Sokol Demaku: Rrëfenja jete nga Kuçi
- 1 hour ago
- 5 min read

Pjesë nga romani i autorit Sokol Demaku ” Kuçi fshati i kuvendeve” botua në Borås të Suedisë 2023 dhe shtypur në Shtypshkronjën Lena Graphic në Prishtinë
Rrëfenja jete nga Kuçi
Në kohë të largëta Kuçi dhe kuçjanët ishin ata që njiheshin për trimeri, burrëri dhe kuvendim. Këto ishin virtytet e tyre dhe i bënin sa madhështorë, po aq edhe krenarë në të gjitha trojet arbërore.
Në këtë kohë në Kuç jeta ishte sa idilike aq edhe e çiltër, sa jetohej në një harmoni, sikur në një familje, i gjithë fshati. Kishte një respekt dhe nderim në mes njeri- tjetrit. Kuçjanët,si duket, e kishin marrë atë ndjenjë të rrethit ku jetonin. Si duket edhe malet dhe bjeshkët për rreth, kishin ndikur që kuçjani të jetë vital, i shkathët dhe i zoti për vete dhe familjen e tij. Ishin njerëz të qetë e të përmbajtur, por shumë të ashper ndaj të keqës, të cilën nuk e duronin dot. Kjo ishte vënë re në reagimet e tyre, që nga koha e pushtimeve të ndryshme.Pushtuesit mendonin dhe deshironin që me çdo kusht t’i nënshtronin këta njerëz të mirë. Jeta i kishte mësuar dhe ua kishte trasuar këtë rrugë mirësie, mirësjellje dhe mirëqenie. Malet e lashta e të larta, me natyrën e tyre rrethuese ishin ndoshta ato që kishin ndikuar aq mirë në ndjenjat dhe sjelljet e këtyre njerëzve. Edhe vet fshati ishte i rregulluar ashtu si ishin edhe vet banorët. Ata e kishin krijuar atë dhe ai u shërbente atyre. Shtëpitë ishin të shpërndara në lagje që ishin të lidhura njëra me tjetrën, thuaj se ishin një. Po ashtu në mes të fshatit ngrihej madhështore kisha e fshatit,me një oborr të bukur, rrethuar me një mur jo të lartë,i cili i jepte hijeshi jo vetëm Kishës,por edhe tërë fshatit. Në anën e perendimit kishte një portë të madhe druri, e cila kishte dy krahë dhe çdo herë dhe në çdo kohë ishte e hapur.
Edhe nga anë të tjera kishte nga një kapi të vogël, përmes së cilës mund të hynin ata që e kishin rrugën e shtëpisë nga ajo anë. Oborri i Kishes ishte sa i gjatë, aq edhe i gjerë. Ishte një vend ku i gjithë fshati mblidhej për çdo rast dhe në çdo çast. Ishte aty pjekja e të gjithëve, pa marrë parasyshë moshën apo gjininë. Ishte vendi ku mbahej Kuvendi.
Nën kulmin e dyerve të mëdha prej druri, ishte vendosur kumbonarja e kishës, e cila çdo ditë tregonte orën e saktë,pasi ajo ishte kohë që ndoshta i rralli do të kishte orë. Por ajo më e rëndësishmja e kësaj kumbonarje, ishte ftesa për meshë e besimtarëve, si edhe ftesa e kuçjanëve për në Kuvend.
Të gjithë e dinin, kur e dëgjonin kumbonaren që binte gjatë ditës se ajo tregonte orën.Njerëzit numronin tingëllimat dhe në bazë të numrit të ramjeve, kuptonin sa është ora,por kur ishte për mbledhje kuvendi, ishte disi më e pazakontë dhe të gjithë si një, pa marrë parasysh ku ndodheshin mësynin oborrin e kishës, pasi duhej të ishin atje në kohë. Ishte diçka e rëndësishme për ta.
Ishte mbledhja e Kuvendit.
Kjo të jep të kuptosh se këtu në Kuç, jeta ishte më ndryshe se në çdo vend tjetër. Jeta kishte një organizim, kishte një rregull, i cili respektohej nga i madh dhe i vogël. Këtu duken shenjat instuticionale të jetës, familjes dhe shoqërisë.
Lemja ishte më i vjetri në fshat, një goxha burrë, me flokë të thinjura dhe me mustaqe të trasha dhe të thinjura. Ato ia shtonin hijeshinë dhe bukurinë këtij të moshuari dhe e benin tamam si të ishte babai i tërë fshatit. Ajo veshje labe, e cila i rrinte për mrekulli, ia shtonte dhe më shumë hijeshinë prej burri labërie. Kishte një fytyrë të çiltër, me sy të mëdhenj, një ball të pashëm,ishte fjalëpak dhe shumë i respektuar nga i vogël dhe i madh në fshat.
Që kur ishte në moshë mesoburri, fshati ia kishte caktuar si detyrë të udhëheqë Kuvendin. Vinte nga një derë e ndershme, me zë e nam në Labëri, por edhe me dorën në zemer. Ai ia kishte anën, si me pamje, po ashtu edhe me mençuri dhe zotësi. I flinte fjala në vend e Kuvend. Ishte i adhuruar dhe i dashur për të gjithë. Edhe ai vet kishte respekt për të gjithë, pa dallim moshe e gjinie.
Ishte bërë traditë në Kuç respekti i ndërsjellë, mirësia mes njerzve, dashuria pë rjetën dhe vendin. Po të shikjoje anë e kënd Kuçin, syri do të kënaqej, edhe po të ishe plak,me siguri do të ndiheshe sikur të ishe në rini. Oborri i Kishës së fashtit kishte pamjen e një kopshti ku mund të gjëje nga llojet më të ndryshme të luleve, të drurëve e të pemëve, dhe krejt kjo ishte meritë e kuçianëve, e atyre që e ndjenin në shpirt fshatin dhe vendlindjen e tyre. Edhe tubimet, kuvendet, por edhe dasmat e mortet, ishin disi më ndryshe në Kuç, se në anët e tjera të atdheut. Ato e kishin atë lezetin e vet. Po të shikoje kuçianët, ata kishin një lidhje me njëri-tjetrin, sa nuk kishte kund tjetër. Respekti për njëri- tjetrin, ndihma dhe mbeshtetja ishin vlerë për kuçianët. Si duket, trimëria e tyre, ishte një nga këto virtyte që i bënte kaq të mëdhenj.Ndoshta edhe jeta i kishte mësuar dhe i kishte pjekur. Si duket respekti këtu kishte zenë vend dhe kishte hedhë rrenjë.Ishte pikërisht respekti, ai që ia rriste virtytin fshatit, por edhe njerëzve që jetonin në të. Nisur nga kjo, Kuçi kishte bërë emër dhe ndjehej i respektuar nga të katër anët. Lemja ishte një njeri që dinte si duhet jetuar këtu, si njerëzit duhet të sillen,të kenë respekt dhe të ndihmojnë njeri-tjetrin. Ishte një jetë idilike këtu, një jetë që do e kishin lakmi ta jetonin edhe ata të cilët mendojnë se kishin një jetë më të mirë se fshtarët e fshatit Kuç.
Lemja ishte njeriu që udhëhiqte Kuvendin, njeriu i parë i fshatit.Ai e kishte krah të djathtë Gjolekën, një njeri i ditur dhe trim mbi trima. Këta të dy ishin fryma dhe shpirti i Kuçit, por qe besa edhe i gjithë Labërisë. Ishin shtylla e jetës dhe e punës së kuçianëve. Edhe ndejat, edhe ahengjet ishin të tjera kur në mes të kuçianëve qëndronnin krenar Lemja madheshtor dhe Gjoleka trim me mustaqe vesh më vesh, të thinjura si duket nga koha dhe mosha. E ku ta dish, bën edhe koha, por ndoshta edhe mosha. Në pamje ai nuk dukej se ishte aq në moshë, sa Lemja. Lemja ishte më i vjetër, më i rrahur në problemet e jetës. Këta e thonin vet, ndjeheshin ende të rinj, pasi në çdo hap ishin të rrethuar nga të rinj e të reja labe, në fshat e kuvend, në dasmë apo drekë. Ishte diçka me vlerë kjo, pasi siç thoshte edhe vet Lemja, edhe plaku ndjehet i ri në mes të rinjësh.
Vet Lemja e thoshte me plot shpirt se të rinjtë janë ata që i japin atij shpirt dhe kurajo për jetën, forcë dhe energji.
- I shef si janë, si duken? Janë si bletët, janë me vlerë. Si mos të ndjehesh mirë në mesin e tyre? Të them të drejtën unë rinohem me ta. Po,tek të rinjtë mbetet jeta dhe e ardhmja. Janë ata që do të shkojnë tutje me jetën. Do të krijojnë të ardhmen, do të vazhdojnë jetën e të parëve të tyre me të gjitha ato të mira që ka Labëria dhe vet labi e labja.









Comments