top of page

SORKADHJA E VRESHTAVE


Vullnet Mato

SORKADHJA E VRESHTAVE Kisha vendosur, i përbetuar, të mos përdor, asnjë lloj pije, ta kisha trurin, burim të kulluar,

vetëm për vargje dashurie. Por një sorkadhe, qafëgjatë, zbritur nga vreshtat në korije, më solli mbi tryezë, një natë, verë të ëmbël, ngjyrë qershie. Në fillim, nuk pranova të pi, t’i qëndroja betimit të burrit. Por ajo, me frymën e saj, veri, papandehur, më ngriu trurin; Lëshoi në tryezë, një mjegull, nga gjethe të ngrohta gushti, m’u ngjit pas trupit, si pjergull, më mbuloi, me bistakë rrushi. Më dha gotën e buzëve të saj, ku pikoi verë të bardhë gjiri, më ndezi zjarr në trup, pastaj, më verboi, me vetëtima syri; Mendja e burrit, qenka me vida, pasi më joshi, me naze lozonjare, me duart pinca, buzët kaçavida, ma zhvidhosi trurin për fare.

Më tej, më zbuti buzët e thara, më përgjumi, qepallat e syve dhe duke u përdredhur, si ngjala, na rrokullisi në mëkat, të dyve... Tani ma bën “bromp!” përherë duke më thënë: “Kështu të dua, të zbrazësh gotat plot me verë, të më puthësh me zjarr, mua!; Ç’të duhen vargjet që shkruan, të hash, me lugë floriri bosh? Vera ime, tërë ëndrrat t’i shuan, realitetin e parajsës, të jetosh!...” Vrava mendjen, një copë herë, të nxirrja poezinë nga shpirti? apo sorkadhen, me atë verë?... Por kot mendova, prej saj të iki; Ajo me zemrën, fole kanarine, ma kish marrë zemrën në gjoks dhe sado iu luta, me përgjërime

nga gjoksi i saj, nuk e nxora dot... Tani më deh, me verë të kuqe rrushi, aq sa, ma avullon mendjen, si vesën.

Por nga ato dridhmat e saj, si prushi,

me siguri, do të humbas kujtesën!...

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page