Sokol Demaku: FALEMINDERIT BABADIMËR – KY LIBËR DHURATË KA VLERË ARI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 2 min read

FALEMINDERIT BABADIMËR – KY LIBËR DHURATË KA VLERË ARI
Në kuadër të festave të fundvitit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, në qytetin Borås të Suedisë u organizua edhe këtë vit Festa madhështore tradicionale “Babadimri nga Kosova për fëmijët shqiptarë në Borås”. Ky aktivitet, që shënon vitin e dhjetë radhazi, organizohet nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, duke u shndërruar tashmë në një traditë të çmuar për komunitetin shqiptar në këtë qytet.
Babadimri nga Kosova, si çdo vit, u solli dhurata fëmijëve shqiptarë në Borås, duke sjellë gëzim, buzëqeshje dhe emocione të veçanta. Ky manifestim dëshmon se edhe në mërgim, fëmijët tanë nuk harrohen dhe festat për ta mbeten po aq të rëndësishme sa në vendlindje.
Edhe këtë vit, QKSH “Migjeni”, në bashkëpunim me mësueset e gjuhës amtare Qerime Gurguri dhe Gladiola Busulla, u kujdes që festa të ishte sa më e organizuar dhe madhështore. Nën udhëheqjen fantastike të të resë Ioona Jorgollari, aktiviteti u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, festive dhe plot dashuri për fëmijët.

Qendra kishte siguruar mbi 25 qese me dhurata, ku secila përmbante libra për fëmijë si “Kafshët në pyll”, “Shëtitja e gjatë” dhe “Vullneti yt të qëndrosh në pyll”. Këta libra ishin dhuratë nga QKSH “Migjeni” dhe Shtëpia Botuese “Shkupi”, me të cilën ekziston një bashkëpunim i frytshëm dhjetëvjeçar. Përveç librave, fëmijët u gëzuan edhe me qese me karamele, të cilat u pritën me entuziazëm të madh.
Për prindërit dhe të pranishmit, QKSH “Migjeni” kishte siguruar kafe dhe fruta të ndryshme, duke krijuar një ambient mikpritës dhe familjar gjatë gjithë festës.
Nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në qytet kishin përgatitur një program të pasur artistik me recitime, këngë dhe valle shqiptare, por edhe këngë nga repertori i shkollave ku ata ndjekin mësimet, kushtuar festave të fundvitit. Programi u prit me duartrokitje dhe krenari nga të gjithë të pranishmit.

Në sytë e fëmijëve shihej gëzimi dhe ndjenja e kënaqësisë, sepse edhe larg atdheut dikush kujdeset për ta, dikush mendon që ata të festojnë dhe të ndihen si në vendlindje. U dëgjuan fjalë mirënjohjeje nga prindërit dhe të pranishmit për punën e palodhshme të QKSH “Migjeni” në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në veriun e largët të Evropës.
Gjatë kësaj feste madhështore, anëtarët e Kryesisë së QKSH “Migjeni” shprehën falënderime për fëmijët, prindërit dhe të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar se qendra është gjithmonë në dispozicion të fëmijëve dhe prindërve për çdo nevojë: literaturë në gjuhën shqipe, ndihmë me gjuhën apo mbështetje të çdo lloji, 24 orë në ditë.
Një fjali e thënë nga një prind përmblodhi më së miri domethënien e kësaj feste: “FALEMINDERIT BABADIMËR – KY LIBËR DHURATË KA VLERË ARI.”
Kjo thënie e artë shpreh qartë se edhe dhurata më e vogël, sidomos libri, ka një vlerë të paçmuar për fëmijët dhe familjet shqiptare në mërgim.
Në fund, një falënderim i veçantë iu drejtua Albakos nga Hässleholm dhe Medborgarskolan në Borås për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme në realizimin e aktiviteteve kulturore të QKSH “Migjeni”. Kjo festë ishte edhe një dëshmi tjetër se bashkimi, përkushtimi dhe dashuria për gjuhën e kulturën shqiptare mbeten ura më e fortë që lidh brezat, kudo që ata jetojnë.









Comments