top of page

SKËNDERBEU KA LINDUR NË SINË TË DIBRËS


Instituti i Studimeve Ushtarake të Turqisë provon tezat e studiuesit Fatos Daci


Turqia i vë vulën: SKËNDERBEU KA LINDUR NË SINË TË DIBRËS


Halil Rama-Mjeshtër i Madh


· Kjo e vërtetë historike pohohet më zë dhe figurë në serialin turk “Jetë luftëtarësh”, përgatitur nga Instituti i Studimeve Ushtarake të Turqisë - https://youtu.be/TO6UxLfcXvQ

· Historianët e mirënjohur, prof. Stafanaq Pollo e prof. Kristo Frashëri, pasi vizituan muzeun e Kastriotëve në Sinë të Dibrës lanë këtë shënim në fletoren e përshtypjeve të vizitorëve të këtij muzeu: “Sinë, 12 shtator 1982. Vizituam muzeun e vogël të fshatit Sinë, vendi i origjinës së Kastriotëve dhe Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Përshëndesim nismën e banorëve të Sinës dhe atyre që e përkrahën ngritjen e këtij Muzeu. Urojmë që ai (muzeu) të pasurohet sa më shumë e më shpejt dhe të kthehet në një objekt historik të vizitueshëm, për edukimin e brezit të ri”





Për herë të parë autoritetet shkencore turke thyejnë heshtjen, lidhur me historinë e Skënderbeut dhe kryesisht me origjinën e vendlindjen e tij. Nëse deri sot historiografia civile apo ushtarake e Turqisë heshtte për Skënderbeun dhe historinë e tij, tani foli publikisht. Foli qartë dhe pastër Instituti i Studimeve Ushtarake të Turqisë (Milli Savunma Universitesi-Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare) të Turqisë. Saktësisht në këtë dokumentar në përkthimin nga gjuha turke në gjuhën angleze dhe nga gjuha turke në shqip thuhet: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu u lind më 1405, në fshatin Sinë të Dibrës (Kjo shqiptohet qartë në dy fjalitë e para të dokumentarit në fjalë)”.

Duke e publikuar këtë të vërtetë në librin e tij voluminoz me 497 faqe “Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër”, me fakte, argumente shkencore, referenca nga autorë vendas e të huaj, studiuesi Fatos Daci – Mjeshtër i Madh, shprehet entuziast për faktin se : “Për herë të parë, Turqia vulos: Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës! Dhe kur vulos Turqia, ish superfuqia e kohës, nuk ka më fjalë. Shqip: Skënderbeu ishte dibran. Pra, ishte shqiptar!”

Po në këtë libër (fq.59) studiuesi Daci sjell referenca nga Akademia e Shkencave të RSH, konkretisht nga Sesioni Shkencor rreth origjinës dhe prejardhjes së Kastriotëve mbajtur në Peshkopi më 2 Nëntor 1985 me rastin e 580-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Skënderbeut dhe inaugurimit të Muzeut të Kastriotëve në Sinë të Dibrës. Dhe nëse Prof. Sterfanaq Pollo ka deklaruar në fjalën e tij përmbyllëse të këtij sesioni shkencor se: “….Tani mund të themi se origjina e Kastriotëve është Çidhna, është Sina”, Fatos Daci argumenton, se “Ky dokumentar i tanishëm, i serialit turk “Jetë luftëtarësh”, i dha publikisht të drejtë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit të saj të Historisë për ngritjen në Sinë, në nëntor 1985, të Muzeut të vetëm të Kastriotëve”.

Autori i librit mjaftë voluminoz “Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër”, ka të drejtë të ndjehet mirë me këtë konkluzion të pritshëm të shkencës ushtarake turke, për faktin se me argumentet e tij, për gjatë 20 vjetëve, në katër libra që ka shkruar e botuar për Skënderbeun, në qindra artikuj që ka botuar në organe të ndryshme të shtypit ditor dhe atij periodik, në dhjetëra intervista televizive dhe në dhjetëra veprimtari publike që ka zhvilluar në institucionet publike të Tiranës, në Peshkopi a në Dibër të Madhe, ka thënë e shkruar, ka këmbëngulur vazhdimisht me zë të lartë se, për një mijë arsye, Skënderbeu është dibran dhe ka lindur në Dibër, në krahinën e Çidhnës.

Në librin e tij me një bibliografi mjaftë të pasur (87 libra, fjalorë, studime, botime në gazeta të ndryshme), në 59 tituj, Fatos Daci argumenton, se: Nga ishin Kastriotët dhe Skënderbeu, ditëlindjen e saktë të tij më 6 maj 1405, në Sinë të Dibrës, pamjen fizike të Skënderbeut etj. Mjaftë interesantë e tërheqës janë artikujt: “Pse Skënderbeu braktisi Portën e Lartë dhe u kthye në Shqipëri”; “Skënderbeu nuk mund të tjetërsohet”; “ Skënderbeu është realitet historik” etj.



SKËNDERBEU NË SERIALIN TURK “JETË LUFTËTARËSH”


“Sipas dokumentarit në fjalë, Gjon Kastrioti ishte princ dhe e shtrinte pushtetin në tokat e Dibrës, Matit, Krujës dhe Mirditës. Gjon Kastrioti, babai i Gjergj Kastriotit u mund dhe pranoi pushtimin osman në vitin 1421, ndërsa në vitin 1423, i dha Sulltanit si garanci (peng), djalin e tij Gjergjin, i cili në Oborrin e Sulltanit u konvertua në mysliman. Pra, Skënderbeu nuk shkoi në Turqi, te Sulltani as në moshën 8 vjeç, siç është interpretuar herë të tjera e as në moshën 10 vjeç, por plot 18 vjeç.

Nga viti 1423, deri në vitin 1431, Skënderbeu qëndroi në Oborrin e Sulltanit, ku mori edukimin me anë të shkollimit, ndërsa në vitet 1431-1437, kreu studimet ushtarake dhe doli oficer. Në kryengritjet shqiptare të 1432 dhe 1436, Skënderbeu nuk mori pjesë. Për 6 vite tregoi aftësitë e tij ushtarake dhe mori besimin e Oborrit. Prandaj, më 1437, u emërua subash dhe filloi të merrte pjesë në luftërat osmane, si spahi, si dhe i ngjiti me shpejtësi shkallët e gradave, duke u bërë më 1443, sanxhakbej (guvernator) i Dibrës”, shkruan F.Daci në librin e tij (faqe 133). Po në këtë faqe të këtij libri autori pohon se dokumentari turk hedh dritë mbi një tjetër fakt të rëndësishëm. “Kemi thënë e kemi shkruar se, bazuar në Marin Barletin, Skënderbeu u kthye nga Nishi vetëm me dibranë, jo ‘me shqiptarë’, siç shpesh problemit i bihet shkurt e kithtazi, me keqdashje, sepse në betejën e Nishit, Skënderbeu mori pjesë me ushtrinë e tij të përbërë me dibranë dhe shkoi nga Dibra në Nish, sepse Sulltani kishte urdhëruar të gjithë guvernatorët që në Nish të shkonin për të luftuar me kryqtarët, me ushtritë që do të mblidhnin nga vendet e tyre. Pra, Skënderbeu do të mblidhte ushtrinë e tij në Dibër, me dibranë, ashtu si mblodhi, se në Dibër ishte guvernator” .

Këto fakte studiuesi F.Daci i argumenton me referenca të autorëve të shumtë vendas e të huaj të historisë së Skënderbeut. Më konkretisht, autori i referohet edhe Barletit i cili e përshkruan qartë, se “Skënderbeu u kthye nga Nishi me 300 luftëtarë të një fisi, dhe jo të disa fiseve, dhe me ta ai u kthye drejt e në Dibër, ku të gjithë e njihnin, donin dhe e respektonin”.



PAK NGA HISTORIA


Pas kthimit nga Nishi, Skënderbeu refuzoi Islamin dhe u betua se do të hakmerrej për familjen e tij dhe shqiptarët. Për t’u hakmarrë ndaj Skënderbeut dhe shqiptarëve, që ishin rebeluar, Sulltani, pas 6 muajsh, dërgoi 30 mijë ushtarë, nën komandën e Ali Pashës. Skënderbeu kishte 15 mijë luftëtarë, nga të cilët 5 mijë luftëtarë i la në fushëbetejë, ndërsa 10 mijë i fshehu në male. Në këtë betejë, turqit patën 20 mijë të vrarë dhe luftëtarët e Skënderbeut 5 mijë të vrarë. Skënderbeu dhe luftëtarët e tij shënuan një fitore të rëndësishme dhe historike. Sipas një dokumentari tjetër dhe dëshmive të historianëve të tjerë fushëbeteja e Torviollit ishte në një fushë të rrethuar me pyje, me një gjerësi prej 4 km. Luftimet filluan më 28 qershor 1444, dhe dinamika e luftimeve u zhvillua më 29 qershor 1444. Vetëm e dhëna interesante, edhe nga autorë të tjerë, se fushë-beteja e Torviollit kishte gjerësi prej 4 km., rrëzon të gjithë aludimet e mëparshme për vendin, ku u zhvillua kjo betejë historike. Të tilla përmasa nuk i plotëson fusha e Përrenjasit (ku, sipas Dilaver Radeshit mund të jetë zhvilluar beteja e Torviollit), aq më pak nuk u plotëson as Fushë-Bulqiza (ku në kohën e komunizmit, te Ura e Qytetit, qe vendosur lapidari i kushtuar betejës së Torviollit), sepse gjerësia tyre nuk arrin mbi 1 km, jo më 4 km.. Të tilla përmasa i plotëson vetëm fusha e Kastriotit (nga shkolla e Kastriotit deri te sifoni mbi Dri dhe nga përroi i Kuke deri te Kodrat e Zdojanit, përballë Muhurrit) dhe vetë Fushë-Alia (Nga sifoni mbi Dri, deri te ura e Topuze).



KONTRRIBUTI I FATOS DACIT PËR NDRIÇIMIN

E HISTORISË SË SKËNDERBEUT


Mbështetur në studime skrupuloze, në dokumente arkivore e të dhëna gojore, Fatos Daci është i pari dhe i vetmi që ka zhvilluar veprimtari publike për Kastriotët dhe Skënderbeun te Muzeu i Sinës, duke filluar nga 6 maj 2008, kur muzeu ishte kthyer në sallë bagëtish. Pastaj, aty, vit pas viti, ka zhvilluar veprimtari publike në formë spektakli, duke e mbajtur në vëmendje e duke sensibilizuar opinionin për mirëmbajtjen e tij, si dhe për ta vizituar...

Fatos Daci ka shkruar 4 libra (tre të botuar dhe një në proces botimi), si: “Skënderbeu i vërtetë”, “Kastriotët e Çidhnës”, “Çidhna e Kastriotëve” dhe “Të vërtetat për Skënderbeun” Ai ka realizuar tre dokumentarë, si: “Dibranët festuan ditëlindjen e Skënderbeut”, “Dibra priti me madhështi birin e saj” dhe “Shëngjergji i Skënderbeut”.

Kontributi i këtij autori me mbi 60 libra të botuar konsiston, gjithashtu, në realizimin e tre sesioneve shkencore në Peshkopi për origjinën e Kastriotëve dhe vendlindjen e datëlindjen e Skënderbeut: më 6 maj 2008, më 6 maj 2010 dhe më 25 nëntor 2018.

Në harkun kohor të pesë viteve të fundi ai ka realizuar 5 spektakle në Sinë, më 6 maj, për ditëlindjen e Skënderbeut; Ka realizuar spektakël në Sinë, në kujtim të kthimit të Skënderbeut nga Nishi, më 3-10 nëntor 1443.

Si studiues dhe botues, F.Daci ka mbajtur dy kumtesa shkencore për Skënderbeun jashtë vendit, për origjinën dibrane dhe ditëlindjen e tij, një në SHBA dhe një në Pulia të Italisë, që të dyja gjatë vitit 2018.

Ai ka organizuar ceremoninë e dorëzimit prof.Kristo Frashëri të titullit “Qytetar Nderi” të komunës së Arrasit, te Muzeu Historik Kombëtar, më 25 maj 2008.

Që nga viti 2005, në vijimësi, ka marrë pjesë në debate dhe polemika me autorë të ndryshëm në shtypin e ditës lidhur me origjinën e tij dhe në mbrojtje të figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Dendësia e veprimtarive mjaftë produktive e cilësore të Fatos Dacit përfshin gjithashtu përurimin e disa librave kushtuar Skënderbeut në Tiranë, Dibër të Madhe dhe Peshkopi.


RISJELLJA NË VËMENDJEN E OPINIONIT DIBRAN E SHQIPTAR

I MUZEUT TË VETËM TË KASTRIOTËVE NË SINE TË DIBRËS!


Z.Fatos Daci, Mjeshtër i Madh, me shumë kontribute për historinë e Dibrës dhe të Kukësit, ishte ai që e risolli në vëmendje të publikut dhe të vizitorëve Muzeun unik e të Kastriotëve në Sinë. Që nga nëntori i vitit 1985, ku ky muze u inaugurua në mënyrë solemne, deri në vitin 2008, I ishte lënë harresës kolektive. Aty nuk bëhej asnjë vizitë, nuk zhvillohej asnjë veprimtari. Çelësi i Muzeut ishte në dorë të një personi që pretendonte se Muzeu ishte ndërtuar në tokën e tij, i cili e kishte kthyer në stallë bagëtish.

Në maj të vitit 2008, Fatos Daci, në vitin 2008, organizoi ditëlindjen e parë të Skënderbeut te ky muze me një aktivitet publik, qe ishte edhe vizita e parë e një komuniteti të madh. Atë ditë, për herë të parë u hap dera e Muzeut. Atë ditë e më pas, e ngriti problemin e gjendjes së mjeruar të tij te strukturat kryesore vendore dhe te komuna, të cilat u vunë në lëvizje. Kjo nismë gjeti përkrahjen e ndihmën e z.Sali Tërshalla Dr.Shkencave dhe kryetar i komunës së Arrasit dhe të z.Xhafer Seiti, atë kohë prefekt i Dibrës.

Që nga kohë z.Daci dhe Unioni i Krijuesve Dibranë, që drejton, ka festuar në vijimësi çdo 6 Maj ditëlindjen e Heroit, shoqëruar dhe me sesione shkencore në Peshkopi. Ftesës për të mbajtur kumtesa i janë përgjigjur Prof.Paskal Milo, Prof. Bernard Zotaj, Prof. Bardhosh Gaçe, Dr. Asllan Zemani, Azis Keta, Haki Pernezha, Enver Kaloshi, Ali Hoxha, Murat Koltraka etj. të cilët gjejmë rastin t'i falënderojmë publikisht, si dhe operatoret Neki Feta dhe Islam Shehu, që i kanë ndjekur të gjitha veprimtaritë, për t'i pasqyruar në televizionet, për të cilët ata punonin.

Më 25 nëntor 2018, në bashkëpunim dhe me "Çidhna e Kastriotët", organizoi veprimtarinë më të bukur në shkallë vendi, në kuadër të Vitit të Skënderbeut, kur me një veprimtari brilante e shumë të arrirë organizoi "kthimin" e Heroit nga Nishi, më 10 nëntor 1443.

Që nga viti 2008, nisi vullnetarisht të bënte rikonstruksionin e Muzeut të Kastriotëve në Sinë. Në një rast, siguroi pllakat, dhuratë nga nderuari Astrit Kuçi, dhe me shpenzimet e tij i dërgoi nga Fushë-Preza, ku i mori, në Sinë. Për fatin e tij, pasi i shkarkoi te hyrja e rrugës së Muzeut me njerëzit që i pagoi vetë, aty u gjend administratori i firmës që kishte fituar tenderin nga bashkia, z.Faruku, dhe ia dorëzoi falas pllakat, ndërkohë që la edhe gjithë materialin figurativ të printuar, fatin e të cilit nuk e di as sot. Me këtë rast la falas për vizitorët edhe 200 copë të librit guidë për Skënderbeun, të titulluar "Kastriotët e Çidhnës së Dibrës, printuar i gjithi me ngjyra.

Sot, falë edhe interesimit të bashkisë së Dibrës, Muzeu është në gjendje shumë më të mirë, nga ç’ishte kur qe harruar, si deri në vitin 2008.

Çdo veprimtari e zhvilluar te Muzeu i Kastriotëve në Sinë dhe Peshkopi është reklamuar fuqishëm me video, fotografi të shumta dhe kronika në shtypin e ditës, në gazetën "Dibra" dhe në rrjetet sociale.

Megjithatë, duhet bërë dhe më shumë. Materiali figurativ ka dhe gabime shkencore, të cilat i Z.Fatos Daci i ka vënë në dukje, por që nuk janë korrigjuar.


KONKLUZIONE



Autori Fatos Daci, me përvojë të gjatë në fushën e botimeve dhe studimeve, në librin e tij më të fundit “Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër - Tuqia vulos: Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës” ka përdorur të gjitha argumentet për të arritur në konkluzionet e tij. Në librin e zotit Daci gjen plot dokumente arkivore, pa ju heq e ju shtuar asgjë, siç bëjnë rëndom disa që abuzojnë me dokumentin. Raste të tillë sillen me shembuj konkret. Autori bën qartësisht analizën historike, deri dhe analizë gjuhësore, gramatikë historike etj,. Në argumentet e tij, ai, mbështetet edhe te toponimet.

Kështu në artikullin “Toponimia vërteton lidhjet e vetme të origjinës së Kastriotëve me Dibrën” (fq.46), pasi bën përkufizimin e saktë të vendndodhjes së fshatit Kastriot, përshkruan me hollësi toponime të këtij fshati, si “Kulla e Gjoni”, “Ograja e Gjonit”, “Kopshti i Gjonit”, “Pusi i Gjonit”, “Zabeli i Gjonit”, “Guri i shamates”, “Kodra e pareve”, “Guri i kazanave” etj.

Më tej në faqen 47 të këtij libri, autori F.Daci shkruan se “Toponime të tilla që lidhen me Kastriotët dhe Skënderbeun gjenden edhe në Muhurr e Selishtë”, ku sipas tij, në Muhurr me rëndësi është toponimi “Arat e Mazrekave”, dhe vendndodhja e tij ndodhet pikërisht në ato kordinata që përshkruajnë historianët .

Referuar këtyre burimeve, autori Daci, shkruan, se “Njoftimet arkivore, letrare, gojore dhe toponimike që kemi deri tani mbi familjen e Kastriotëve, pajtohen midis tyre dhe plotësojnë njëri-tjetrin, të paktën në vijat kryesore”(fq.481). Dhe ajo çka është më e rëndësishmja, thyerja e heshtjes nga historiografia turke për të cilën autori F.Daci me të drejtë shkruan: “Historiografia turke, pas një heshtjeje mbi 5 shekullore, më në fund foli dhe foli publikisht e me zë të lartë për Skënderbeun. Ishte Instituti i Studimeve Ushtarake të Turqisë, i cili i kushtoi një dokumentar Gjergj Kastriotiti, tek seriali ‘Jetë luftëtarësh’. Ky Institut studimesh, në fjalinë e parë pohon atë që kemi deklaruar në dhjetëra artikuj, katër libra e disa intervista televizive kushtuar Heroit tonë kombëtar, se Skënderbeu ka lindur në Sinë të Dibrës më 1405”.(fq.64). Ndaj dhe Prof.dr.Hasan Çipuri shkruan në parathënie se: “Për të sqaruar dhe argumentuar të vërtetën mbi origjinën dhe vendlindjen e Skënderbeut, autori (F.Daci) ka përmendur në libër mbi 28 studiues të huaj dhe mbi 40 historianë shqiptarë nga më të spikaturit, duke filluar që nga Marin Barleti e Gjon Muzaka, te Fan Noli, Naim Frashëri, Marin Serdari, Dhimitër Frengu, e deri tek Aleks Buda, Kristo Frashëri, Sabri Godo, Mustafa Kruja, Injac Zamput, Kasem Biçoku, Luan Malltezi, Shahin Leka, etj. Gjatë hulumtimit të burimeve të nevojshme, autori ka pasqyruar 110 referenca të shënuara sipas çeshtjeve të renditura në libër”.

Dyzetenëntë vjet më parë (janar 1974), çështja e origjinës krahinore të Kastriotëve u bë objekt i një studimi të veçantë të profesor Kristo Frashërit, i cili për herë të parë trajton shkencërisht edhe çështjen e vendit ku lindi Skënderbeu. Në artikullin e tij me titull “Nga ishin Kastriotët? Ku lindi Skënderbeu?”, ai shtroi për diskutim dhe ballafaqim të gjitha burimet arkivore dhe letrare, të cilave u shtoi edhe të dhënat toponimike që mblodhi në terren. Nga analiza e këtyre të dhënave, profesor Frashëri del në përfundimin se, me emrin Has, kronika raguziane e Lukarit dhe koleksioni boshnjak i Fermenxhinit, nuk kanë pasur parasysh krahinën e sotme të Kukësit, pasi kjo krahinë, deri në fund të shek. XVI quhej Pashtrik. Ata, sipas Profesor Frashërit, kanë pasur parasysh një nga krahinat e rrethit të Dibrës, qendra e së cilës është Çidhna, e masakruar barbarisht nga Sulltan Mehmeti II më 1466, në gjirin e së cilës ndodhen fshatrat Kastriot, Sinë dhe Gardhi i Poshtëm, që lidhen historikisht me familjen e Skënderbeut.

Tetë vjet më vonë, historianët e mirënjohur, prof. Stafanaq Pollo e prof. Kristo Frashëri, pasi vizituan muzeun e Kastriotëve në Sinë të Dibrës lanë këtë shënim në fletoren e përshtypjeve të vizitorëve të këtij muzeu: “Sinë, 12 shtator 1982. Vizituam muzeun e vogël të fshatit Sinë, vendi i origjinës së Kastriotëve dhe Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Përshëndesim nismën e banorëve të Sinës dhe atyre që e përkrahën ngritjen e këtij Muzeu. Urojmë që ai (muzeu) të pasurohet sa më shumë e më shpejt dhe të kthehet në një objekt historik të vizitueshëm, për edukimin e brezit të ri”.

Pikërisht kjo referencë nga historianët e mirënjohur, prof. Stafanaq Pollo e prof. Kristo Frashëri e bën më të besueshëm librin “Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër - Tuqia vulos: Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës” të autorit Fatos Daci, një botim ky me vlera vërtet shkencore. Kjo edhe për faktin se nëse, sot, ekziston një korpus i madh botimesh mbi origjinën e Kastriotëve dhe vendlindjen e Skënderbeut, historia skënderbegiane do të ishte e mangët pa këtë libër të autorit Fatos Daci, i cili përveç studimeve të shumta serioze e të mirëargumentuara, sjell më së fundi për publikun faktin e pakontestueshëm: serialin e dokumentarit turk ku që në fillim deklarohet Sina e Dibrës si vendlindja e Heroit tonë kombëtar. Po, është Fatos Daci, që ka sens në edukimin e gjeneratave dhe studimin e historisë kombëtare, ai që hedh dritë mbi historinë reale skënderbegiane, ndryshe nga shtrembërimet e historiografisë së derisotme. Sot, ai ndjehet krenar dhe është i nderuar për faktin se puna e tij studimore shumëvjeçare ka arritur në destinacionin e duhur, e çertifikuar tashmë edhe nga Instituti i Studimeve Ushtarake të Turqisë që deklaroi Sinën e Dibrës si vendlindje të Skënderbeut.

103 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page