, duke zbërthyer figurshëm e simbolikisht pavdekësinë e tij, të heroit që u bë simbol lirie e qëndrese për gjithë Luftën Çlirimtare në Kosovë! Në vazhdën e këtyre filmave, nga vitet 2000-2004, tek regjisori Kumbaro lindi edhe ideja e realizimeve të dokumentarëve mbi “heronjtë pa emër”. Për ata që nuk ndjehen, por që janë gati të vdesin për Shqipërinë, pa bujë e zhurmë, pa e përgatitur veten, pa ushqyer kurrfarë heroizmi. Hapi i dytë i asistent regjisorit Kumbaro do të ishte partneriteti artistik në krijimin e dy filmave me metrazh të plotë, që do të zbulonte, jo vetëm shijet e tij profesionale, por edhe përvojën e grumbulluar për një krijimtari solide e te pavarur, nëpërmjet realizimit të filmave: “Rrugicat që kërkonin diell” (1975), me dy seri, dhe “Ilegalët” (1976), në një bashkëpunim fort të suksesshëm me aktor-regjisorin Rikard Ljarja. Në mënyrë të veçantë, i pari, si një përkushtim për heroin Koci Bako dhe Grevën e Korçës, Kumbaro e Ljarja nuk bëjnë aspak dokumentarizimin e jetës së heroit e as të kësaj greve të njohur, por një film artistik me karakter masiv, popullor, të Lëvizjes Punëtore, kryesuar nga komunistët idealistë shqiptarë, ku dashuria për jetën dhe ardhmërinë e lirë, i shtyjnë e i udhëheqin njerëzit e varfër, drejt shtigjesh të guximshme për gjetjen e një realiteti më të mirë. Filmi ka vërtetësi, xhirime masive dinamike në rrugë, si edhe një individualitet personazhi të varfër, si ai i Nebi Surelit, që ka një udhë realiste ngjitjeje e komunikimi me njerëzit që do e që e duan. U krijua, ndoshta për herë të parë tek ne, figura e një heroi që mbart ëndrra e ideale e aspak fizionominë e jashtme të tij, sikundër servirej ndërkohë, përmes pllakatesh, figurash muskuloze, bustesh, deklaratave e thirrjeve emfatike, që mitizoheshin e “betonoheshin” po kështu, Dhe u krijuan për ekranin e filmit skena masive bardhë e zi, me një plasticitet jo fort të zakonshëm, ekspresive, me një dinamizëm e ritmikë jete reale, që do të vazhdonin në dy seri. Qe kapërcyer kështu prova e suksesit. Ndërsa filmi “Ilegalët” (1976), po me bashkëpunimin e mëparshëm, i cili, ndonëse i realizuar përsëri me një intonim artistik, nuk e pati jehonën e duhur, duke e paraqitur subjektin e duke i shtrirë personazhet nëpër hullitë e zakonshme të këtyre lloj filmave me “luftë ilegale” rutinore.

Filmi pasardhës, dy vite më vonë, do të afirmonte plotësisht talentin e Saimir Kumbaros si regjisor i filmit artistik, me një diapazon e konceptim krejtësisht realist, në planin e një satire të hollë, që zbërthen figurshëm sistemin e injorancës, në rrethinat e një province. Ky ishte filmi “Koncert i vitit 1936”, xhiruar në vitin 1978, me skenar të Kiço Blushit (në bazë të një tregimi të Dhimitër Shuteriqit), në Myzeqenë e varfërisë së tejskajshme e të malaries, ku edhe nënprefekti vret mushkonja e miza gjithë ditën e ditës, ndërkohë që dy artiste kanë ardhur aty të japin shfaqje për miletin që ka ndër urdhra! Vështrimi regjisorial, së pari, ka rrokur këtu atmosferën qesharake, ku vërtiten një tufë injorantësh e sehirxhinjsh të rëndomtë, por edhe të një pushteti të kalbur, mjerim i një sistemi të prapambetur anadollak. Në një kontrast të dukshëm e të mjeruar me të dyja artistet shqiptare të asaj kohe, që mendonin e përpiqeshin të ngrinin vetëdijen e shpirtit të këtyre njerëzve, përmes këngës së tyre. Një ironi e hollë që merr këtu trajta qesharake e groteske! Regjia e filmit sikur ngrihet edhe mbi nivelin e skenarit, edhe në saje të interpretimeve të shkëlqyera të Robert Ndrenikës në rolin e nënprefektit, por edhe të Margarita Xhepës, Mirush Kabashit e të Bep Shirokës në rolet respektive, pa e harruar edhe atë Tellal të papërsëritshëm si personazh, nga shoku i tij i klasës Birçe Hasko, me ata tipa karakteresh epokal pra, që kanë mundur të rikrijojnë po aty, me artin e tyre sugjestiv Është e njëjta gjë edhe me filmin “Gëzhoja e vjetër” (1980), një vepër e karakterit policor, që megjithatë i shmanget deri në njëfarë mase kësaj maniere e stili, me një ecuri befasuese që krijon shtjelli-min e natyrshëm e ritmikën e duhur në restrospektivën e subjektit, por edhe në kureshtjen e ngjarjes që e tërheq vëmendjen e publikut, pa bërë asgjë spekulative. Një grupim filmash i mëvonshëm, si “Gjurmë në Kaltërsi” (1981), “Gracka” (1983), “Nxënësit e klasës sime” (1984) dhe “Tre njerëz me guna” (1985), mbetën në nivelin e së zakonshmes. Por me andralla të mëdha nga censura, para se të shfaqte filmin “Nxënësit e klasës sime”, ku, për një kasketë që i kishte vënë mbi krye aktorit Robert Ndrenika, e cila ngjante me kasketën e Enver Hoxhës, do ta detyronin që të bënte xhirime të reja, pa këtë kasketë në kokën e personazhit. Kohë me të vërtetë groteske e një “pasazh” që Saimiri do ta përcillte edhe me dhimbje, edhe me mundime të tjera nëpër rixhirime, por edhe me një buzëqeshje fort të hidhur! Do të bënte menjëherë dallim filmi i radhës “Rrethimi i vogël”, në vitin 1986, i cili habitem se si shpëtoi nga censura e kohës! (Bile e vlerësuar me Çmimin e Parë në një Festival Filmi të asaj kohe!). Një film i dimensioneve njerëzore, kur kineasti pohonte me guxim qytetar, artistikisht, mesazhin se: në krye të pushteteve vendore të korruptuara, duhen vendosur njerëzit më të mirë të shoqërisë, më të ndershmit e më të virtytshmit. Dhe, në një kohë kur realiteti shoqëror ishte krejt ndryshe, kur në krye të këtyre institucioneve drejtonin partiakët e ideologjizuar, dogmatikët e injorantët, tipat që të bënin gjëmën për hiçmosgjë e që mundeshin të të nisnin edhe drejt “ferrit”. Regjisori Kumbaro, ndryshe edhe nga filmat e tjerë të kohës, sjell në ekran kështu një vepër letrare të ekranizuar, kundër rrymës, por ndryshe edhe artistikisht, ku vështrimin e tij satirizues e zë tashmë dramaciteti i një heroi të ri, kur po lëkundeshin themelet e shtetit të diktaturës. Dy vite më pas krijon një tjetër film: “Historiani dhe Kameleoni” (1988), të një ekstremi tjetër, duke na ballafaquar me një shoqëri groteske të viteve tridhjetë, po në vendin tonë, përsëri si paralelizëm të thekshëm me injorancën e trashëguar, realizuar këndshëm nëpërmjet ekranizimit të romanit satirik të shkrimtarit Qamil Buxheli: “Karriera e Zotit Maksut”, ku skenari do të mbante edhe firmën e Saimir Kumbaros. Periudha postdiktatoriale do të sillte te ky regjisor njëfarë pauze, qetësie krijuese e reflektimi, drejt gjetjeve të mjeteve të reja të shprehjes. Të kësaj kohe të ndërmjetme do të ishin filmat dokumentarë “Heronjtë e Shqipërisë”, që parashikoheshin deri në njëqind filma për “talentet e fshehura”, kurdoherë me vështrimin “ndryshe” e që do të mbylleshin me filmin dokumentar “Të burgosurit e Galerisë” (1994). Por do të kishim ndërkohë edhe tri pika kulmore. Këtu do të ndalesha paksa, për të evidentuar kthjellimin e ri për një kohë të dikurshme, për gjëmat e rënda që kaloi vendi, lëngatën e gjatë, krimin dhe ndëshkimin, vuajtjen, heqjen e lirisë dhe persekutimin më të egër që kishte parë BOTA! Në fillimet e viteve 90 të shekullit të kaluar i solli publikut në ekran një ngjarje tragjike nga periudha e “vetmisë së madhe”, - sikundër e quante Kadareja, që vinte këtu më simbolikisht, me “Vdekjen e një Kali”, që shprehte tragjikisht vdekjen e asaj periudhe diktatoriale, e cila merrte jetë njerëzish e shkatërronte krejt bazën e një shteti, kur bashkë me ndëshkimin e një kali shkatërrohej dhe jeta e njeriut të ndershëm që e mbante kalin pranë vetes si të ishte njeri, edhe pse ishte i pafajshëm! Sepse e tillë ishte ideologjia jonë partiake, “dritëshkurtër”, në gjysmën e dytë të shekullit që sapo kaluam me dhimbje! Merita reale dhe e padiskutueshme e Kumbaros qëndron si vlerë artistike, e shprehur në tri dimensione, që përbëjnë simbolika parabolash krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Për të mbërritur, më në fund, disa vite më vonë, në vitin 2007 në realizimin e filmit artistik “Mirëmëngjes shoku Lenin”, ku jepet psikologjikisht rënia e vlerave njerëzore, duke i grumbulluar “fatkeqët e Leninizmit”, bashkë me aktorin real që ka interpretuar dikur këtë rol edhe para Enver Hoxhës në skenën tonë kryesore. *** Ky është edhe Saimir Kumbaro tani, diametralisht i kundërt me ish “studentin harrakat” të asaj periudhe të tmerrshme, kur “njeriu hante njerinë”, - regjisor tashmë, - nga më të suksesshmit që kemi e që mezi e kemi! Dhe unë po zbres tani, shkallët e ndyra të katit të dytë të një pallati të vjetër të kohës së Enver Hoxhës, me “Çalamanin” Saimir Kumbaro, që më mban nga nënsqetulla edhe mua, se mos rrëshqas befas e thyej edhe unë këmbën, tek kam ardhur ta shoh i malluar ish studentin tim, tok me mjekroshin tjetër të këndshëm, regjisorin pensionist gjithashtu, Kristaq Mitron, me atë vlonjatin imcak që s’ta mbushte fare mendjen se, gjithashtu, do të bënte filma konkurrues me ato të shokut të tij të klasës, kur tashmë gati po “ikte” edhe gjysma e parë e shekullit tjetër! Tek pi një kafe me mikun tim të shtrenjtë Përparim Kabo dhe i flas i habitur për këtë metamorfozë të studentit tim Saimir Kumbaro, duke u shprehur: a ka metodë krijuese ky regjisor që na sjellë në ekranin tonë një mrekulli filmike, sikundër është “Koncert në vitin 1936”, i cili ngjan si vepër e Rene Klerit e jo, asnjëherë jo, e atij studentit aspak serioz që pata unë në vitet 60 të shekullit të kaluar?! - “Se mos atë vetëm, - përgjigjet filozofi ynë i nderuar, - po “Karriera e Zotit Maksut”, si të duket? A nuk është një satirë brilante, për të mos folur mandej për “Vdekjen e Kalit”, si Akt-Akuzë e fortë e trajtuar në nivelin psikologjik!?”." Çuditërisht është dhënë atmosfera e atyre viteve si të ishte një frymëmarrje njerëzish në kohë të largëta që kanë perënduar!", - them unë, pa e fshehur entuziazmin tim prej kritiku. “Nuk është, thjesht atmosfera, - ma kthen ai, - është diçka më e thellë, që ka të bëjë me një realitet konkret marrëdhëniesh njerëzore të perënduara, me një injorancë që satirizohet mrekullisht si tek romani i Buxhelit i ekranizuar aq mirë. Dhe talenti! Keni patur e keni djem të talentuar, mik i dashur! Po filmat social të Kristaq Mitros, sa të mprehtë janë ato në sensin e tyre social-filozofik! Po aktorë të tillë, brilantë si Kanxheri, Shanaj e të tjerë me radhë?! Ndaj mora me kënaqësi ta shkruaj edhe parathënien e librit tënd!" (Marrë me shkurtime, nga libri im "10+1. Portrete Artistësh",ENEA-2020)

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page