top of page

Sokol Demaku: Bisedë me Erinda Medoli

60 minutes ago
9 min read

 

    Baza e një shoqërie të shëndoshë është familja, ndërsa një familje e fortë ka nevojë edhe për vlera shpirtërore. Personalisht besoj te Zoti dhe mendoj se shoqëria jonë është larguar disi nga ajo lidhje e shenjtë me Krijuesin

    Për mua, dhimbja e njeriut është si një ajsberg: të tjerët arrijnë të shohin vetëm një pjesë të vogël të tij, ndërsa peshën më të madhe secili e mban të fshehur brenda vetes.

    Bisedë me Erinda Medoli një poete të re me plotë entuziazëm për jetën dhe peozinë që jeton dhe vepron ne Norvegji.

 

Unë gjeta poezinë si një mënyrë për ta nxjerrë dhimbjen në dritë dhe për ta lehtësuar shpirtin

 

Ju lutë për një prezantim të shkurtër.

 

    Jam Erinda Medolli, poete dhe autore shqiptare, me origjinë nga Devolli. Kam përfunduar studimet në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, në fushën e mësuesisë, si dhe Masterin Profesional. Prej disa vitesh jetoj në Norvegji, ku krahas jetës familjare dhe punës vazhdoj të kultivoj pasionin tim për letërsinë dhe veçanërisht për poezinë.

 

    Deri më sot kam botuar shtatë vëllime poetike dhe krijimtaria ime ka kapërcyer kufijtë e gjuhës shqipe, duke arritur te lexuesi edhe përmes përkthimeve dhe botimeve në gjuhë të tjera. Poezinë e shoh si një pjesë të pandashme të jetës sime: një mënyrë për të kthyer përjetimin, dhimbjen, dashurinë, shpresën dhe zërin njerëzor në fjalë.

 

 

Përveçse një poete, poezia juaj tashmë është e njohur në disa gjuhë. Si e përkufizoni rolin e poetit/es në jetën bashkëkohore?

 

    Për mua, poeti është zëri i asaj që shpesh mbetet e pathënë. Ai nuk shkruan vetëm për veten, por bëhet zë i ndjenjave, dhimbjeve, ëndrrave dhe shqetësimeve të një shoqërie.

Në një kohë kur jeta ecën me ritëm të shpejtë dhe njerëzit shpesh harrojnë të dëgjojnë njëri-tjetrin, poezia na rikthen te ndjeshmëria njerëzore.

 

    Besoj se poeti nuk ka për detyrë ta ndryshojë botën me forcën e fjalës, por mund ta zgjojë ndërgjegjen e saj.

Një varg mund të mos ndryshojë menjëherë një realitet, por mund të ndryshojë mënyrën se si një njeri e sheh atë.

Për mua, pikërisht këtu qëndron fuqia dhe përgjegjësia e poetit në jetën bashkëkohore.

 

 

Krijimtaria juaj i përket një periudhe të gjatë kohore. Çka mund të na thoni për fillimet tuaja dhe atë çka kultivoni sot?

 

    Në fakt, poezinë e kam zbuluar relativisht vonë në jetën time. Isha 28 vjeçe kur shkrova për herë të parë një poezi dhe deri atëherë nuk e kisha menduar se mund të kisha prirje apo talent për të shkruar. Madje, gjatë viteve të shkollës, prirja ime më e fortë ishte matematika. Ndoshta pikërisht për këtë arsye edhe unë vetë u befasova kur zbulova një anë tjetër të vetes, shumë më të ndjeshme dhe krijuese.

 

    Ajo poezi e parë hapi një derë që më pas nuk u mbyll më. Fillova të kuptoj se përmes vargut mund të shprehja ndjenja, përjetime dhe mendime që ndonjëherë fjala e zakonshme nuk arrinte t’i përcillte.

 

    Me kalimin e viteve është pjekur edhe krijimtaria ime. Nga përjetimet personale kam kaluar gjithnjë e më shumë te temat njerëzore e shoqërore: gruaja, dashuria, familja, mërgimi, liria, padrejtësia, paqja dhe shpresa. Nëse dikur poezia ishte një zbulim i papritur për mua, sot ajo është bërë një pjesë e pandashme e identitetit tim.

 

 

Nga e merrni frymëzimin për poezinë tuaj? Çfarë është tema apo subjekti në to?

 

Frymëzimin e marr nga vetë jeta.

Nga ajo që kam jetuar,

nga njerëzit që takoj,

nga një histori që dëgjoj,

nga një padrejtësi që më prek,

por edhe nga dashuria, familja, natyra, mërgimi dhe

çastet e vogla që ndonjëherë mbartin emocione të mëdha.

 

    Në poezinë time gruaja zë një vend të veçantë. Më frymëzon forca e saj për t’u ringritur, për të dashur dhe për të vazhduar përpara.

 

    Nuk e kërkoj me çdo kusht një temë për të shkruar. Zakonisht është tema ajo që më gjen mua. Duhet të më prekë diçka fort që të lindë një poezi. Kur një ndjenjë nuk më lë të qetë, atëherë e kuptoj se ajo kërkon të bëhet varg.

 

Krijimtaria juaj ka kaluar tashmë edhe në gjuhë të tjera. Çfarë ju shtyu drejt përkthimit të poezisë suaj?

 

    Dy vëllimet e mia të fundit, “Grua – Zemra që S’Pushon” dhe “Zemra e një Gruaje”, janë përkthyer në anglisht dhe suedisht. Aktualisht jam duke punuar që krijimtaria ime të vijë së shpejti edhe në gjuhën norvegjeze dhe polake.

 

    Për mua, përkthimi është një urë që e çon poezinë përtej kufijve të gjuhës dhe vendit ku ajo ka lindur. Duke jetuar në mërgim, kam kuptuar edhe më shumë se ndjenjat njerëzore nuk kanë kombësi. Dashuria, dhimbja, shpresa, liria apo forca e një gruaje kuptohen në çdo gjuhë.

 

    Dëshira ime është që poezia ime të mos mbetet vetëm brenda kufijve të gjuhës shqipe, por të ketë mundësinë të takohet me lexues të kulturave të ndryshme. Përkthimi, për mua, nuk është vetëm kalimi i fjalës nga një gjuhë në tjetrën; është udhëtimi i një ndjenje nga një shpirt te një tjetër.

 

 

Çka ka botuar deri më tani Erinda dhe çka mund të presë lexuesi prej jush në të ardhmen?

 

    Deri më sot kam botuar shtatë vëllime poetike. Dy më të fundit, “Grua – Zemra që S’Pushon” dhe “Zemra e një Gruaje”, kanë arritur te lexuesi edhe në gjuhën angleze dhe suedeze.

 

    Por krijimtaria ime nuk është ndalur te poezia. Prej disa vitesh jam duke punuar me romanin tim, një projekt që kërkon kohë, përkushtim dhe pjekuri. Paralelisht, gjatë viteve kam shkruar vazhdimisht edhe vjersha për fëmijë, të cilat deri më sot nuk i kam botuar si një vëllim më vete.

 

    Shpresoj që brenda vitit të mund t’i sjell lexuesit si romanin, ashtu edhe vëllimin me vjersha për fëmijë. Nuk është gjithmonë e lehtë ta ndërthurësh krijimtarinë me jetën dhe punën fizike në emigrim, por për mua të shkruarit nuk është thjesht një angazhim që kërkon kohë; është një nevojë e shpirtit. Prandaj, edhe mes lodhjes së përditshme, përpiqem gjithmonë të gjej një copëz kohe për fjalën.

 

Kur kemi të bëjmë me poezinë, çfarë është ajo që lë gjurmë tek ju dhe ju shtyn të merreni me të?

 

    Tek unë lë gjurmë poezia që ka shpirt dhe vërtetësi. Më tërheq fjala që lind nga një ndjenjë e sinqertë dhe arrin të prekë një tjetër shpirt. Për mua, aty fillon dhe aty jeton poezia.

 

 

Si e kalon një ditë pune në mërgim Erinda?

 

   Jeta në mërgim më ka mësuar të mos i druhem asnjë pune të ndershme. Për dy vite kam punuar si pastruese, më pas për nëntë muaj si shitëse, ndërsa prej pak kohësh punoj si kuzhiniere. Sot kam kushte shumë të mira në punë dhe ndihem e vlerësuar në atë që bëj.

 

   Edhe pse dita është e ngarkuar, përpiqem të mos e lë pas dore pasionin tim. Kam hapësirën time në punë dhe, gjatë pushimeve të vogla, shpesh gjej disa minuta për të shkruar një varg, një mendim apo një ide. Kështu, mes punës dhe përditshmërisë së emigrimit, përpiqem të ruaj gjithmonë një copëz kohe për Erindën poete.

 

 

 

Si është Erinda nga natyra?

 

    Jam natyrë e qetë, e ndjeshme dhe shumë e shoqërueshme. Më pëlqen natyra, lulet dhe njerëzit pozitivë. E çmoj shumë miqësinë dhe jam gjithmonë e gatshme të bëj më të mirën për njerëzit që kam pranë. Besoj se energjia e mirë që u japim të tjerëve, në një mënyrë apo tjetër, na rikthehet.

 

Ju jeni një poete shumë e talentuar, si e ndieni veten në mërgim?

 

    Nuk më takon mua ta quaj veten të talentuar; këtë ia lë lexuesit ta vlerësojë. Unë besoj shumë më tepër te puna dhe këmbëngulja. Për mua, talenti mund të jetë vetëm 2%; pjesa tjetër është punë, përkushtim dhe dëshirë për t’u përmirësuar çdo ditë.

 

    Në mërgim e ndiej edhe më shumë këtë. Asgjë nuk të dhurohet, por çdo hap fitohet me punë. Edhe krijimtarinë time e shoh në të njëjtën mënyrë: si një rrugë ku kam ende shumë për të mësuar.

 

Nëse do të kishit mundësinë të jepnit ndihmesën tuaj në realitetin që jetojmë ne shqiptarët, ku mendoni konkretisht se duhet ndryshuar diçka?

 

   Për mua, baza e një shoqërie të shëndoshë është familja, ndërsa një familje e fortë ka nevojë edhe për vlera shpirtërore. Personalisht besoj te Zoti dhe mendoj se shoqëria jonë është larguar disi nga ajo lidhje e shenjtë me Krijuesin.

   E shoh shoqërinë shqipëtare si shoqëri pa Zot. Do të doja më shumë afrim drejt krijuesit.

 

   Do të dëshiroja të shihja më shumë fëmijë, të rinj dhe familje të ndërtuara mbi dashurinë, dhe përgjegjësinë para Zotit.

Besoj se një shoqëri është më e shëndetshme kur mban të lidhur mardhënien me Zotin. Respekton disa regulla prej frikës së të keqes.

Shoqërisë shqiptare i mungojnë shumë gjëra përveç besimit dhe Respektit për Zotin , në drejtimin e dhunës në familje do të doja të shtoja institucione mbëstetëse për Gruan . Është në planet e mia dhe shpresoj të jap kontribut në këtë fushë.

 

Nëse letërsia apo poezia nuk do të ishte e preferuara juaj, në çfarë fushe do ta gjente veten Erinda?

 

    Besoj se do ta gjeja veten te piktura. Më ka pëlqyer që në fëmijëri dhe gjithmonë kam ndier një afërsi të veçantë me ngjyrat. Kam gjithashtu një dashuri të madhe për muzikën dhe instrumentet. Nëse nuk do të shkruaja me fjalë, ndoshta do të përpiqesha të shprehja atë që ndiej përmes ngjyrave ose tingujve.

 

Na flisni pak për fillimet e karrierës suaj. Kur keni filluar të merreni me poezinë dhe pse pikërisht poezia?

 

    Siç e përmenda, kam filluar të shkruaj në moshën 28-vjeçare. Por pyetjes “Pse poezia?” ndoshta i jam përgjigjur më së miri vetë në një nga poezitë e mia të para:

 

“Pse u bëra poeteshë?

Sepse për të më dëgjuar nuk po gjeja veshë.

Dhimbjen kur e shkruaj,

më duket sikur e zbraz një peshë.”

 

    Për mua, dhimbja e njeriut është si një ajsberg: të tjerët arrijnë të shohin vetëm një pjesë të vogël të tij, ndërsa peshën më të madhe secili e mban të fshehur brenda vetes. Unë gjeta poezinë si një mënyrë për ta nxjerrë atë peshë në dritë dhe për ta lehtësuar shpirtin. Ndoshta pikërisht për këtë zgjodha poezinë ose, më saktë, poezia më zgjodhi mua.

 

A kujtoni ndonjë kohë kur mendoni se keni dështuar në këtë fushë?

 

    Nuk mendoj se kam dështuar në poezi, prej saj vetëm kam fituar: jam pasuruar shpirtërisht, jam fisnikëruar, jam rritur si njeri.

 

    Sigurisht, kur lexoj poezi të bukura dhe  poetë të mëdhenj, ndonjëherë më duket vetja e vogël. Por jo aq e vogël sa të heq dorë; përkundrazi, aq sa të kuptoj se kam ende shumë për të mësuar, për të punuar dhe për t’u përmirësuar.

    Besoj se poezia nuk është një garë ku njëri duhet të zërë vendin e tjetrit.

Çdo poet ka zërin, ndjeshmërinë dhe mënyrën e vet unike të të shkruarit.

Në art askush nuk është i tepërt, për sa kohë ka diçka të sinqertë për të thënë.

Sa e keni pas të vështirë dhe sfiduese të jeni këtu ku jeni sot?

 

Sa e keni pasur të vështirë dhe sfiduese të jeni këtu ku jeni sot?

 

    Vështirësinë e parë e kam pasur me mosbesimin tek vetja. Kur fillova të shkruaja, nuk e dija nëse ajo që krijoja do të kishte vlerë edhe për të tjerët. Por kur nisa t’i publikoja poezitë dhe pashë se lexuesi i mirëpriti, kjo më dha kurajë të mos ndalesha.

 

    Një tjetër sfidë është ana ekonomike. Shpesh autori shqiptar duhet ta përballojë privatisht botimin, promovimin dhe rrugën e librit deri te lexuesi. Mendoj se na mungon edhe një rrjet më i gjerë dhe më i organizuar që libri dhe autorët e rinj të kenë më shumë mundësi të njihen e të afirmohen.

 

    Do të dëshiroja të kishte më shumë struktura gjithëpërfshirëse që t’i bashkonin autorët dhe t’u krijonin hapësira. Sot shumë prej nesh përpiqemi ta bëjmë këtë përmes shoqatave, grupeve letrare dhe miqësive krijuese. Megjithatë, çdo vështirësi më ka mësuar se në këtë rrugë duhet shumë punë, durim dhe këmbëngulje.

 

 

Përveç artit të të shkruarit, si e kaloni kohën e lirë?

 

    Të them të drejtën, koha ime e lirë është e kufizuar. Jam nënë e dy fëmijëve, punoj dhe pas pune më duhet të ndjek edhe aktivitetet dhe nevojat e tyre. Dita ime ndahet mes punës, familjes, shtëpisë, përgjegjësive financiare dhe shkrimit.

 

    Përpiqem të jem një nënë e pranishme, një amvisë e kujdesshme dhe njëkohësisht të mos e humbas Erindën që shkruan dhe ëndërron. Ndoshta koha ime e lirë nuk matet me orë; janë ato çaste të vogla që arrij t’i ruaj për familjen, për veten dhe për një varg të ri.

 

Çka ju bën të lumtur dhe çka ju mundon më së shumti?

 

   Lumturinë nuk e kërkoj te gjërat e mëdha. Më bën të lumtur mirëqenia e fëmijëve të mi, qetësia e tyre dhe fakti që kam arritur, me punën dhe forcat e mia, të ndërtoj një jetë të pavarur. Kur në fund të ditës kam një çati mbi kokë, një jastëk ku të mbështes kokën dhe shoh shtëpinë time të mbushur me libra, lule dhe fëmijë që qeshin, mendoj se jam shumë e pasur.

 

   Ndërsa më mundon dhimbja njerëzore, sidomos kur prek fëmijët, familjen dhe njerëzit që nuk kanë mundësi ta ndryshojnë lehtë realitetin e tyre. Ndoshta për këtë arsye kam mësuar ta çmoj kaq shumë atë që dikur mund të dukej e zakonshme: paqen brenda shtëpisë. Për mua, kjo është një nga format më të mëdha të lumturisë.

 

Po të kishit mundësinë të zgjidhnit, ku do të jetonit?

 

    I adhuroj udhëtimet dhe udhëtoj sa herë që kam mundësi. Kam një dëshirë të madhe ta shoh botën, të njoh vende, njerëz dhe kultura të ndryshme.

Por të udhëtosh është një gjë, ndërsa të gjesh vendin ku ndihesh në shtëpi është diçka tjetër.

 

    Nga të gjitha vendet, Norvegjia është vendi ku jam ndier më e sigurt dhe ku kam gjetur qetësinë time. E dua natyrën, mënyrën e jetesës dhe ndjesinë e sigurisë që më jep ky vend. Ndonjëherë më duket sikur Norvegjia ishte krijuar edhe për një natyrë si e imja.

 

    Ndihem me fat që sot shtëpia ime është këtu.

Botën dua ta shoh të gjithën, por në Norvegji dua gjithmonë të kem vendin ku kthehem.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page