Kastriot Fetahu: Amerika në “Simfonia e udhëtimeve”
- 2 hours ago
- 7 min read

(Ese)
Një udhëtim i madh nis me një hap të vogël.
Amerika në “Simfonia e udhëtimeve”, si pjesa e artë e globit të cilit autori Adnan Memeti i “fshin pluhurat” për sytë e mendjes së lexuesit.
Unë, pushka dhe Zoti, motoja e kolonëve evropianë në marrjen e territoreve në luftë me vendasit dhe të panjohurën e botës së re, ravijëzohet mjaft bukur në të.
A është Amerika një muze gjigand historie në qiell të hapur?
Kjo pyetje merr një përgjigje ilustruese dhe bindëse edhe për historinë përtej këtij kontinenti.
Amerika si vendi i emigrantit që vdes pa atdhe, por edhe pa padron, ku në liri të plotë i vënë mbi gurin e varrit një buqetë lulesh dhe flamurin e vendit të cilit i përket.
Udhëtimi drejt të panjohurës është shikimi i vetvetes; kjo përbën thjesht sqimë dhe sqima si ves i padëmshëm, është rindërtimi i vetvetes në pasqyrën e të panjohurës dhe egos personale.
Duke lexuar librin, gjej një rastësi të bukur. Udhëtimi fillon me Misisipin, lumin mitik të Amerikës, frymëzimi i Mark Tuenit, i cili ka qenë porta hyrëse për emigrantët e parë nga Evropa dhe skllevërit nga Afrika.
Shteti i Misisipit, me plantacionet e pambukut, më bën të fantazoj skllavërinë në nivelin më të ulët ekzistencial.
Sa burra të mëdhenj ka nxjerrë ky vend që e zhdukën këtë plagë të një bote të egër, ku njeriu vlente më pak se kafsha e padronit të tij.
“Vrapo, vrapo se po perëndon dielli” shprehja në të cilën varej jeta e skllavit. Kësaj i dhanë fund, Abraham Lincoln, lufta civile dhe ndryshimet kushtetuese të shekullit të XIX.
Mrekullisht vjen edhe Chicago, qyteti me zonën urbane më të bukur në botë, “Milja e madhërishme”.
Jetova katër vjet në atë qytet, ndërsa vetja më dukej si një personazh filmi në një realizim pa skenar dhe regjisor.
“I dashur lexues, mos vdis pa e vizituar Chicagon”, do të shkruaja unë, më shumë se çfarë sjell autori në librin e tij, Chicagon e Heminguejit dhe Malcolm X, Xhon dhe Xhim Belushit, që ndodhet në shtetin e presidentit legjendar Abraham Lincoln, Ilinois.

Memeti, më duket sikur e lë pas të famshmin Piero Angela të RAI-t, për mënyrën sesi e gjen ekuilibrin e gjeografisë me historinë në librin e tij.
Ai sjell Perëndimin e egër të kohës kur jeta s’kishte asnjë vlerë. Perëndimin ku vdekja, ndonjëherë, kishte çmimin e saj, kohë dhe vend në të cilin u shfaqën edhe vrasësit me pagesë, Perëndimin e “Westernit hollivudian.”
Kreolet iu imponuan seminoleve, shirokëve, mohokëve, huronëve dhe fiseve të tjera indiane me çdo mënyrë. Ata u bashkuan kundër vendasve, ku në këtë rast spikatën anglezët dhe francezët.
Profesori im i shkollës së mesme, Hajrulla Zonja, ka përkthyer librin që përmban këtë subjekt ekzotik, “Oskeola, prijësi i seminolëve”.
Një bulevard kryesor në Chicago mban emrin e fisit “Huron”.
Ndërsa do të sjell për ju, lexues të dashur, një paragraf nga filmi “The last of the mohicans”, për të kuptuar se dashuria ka qenë në vlerë ndoshta më të madhe se sa sot, në këtë botë të zbrazët me dashuri teknologjike.
Shpirti i madh dhe krijuesi i të gjithë jetës, një luftëtar vjen tek Ti shpejt dhe drejt, si një shigjetë që çan drejt diellit. Mirëprite atë dhe lëre të zërë vendin e tij në këshillin e zjarrit të popullit tim. Ai është Unkas, im bir. Thuaji atij të ketë durim dhe të kërkojë vdekjen e shpejtë, pasi të gjithë janë atje, përveç njërit, përveç meje, Çingaçguk, i fundit i Mohikanëve.
Është ekzotik ky libër, të zhyt padashur në një botë romantike, sepse i tillë është udhëtimi dhe eksplorimi i botës.
Autori i tij nuk përshkruan thjesht vendet që viziton, po na bën me dije se çfarë kupton për vete në raport me të tjerët dhe botën.
Ai nuk është Marco Polo, por kjo nuk e pengon të sjellë Amerikën si një univers i panjohur, me detajet gjeografike, urbanistike, historike dhe emocionuese për ne.
A është bota e panjohur një frikë për zbuluesit e saj?
Kaq e bukur kjo ide për të gjetur vendet e kërkuara me një hartë gjeografiko-politike, e cila nuk e ndryshon “pamjen e luginës nën mjegullën e dendur të mëngjesit në të”.
Qytetërimi nuk i imponohet dot natyrës dhe e kundërta; së bashku me zgjerimin e imagjinatës, një aksiomë e lexueshme në librin “Simfonia e udhëtimeve”.
Është ky vend si model i bashkëjetesës së shumë etnive me kulturat e tyre.
Në një ceremoni graduimi universitar kam asistuar në një festë surprizë me një simfoni zërash dhe cicërima zogjsh të një grupi nga një etni Afrikano-qëndrore në çastet e diplomimit të djalit të tyre.
Të njohësh Amerikën do të thotë të kuptosh ndryshimin e njeriut në udhëtimin e pakthyeshëm të tij drejt një bote të panjohur, Botës së re.
Të lexosh librin e autorit Memeti, kupton pse Amerika është fati i Shqipërisë, vetëm duke përmendur dy nga presidentët e saj legjendarë, Wodrow Willson dhe Bill Clinton; i pari ruajti tërësinë e tokës shqiptare, i dyti është arkitekti i pjesës tjetër të kombit, Kosovës së lirë.
Ja pse Amerika është mbrojtësi dhe aleati më i rëndësishëm i kombit shqiptar.
Në Llitel Rok të Arkansas gjen muzeun dhe bibliotekën e Bill Klinton, në katin e parë të së cilës zë vend të rëndësishëm Lufta e Kosovës.
Klinton, guvernator në moshën 32 vjeçare, e ngriti ekonominë e Arkansas nga vendi i parafundit në Amerikë, në vendet e lakmuara ekonomike të saj.
Prej historisë më kanë frymëzuar beduinët me sfidën e tyre ndaj shkretëtirës, gjë që tregon se udhëtimi është luks i nomadëve, ndaj njeriu dëshiron të jetë i tillë.
Nomadët udhëtojnë… kjo më sjell idenë se ata kërkojnë ti largohen tiranisë imagjinare në kërkim të lirisë pa kufij në natyrë.
Ja dhe Memfisi i Elvis Preslit. Këtu u dëgjua “Unë kam një ëndërr” nga Martin Luther King, biri i Memfis.
Në filmat amerikanë, të varfrit bëhen të pasur, të pasurit e kanë jetën të vështirë, emigrantët marrin dokumenta, lufta përfundon, madje të vdekurit ringjallen, të përdalat martohen me milionerë.
Nuk mungon legjenda botërore Merlin Monroe me filmin “Disa e duan të nxehtë”.
Në Hjuston të Teksasit, shtet i quajtur “Ylli i vetmuar”, ndodhet Nasa dhe qendra e naftës; këtu ka punuar edhe nobelisti shqiptar Ferid Murati.
Në afërsi të portit të qytetit Mobil në shtetin Alabama, në vitin 1860, një anije e mbingarkuar me skllevër afrikanë u braktis nga kapiteni i saj. Robërit e ikur themeluan bashkësinë e tyre në brigjet e lumit Misisipi, u njoh si Afrikantauni, në të cilin edhe sot e kësaj dite ruhen zakonet dhe gjuha e tyre afrikane.
Oklahoma, vendi i fisit Cherokee, në depresionin e viteve 1930, një milion banorë emigruan nga kryeqyteti për në Kaliforni.
Dëshmitari i parë që dokumenton Ujvarën e Niagarës është francezi Samuel de Champlain në vitin 1604.
Lufta Civile Amerikane (12 prill 1861 - 26 maj 1865; midis Unionit (“Veriu”) të udhëhequr nga gjenerali Grant dhe Konfederatës (“Jugu”) të udhëhequr nga gjenerali Robert Li, përfundoi me fitoren e Unionit, shpërbërjen e Konfederatës dhe heqjen e skllavërisë, duke çliruar katër milionë afrikano-amerikanë. Në familjet e Jugut ndodhte të ishin të ndarë pjesëtarët e saj, duke mbajtur edhe bluzat e Unionit, edhe të Konfederatës.
A e vendos gjeografia fatin e historisë apo historia fatin e gjeografisë?
Teksasi, zemra e Konfederatës, është ekonomia e 9 sot në botë. El Paso në Teksas, qyteti i bankës së vjedhur nga banditët e Indios në filmin western “Për disa dollarë më shumë”.
Muzeu i Kushtetutës në Pensilvani, ku baballarët e kombit, Madison, Hamilton dhe Xheji, nënshkruan edhe “We the People”, themeli i lirisë dhe demokracisë perëndimore.
George Washington, babai i Amerikës, dha dorëheqjen kur amerikanët i kërkuan të jetë president i përjetshëm, leksioni i parë themelor i demokracisë amerikane.
Hamilton, një federalist i fortë, u kundërshtua pse kërkonte një president me mandat shumë të gjatë.
Është i famshëm debati Hamilton - Xheferson.
Delaware, “First State”, ratifikoi i pari kushtetutën federale, ndërsa në targat e New Hampsher shkruhet “Jeto i lirë ose vdis!”
Në Arizona kemi Sedona: shkëmbinj të kuq spektakolarë, që duken si peizazhe pothuajse “marsiane”.
Boston, Fan Noli dhe Vatra, një trinom që bashkon Shqipërinë dhe Amerikën. Emigranti i parë shqiptar, Koli Kristoferi, arriti në Boston në vitin 1886. Rrugës në shtetin e Maine kam parë një shtëpi me shënimin “Korçë 1935”.
Noli në 1908 shugurohet prift, më pas themeloi Kishën Ortodokse shqiptare.
Bostoni, qyteti kryesor i Revolucionit Amerikan, ku lindi Xhon Kenedi dhe jetuan poetët e mëdhenj Whitman, Sylvia Plath, Dickinson, Edgar Allan Poe, Longfellou.
Në Cambridge janë dy universitetet më të mira të botës, Massachusetts Insitut of Tecnology dhe Harvard. Mbi lumin Charles, ura e Harvard dhe ura e Longfellout, ura me emrin e një poeti, spikatin midis të tjerave.
Po mendoj se çfarë e lidh poezinë, urën dhe udhëtimin…
Lexoj më tej dhe imagjinoj Las Vegasin, qytetin e lumturisë, bukurisë, qytetin e dritave dhe të fatit, qytetin e dashurisë.
Amerika nuk është vetëm gjeografi dhe natyrë, por historia e shkruar mbi tokë, si një leksion nëpërmjet aventurës së udhëtimit për botën moderne demokratike.
Ëndrra ime është një vend dhe një kohë ku
Amerika do të shihet edhe një herë si shpresa e fundit më e mirë e tokës.
Abraham Lincoln.
Zbulimi i botës me anë të udhëtimit është instinkt, fantazi, sfidë para të cilës njeriu nuk ndalet.
Ku e ka fundin imagjinata e njeriut?
A e unifikon udhëtimi moralin në një botë me relativizëm kulturor?
Kristofor Kolombi u frymëzua nga Marko Polo në zbulimin e Amerikës dhe ashtu si ai frymëzohet çdo lexues nga ky libër për të zbuluar një botë, e cila thërret për ndryshim dhe liri, në kërkim të vetes së humbur.
Udhëtimi është risi me të cilën shembim paragjykime dhe ndërtojmë idenë se njeriu dhe natyra nuk janë në prehje, por në lëvizje dhe ndryshim të vazhdueshëm.
A nuk fillon kërkimi i të vërtetës me udhëtimin brenda dhe jashtë vetes?
Të udhëtosh është terapi shpirtërore dhe rilindje në një stad të ri të botëkuptimit tonë.
Gjithnjë mund të ikim, ndonjëherë ashtu duhet për të gjetur veten.
Të udhëtosh është edhe frymëzim i bukur nga libri, si një Atlas, “Simfonia e udhëtimeve” të shkrimtarit Adnan Memeti, Marko Polos shqiptar.
God Bless America!
Boston, 21 maj 2026








Comments