Sofra-niteti...


Zelenski, Sofra-niteti shqiptar, dhe qentë e Car Llazarit


Bëri bujë transmetimi direkt i fjalimit të Presidentit të Ukrainës, Zelenski, në Sallën e Kuvendit të Parlamentit Shqiptar më 3 Maj 2022.

Vendi ynë -siç bënë dhe shumica e vendeve në botë- përkrahu solidarizimin me këtë shtet, mbase dhe duke e ndjerë padrejtësinë nga gjaku i Martirëve të rënë gjatë luftës së agresionit serb në trojet shqiptare të Dardanisë që sot gëzojnë lirinë nën një shtet të quajtur “Kosovë” (shqipëruar: “Fushëgjërë”).

Pavarësisht se çdo shqiptar, të paktën kohët e fundit, e njeh shumë mirë historinë e Ukrainës, ndarjen nga Bashkimi Sovjetik, përqindjen e popullsisë ruse në të, zaptimin e Krimesë në 2014-ën e krijimin e diskutueshëm të Republikës së saj në Mars, ngjarjet e mëvonshme në 11 Maj të po atij viti me të ashtuquajturat referendume që krijuan “Republikën Demokratike të Dunetsk-ut” e atë të “Luhansk-ut”, ndërhyrjet e armatosura të Ushtrisë Ruse, Raportet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), Marrëveshjet e Minskut, çështjen e antarësimit në NATO e BE, e deri tek CV-ja e jeta familjare e Zonjës së Parë Olena Zelenska që e kemi parë në lajmet e mediave tona gjer në emisione të plota, pamvarësisht se ne e njihnim në imtësi Presidentin, jetën e tij e të popullit të vet; përkundrazi, ai as nuk e njihte Shqipërinë e shqiptarët.

Presidenti Zelenski na u drejtua si “populli musliman shqiptar” -mbase duke parë aderimin e Shqipërisë si vend anëtar i Organizatës së Kombeve Islamike (OKI)- kur në fakt vendi ynë është një “shtet laik” ku respektohen të gjitha fetë, qofshin ato islamike, të krishtera, ortodokse, kemi Kryegjyshatën Botërore të Bektashizmit, e festën kombëtare të Ditës së Verës pagane; me një tolerancë fetare që në paradën e Parisit i mësuam botës se ngjyrat e fesë mund të merreshin si shembull nga bashkëjetesa harmonike shqiptare.

Mbase i trysnuar nga presioni i luftës, juristi-komedian-politikan kërkoi nga Salla e Parlamentit Shqiptar që tek ne “… të mos pranohen turistët rusë…” Në fakt një ndër parimet më interesante të jurisprudencës është se “Më mirë 99 të fajshëm jashtë, sesa bashkë me ta të fusësh edhe një të pafajshëm brënda në burg!”

Dënimet kolektive, psikologjitë e turmave, janë të papranueshme për një shtet modern e postmodern. Nuk mund të fajësohet një popull për fajin e një grushti individësh përgjegjës. Me këtë nuk dua aspak të them që vendi ynë duhet të mbajë qëndrim miqësor ndaj atyre që kanë qënë pjesë e fajit në masakra a luftime. Vendi ynë ka treguar se di të sillet me kompetemcë ndaj komponentëve të veçantë, siç bëri me disa “diplomatët” të dëbuar jo shumë kohë përpara.

Pastaj vendi ynë, fatkeqsisht ka masakrues të tjerë që jo turistë, por kanë zënë një vendbanim të përhershëm e kryeneq në sheshet kryesore të qyteteve tona.

Kemi Tyrben e Sulltan Muratit të Parë e sa e sa sulltanë të tjerë që kanë zaptuar emrat e ndërtesave në Shqiptari, kur dihet që masakrat e tyre ndaj popullsisë shqiptare kanë qënë aq të përgjakshme, genocidiale e shfarosëse (deri të krahinave të tëra); sa betejat e numri i të vrarëve në Ukrainë do të dukej si një ditë e bukur me shi.

Statuja e Car Llazarit nga ana tjetër -kundërshtarit të sulltani të lartpërmendur në betejën e vitit 1389- ngrihet krenare në Mitrovicën veriore e në Graçanicë. Kjo e fundit e gjendur mu në zemër të Distriktit të Prishtinës si një komunë më vete por që në tabelën e institucionit të vet zyrtar shkruante në serbisht “Oпштина Грачаница” (Komuna e Graçanicës), në oborrin e saj valviteshin 3 flamuj serbë. I çuditshëm është fakti se në këtë vend vërtetë ka shumicë popullsie serbe, por ka dhe një “pakicë” shqiptare e shqipfolëse së cilës nuk u respektohet as e drejta për të patur emërtime në gjuhën amtare në të cilën u shkruhet emri e mbiemri në pasaportë. Këtë të drejtë në fakt e disponojnë që prej 11 Janarit të 2018-ës edhe shqiptarët e Maqedonisë pas ligjit të votuar në parlament, por fatkeqsisht jo ata të Graçanicës. Askush nuk flet për tabelat e rrugëve në serbisht “Arsenija Čarnojevića”, “Tanaska Rajića”, “Tomislava Sekulića”, “Cara Lazara”, “24 Mart”, etj… që të paktën të jenë të lexueshme edhe për shqipfolësit.

Car Llazarin e fotografova mbi kalë me shpatën e ngritur krenare. Me atë shpatë që ka prerë sa e sa koka shqiptarësh. Përreth i rrinin qenër që relaksoheshin në diell, vigjilentë nën hijen e valëvitjes së flamurit serb që sigurisht do i këtë shpërblyer me ndonjë kockë se dukeshin të mirëushqyer e u shndrisnin leshrat tek shullaheshin pas bishtit të Rosinantit heroik.

Beteja e 1389-ës pamvarësisht se u përkrah me shqiptarë nga të dyja anët, faktikisht u udhëhoq nga dy figura që masakruan e shfarosën shqiptarë njëri para e tjetri dhe pas kësaj beteje. Çuditërisht të dy lartohen mbi tokat shqiptare dhe pse faktet historike tashmë janë të mirënjohura nga historianët për qëndrimet e tyre armiqësore e të rrezikshme ndaj vendit tonë.

Nga ana tjetër, kultura perendimore e përtej oqeanit na jep leksione të tjera: Në 2016 u bënë përpjekje për heqjen e emrit të Udrou Uillson (Woodrow Willson) nga emërtimi i Universitetit të “Princeton”, kjo nismë më 28 qershor 2020 mori formën e një vendimi nga Bordi dhe Universiteti u pagëzua si “Shkolla e Princetonit për Çështjet Publike dhe Ndërkombëtare”. Nuk duhet harruar se Uillsoni ishte Presidenti i këtij universiteti, më pas Guvernator e deri President i SHBA-ve, ku konsiderohet si nismëtar i themelimit të Lidhjes së Kombeve, kontribut për të cilin është nderuar dhe me çmimin “Nobel për Paqen” por, pas një shekulli u gjykua nga një analizë e re kritike se “racizmi i tij ka pasur pasoja të rëndësishme, madje matur edhe nga standartet e epokës së tij”*. Më 15 qershor 2020 në Portland të shtetit Oregon u rrëzua statuja e Tomas Xhefersonit (Thomas Jefferson) me pretekstin se ai kishte patur skllevër, pamvarësisht se bëhej fjalë për Babain e Deklaratës së Pavarsisë, Babain e Kombit Amerikan, Presidentin që luftoi për tolerancën fetare e lirinë individuale, vlera që u bënë themel i parimeve të Shteteve të Bashkuara Amerikane dhe të ndërtimit të demokracive perendimore sa shpesh quhen dhe “demokraci xhefersoniane”*. Megjithëse debati për këto raste është ende i hapur, e tepër kompleks, lidhur me kontributin që ata dhanë për të drejtat që amerikanët e nëpërmjet tyre edhe kombet e tjera frymojnë deri sot; në vendin tonë është tepër e thjeshtë për të gjykuar mbi “kontributin” e qëndrimet që kanë mbajtur Car Llazari, Sulltan Murati 1 e të tjerë figura që mbajnë shtatoret në sheshe, emrat në ndërtesa, e rrugë tek ne. Por ky debat qëndron fatkeqsisht i fjetur.

Zelenskin e shqetësonin turistët rusë, në fakt neve duhet të na shqetësojnë më shumë turistët që ngrihen nga varri e ende poshtërojnë viktimat e tyre shqiptare në territoret tashmë, të të paktën 2 shteteve sovrane shqiptare. Këto fantazma cënojnë sovranitetin me flamujt e gjuhën e tyre duke u sjellë ende si pushtues në Republika Demokratike që aderojnë për të hyrë dhe në Bashkimin Europian.

Buçet e Car Llazarit as kanë nevojë të lehin, ato shullahen në diell, mrizojnë nën flamurin pa “shkabë të zezë dykrenare”, karvani shqiptar në vendnumëro, debati: vdekur.


Adnand LLESHAJ

Maj 2022

_______________

*Akademik Kosta BARJABA - I hiqet emri “Woodrow Wilson” shkollës publike të Universitetit “Princeton”

*Akad. Kosta BARJABA - Rrëzohet statuja e Tomas Xhefersonit