top of page

Sofra e shtruar e folklorit burimor


Udhëtimi im i parë jashtë shtetit ka qënë në vitin 2005, në moshën 54-vjeçare, me kolektivin e mësuesve të gjimnazeve “Pjetër Budi” dhe “28 Nëntori” të Burrelit, sponsorizuar deputeti i Matit, z. Qemal Minxhozi, sot ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës. S’më harrohet, shijuam ditë të bukur në qytetet kryesore shqiptare, deri në Shkup të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pas kalimit nëpër qytetin e Dibrës së Madhe dhe përmes Mavrovës turistike, ndalesën e parë për pushim, argëtim e fjetje, e bëmë në Gostivar, qytet me vlera historike dhe kulturore. Akoma s’e harroj hotelin ku hëngrëm darkë, ku u argëtuam dhe vetes i lejuam pak orë gjumi. Sikur të kishin gojë mjediset e atij hoteli dhe restoranti, ku hëngrëm pak e vallëzuam shumë, "marrëzitë" e asaj nate klasifikohen dëshmi për vepër “penale”, sepse... “njollosëm” figurën morale të mësimdhënësit në gjimnaz. Siç ishim, (të izoluar), për herë të parë në Gostivar "shijuam" jetën e munguar liberale. Vazhdimi të nesërmen i udhëtimit tim me kolegët mësues të gjimnazit drejt Shkupit, qytet i ndarë në dy pjesë nga lumi Vardar, më bëri më romantik. Nga ajo ditë veçoj takimin me Shtëpinë Përkujtimore “Nënë Tereza”, (Agnesa Gonxhe Bojaxhiu), në qytetin e saj të lindjes, ku jetoi nga viti 1910 deri më 1928, humanitare dhe fituese e Çmimit “Nobel” për Paqe në vitin 1979. Gjatë kohës së lirë s’dinim ç’të shihnim më parë. Por u mahnitëm, saqë “antenat” i drejtuam nga historia, pa lënë mënjanë pozitën gjeografike. Në kthim, së pari vizituam Strugën, qytet piktoresk rreth bregut të Liqenit të Ohrit, me bukuri tërheqëse; pazarin e vjetër, xhamitë dhe kishat. Qyteti i tëri na bëri për vete. Koha e drekës ishte vizitë dhe ndalesë në liqenin e Ohrit. Bashkë me kolegët arsimtarë të gjimnazit “28 Nëntori”, ecëm rrugëve me kalldrëm. Prapa lamë dyqane, restorante, monumente historike, kisha, objekte karakteristike të papara ndonjëherë. Ndalesa aty na mbushi me frymëzim, por na la me sy e mendje nga ana tjetër e liqenit, afër Pogradecit. I njejti vend, i njejti liqen Ohër… Njerëz këndej dhe njerëz andej, ujë e tokë andej nga ata, ujë e tokë këndej nga ne... Akoma kontrast i dy anëve të një liqeni, i ndarë në dy shtete, vazhdon... Megjithatë Ohri atëherë na priti si nxënës kureshtarë, por mendja na mbeti te Shën-Naumi, manastir ortodoks, “zonë e ndaluar”, të cilin s’arritëm ta vizitonim.

Shumë vite kanë kaluar, plot shtatëmbëdhjetë. Nga udhëtimet e mia vijuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut veçoj udhëtimet letrare në Tetovë për të marrë pjesë në festivalet e poezisë së Shoqatave të Shkrimtarëve “Oeneum” dhe "Menada". Në emër të Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat kam përcjell atmosferën e atjeshme të manifestimeve letrare. Edicioni i pestë, "Takimet Poetike në Sharr" 2022, ishte kulturor tradicional, me karakter ballkanik, në të cilin konkurova me poezinë fituese “Florinjtë e mi”:


Në udhën e gjatë të jetës kam gjetur një gur të çmuar: -Të vërtetën! E mora me vete, e ruajta për vete kurrë nuk e humba. Njëherësh e bashkova me simotrën: -Thjeshtësinë! I bëra bashkë, u bëmë bashkë. I marr me vete, më kanë me vete nuk jemi ndarë, as ndahemi, florinjtë e mi të çmuar.



Atë ditë, më 14 maj 2022, ShGB "Menada", me kryetar prof. dr. Ejup Ajdini, albanolog dhe pedagog i Universitetit Shtetëror të Tetovës, mes poetëve të pranishëm nga Tetova e qytete të tjera të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga Republika e Kosovës, Republika e Malit të Zi dhe Republika e Shqipërisë, më shpalli anëtar nderi.

Po në atë stinë verore 2022 ndoqa linjën tokësore Burrel-Tiranë-Tetovë e kthim, me ndalesë në fshatin Gjermë, vendbanim i komunës së Tetovës. Udhëtimi ishte i programuar: pozita gjeografike e Tetovës, njohje me shokë e miq të rinj, shfletimi i faqeve të veprimtarive të shoqatave folklorike tetovare dhe veprimtaria shumëvjeçare e artistit të denjë të folklorit burimor shqiptar, me origjinë matjane, zotërí Hajri Ismani.

Pritja e sinqertë nga i zoti shtëpisë në fshatin Gjermë mbizotëroi nga miqësia dhe ngrohtësia njerëzore. Të tillë burra artista ta fisnikërojnë jetën shpirtërore. Në mjediset e bukura të shtëpisë mikpritëse në Gjermë, te banesat e djemëve në qytet dhe te lokalet shlodhëse me miq, shokë e dashamirë të familjes Ismani, sofra m'u shtrua me pasuri artistike folklori, ushqim bio për udhëpërshkrimin "Hajri Ismani, artist i këngëve dhe valleve folklorike".

13 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page