Sokol Demaku: Skenderaj i Skenderbeut”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 days ago
- 6 min read

Skenderaj i Skenderbeut”
Pjesë marrë nga romani i Sokol Demakut, “Skenderaj i Skednerbeut” botua ne vitin 2021, një histori e vertetë mbi vendbamimet e Kreshinkëve në Drenicë, ku edhe sot e kësaj dite në livdhet e fshatit Marinë të Skenderajt qendrojnë krenar tre Gurët e kreshnikëve hudhur nga bjeshka e Çyçavicë atë kohë.
Shpati
Pra, në Shpat, për të mirë ka ndryshuar shumëçka.
Labit i kujtohen të gjitha, edhe koha e krajlit, edhe koha e Shqypnisë së parë, por edhe kohët e më vona.
-Ishin kohë të vështira, ishin kohë të pa kohë për ne, - thotë Labi me krenari, - por i bëmë ballë të gjitha dhe, ja sa të fortë jemi ne shpatjanët.
-Jemi kalitur, jemi bërë më të fortë bre bir.
-Sa interesante, një kohë njeriu, sa ndryshime për të mirë! Shpatjanët dikur ishin ata të cilëve u mungonte gjithçka, por sot jo, kanë përparuar, janë me shkollë, me punë, po besa me të tana kanë shkue përpara, - murmurit në vete Labi.
-Të mbushet mendja se këta njerëz nuk kanë fare probleme, por këtu gjithçka funksionon më së miri e së mbari.

-Thue se hallet i kanë harrue këtu e një qind vjet?
-Po, po edhe Shpati po ia zë dritën dikujt. Shumë kush ia ka lakmi, po besa, edhe zili.
-He, kohë e kohë! - thotë me vete Labi,- kështu qenka jeta.
-Po mua zemra mal po më bëhet,- thotë dhe vazhdon rrëfimin e tij për Shpatin dhe shpatjanët në kohë dhe shekuj:
-Shpati qendron krenar në kodrën përbri, ku shtrihen livadhet e Mujit, kështu quhen ato livadhe, ku shpatjanët marrin dy të korra në vit. Edhe sana e tyre është bereqetli, nuk është si sana e livadheve të tjera në këto anë. Livadhet shtrihen aq sa syri nuk ta kap atë hapësirë. Në mes të tyre qëndrojnë si viganë tre gurë të mëdhenjë, tre gurë kolosalë, që sot nuk ka mundësi njeriu t`i lëvizë nga vendi, aq të mëdhenjë janë.
Në Shpat është një legjendë për këta gurë. Një legjendë shumë e vjetër, ndoshta më e vjetër se vet Shpati.
Shpati shtrihet bri rrugës, që në atë kohë lidhte Jutbinën me Junanin dhe Lugjet e Verdha. Shumë karvane kreshnikësh kanë kaluar kësaj rruge, shumë t`bëme janë bërë e që kanë lënë nam në këto anë. Flitet se një ditë paskësh kaluar këtu pari karvani i Mujit e Halilit me 30 agot e Jutbinës dhe se qenkan vendosur në livadhet e Shpatit. Aty paskan qëndruar me ditë të tëra. Kanë ngrënë e kanë pirë kreshnikët e Jutbinës, por edhe kanë bërë qejf.
Muji paska qenë në rrugë për në Lugjet e Verdha dhe më poshtë në bjeshkë e kullota të pasura, ku mijëra bagëti e qindra barinj e stane e pritnin kreshnikun. Në Lugjet e Verdha kishte berberë, kishte nallbanë, kishte saraçë, po kishte edhe rrobaqepës. Njerëzit merreshin me blegtori, por punonin dhe tokën. Kishte vreshta, bletë dhe pemë, paj syri të kënaqej nga bukuritë e Shpatit. Mendja të freskohej po të kaloje këto anë.
Këtu punohej leshi e liri.
Këtu punohej çdo gjë dhe gjithçka!
Ishte kënaqësi të jetojë njeriu në këto anë.
Nganjëherë shpatjanët i shifnin si me zili ata të Lugjeve të Verdha.
Por jeta këtu ishte një idilë, jeta ishte aq idilike sa njeriu përtonte të largohej nga këto anë, por edhe kur t`i vinte koha të vdiste, ndoshta do kërkonte ta shtynte pakëz kohën dhe ta thithte atë nektar natyre të këtyre anëve.
Shumë kush ka dëgjuar për këto troje, ka dëgjuar për agot dhe bamet e Mujit.
Kur Muji kishte qenë i ri, babai e kish dërgue rrogëtar te nji zotni dhe atë çoban lopësh.
Për gjithë ditë Muji kërkonte bjeshkët në Lugjet e Verdha, për gjithë ditë ishte ndër gurra t’u u freskue, për gjithë ditë ndër mrize tu pushue e, kështu, rrugë e as shteg pa njoftë nuk ka lanë në këto anë.
Këto livadhe ndryshe quheshin edhe Logu i Zanave.
Muji gjithmonë ua tërhiqte vëmendjen agove të mos bëjnë zhurmë se ato i shtangojnë, nëse ua prishin qetësinë. Por agot këtë këshillë të Mujit e merrnin si një shenjë frike, sepse kur dilnin në bjeshkë apo rrugës për në Jutbinë, apo Lugje të Verdha, nuk i gjente asgjë, e kjo i shtynte agot që mos t`i besojnë Mujit në fjalët e tij.
Një natë kur këta shtrojnë për të fjetë, Zanat e maleve ia marrin këngës. Agot e dëgjuan këngën, por nuk panë askund ndonjë vashë këngëtare. Pas kësaj, shohin se fjalët e Mujit ishin të vërteta, pasi Zanat mu në mes të natës ia shtrojnë këngës dhe valles në livadhet e Shpatit.
Pra, agot shohin se diçka po ndodhte pa dëshirën e tyre e, këtë, po e bënin Shtojzevallet, apo si ndryshe këtu në Shpat i thirrnin Zana të Malit.
Pra Muji ishte ai, i cili kishte lidhje me Zanat dhe nga Zanat kishte marrë fuqinë dhe të gjitha mjeshtritë luftarake që kishte.
Të nesërmen në mëngjes, Muji, si zakonisht ishte ngritur herët dhe nga çadra e tij kishte dalë i pari. Kishte shëtitur rreth e përqark livadheve dhe kishte sogjue terrenet. Diku kah dreka, ai dëshironte t`u tregojë agove të tij se, me të vërtetë Muji është ai që duhet të jetë dhe se nuk ia ka frikën askujt, madje as Ban Zadranit të madh.
Diku në kodrat mbi Shpat, ka kohë që qëndronin të shpërndarë në të katër anët disa alamet gurësh të mëdhenjë. E tani ishte koha për një gurapeshk, lojë për hedhjen e gurit.
Të gjithë do të provonin të hidhnin gurë, por jo çfarëdo gurësh, por alamet gurësh, të medhenjë.
Me siguri secili nga ata peshonte nga disa tonë. Si duket, agot nuk kanë as dëshirë, por as guxim të hynë në një lojë të tillë me Mujin. I vetmi që do provonte, do ishte Muji e agot do të ishin spektatorë të gurapeshkut në livadhet e Shpatit.
Dhe, ja, u çue në këmbë i madhi kreshnik, Muji, i cili u drejtua nga vendi ku ishin ata alamet gurësh të mëdhenjë.
Por, jo, ai u ndal.
-Ejani ju, o burra së pari e, pastaj do kem rend unë.
-Por, jo more, jo, nuk ka guxim askush nga ne. Nuk dihet, ndoshta as që mund ta luajnë gurin nga vendi e atëhere vaj halli!
Si me ia bërë?
Ku të kenë vend agot?
Ku të gjejnë vend agot?
Nuk është e lehtë!
Kreshniku i Lugjeve të Verdha Gjeto Basho Muji, me fuqinë e tij që kishte marrë nga Shtojzevallet, nga shpirtmirësia që kishte, i pari mori at alamet guri, që ndoshta peshonte kush e di sa okë dhe e hodhi nga maja e kodrës, diku kah fundi i livadhit.
Kushti ishte që secili të gjuante nga tre gurë.
Guri i dytë bëri një rrugë më të gjatë dhe zuri vend mu në skaj të livadhit.
Pritej i treti e, si thonin barinjët për rreth, “i treti, i vërteti”. Edhe ai u ngulit në barin e njomë, në një pjesë të livadhit, ku të tre gurët formuan një trekendësh, që edhe sot e kësaj ditë ndodhet në “Livadhet e Mujit”, në fund të fshatit Shpat.
Në livadhet e Shpatit gjenden këta tre gurë, si thoshte halla Hajrie: “si tri molla në rrem”. Këtu pra janë edhe sot, vetëm tre gurë, ata gurë të cilët Muji i hodhi po të thuash si një pendel dhe, agot tjerë, ishin vetëm spektatorë.
Sot njerëzit me mallëngjim pëshpërisin për ato kohëra, tregojnë ngjarje e histori të vërteta, të qeme e të paqeme për nipat e mbesat, por që janë interesante dhe zgjojnë kurreshtjen jo vetëm të fëmijëve, por edhe të rinjve dhe të rriturve.
Sot, shumë njerëz që kalojnë këtë rrugë, ndalen për të pushuar te Mrizet e Zanave, Mrize në të cilat Muji kishte pushuar bagëtinë kur ishte çoban.
Njeriu mund të shoh në lisin mijëravjeçarë ende në trupin e tij plak ndonjë patkue kali, por edhe ndonjë yzengji kali, e cila kishte ngelur si relike kohe për të dëshmuar se me të vërtetë Labi paska të drejtë me rrëfimet e tij për Shpatin dhe shpatjanët.
Njerëzit sot pinë ujë në Kroin e Akullt, në të cilin Muji me shokë kishte shuar etjen pas rrugëve të gjata kushedi sa herë. Të gjitha këto sot janë realitet, realitet i një kohe të largët, e cila na tregon se këto anë gjithmonë kanë pasur njerëz të mëdhenjë, njerëz të cilët i kanë dalë krah kësaj toke.
Eshtë kjo tokë, që edhe sot erëmon tokë arbërore, por siç duket, pasardhësit e Labit nuk janë aq të interesuar që të bëjnë më të mirën për të treguar të vërtetën për të.
Nuk është e vështirë kjo, por do punë, do zell dhe mençuri, sepse në kohën e kreshnikëve ishte një Ban, që kishte vendlindjen e tij diku atje, në Iliri, pra, ishte Bani i Zadrës, që shkurt quhej Ban Zadrani. Shumë toponime tjera, që do hasim në këngët e kënduara në lashtësi e, ndoshta, edhe nga heroi i ynë Labi, na tregojnë këto të vërteta historike, që ne duhet t`i studiojmë.
Nuk ishte vetëm Zana, për të cilën flitej dhe tregohej në kohën e kreshnikëve, por këtu kemi të bëjmë edhe me shtrirjen e trojeve Ilire, që nga veriu e deri në Jug, pra deri në Junan apo në Greqinë e sotme. Eh, Junani ishte një vend ku shumë shpesh do e shkelte Muji me 300 Agallarët e tij në kohën e kreshnikëve.
Pra ky territor, që sot është i banuar me kroatë, boshnjakë, shqiptarë dhe grekë, në kohën e kreshnikëve, konkretisht në kohën e lavdishme të Muji Bylykbashit dhe Sokol Halilit, paska qenë territor Ilir.









Comments