top of page

PANAJOT BOLI: THONË SE MALI IM ...

2 hours ago
1 min read

THONË SE MALI IM ...

NGA PANAJOT BOLI

Thonë se mali im ka në bark një liqen

Dhe çdo mengjes hap rubinetin e burimeve

Të shuajnë etjen buzët e brishta të fshatit tim

Të laj sytë e tij të bukur

Me ujin e kristaltë që del me gurgullimë


Thonë se mali im ka në bark fara pemësh

Që i nxjerr si jatagan ndaj erës dhe stuhisë

Që në ballkonet e jeshilta zogjtë të ngrenë foletë

Të flertojnë flladet me to

E kaçurrelat e tyre t’i bëjnë fjongo retë


Thonë se mali im ka në bark farë guri

Mbin në gjoksin e tij si koracë gri shkembinjsh

Në shpatullat e tyre ulen shqiponjat e ngrenë shtëpinë

Shkallëve ngji3ten thellëzat

Të orkestrojnë ndaj të perënduar, të tyren, melodinë


Thonë se mali im ka në bark farën e ngjyrave

Dhe mbijnë mbi sharkun e tij të sertë,ngjyrat e ylberit

I urtë,shtatlartë e krenar, ai shtruar ulet e bisedon me diellin

Lumturohet netëve baritore

Me jorganin flori që i shtron hëna,e në dorë,fyellin


Thonë se mali im ka në bark margaritarë

Në sepetin e tij i mban, thotë se ato janë sekret

Shpesh me rrezet e diellit fshehurazi herët në mengjes

Dergon ca vezullime rubairash

Që ylbërizojnë me shkelqim si metale të rralla mbi vesë


Thonë se mali im ka edhe farë endrrash

Që çelin kur Marsi sjell dallëndyshet nga larg

Dhe mbarojnë me zile bagëtish në age dhe perëndime

Më thonë se në barkun e tij

Gëlon e nauritet thellë shpirtit të tij, edhe endrra ime

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page