Skënder Zogaj: POEZIA E MËRGIMIT SI UNIVERS SHPIRTËROR
- 1 hour ago
- 8 min read

Musa Jupolli, i lindur më 1955 në Shajkovc të Besianës, nga viti 1984 jeton në Paris dhe i përket brezit të krijuesve shqiptarë, të cilët mërgimin e kanë shfrytëzuar si hapësirë krijimi, meditimi dhe shërbese ndaj identitetit kombëtar. Jeta në qendrën më të rëndësishme kulture evropiane, siç është Parisi, jo vetëm që nuk e ka zbehur lidhjen e këtij krijuesi me atdheun, por ia ka zgjeruar horizontin artistik, duke e bërë urë lidhëse ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj franceze. Vëllimi poetik “Dielli im në mërgim”, i botuar në gjuhën shqipe dhe frënge, është dëshmi e kësaj ure shpirtërore e kulturore. Dy gjuhët komunikojnë pranë njëra-tjetrës si dy horizonte që bashkohen në një univers poetik, ku fjala shqipe ruan ngrohtësinë e kujtesës, ndërsa frëngjishtja e çon atë drejt lexuesit evropian. Pra, libri ka dimension të dyfishtë: shpreh besnikërinë ndaj rrënjëve shqiptare dhe, njëkohësisht, hapet ndaj dialogut ndërkulturor.
2.

Që në leximin e parë, vëllimi lë përshtypjen e një poezie të përjetuar. Ajo nuk ndërtohet mbi efektin e jashtëm estetik, por mbi përvojën jetësore, kujtesën dhe mallin, të shkrira në një ligjërim të qetë, të përmbajtur e meditativ. Në këtë poezi, mërgimi nuk paraqitet vetëm si largësi gjeografike, por është një gjendje e qenies, në një dialog të pandërprerë ndërmjet vendlindjes dhe botës, ndërmjet kujtesës dhe së tashmes, ndërmjet mungesës dhe shpresës. Titulli “Dielli im në mërgim” bart një simbolikë të fuqishme. Dielli, si metaforë e dritës, jetës, atdheut dhe shpresës, nuk perëndon në vetminë e mërgimtarit, por e shoqëron poetin kudo, duke iu bërë burim force, frymëzimi dhe besimi. Në këtë kuptim, libri mallin për vendlindjen e bën himn për qëndresën shpirtërore, identitetin dhe dinjitetin njerëzor.
Në poezinë e Jupollit, mërgimi nuk trajtohet si fat i dhimbshëm individual, por si një kategori estetike dhe filozofike, ku kujtesa, malli, identiteti, atdheu, gjuha dhe dashuria për rrënjët etnike autoktone, bashkëveprojnë në një strukturë poetike të harmonizuar. Sistemi motivor dhe simbolik i veprës avancon traditën e poezisë shqiptare të mërgimit, duke e pasuruar atë me ndjeshmëri bashkëkohore, me shprehje të matur artistike dhe me një vizion që tejkalon kufijtë e nostalgjisë së zakonshme. Pra, libri shquhet për poetikën e veçantë të mërgimit, e cila në këtë tufë poezish sublimon një sistem të pasur motivesh e simbolesh. Këto nuk mbeten vetëm shenja estetike të përvojës individuale, por marrin dimension të gjerë kombëtar e universal, duke e ngritur përjetimin personal në nivelin e vetëdijes kolektive. Pikërisht kjo njëra ndër vlerat më të rëndësishme artistike të veprës, që e ripërtërinë traditën e njohur letrare, ku përvoja e mërgimtarit bëhet pjesë e universit poetik me vlera të qëndrueshme estetike, kombëtare dhe njerëzore
3.
Musa Jupolli e nis këngëtimin me zgjimin e Diellit, simbolit më të lashtë të dritës, jetës, shpresës dhe vazhdimësisë. Në poezinë “Dielli, besimi ynë”, Dielli është fenomen natyror, por është edhe një qenie e gjallë, një bashkëbisedues dhe udhërrëfyes shpirtëror. Përqafimin e Diellit poeti mërgimtar e ka metaforë të përqafimit të atdheut, të popullit të tij, të gjuhës amtare dhe të identitetit kombëtar.
Vargjet:
“E përqafova Diellin n’emër të gjuhës,
N’emër të atdheut që më lindi…” (fq.9)
shpalosin tri shtyllat themelore të poetikës së Jupollit: gjuhën, atdheun dhe kujtesën. Këto nocione konkrete janë vlerat jetësore që e mbajnë të gjallë qenien e mërgimtarit. Poeti e ka Diellin simbol identitar që e ndriçon hapësirën fizike, por edhe ndërgjegjen kombëtare:
“Më tha: mos e harro origjinën…
Dhuratë më të bukur nuk ka,
kur e përqafon Diellin e t’flet shqip,
në gjuhën e Perëndisë…” (fq.9)
Në këto vargje arrihet kulmi artistik; këtu simbolika ngrihet në nivel të lartë filozofik. Gjuha shqipe paraqitet si gjuha e shpirtit, e trashëgimisë dhe e shenjtërisë, ndërsa origjina shndërrohet në një amanet moral që duhet ruajtur pavarësisht largësisë. Shprehja “në gjuhën e Perëndisë” nuk synon hierarki gjuhësh, por të shprehë dashurinë e pakushtëzuar të poetit për gjuhën amtare, duke e ngritur atë në përmasën shenjtërore. Në këtë poezi Musa Jupolli e shpall kredon e tij poetike: mërgimi mund ta largojë njeriun nga vendlindja, por nuk mund ta shkëpusë nga gjuha, kujtesa dhe identiteti. Dielli është metafora kyçe e gjithë vëllimit “Dielli im në mërgim”, duke rrezatuar mbi motivet e besimit në vazhdimësinë e qenies shqiptare.
Nga prizmi i së kaluarës me traditë të lavdishme, autori nuk qëndron indiferent as ndaj disa zhvillimeve aktuale që sheh në atdhe: përçarjet, mëritë dhe urrejtjet ndërshqiptare! Me dhimbje poeti gjykon: “Një farë me hile na i ka vu drynat në shpirt e jemi verbëruar!” I tronditur nga gjendja, poeti proklamon:
“Me një Himn, me një besim t’Atdheut me shpirt poetik,
Këmbëkryq në tryezë arbërore, t’i falemi dheut që na lindi.” (fq.8)
Kjo është poezia “Këmbëkryq për Qiell e Diell të besimit arbëror” e cila është një apel lutës për pajtim, bashkim dhe rikthim te besimi në Atdhe. Në këtë temë shpërthen edhe një tjetër metaforë e spikatur - Plisi, simboli më i lashtë dhe më identifikues i shqiptarisë, që poeti e vendos në dialog poetik me Lisin, dy simbole që mishërojnë pastërtinë morale, besën, qëndrueshmërinë dhe lashtësinë e kombit shqiptar:
“Plisi është i bardhë si bora n’Lis.
Plisi për fjalën,
Lisi për qëndresën,
Flasin me një gjuhë të lashtë.
Ta kemi dashurinë të bardhë si Plisi,
fjalën e drejtë si Lisi, me besim dhe shikim nga Dielli.” (fq. 11)
Përmes kësaj metafore, autori ndërton sistem vlerash të mbështetura në pastërtinë shpirtërore, besën, drejtësinë dhe qëndresën. Plisi dhe Lisi janë elemente të traditës shqiptare, që autori i shndërrohen në simbole të etikës dhe të orientimit drejt dritës së vërtetës të së ardhmes.
Te cikli i dytë “Emnesë”, poezia me të njëjtin titull përbën boshtin filozofik të librit. Ai shpalos botëkuptimin e autorit, dilemat e tij ekzistenciale dhe përsiatjet mbi kuptimin e jetës, njeriut dhe fatit të botës bashkëkohore. Më shumë se një rrëfim lirik, ky cikël paraqitet si një udhëtim meditativ, ku poeti kërkon të depërtojë në thelbin e qenies dhe të vlerave njerëzore. Këtë e bën duke ngre pyetje themelore mbi ekzistencën dhe përpiqet t’u japë atyre një përgjigje përmes dijes, etikës, moralit dhe besimit:
“Prehje, zbërthim, ide, etikë, moral –
Si të kuptohet jeta?
E lexova në libra të moçëm bukurinë, në udhëtime të gjata,
si një paradigmë e shpirtit, me ndjenjën e idesë
në filozofinë e besimit.
Aty, me shkronja të theksuara,
shkruhej me germa që kërkojnë deshifrim
për ngjyrën e trupit:
E zeza dhe e bardha.” (Emnesë, fq. 19)
Përmes kësaj poezie, Jupolli ndërton një ligjërim me ngarkesë të dukshme filozofike. Ai nuk synon të japë përgjigje përfundimtare, por të nxisë reflektimin mbi dualitetet që shoqërojnë ekzistencën njerëzore: dritën dhe errësirën, të mirën dhe të keqen, besimin dhe dyshimin, jetën dhe vdekjen. Simbolika e “së zezës” dhe “së bardhës” tejkalon kuptimin e drejtpërdrejtë, duke u shndërruar në metaforë të përhershme të kontrasteve që formësojnë qenien njerëzore dhe botën. Përsiatja filozofike pohon se “E zeza dhe e bardha emërtohen, por nuk janë ngjyra.” Me këtë varg poeti thyen “kodin e trillimit” dhe depërton në thelbin e qenies njerëzore, duke e zhvendosur kuptimin nga dallimet e jashtme te vlerat universale të njeriut:
”…diku mes lindjes dhe perëndimit, mes jugut dhe veriut,
femër ‘zezake’,
femër e ‘bardhë’,
që të dyja kanë një titull, quhen EMNESË
dhe i flasin të gjitha gjuhët e botës.
Në sytë e tyre duken të gjitha ngjyrat e luleve.” (fq. 20)
Ky vizion poetik e bën “Emnesën” simbol universal të qenies njerëzore. Për poetin, dallimet racore, gjeografike apo kulturore janë vetëm emërtime të jashtme; në thelb, njeriu është i njëjtë kudo. Pikërisht në këtë universalitet qëndron një nga mesazhet shumë të fuqishme humaniste të veprës.
Dy ciklet pasuese, “Atdheu i pamort” dhe “1981–1999”, e zhvendosin vëmendjen nga meditimi filozofik te drama historike e Kosovës. Këtu autori shfaqet si një udhëtar homerik, që të kujton Odisenë, duke përballuar dallgët e historisë në rrugëtimin e tij drejt Dardanisë së pamort. Ai përshkon një periudhë të mbushur me vuajtje, sakrifica dhe tragjedi kombëtare, por pa e humbur besimin te mbijetesa dhe dinjiteti i atdheut. Duke thënë se “Gjaku i saj nuk është as Mollë e Kuqe, as Mollë Sherri”, poeti refuzon mitizimin e dhunës dhe nënvizon se, gjaku i derdhur nuk mund të jetë simbol krenarie apo përçarjeje, por dëshmi e dhimbjes njerëzore.
Vargjet e këtyre cikleve mbartin frymën e eposit homerik, si në tonin solemn, ashtu edhe në mënyrën e trajtimit të fatit kolektiv. Lexuesi e ndien peshën e dhembjes dhe arrin të kuptojë se tragjeditë njerëzore përsëriten në të gjitha epokat dhe në të gjitha hapësirat. Luftërat, pavarësisht kohës dhe vendit ku zhvillohen, lënë pas të njëjtën trashëgimi: gjakderdhje, vuajtje dhe plagë të thella në kujtesën e njerëzimit.
4
Vendlindja, fshati Shajkoc i Mesiansës (Podujevë), përbën një tjetër vatër të fuqishme frymëzimi në këtë vëllim poetik. Ajo është plagë dhe dritë njëherësh, një kujtesë e pashuar që ia gërryen zemrën poetit dhe ia shndërron shpirtin në “mulli të vuajtjeve”. Dhimbja bëhet edhe më e thellë kur ai vëren se, edhe pas një rrugëtimi të gjatë historik, “Shajkoci ka nevojë për BIBLIOTEKË”. Ky varg tejkalon kufijtë e një kërkese konkrete dhe bëhet etje për dije, kulturë dhe emancipim shpirtëror. Mirëpo poeti nuk mbetet peng i nostalgjisë. Atë e ngushëllojnë kujtimet për bashkëvendësit, miqtë dhe figurat e shquara që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe historinë shqiptare: këngëtarët Ismet Bogujevci dhe Nexhmije Pagarusha; poetët Avdullah Konushevci, Martin Camaj, Mentor Thaqi; heronjtë e Kosovës: Adem Jashari, Sali Çeku, Agim Ramadani dhe shumë të tjerë. Këta janë emra që kanë hyrë në rrjedhën e historisë dhe që për poetin përfaqësojnë vazhdimësinë e idealeve kombëtare. Prandaj, ai nuk e dëshiron vargun të mbyllet me pikë, si shenjë e përfundimit. Jupolli parapëlqen “veç presjen, që ma përkujton lotin”, sepse loti nuk është fund, por vazhdim i kujtesës, i dhimbjes dhe i shpresës.
Vlerë e veçantë e këtij libri është edhe cikli “Voix d’Encre”, ku janë përfshirë trembëdhjetë poezi të përzgjedhura, paralelisht të botuara në shqip dhe në frëngjisht. Botimi dygjuhësh nuk është vetëm një zgjidhje editoriale, por edhe një urë komunikimi me lexuesin frankofon, që i jep poezisë së Jupollit mundësinë të kapërcejë kufijtë gjuhësorë e kulturorë dhe të bëhet pjesë e dialogut të letërsisë bashkëkohore evropiane.
5
Nga kjo analizë veçuam vetëm disa prej shtyllave tematike dhe artistike të vëllimit “Dielli im në mërgim” që dëshmojnë se poezia e Musa Jupollit ndërtohet mbi një botë të pasur idesh, simbolesh dhe emocionesh, ku ndërthuren filozofia e jetës, dashuria për atdheun, kujtesa historike, identiteti kombëtar dhe humanizmi.
Këto janë disa nga vlerat e kësaj vepre, por universi poetik i Jupollit është shumë më i gjerë, ndërsa përmbajtja e tij mbështetet në një kompleks të harmonizuar vlerash artistike, estetike dhe njerëzore, të shprehura me një gjuhë poetike të pasur, figuracion origjinal dhe me një ndjeshmëri të thellë lirike. Pikërisht ky bashkim i mendimit me emocionin dhe i idesë me artin e bën librin “Dielli im në mërgim” një vepër me peshë në poezinë bashkëkohore shqipe.
Veçanti e rëndësishme e poetikës është edhe raporti krijues me gjuhën. Jupolli nuk kufizohet brenda normës së njësuar të shqipes letrare, por e tejkalon atë me vetëdije artistike, duke aktivizuar pasurinë shprehëse të gegërishtes. Elementet dialektore nuk përdoren si zbukurim i jashtëm, por si mjete estetike që i japin vargut autenticitet, ngrohtësi, muzikalitet dhe individualitet stilistik. Kështu, dialekti bëhet pjesë organike e poetikës së tij dhe zgjeron mundësitë shprehëse të gjuhës letrare.
Edhe pse jeton dhe krijon në mërgim, Musa Jupolli mbetet thellësisht i lidhur me vendlindjen, me traditën dhe me kulturën shqiptare. Kjo lidhje nuk shfaqet si nostalgji e thjeshtë, por si një burim i pashtershëm frymëzimi, që i jep poezisë së tij identitet të qartë dhe komunikim të natyrshëm me lexuesin. Për këto arsye, “Dielli im në mërgim” është më shumë se një përmbledhje poetike, është një dëshmi artistike e kohës, e kujtesës dhe e shpirtit njerëzor, ku fjala poetike shndërrohet në bartëse të vlerave estetike, etike dhe kombëtare. Me origjinalitetin e vizionit, pasurinë e figuracionit dhe kulturën e tij poetike, Musa Jupolli e ka vendin e vet të merituar në poezinë bashkëkohore shqipe.
Fushë Kosovë, korrik 2026








Comments