Arjana Fetahu Gaba: Në u gdhifsha I pafajë
- 3 hours ago
- 4 min read

Arjana Fetahu Gaba: Në u gdhifsha I pafajë
Më përkund moj verë e kuqe,
Më përkund vëmë në gjumë,
Më ke dehur aq sa munde,
Unë i etur aqë shumë.
Më përkund me psherëtima,
Këmbë butën ku ta gjej,
Gjinjtë që shuanin vetëtima,
Shterën dete e lumenj.
Ajo buzë tul zambaku,
Që më prekte me ofshamë,
Aty kisha gjithë merakun,
Shamë verë, për zotin shamë.
A jam unë a nuk jam unë,
Tallu verë e qesh me mua,
Nuk e di në prishe punë,
Nuk e di pse po të dua.
Po ma gjete zënë e saj,
Bëje t'më gjëmojë në kokë,
Në u gdhifsha I pafajë,
Për të do t'prishja një botë.
Të gjitha gonxhet nuk bëhen lule!
Ti ike ngadalë dëshpëruar,
Si sytë e Majit kur treten stinës tjetër,
Kopshti I vërtetë që ish bleruar,
Mbeti si një pikturë hedhur në letër.
Dhe zogjtë si vura re që të këndonin,
Mos vallë nga ikja jote e papritur,
Une di ata shtegtojnë vetëm në vjeshtë,
Si unë me ty, mos janë mërzitur?!
Ti psherëtimën e le pas e ike,
Ndërsa unë seç kam diçka që më pengon,
Unë kurrë s'u bëra dot e jotja mike,
Dhe as kopshti që veç bleron.
Te gjitha gonxhet nuk behën lule,
Ndoshta gabim kishe menduar,
Ato të gjitha s'mund të jenë njësoj,
Dhe jo të gjitha mund ti mbash në duar.
Ti ike ngadalë dëshpëruar,
Dhe Maji harroi si unë të qesh,
Si duket dhe ai diç ka kuptuar,
Ndaj si unë nisi të hesht.
Sa më merr malli Shqipëri
Sa më merr malli Shqiperi,
Për të bardhat perlat e tua,
Ti shtrihem malit thellë në veri,
Burimin të ta pi, sa dua.
Të shoh, të mallëngjehem e gjitha,
Me bariun që tufën përcjell,
Me qingjat tek kërcejnë hareshëm,
Me tokën punuar e mbjellë.
Të bukurat alpe I dua,
I rrinë atdheut mburojë,
E dua jehonën e bjeshkës,
Lërmë o Zot ta dëgjoj.
Bunës ti vete në rrjedhje,
Ti laj pak sytë e qarë,
Te ec e zbathur pa drojë,
Me vete guriçka të marr.
Liqerin e Lasgushit ta shoh,
Nga të mjeshtrit të lexoj ca vargje,
Pak erë lakrori mjafton,
Kur kaloj ato pragje.
Të mirën myzeqe e dua,
Të urtën ,sa shoqen s'ja gjen,
Për grurët që verdhon në arë,
Për bujkun që djersa i vlen.
Dy detet ti dua atdhe,
Të rrinë fustan nusërie,
Jehona e këngës labe,
Thirrje burrërrie.
E dua flamurin krenar,
E nderoj dhe (atje) ketu në mërgim,
Je mall që mbete pashuar,
Blerimi I shpirtit tim.
Si ta dija që sytë e tua...
Ndonjëherë çastet sjellin çudira,
Dikur ti ishe i largëti mister,
Si ta dija që sytë e tua,
Kthenin dimrin në pranverë.
Si ta dija që sytë e tua,
Sa mijëra dete kanë fuqi,
Ata ma dinë gjuhën e shpirtit,
Dhe pa folur fare ti.
Ata ma dinë gjuhën e shpirtit,
Në arratinë më të marrë,
Më kthjenë për nga ishte nisur,
Dhe me puthje shuajnë zjarrë.
Sytë e tu të embëla bulëza,
Si dy qiej ngjyrë smerald,
Më rrëmbejnë siç bën muza,
E më shpien fllad më fllad.
Si ta dija që sytë e tua,
Ndiznin yje me vështrim,
Po mos ti puthja a më thua,
Kush do t'qe shpëtimi im?!
Për një pikë të lotit tënd
Për një pikë të lotit tënd,
Mbytem në shtatë dete,
Vdes në rrugës, shkon pa mua,
E s'më merr me vete.
Dhe për një mërzitje tënden,
Behem diell të buzëqesh,
Unë kam gjetur dritën për ty,
Që ish fshehur në mes resh.
Dhe për një, merakun tënd,
Do të jem hije, që rri zgjuar,
Plaça në s'ti solla yjet,
Për gjithë natën me këto duar.
Dhe për një të dua thënë,
Nga ato buzë, ti me magji,
Ma ke marë dhe dhënë shpirtin,
Aq sa herë, ke dashur ti.
Pse s'më treguat ?!
Pse me kanë gënjyer që jeta është e bukur,
Pse duhet ta mësoja në kokën plot me thinjë,
Une kurrë s'u bëra gati por mbeta veç një flutur,
Që nga çdo stuhi më thyhet nga një brinjë.
Pse nuk më mësuat që kur të më shtyjnë,
Ti shtyj dhe unë e mos t'më vijë keq,
Pse të mbaj mbi faqe gojë e pështymë,
E prej atij "zverku" unë mos ti terheq?!
Pse më mësuat të jap dhe faqen tjetër,
E të skuqem e tëra jo per fajin tim,
Në këtë botë të egër s'patën turp as mbretër,
Që vranë e prenë e s'patën mëshirë.
Për dhimbjet e mëdha pse s'më treguat,
Ato që merr papritur e I mbyll me penjë?
Po si zog pa nënë më latë e më lëshuat,
Tani ato plagë më kanë mbetur shënjë.
Sa dua me zemër nga vetja të dal,
E mos të pyes për fis, për soj e sorrollop,
Të kem aq fuqi sa e mban një mal,
Dhe një shpirt si hekur që mos të thyhet dot.
Rrinë vatgjet kokë ulur
Rrinë vargjet kokë ulur,
Poezia në shtrat shtrirë,
Gjithë "petalet" ja kanë shkulur,
E s'po bëhet dot më mirë.
E leckosin si t'u teket,
S'ka më zë e nuk flet dot,
Dita ditës ajo meket,
Fshihet tek I fshin ca lot.
Ndihet shpesh e turpëruar,
Dhe në shpirt fiket një dritë,
Rri poeti I menduar,
Sharlatanët I zënë pritë.
Ca e vjedhin si të gjorë,
Kush e do nuk ka fuqi,
Ca I rrinë me laps në dorë,
Medemek bëjnë poezi.
Poezia është trullosur,
Se ku është as vetë se di,
Kush e njeh e qan me shpirt,
Të ketë çmëndur s'është çudi.
Ku janë ata "ustallarë",
Që se linin në këtë gjëmë,
Tani shijnë me poezinë,
Siç bën kau nëpër lëmë.
Mirë ja bëjnë se kanë gjetur,
Humbi filli gjithëandej,
Poezia në ka rradhë,
Eshtë e fundit të rrëfej.








Comments